Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 53/2019 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 53/2019 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

D E K R E T

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 53/2019

“PËR AKADEMINË E SHKENCAVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend, të ligjit nr. 53/2019, “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e pikës 1 të nenit 3, pikës 3, 7 dhe 14 të nenit 4, pika 3 e nenit 6, pikat 5 dhe 6 të nenit 11, pika 1 e nenit 15, si dhe pikës 1 të nenit 19, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Nr. Dekreti 11256
Tiranë, më 08.08.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 53/2019

“Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”

 

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 18 korrik 2019, ka miratuar dhe ligjin nr. 53/2019 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”.

Me shkresën nr. 2890 prot., datë 24.07.2019, të Kuvendit, ky ligj është përcjellë për dekretim e shpallje dhe është administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 2592 prot., datë  24.07.2019.

Në zbatim të nenit 84 dhe nenit 85 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës brenda 20 ditëve nga paraqitja e ligjit të miratuar, shprehet me dekret për shpalljen e ligjit apo për kthimin e ligjit për rishqyrtim në Kuvend. Nëse Presidenti i Republikës brenda 20 ditëve nga paraqitja e ligjit nuk e shpall ligjin apo nuk ushtron kompetencën kushtetuese për ta rikthyer atë për rishqyrtim, ligji quhet i shpallur.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare mbi propozimin, shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji rezulton se ligji nr. 53/2019 i miratuar “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë” ka si qëllim përcaktimin e bazave juridike për organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni, në kuadër të reformimit të tij, si një institucion i rëndësishëm me ndikim në thellimin e reformave për kërkimin shkencor në vend. Sipas nenit 26 të ligjit nr. 53/2019, me hyrjen në fuqi të tij, ligji aktual nr. 9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Sipas Raportit të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik të datës 16.07.2019, projektligji i paraqitur për shqyrtim është propozuar nga një grup deputetësh. Sipas dokumenteve parlamentare të publikuara nga Kuvendi, ky projektligj është punuar fillimisht nga grupi i punës i ngritur nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe një Komision ad-hoc i ngritur nga Asambleja e Akademisë së Shkencave, të cilët në përfundim ia përcollën projektligjin deputetëve nënshkrues të kësaj nisme ligjvënëse. Pas diskutimeve të përbashkëta midis grupeve të punës dhe deputetëve, këta të fundit vendosën paraqitjen për shqyrtim dhe miratim në Kuvend të kësaj nisme ligjore.

Projektligji është diskutuar në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, i cili me raportin e datës 16.07.2019, bën me dije se shqyrtimi i tij është zhvilluar në mbledhjet e këtij komisioni në datat 09,10, 11, 15 dhe 16 korrik 2019.

Gjithashtu, nga raporti i komisionit të sipërpërmendur dhe relacioni shoqërues të projektligjit bëhet me dije se propozimi është kryer nga një grup deputetësh dhe për finalizimin e tij janë organizuar edhe seanca dëgjimore me akademikë nga Asambleja e Akademisë së Shkencave, Akademia e Studimeve Albanologjike, rektorë të universiteteve publike, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 53/2019, duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke vlerësuar përputhshmërinë e këtij ligji me parimet dhe parashikimet kushtetuese, legjislacionit aktual në fuqi, si dhe ligjin për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit të këtij ligji, Presidenti i Republikës, ka arritur në përfundimin se,  ligji nr. 53/2019 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, bie ndesh me parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; cenon kompetencat e Presidentit të Republikës, cenon autonominë e institucioneve të arsimit të lartë, si dhe nuk është në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë.

 Konkretisht:

I.Parashikimet e pikës 1 të nenit 3 të ligjit nr. 53/2019, nuk janë në harmoni me dispozitat e ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Në pikën 1 të nenit 3, të ligjit nr. 53/2019 parashikohet shprehimisht se:

“1. Akademia është institucioni publik më i lartë që përfaqëson e mbart vlerat më të mira të shkencës, të kërkimit shkencor, të krijimtarisë dhe të debatit e bashkëveprimit të mendimit shkencor në vend, përmes një bashkësie të zgjedhur shkencëtarësh e krijuesish.

Ndërkohë, në ligjin nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 6 “Përkufizime” pika 9, jepet përkufizimi  i institucioneve të arsimit të lartë dhe ku përcaktohet shprehimisht:

““Institucionet e arsimit të lartë” janë persona juridikë që ofrojnë arsimim të lartë ose kualifikim profesional pas arsimit të mesëm dhe, sipas llojit të institucionit, edhe kërkim shkencor, si pjesë e sistemit të arsimit të lartë, të krijuar, dhe që ushtrojnë veprimtarinë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.”

Në vijim, në dispozitat e ligjit nr. 80/2015, vërehet se kërkimi shkencor është një veprimtari e kryer nga organe të parashikuara brenda institucioneve që disponojnë fonde dhe personel të kualifikuar, veprimtari e cila kryhet pas orientimit të qeverisë, me miratimin nga ministria përgjegjëse për arsimin të programit e planit strategjik në këtë fushë.

Gjithashtu, në ligjin nr. 80/2015 parashikohet financimi nga buxheti i shtetit dhe mbështetja me infrastrukturën e nevojshme të veprimtarive kërkimore-shkencore në këto institucione të arsimit të lartë. Për më tepër, është parashikuar krijimi i organit këshillimor, Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor (KALKSH) pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin me përbërje nga personalitete të njohura të fushave akademike.

