Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 51/2019 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 51/2019 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

D E K R E T

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 51/2019

PËR MIRATIMIN E KONTRATËS SË KONCESIONIT/PPP NDËRMJET MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, SI AUTORITETI KONTRAKTOR, DHE “GJIKURIA”, SH.P.K., SI KONCESIONARI, DHE SHOQËRISË KONCESIONARE “RRUGA ORIKUM – LLOGARA”, SH.P.K., PËR PROJEKTIMIN, NDËRTIMIN DHE MIRËMBAJTJEN E RRUGËS “PORTI I JAHTEVE – BY-PASS ORIKUM – DUKAT (URA E SHËN ELIZËS)”

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

 D e k r e t o j

 Kthimin për rishqyrtim në Kuvend, të ligjit nr. 51/2019, “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”, me qëllim rishikimin sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

 

Nr. Dekreti 11254

Tiranë, më 08.08.2019

                                               

PRESIDENTI I REPUBLIKËS 

 

                                   ILIR META

 

 

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 51/2019

“Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum-Dukat (ura e Shën Elizës)”

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën plenare të datës 18 korrik 2019 ndër të tjera, edhe ligjin nr. 51/2019, “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.

Me shkresën nr. prot. 2890, datë 24.07.2019, të Kuvendit, ky ligj është përcjellë pranë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje, praktikë kjo e administruar me nr. prot. 2592, datë 24.07.2019.

Në zbatim të nenit 84 dhe nenit 85, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës brenda 20 ditëve nga paraqitja e ligjit të miratuar, shprehet me dekret për shpalljen e ligjit apo për kthimin e ligjit për rishqyrtim në Kuvend. Nëse Presidenti i Republikës brenda 20 ditëve nga paraqitja e ligjit nuk e shpall ligjin apo nuk ushtron kompetencën kushtetuese për ta rikthyer atë për rishqyrtim, ligji quhet i shpallur.

Presidenti i Republikës shqyrtoi në tërësi ligjin nr. 51/2019, duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke bërë një vlerësim dhe analizë të kujdesshme të procedurave të ndjekura nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare për nënshkrimin e miratimin e kontratës koncesionare/PPP të dakortësuar midis palëve, si dhe përputhshmërisë së ligjit në raport me respektimin e parimeve kushtetuese, interesin publik, rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare financiare, si dhe qëllimet e këtij projekti.

Në përfundim të shqyrtimit, Presidenti i Republikës konstatoi se:

Nëpërmjet ligjit nr. 51/2019 synohet miratimi i kontratës koncesionare/PPP për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i Jahteve–By-pass Orikum-Dukat (Ura e Shën Elizës) e lidhur ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe “Gjikuria”, sh.p.k si koncesionar dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara”, sh.p.k, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e këtij segmenti rrugor prej 14.7 km, e cila fillon në rrugën “Porti i Jahteve”, për të kaluar më pas në By-pass Orikum dhe përfundon në Dukat (Ura e Shën Elizës).

Sipas dokumentacionit parlamentar projekti është paraqitur nga koncesionari Gjikuria”, sh.p.k, në formën e propozimit të pa kërkuar dhe është mbështetur nga komisioni i dhënies me koncesion/PPP në përputhje me rregullat e përcaktuara në VKM nr. 634, datë 1.10.2014 “Për përcaktimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/Partneritet Publik Privat të punëve publike dhe shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale”, i ndryshuar. Nga autoriteti kontraktor ky projekt është identifikuaar si koncesion/PPP, me interes publik, mënyrë kjo që përmbush parimin e shpërndarjes efektive të riskut, duke e bërë këtë projekt të tipit koncesion/PPP të realizueshëm.

Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave dhe praktikës paralementare ndërtimi i këtij segmenti ndikohet edhe nga disa faktorë të rëndësishëm si përfshirja e disa pikave të reja strategjike, sikurse është Porti i Jahteve; kalimi në trasenë e re të By-Pass-it të Orikumit dhe lidhjen me përfundimin e By-Pass-it të Vlorës. Gjithashtu, ky project ofron mundësinë për zgjidhjen e mëvonshme për kalimin e Llogarasë, me tunel ose në trasenë ekzistuese.

Sipas relacionit shoqërues të projektligjit për të dhënat e paqyruara në kontratën koncesionare/PPP, vlera e projektit për 13 vjet, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës “Porti i Jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”, sipas specifikimeve teknike është parashikuar në vlerën totale 70 119 755 euro.

Në relacion sqarohet se përgjatë procesit të negocimit të kontratës, me qëllimin për të reflektuar mundësinë për përmirësimin e kushteve të kësaj kontrate, për të përmirësuar efektet financiare për shtetin dhe në mirëkuptim me shoqërinë “Gjikuria” sh.p.k., të shpallur fituese për ekzekutimin e kësaj kontrate, me deklaratën e datës 21.3.2019, është negociuar dhe dakordëuar që vlera përfundimtare e projektit do të jetë 67 359 926 euro plus TVSH-në, sipas propozimit të ri financiar, të rishikuar.