Nëse i referohemi  nenit 11 të ligjit nr.80/2015 në pikën 1 shkronja “a”, parashikohet:

“ 1. Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) është institucion publik në varësi të ministrisë përgjegjëse për arsimin, që ka për detyrë kryesore shpërndarjen e fondeve publike për:

a) mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve publike të arsimit të lartë ku përfshihet mësimdhënia, kërkimi shkencor dhe pjesëmarrja në çështjet e menaxhimit akademik dhe administrativ;

Në ligjin nr. 80/2015, kërkimi shkencor është i rregulluar në nenet 93-96 të tij. Nëse i referohemi nenit 93 dhe 94 të po këtij ligji, parashikohet se :

“Neni 93

Veprimtaria kërkimore-shkencore 

1.Institucionet e arsimit të lartë kryejnë veprimtari kërkimore-shkencore bazë ose të zbatuara, studime, projekte për zhvillim dhe veprimtari të tjera krijuese, të përcaktuara në statutin e tyre, sipas natyrës dhe objektivave specifikë të institucionit. Ato garantojnë integrimin e veprimtarisë kërkimore në atë të mësimdhënies.  

2.Veprimtaria kërkimore-shkencore që kryhet në institucionet e arsimit të lartë, synon të mbështesë zhvillimin e vendit dhe rritjen e cilësisë së arsimit. 

3.Nëpërmjet veprimtarisë kërkimore-shkencore personeli akademik dhe studentët fitojnë aftësi për kërkime të pavarura, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm profesional dhe të karrierës akademike. 

4.Veprimtaria kërkimore-shkencore e krijuese rregullohen sipas këtij ligji, akteve ligjore e nënligjore në fuqi, si dhe statutit të institucioneve të arsimit të lartë” . 

Ndërkohë që, në nenin 94 të ligjit nr. 80/2015, parashikohet se ku zhvillohet veprimtaria shkencore. Konkretisht, në këtë dispozitë të ligjit parashikohet: 

“ Neni 94

Struktura e kërkimit shkencor 

1.Veprimtaria kërkimore-shkencore zhvillohet, sipas përcaktimeve të këtij ligji, në:

a) institucionet e arsimit të lartë;

b) institutet dhe qendrat ndërinstitucionale të kërkim-zhvillimit;

c) institutet e kërkim-zhvillimit pranë ministrive.

2.Strukturat e sipërpërmendura të kërkimit shkencor zhvillojnë veprimtaritë e tyre në përputhje me misionin dhe fushat e kompetencës dhe u nënshtrohen kritereve të financimit të veprimtarisë së tyre kërkimore-shkencore, sipas këtij ligji dhe akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi. Ato kanë detyrimin të bëjnë publike veprimtarinë e tyre, si edhe rezultatet përkatëse, me përjashtim të rasteve të veçanta, që rregullohen me akte ligjore ose nënligjore.

3.Kërkimi shkencor zhvillohet e organizohet edhe në institucione të tjera, veprimtaria e të cilave rregullohet me ligj të veçantë” .

Referuar ligjit nr. 80/2015, në të ka rregullime të natyrës organizative për kërkimin shkencor që rregullohet në institucionet e arsimit të lartë, duke njohur faktin se kërkimi shkencor zhvillohet dhe organizohet edhe në institucione të tjera veprimtaria e të cilave rregullohet me ligj të veçantë.

Në dispozitat e ligjit nr. 80/2015, nuk përcaktohet se Akademia e Shkencave ka një rol më të lartë, udhëheqës apo mbikëqyrës ndaj institucioneve të arsimit të lartë, sa i takon veprimtarisë së tyre në drejtim të kërkimit shkencor.

Por, ndryshe nga ky rregullim që bën ligji nr. 80/2015, në ligjin nr. 53/2019, parashikohet se Akademisë së Shkencave të Republikës i jepet një status më i lartë në hierarkinë e kërkimit shkencor. Kjo është e dukshme jo vetëm në pikën 1 të nenit 3 të ligjit të sapomiratuar, por dhe në dispozita të tjera të tij: p.sh. në nenin 4, pika 9 të ligjit vihet në dukje se Akademia e Shkencave bashkëpunon me institucionet e vendit me kapacitet kërkimi, si institucionet e arsimit të lartë, institutet dhe qendrat e kërkimit me qëllim koordinimin e kërkimit shkencor dhe përgatitjen e kërkuesve të rinj. Kjo dispozitë është pothuajse në të njëjtën frymë me parashikimet e ligjit nr. 80/2015, por nëse karahsojmë pikën 1 të nenit 3 me pikën 6 të nenit 9, të ligjit nr. 53/2019, duket qartë se Akademisë së Shkencave dhe anëtarëve të Asamblesë së saj, u jepet një rol jo vetëm koordinues, por dhe mbikëqyrës ndaj veprimtarisë shkencore të institucioneve të arsimit të lartë.

Nëse qëllimi i ligjvënësit është që i gjithë procesi i kërkimit shkencor të udhëhiqet nga Akademia e Shkencave atëherë ai duhet të zyrtarizohet në mënyrë të njëjtë si në ligjin nr. 53/2019, ashtu dhe në ligjin nr. 80/2015, në mënyrë që këto dy ligje të jenë krejtësisht në harmoni me njeri-tjetrin dhe të mos sjellin në praktikë interpretime mbi rolin, veprimtarinë apo produktet që dy institucione autonome, si Akademia e Shkencave dhe institucionet e arsimit të lartë kanë apo realizojnë.

Përcaktimi se Akademia e Shkencave është institucioni publik më i lartë që mbart vlerat më të mira të kërkimit shkencor, duhet të ishte i shoqëruar gjithashtu edhe me parashikime të qarta në ligj sesi këto institucione punojnë dhe koordinohen mes tyre me qëllim bashkërendimin, zhvillimin, organizimin dhe administrimin e veprimtarisë kërkimore-shkencore.

Gjithashtu, nëse me ligje të veçanta parashikohen disa institucione kërkimore-shkencore duhet të bëhet kujdes në bashkëpunimin që duhet të kenë ato me njëri-tjetrin, me qëllim njohjen e dhënien e ndihmës së përbashkët në një projekt kërkimor-shkencor konkret, për të cilin ka filluar puna.

Në këtë mënyrë çdo përpjekje pozitive e secilës strukturë kërkimore unifikohet dhe koha përdoret me cilësi e shërbim në mënyrën më të mirë; për rrjedhojë, edhe fondet e dedikuara të buxhetit të shtetit për këtë qëllim përdoren në mënyrë të frytshme dhe efikase.

Për sa më sipër, Presidenti i Republikës, vlerëson se dispozitat e ligjit nr. 53/2019, duhen të rishikohen edhe një herë në krahasim edhe me parashikimet e ligjit nr. 80/2015, me qëllim harmonizimin e tyre në funksion të interesit publik që, në rastin konkret, është realizimi i kërkimit shkencor sa më cilësor dhe të koordinuar me qëllim zhvillimin e produkteve në përputhje edhe me përparësitë e zhvillimit dhe interesave strategjikë të vendit.

II.Parashikimet e pikës 3 të nenit 4 të ligjit nr. 53/2019, duhet të rivlerësohen edhe një herë nga Kuvendi.

Në nenin 4 të ligjit nr. 53/2019, sanksionohet roli dhe funksionet kryesore të Akademisë. Në pikën 3 të këtij neni parashikohet shprehimisht:

“3. Të ndërtojë strategji dhe zbatojë politika për përdorimin e njësuar të gjuhës shqipe zyrtare, të terminologjive bashkëkohore të shkencës dhe teknikës, si dhe për konsolidimin e gjuhës shqipe në të gjitha fushat e shkencës.”

Duke përshëndetur propozuesit dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për ligjin, vlen të theksohet fakti se, me përbërjen aktuale të këtij institucioni dhe në kushtet kur, as e ardhmja nuk mund të jetë e parashikuar, Akademia e Shkencave nuk mundet dhe, në fakt, nuk do duhej të trajtonte e vetme problematikat delikate të përshtatjes, unifikimit, ndryshimit të simbolit kryesor të identitetit të kombit tonë, me ndryshimet e vrullshme që jeta ka sjellë që nga kongresi i fundit gjuhësor i mbajtur në vitin 1972.

Trajtimi dhe vendimmarrja e problematikave lidhur me gjuhën shqipe dalin përtej kufijve dhe vullnetit të veprimtarisë individuale të Akademisë së Shkencave dhe duhen trajtuar në një rrafsh më gjithëpërfshirës me qëllim që të gjithë bashkëkombësit tanë, e veçanërisht gjuhëtarët, të mund të përfaqësohen dhe të dëgjohen, si dhe të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe unifikimit/ve.

Akademia e Shkencave nuk duhet të jetë e vetme për të realizuar një proces vendimmarrës kaq madhor në drejtim të gjuhës, pa përfshirë brenda këtij procesi edhe katedrat përbërëse të fakulteteve të gjuhës, shkencave sociale, gazetarisë etj., të cilat mund të kenë propozime konkrete, për problematika konkrete lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe.

Roli i Akademisë së Shkencave në këtë drejtim nuk mund të jetë kaq ekskluziv dhe normativ siç është parashikuar në nenin 4, pika 3, aq më tepër kur bëhet fjalë për shqipen e përdorur edhe në të gjithë sistemin e shkencave, ku përpunimi i terminologjisë në shqip në to është një çështje sa e lirisë së kërkimit shkencor, aq edhe një kontribut i të gjitha institucioneve që kryejnë kërkim shkencor në vend.

Sikurse dihet departamentet e gjuhësisë dhe letërsisë, por edhe institutet e gjuhës dhe letërsisë ndodhen aktualisht jashtë sistemit të Akademisë së Shkencave dhe pa asnjë varësi institucionale ose shkencore prej saj.

Në këto kushte, roli zbatues i strategjive dhe politikave i Akademisë së Shkencave sipas formulimeve të nenit 4, pika 3 meriton një vëmendje të shtuar nga Kuvendi i Shqipërisë me qëllim rivlerësimin edhe një herë të kësaj çështjeje me shumë seriozitet.

Është e nevojshme që në këtë proces të përfshihen të gjitha institucionet që kanë vlerë, ndaj zbatimi i strategjive dhe politikave në këtë drejtim, duhet të marrë më parë vendimin apo vullnetin e shprehur të Kuvendit të Shqipërisë.

Për këto arsye, Presidenti i Republikës, vlerëson se neni 4, pika 3 e ligjit nr. 53/2019, duhet të rivlerësohet edhe një nga Kuvendi i Shqipërisë.