Referuar të dhënave të pasqyruara në relacion, përshkruhet ndërtimi i një rruge prej 14.7 km, e cila ka gjerësinë e kurorës së rrugës së propozuar, 12.5m=2*3.5m (korsi kalimi) +2*1.25m (bankinë e asfaltuar) +2*1m (bankinë e paasfaltuar); me pjerrësinë gjatësore udhëheqëse maksimale, 7 %.

Ndër të tjera, në projektin e paraqitur janë parashikuar ndërtimi i disa veprave të artit, sikurse janë 3 ura, me specifikat përkatëse dhe me gjatësitë respektive, sipas përshkrimeve në projekt.

Këshilli i Ministrave arsyeton se nëpërmjet realizimit të këtij projekti, synohet të përmirësohet gjendja e trafikut përgjatë segmentit rrugor Orikum-Dukat e cila paraqitet e degraduar ose e papërshtatshme për t’i bërë ballë kërkesave ekonomike-sociale dhe turistike të zonës.

Gjatë stinës së verës, përgjatë gjatësisë së saj ndeshemi me formimin e kolonave të trafikut automobilistik, ndërsa gjatë stinës së dimrit kushtet teknike për kalimin e këtij segmenti përkeqësohen, duke rritur rrezikun e incidenteve që mund të ndodhin në të.

Kohëzgjatja e kësaj kontrate, është parashikuar të jetë 13 vjet duke filluar nga data e fillimit të zbatimit të kësaj kontrate, e cila do të jetë jo më shumë se 12 muaj nga data e plotësimit të kushteve paraprake të kësaj kontrate, ndër të cilat 3 vite konsistojnë në fazën e ndërtimit dhe 10 vite mirëmbajtje. Në vitin e tretë të mirëmbajtjes është planifikuar një ristrukturim i thellë i objektit.

Kontrata e Koncesionit/PPP është nënshkruar midis palëve përpara noterit Ermal Xh.Hamzaj me Nr.2515 Rep./Nr.1353/1 Kol, datë 20.05.019.

Sipas akteve të vëna në dispozicion nga Kuvendi i Shqipërisë propozimi i këtij projektligj dhe kontrata koncesionare që shoqëron atë është miratuar nga Këshilli i Ministrave me Vendimin nr. 349, datë 23.05.2019 dhe depozituar në Kuvendin e Shqipërisë me nr.2252, datë 24.05.2019.

Projektligji është shqyrtuar nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat si komision përgjegjës dhe për këtë është caktuar relator Blerina Gjylameti. Komisioni e ka shqyrtuar këtë çështje vetëm në datë 18.06.2019 dhe e ka miratuar atë.

Në Raportin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, të përcjellë nga Kuvendi si dhe në kontratën e lidhur mes palëve, rezulton se kostot e financimit dhe do të përballohen si më poshtë:

–          25.6 milionë euro hua bankare;

–          21 milionë euro investim i shoqërisë;

–          Diferenca prej 20 milionë euro, nga buxheti i shtetit

–          Norma e interesit bankar të huasë dhe kapitalit të shoqërisë është 5%.

Nisur nga fakti që dokumentacioni i publikuar nga Kuvendi në faqen zyrtare të tij, nuk është i plotë, Institucioni i Presidentit të Republikës, në mbështetje të nenit 92 germa h, të Kushtetutës, i është drejtuar me shkresë zyrtare me nr. 2669 prot., datë 31.07.2019 dhe nr. 2667 prot., datë 31.07.2019 Kuvendit të Shqipërisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Nëpërmjet kësaj shkrese është kërkuar vënia në dispozicion e të gjithë praktikës së propozimit të këtij ligji nga Këshilli i Ministrave, që administrohet në Kuvendin e Shqipërisë, si dhe raportet e Komisioneve Përgjegjëse në Kuvendin e Shqipërisë që kanë shqyrtuar këtë propozim.

Nga relacioni shoqërues i ligjit, nuk rezultoi e arsyetuar nëse projekti i segmentit rrugor “Orikum-Llogara” është dërguar për miratim pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe është dhënë miratimi i projektit nga ky institucion, fakt ky për të cilin me shkresat e mësipërme është kërkuar të informohet Presidenti i Republikës.

Gjithashtu, është kërkuar informacion Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës mbi vlerën fillestare të propozimit të pakërkuar të paraqitur pranë autoritetit kontraktor për segmentin rrugor “Orikum– Llogara” dhe nëse Autoriteti Kontraktor ka realizuar një studim krahasimor në bazë të të cilit ka rezultuar si ekonomikisht më e favorshme dhënia e kontratës me konçesion në raport me prokurimin publik.