III. Pika 7 e nenit 4 të ligjit nr. 53/2019, nuk është në harmoni me parashikimet e ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Në pikën 7, të nenit 4 të ligjit nr. 53/2019, objekt shqyrtimi, parashikohet se roli dhe funksioni i Akademisë së Shkencave është edhe:

“7. Të promovojë, botojë dhe shpërndajë standardet e reja ndërkombëtare të kërkimit shkencor dhe të inovacionit, si dhe të garantojë respektimin e tyre për vlerësimin e punës shkencore dhe etikës në shkencë, si dhe për mbështetjen e programeve të studimit apo kërkimit.”.

Sipas këtij parashikimi, interpretimi i normës, por dhe frymës së ligjit në tërësi, është e dukshme se vendimmarrjet e Akademisë së Shkencave në jetën shoqërore, kulturore dhe shkencore të vendit tonë do të jenë me karakter urdhërues dhe drejtpërdrejtë të detyrueshëm për zbatim.

Për më tepër, Akademia e Shkencave rezervon edhe të drejtën e vëzhgimi të aplikimit të vendimeve të saj për të garantuar respektimin e tyre.

Nga kjo dispozitë kuptohet, gjithashtu, se Akademia e Shkencave në formën e mbështetjes së programeve të studimit apo kërkimit, mund të ndërhyjë në kompetencën e institucioneve të arsimit të lartë parashikuar në ligjin nr. 80/2015 ku, veç të tjerave, në nenin 6, pika 22, parashikohet:

“22.“Programi i studimit” është një tërësi veprimtarish akademike dhe/ose kërkimore shkencore, përfundimi me sukses i të cilave i jep të drejtën studentit të pajiset me një certifikatë, diplomë ose gradë shkencore prej institucionit të arsimit të lartë që e ofron atë, në varësi të llojit të programit të studimit.”

Kështu, pika 7 e nenit 4 të ligjit nr. 53/2019, krijon një mbivendosje në këtë funksion të ri të Akademisë dhe i përplas kompetencat e saj me ato të institucioneve të arsimit të lartë.

Nëse parashikimet e pikës 7, të nenit 4 të ligjit nr. 53/2019 do të hyjnë në fuqi në formën siç ato janë miratuar, është e qartë se institucionet e arsimit të lartë do të humbasin përballë Akademisë së Shkencave autonominë e tyre, ndërkohë që sipas parashikimeve të nenit 57, pika 7 të Kushtetutës autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.

Sipas këtij parashikimi kushtetues, të dy këto institucione duhet të funksionojnë dhe veprojnë në mënyrë të pavarur dhe pa iu nënshtruar njeri-tjetrit, ndërkohë që sipas nenit 4, pika 7 e ligjit nr. 53/2019 Akademisë së Shkencave i jepet një rol më i lartë autoriteti përkundrejt institucioneve të arsimit të lartë, duke bërë që këto parashikime jo vetëm të mos jenë në harmoni me ligjin nr. 80/2015, por të bien në kundërshtim edhe me parashikimet e Kushtetutës.

IV.Pika 14 e nenit 4, të ligjit nr. 53/2014, nuk është në harmoni me parashikimet e ligjit nr. 80/2015.

Konkretisht në këtë dispozitë parashikohet shprehimisht se roli dhe funksioni i Akademisë së Shkencave është edhe:

“14. Të orientojë fushat dhe nënfushat përparësore, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për shkencën, për kërkimet shkencore të doktoratës. Të analizojë arritjet dhe problematikat e këtyre kërkimeve dhe të hartojë në çdo dy vjet një raport publik për to.”

Ky parashikim paraqet problematikë, duke rënë ndesh me nenin 79 të ligjit nr. 80/2015 dhe kompetencat e parashikuara për institucionet e arsimit të lartë.

Konkretisht, në nenin 79  “Studimet e Doktoratës” të ligjit nr. 80/2015, parashikohet:

“Neni 79 

Studimet e doktoratës

1.Institucionet e arsimit të lartë, që ofrojnë studime të doktoratës, hartojnë projekte kërkimore-shkencore dhe zhvillimi për këto studime. Ato aplikojnë për financim pranë AKKSHI-t apo institucioneve të tjera financuese.

2.Studimet e doktoratës zhvillohen me kohë të plotë pranë njësisë bazë ose me kohë të zgjatur në ato raste kur doktoranti është i punësuar si personel akademik në një institucion tjetër të arsimit të lartë apo si personel kërkimor në një institucion të kërkimit bazë ose të zbatuar.

3.Kur studimet e doktoratës zhvillohen në bashkëpunim midis institucioneve të arsimit të lartë, pjesë të procesit kërkimor, mund të zhvillohen pranë institucioneve bashkëpunuese.

4.Numri i studentëve doktorantë përcaktohet nga njësia bazë dhe projekti kërkimor i çdo doktoranti përcaktohet në varësi të projekteve kërkimore të kësaj të fundit.

5.Për kryerjen e studimeve të doktoratës, studenti mund të përfitojë edhe financime nga subjekte të tjera apo të vetëfinancohet.

6.Drejtuesit shkencorë të doktorantëve duhet të kenë titullin “Profesor” ose “Profesor i asociuar” dhe mund të udhëheqin, respektivisht, një numër të caktuar doktorantësh në të njëjtën kohë. Ky numër përfshin të gjitha udhëheqjet që personeli akademik i kategorisë “Profesor” ndjek në të gjitha institucionet e arsimit të lartë ku ai është i angazhuar dhe përcaktohet në Kodin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.

Në rastet kur një pjesë e studimeve të doktoratës kryhet në një institucion të arsimit të lartë të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, SHBA-ve dhe Kanada-së, bashkudhëheqësi në  institucionin pritës mund të jetë me gradën shkencore “Doktor”.

7.Këshilli i Ministrave miraton kriteret që duhet të përmbushë kandidati për fitimin e gradës shkencore “Doktor”, sipas përcaktimeve të këtij ligji, si dhe standardet për fitimin e titujve akademikë “Profesor” dhe “Profesor i asociuar”.” 

Nga krahasimi i dispozitave midis dy ligjeve (ligjit nr. 53/2019 dhe ligjit nr. 80/2015) duket qartë se Kuvendi me parashikimet mbi rolin dhe funksionet kryesore që i ka dhënë Akademisë së Shkencave në nenin 4, pika 14 ka parashikuar kompetenca që tashmë janë të sanksionuara në ligjin për institucionet e arsimit të lartë, duke prekur kështu autonominë e këtyre institucioneve edhe në fushën e trajtimit dhe zhvillimit të doktoraturës. Për rrjedhojë, kjo situatë ligjore krijon një trajtim ligjor të dyfishtë, duke përplasur ligjet midis tyre në mënyrë aspak të panevojshme për t’u rregulluar ndryshe.

Siç e përmendëm edhe më sipër, autonomia e institucioneve të arsimit të lartë është sanksionuar në Kushtetutë ku në pikën 7 të nenit 57 të saj, sanksionohet: “Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj”

Presidenti i Republikës, pas këtij konstatimi, vlerëson se dispozita e nenit 4, pika 14 të ligjit nr. 53/2019, duhet të rivlerësohet dhe të rishikohet nga Kuvendi me qëllim që ajo të mos bjerë ndesh me parashikimet e ligjit nr. 80/2019.

V.Pika 3 e nenit 6, e ligjit 53/2019, bie në kundërshtim me vetë frymën dhe përcaktimet e ligjit për Akademinë e Shkencave, si edhe me parimet e Kushtetutës për ndalimin e çdo lloj diskriminimi për arsye të origjinës ose përkatësisë etnike.

Konkretisht në këtë dispozitë parashikohet se: 

“Neni 6

Asambleja

3.Asambleja zgjedh edhe anëtarë të jashtëm ndër personat me shtetësi apo origjinë shqiptare me banim jashtë vendit, figura të shkencës e të kulturës, si dhe anëtarë nderi ndër figurat e shkencës e të kulturës që janë shtetas joshqiptarë me banim jashtë vendit, të cilët me punimet e tyre kanë ndikuar në ecurinë e mendimit e të zbatimit të shkencës në Shqipëri apo në promovimin e të vërtetave dhe të vlerave të origjinës, gjuhës e kulturës shqiptare. Numri i anëtarëve të nderit është deri në 15, i anëtarëve të jashtëm deri në 10 dhe i anëtarëve korrespondente deri ne 15. Personat me origjinë shqiptare që janë anëtarë me të drejta të plota të një akademie pjesëtare të “All European Academies”, fitojnë drejtpërdrejt statusin e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave, e cila formalizohet nga një mbledhje ceremoniale e Asamblesë. Këta të fundit nuk përfshihen në llogaritjen e kufirit maksimal të sipërcituar.”

Kuptohet që institucionet e kërkimit shkencor në Shqipëri, sikurse edhe Akademia e Shkencave, kanë për detyrë të afrojnë dhe bashkëpunojnë me të gjithë kërkuesit shkencorë dhe shkencëtarët me origjinë shqiptare ose me shtetësi shqiptare që ndodhen në rajon apo kudo në botë.

Por, për realizimin e këtij misioni kaq të rëndësishëm kombëtar me vlera të veçanta për kulturën dhe shkencën shqiptare, duhen gjetur format dhe mekanizmat që të jenë në përputhje me parimet e Kushtetutës dhe në harmoni me legjislacionin. Marrja e statusit të anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë vetëm për shkak të origjinës ose përkatësisë etnike shqiptare të një anëtari të një akademie shkencash të një vendi tjetër, duhet të respektojë atë çka ligji për Akademinë e Shkencave ka në themel të pranimit të anëtarëve të saj pra, kandidimin e lirë të çdo personi që paraqet këtë kërkesë.

Pranimi i kandidatëve prezumohet se kryhet individualisht dhe jo në grup dhe shqyrtohet nga Asambleja, rast pas rasti dhe mbi bazën e kritereve jo diskriminuese pozitive ose negative me karakter etnik për secilin kandidat të paraqitur. Nisur nga ky fakt, formulimi i mësipërm duhet të respektojë parimet e zgjedhjes së lirë subjektive të çdo individi për të ushtruar një veprimtari profesionale ose jo, për t’i përkitur një klase, grupi shoqëror apo organizate ose jo.

Pra, në këtë parashikim të dispozitës nuk jemi vetëm në kushtet e diskriminimit, por edhe të cenimit të vullnetit të individit i cili duhet me patjetër ta shprehë atë edhe në rastin e integrimit dhe të nderimit që i bëhet me përfshirjen në strukturat e një institucion të rëndësisë të veçantë, ashtu si në fakt është Akademia e Shkencave.

Ky qëndrim që mban ligji për pranimin si anëtarë të jashtëm thellohet edhe më tepër në parashikimin e nenit 10 “Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të tjerë”, konkretisht:

“Neni 10

Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të tjerë

 Anëtarët e jashtëm, të nderit dhe ata korrespondentë kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhjet e Asamblesë dhe në të gjithë aktivitetet e Akademisë. Me pëlqimin e tyre, ata aktivizohen dhe kontribuojnë në plotësimin e detyrave të Akademisë dhe të anëtarëve të saj, të parashikuara në nenet 4 dhe 9 të këtij ligji.”

Pra, anëtarët e jashtëm që kanë fituar këtë cilësi nga statusi që mbajnë si anëtarë me të drejta të plota të një akademie pjesëtare të “All European Academies”, kanë tashmë të drejtë të marrin pjesë në vendimmarrjet konkrete të Akademisë.

Nga vlerësimi i neneve të përmendura arrihet konkluzioni se e drejta për të qenë vendimmarrës dhe kontribues në veprimtarinë e Akademisë së Shkencave i takon si anëtarëve të zgjedhur edhe anëtarëve automatikisht të pranuar, duke e thelluar më tej pozitën diskriminuese midis kategorive në kushtet kur të parët janë pjesë përmes procesit të zgjedhjes ndërsa të dytët nga statusi i anëtarit të akademisë që mban në një akademi pjesëtare të “All European Academies”.

Për të gjitha arsyet e shtjelluara më sipër Presidenti i Republikës, vlerëson se pika 3 e nenit 6 duhet të rishikohet edhe një herë nga Kuvendi me qëllimin për të eliminuar të gjitha shkeljet e evidentuara.

VI.Pika 1, e nenit 15, e ligjit nr. 53/2019 për Akademinë e Shkencave bie ndesh me formulime të tjera të vetë këtij ligji dhe krijon premisat e plota për diskriminimit në barazinë e shanseve dhe në të drejtat qytetare për arsye moshe, çka ndalohet kategorikisht si nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ashtu edhe nga ana e Kodit të punës.  

Konkretisht në pikën 1 të nenit 15, parashikohet shprehimisht se:

“Anëtarë të Asamblesë mund të zgjidhen personat deri në moshën 68 vjeç për titullin akademik dhe deri në 65 vjeç për titullin akademik i asociuar.”  

Formulimi i mësipërm nuk ka asnjë koherencë juridike ku nga njera anë vendosen kufizime për arsye moshe për kandidatët që kërkojnë të hyjnë në Asamblenë e Akademisë së Shkencave dhe nga ana tjetër vet ligji për Akademinë e Shkencave në nenin 6 pika 4 përcakton qartazi që një anëtar i asamblesë vetëm me mbushjen e moshës 75 vjeç merr titullin “Anëtar emeritus”.

Në këtë mënyrë përveç mungesës së koherencës logjike midis dy normave brenda ligjit, krijohet gjithashtu edhe një situatë e pastër diskriminuese midis individëve që janë tashmë anëtarë të asamblesë dhe individëve që dëshirojnë të kandidojnë për t’u bërë anëtarë të saj, duke bërë që kjo pikë e nenit 15 të ligjit nr. 53/2019, të bjerë ndesh me parashikimet e nenit 18 të Kushtetutës dhe nenit 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Është e domosdoshme që pika 1, e nenit 15 të riformulohet në mënyrë që të respektohet barazia e shanseve midis kërkuesve shkencorë shtetas të Republikës të Shqipërisë. Aq më tepër që si rregull një “profesor” në moshën 65 vjeç vazhdon të jetë në kushte normale juridike pune dhe është i integruar plotësisht në sistemin e kërkimit shkencor apo universitar të vendit.

VII. Pika 1 e nenit 19 të ligjit objekt shqyrtimi krijon paqartësi normative për statusin, funksionet dhe rolin e Akademisë së Shkencave.

Konkretisht në pikën 1 të nenit 19 parashikohet:

“ 1.Sipas nevojave, detyrave e problemeve në fushën e kërkimit, në përmbushje të rolit të saj, pranë Akademisë mund të ngrihen njësi të kërkim-studimit me aktivitet afatshkurtër e afatgjatë”. 

Ky formulim krijon një paqartësi juridike përsa i përket rolit dhe funksioneve të vetë Akademisë së Shkencave. Ai nuk përcakton se çfarë do të thotë “afatgjatë”. Duke mos i vendosur kufizime kohore këtyre njësive të kërkimit krijohet mundësia që ato të jenë të përhershme.

Gjithashtu për njësitë e kërkimit afatshkurtër, që kufizohen me një veprimtari deri në dy vjet, nuk përcaktohet nëse ato mund të transformohen ose t’u ripërtërihet mandati duke u bërë praktikisht afatgjata.

Prandaj ndarja në njësi kërkimi “afatgjatë” dhe “afatshkurtër” nuk e zgjidh juridikisht edhe papërcaktueshmërinë e krijuar lidhur me atë se kush e ka tagrin për të themeluar këto njësi kërkimi, gjë që në ligjin për arsimin dhe kërkimin shkencor analogjikisht e drejta e hapjes pas propozimit të IAL -ve i jepet Ministrisë që mbulon fushën përkatëse dhe Këshillit të Ministrave.

Nëse i referohemi nenit 11 të ligjit nr. 80/2015, aty përcaktohet se :

“Neni 11

Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë

 

 1.Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë (AKFAL) është institucion publik në varësi të ministrisë përgjegjëse për arsimin, që ka për detyrë kryesore shpërndarjen e fondeve publike për:

a) mbështetjen e veprimtarisë së institucioneve publike të arsimit të lartë, ku përfshihet mësimdhënia, kërkimi shkencor dhe pjesëmarrja në çështjet e menaxhimit akademik dhe administrativ;

b) mbështetjen me bursa studimi për studentët e shkëlqyer me notë mesatare maksimale nga sistemi i arsimit të mesëm të lartë, studentët në programet e studimit në fusha prioritare dhe studentët nga shtresa sociale në nevojë;

c) garantimin e skemës së kredive studentore.

2.AKFAL-i propozon kriteret për shpërndarjen e fondeve publike.

3.Ministria përgjegjëse për arsimin miraton kriteret dhe formulat e shpërndarjes së fondeve publike, të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.

4.Ministria përgjegjëse për arsimin miraton dhe shpall çdo vit dokumentin e prioriteteve, sipas drejtimeve kryesore.”

Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, miraton dhe shpall çdo vit dokumentin e prioriteteve sipas drejtimeve kryesore, pra në bazë të projekteve konkrete për kërkimin shkencor.

Në pikën 1, të nenit 19 të ligjit 53/2019, nuk përcaktohet se çfarë do të thotë fjala “studim”, si edhe si do të indentifikohet natyra e nevojave, detyrave e problemeve që e justifikojnë Akademinë e Shkencave të investohet dhe të krijojë njësi kërkim – studimi.

Në kushtet kur, kërkimi shkencor gjendet aktualisht i rregulluar me ligjin nr. 80/2015, rrezikohet krijimi i institucioneve kërkimore shkencore paralele me ato që janë jashtë sistemit të Akademisë së Shkencave ndaj nevojitet përcaktimi dhe qartësimi i rolit të Akademisë në sistemin e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Kështu, krijimi i kuadrit juridik të të gjithë sistemit të kërkimit shkencor në Republikën e Shqipërisë dhe më pas përcaktimi ligjërisht i rolit dhe funksioneve të Akademisë së Shkencave brenda këtij sistemi do të ishin thelbësor edhe për mirëorientimin dhe dedikimin e fondeve të buxhetit të shtetit.

VIII. Pikat 5 dhe 6 të nenit 11 të ligjit nr. 53/2019, bien në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe cenojnë kompetencat e Presidentit të Republikës.

Në nenin 11 të ligjit nr. 53/2019 është parashikuar procedura e zgjedhjes së Kryesisë së Akademisë së Shkencave si organi ekzekutiv i saj. Sipas pikës 1 dhe 2 të këtij neni, Kryesia është organ ekzekutiv i Akademisë dhe ajo përbëhet nga: Kryetari, Zëvendëskryetari, Sekretari Shkencor dhe drejtuesit e seksioneve.

Ndërmjet të tjerave, në pikën 5 dhe 6 të nenit 11 të ligjit nr. 53/2019, parashikohet se: 

“5. Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes dijeni për vendimin e Asamblesë, emëron kryetarin e zgjedhur prej saj. 

  1. Kur Presidenti i Republikës vendos mosemërimin e kryetarit të zgjedhur, dekreti i Presidentit e humbet fuqinë, nëse nuk mbështetet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Asamblesë.”

Paras së gjithash është me vend të sillet në kujtesë të Kuvendit të Shqipërisë, se kompetenca e Presidentit të Republikës për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave është e parashikuar në nenin 92, germa “g”  të Kushtetutës ku parashikohet shprehimisht se:

Neni 92 

Presidenti ushtron edhe këto kompetenca: 

g) emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit;”

Kushtetuta në parashikimin e mësipërm, nuk ka vendosur një afat të përcaktuar, brenda të cilit Presidenti i Republikës duhet të shprehet apo për ndonjë pasojë që mund të vijë nga mosshprehja me akt të vullnetit të tij, në procesin e emërimit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave.

Ndërsa parashikimi i pikës 5, të nenit 11 të ligjit nr. 53/2019 synon vendosjen e një afati 10-ditor, brenda të cilit Presidenti i Republikës duhet të kryejë emërimin e kryetarit.

Ndërkohë pika 6, e po këtij neni, ka parashikuar një mekanizëm që nuk ekziston në Kushtetutë dhe që, për më tepër kushtetutëbërësi as nuk e ka pasur për qëllim ta vendosë atë në parashikimet e aktit themeltar të shtetit.

Edhe në variantin fillestar të projektligjit të depozituar në Kuvend nga deputetët nismëtarë në 03.04.2019, parashikimet e projektligjit të paraqitur nuk përmbanin këto rregulla ligjore me natyrë kufizuese të kompetencave të Presidentit të Republikës.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare të projektligjit, nuk arrihet të kuptohet se cila ka qenë arsyeja dhe qëllimi i ndërhyrjes me ligj në këtë nivel antikushtetutshmërie!

Nisur nga fakti që ky projektligj është shqyrtuar nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në mbledhjet e datave 09, 10, 11, 15 dhe 16 korrik 2019, është e qartë që të gjitha reflektimet e mëvonshme të këtij komisioni, por dhe më pas të Kuvendit në seancën plenare të datës 18.07.2019, janë bërë në mënyrë subjektive dhe krejt të pambështetura, duke iu referuar faktit që përgjatë periudhës që projektligji po shqyrtohej në komisionin parlamentar, Presidenti i Republikës në ushtrim të kompetencave të tij me Dekretin nr. 11223, datë 11.07.2019 ka refuzuar emërimin e akademikut Skënder Gjinushi, si Kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Parashikimet e pikave 5 e 6, të nenit 11të ligjit nr. 53/2019, në thelb kufizojnë kompetencat e Presidentit të Republikës. Për më tepër, referuar përmbajtjes së këtyre parashikimeve të ligjit, Kuvendi, në mënyrë krejtësisht të gabuar, bën një përmbysje të autoriteteve dhe rolit të organeve kushtetuese në Republikën e Shqipërisë, e cila nuk gjen asnjë mbështetje në Kushtetutën e vendit apo në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese.

Nuk mundet që një organ i Akademisë së Shkencave të shqyrtojë dhe të shprehet me vendim për Dekretet e Presidentit të Republikës, pasi kjo nuk është e parashikuar në Kushtetutë.

Është me vend të sqarohet se kur kushtetutëbërësi ka dashur të sqarojë kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës, afatet, procedurën dhe mekanizmat zhbllokues në raste të caktuara, e ka realizuar atë nëpërmjet parashikimit të drejtpërdrejt në Kushtetutë. Nëse do t’i referohemi nenit 136 të kushtetutës, aty parashikohet e drejta e Presidentit të Republikës për të emëruar Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

Në këtë nen citohet shprehimisht:

“ 1. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi. 

“2. Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.”

Pra, për vetë natyrën e veçantë që ka Institucioni i Presidentit të Republikës dhe rolit që i është dhënë atij sipas Kushtetutës, është menduar që çdo lloj kufizimi në kompetencat e tij duhet të parashikohet drejtpërdrejt aty, pikërisht në aktin themeltar të shtetit. Kjo sepse, edhe për faktin se Kreu i Shtetit, të gjitha kompetencat e tij kryesore i ka të përcaktuara në Kushtetutë.

Pikërisht për këto arsye, afatet dhe mekanizmat zhbllokues të proceseve të kësaj natyre, duhet të vendosen në Kushtetutë.

Ndërkohë, situata e parashikimit kushtetues për procesin e emërimit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave, qëndron krejt ndryshe, pasi Kushtetuta nuk parashikon as afate, as mekanizma zhbllokues dhe as institucione të tjera që mund të marrin vendim për dekretet e Presidentit të Republikës për këtë çështje.

Kjo nuk është harresë e kushtetutëbërësit, por një vullnet i shprehur i tij, pasi dispozita e nenit 92/g është e njëjtë dhe pa ndryshim që prej miratimit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në vitin 1998. Sa më sipër, rezulton se atë që nuk ka dashur ta bëjë Kushtetuta, nuk mund ta bëjë ligji, duke përmbysur kështu dhe hierarkinë e akteve në Republikën e Shqipërisë.

Presidenti i Republikës është organi i emërtesës për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe kjo kompetencë e Kreut të Shtetit kurrsesi nuk mund të derivohet dhe as të kufizohet në një vendimmarrje të dytë të ndonjë institucioni apo organi tjetër kushdo qoftë ai.

Kjo kompetencë nuk mund të jetë në asnjë rast me karakter simbolik, por garantues i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Parashikimi i pikës 6 të nenit 11 të ligjit nr. 53/2019, mënjanon dhe tejkalon kompetencën e parashikuar shprehimisht në dispozitën kushtetuese duke dhënë përparësi një akti juridik me fuqi më të ulët. Për rrjedhojë cenohet edhe parimi i shtetit të së drejtës, të shprehur në hierarkinë e normave dhe përparësinë e Kushtetutës, në raport me normat e tjera ligjore.

Në këto kushte, nëpërmjet parashikimeve të pikës 5 dhe 6 të nenit 11 të ligjit nr. 53/2019, gjendemi përpara një situate të shkeljes flagrante të Kushtetutës, sepse kemi të bëjmë me një kufizim të kompetencave të Presidentit të Republikës nëpërmjet një ligji, i cili është një akt i një fuqie ligjore më të ulët se Kushtetuta dhe nuk mund të mbizotërojë mbi të.

Përsa më sipër, Presidenti i Republikës, e fton Kuvendin e Shqipërisë, të rishqyrtojë dispozitat e pikës 5 dhe 6 të ligjit nr. 53/2019, duke i përshtatur ato me parashikimet kushtetuese në fuqi. 

 Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, 

 Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllimin e vetëm përmirësimin e këtij ligji në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe për respektimin e autonomisë së institucioneve të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe në mënyrë që ky ligj i ri të jetë në harmoni me kuadrin ligjor ekzistues në Republikën e Shqipërisë, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 53/2019 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e pikës 1 të nenit 3, pikës 3, 7 dhe 14 të nenit 4,  pika 3  e nenit 6, pikat 5 dhe 6 të nenit 11, pika 1 e nenit 15, si dhe pikës 1 të nenit 19, sipas arsyeve të dhëna më sipër. 

 

Sinqerisht,

 

Ilir Meta