Po ashtu, është kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ARRSH informacion lidhur me koston e projektit si dhe nëse ka një studim fizibiliteti për segmentin rrugor “Orikum – Llogara”, të hartuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, në cilësinë e organit të ngarkuar me ligj për menaxhimin e rrjetit rrugor shtetëror.

Nëpërmjet këtyre shkresave Institucioni i Presidentit të Republikës, duke vlerësuar shumë të rëndësishme të dhënat e kërkuara, si dhe duke sjellë në vëmendje se afati i parashikuar nga neni 84 i Kushtetuës brenda të cilit, Presidenti i Republikës, do të shprehet me dekret për ligjin e mësipërm përcaktoi të nevojshme dhe i kërkoi institucioneve si më sipër që paraqitja e këtij informacioni ti paraqitej Presidentit të Republikës brenda datës 05.08.2019.

Kërkesës së Institucionit të Presidentit të Republikës, i është përgjigjur vetëm Kuvendi i Shqipërisë me shkresën nr. 2946/1, datë 01.08.2019, administruar me tonën me nr. 2669/1 prot., datë 01.08.2019.

Nëpërmjet kësaj shkrese është dërguar dokumentacioni si më poshtë:

1.Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 349, datë 23.05.2019, “Për propozimin e projektligjit “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve- By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”, administruar në Kuvend me nr. 2252, datë 24.05.2019;

2.Projektligji si dhe relacioni shoqërues i kësaj kontrate koncesionare ;

3.Kontratë koncesioni/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”;

4.Raport i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, i datës 18.06.2019 për projektligjin.

Për një shqyrtim tërësor të të gjithë fakteve dhe rrethanave në lidhje me miratim dhe nënshkrimin e kësaj kontrate koncensionare, vlen të evientohet se ky proces është iniciuar me nisjen e kësaj procedure konkurrimi të publikuar në Buletinin e Njoftimeve Publike nr. 30, datë 30.07.2018 në faqen zyrtare të APP, në të cilin është parashikuar ndër të tjera se, vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është 50,575,020 Euro.

Gjithashtu, në dokumentet standarte të tenderit të publikuara, është parashikuar që shoqërisë “Gjikuria” sh.p.k., si shoqëri e cila ka dorëzuar propozimin e pakërkuar të këtij projekti, i është dhënë një bonus prej 6 pikë nëpërmjet VKM Nr. 367 datë 20.06.2018.

Në relacionin e Këshillit të Ministrave dhe Raportin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, nuk qartësohet nëse është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, në çfarë faze është dhënë dhe cili ishte akti miratues i dhënë prej këtij organi.

Nga shqyrtimi tërësor i praktiktës së ndjekur për këtë koncesion, rezulton se përgjatë procedurave të ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoritet kontraktor dhe Këshilli i Ministrave, rezultojnë këto shkelje të konstatuara:

1.Referuar relacionit që shoqëron projektligjin për segmentin rrugor “Orikum–Llogara” nuk citohet të jetë dhënë miratim i projektit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Edhe pas kërkesës së paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, nr. 2669 prot., datë 31.07.2019 dhe nr. 2670 prot., datë 31.07.2019, drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ARSH-së edhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, rezulton se nuk ka një informacion lidhur me këtë miratim financiar të këtij projekti, akt ky i cili është i dosmosdoshëm për zhvillimin e projektit koncesionar.

Në dokumentacionin e përcjellë nga Kuvendi, nuk rezulton e administruar apo e dërguar ndonjë akt që të vërtetojë faktin që Ministria e Ekonomisë dhe Financave të ketë dhënë miratim financiar për këtë projekt. 

Në nenin 17, pikat 1 dhe 2 të V.K.M nr.634, datë 01.10.2014, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me Koncesion/Partneritet publik privat të punëve publike dhe Shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale” i ndryshuar, është përcaktuar shprehimisht se:

“1.Projektet e koncesione/PPP-ve dorëzohen në Ministrinë e Financave për miratim, pavarësisht modelit të  parashikuar  të  koncesionit/PPP-së  dhe  mënyrës,  në  të  cilën  ato  janë  nisur,  domethënë  si  propozim  i kërkuar apo i pakërkuar”;

2.Autoriteti kontraktues kërkon miratimin sipas pikës 1 të këtij neni, përpara shpalljes së procedurës për dhënien me koncesion/PPP të një kontrate”.

Duke qenë se propozimi i pakërkuar i paraqitur nga operatori ekonomik “Gjikuria” sh.p.k., parashikon mbështetjen financiare të projektit, në mungesë të dokumentacionit mbështetës ku provohet se nga Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, të ketë dhënë miratim për projektin e segmentit rrugor “Orikum–Llogara”, referuar gjithashtu edhe mungesës së transparencës lidhur me vlerën paraprake të miratimit të projektit dhe vlerën totale përfundimtare të projektit koncesionar që do të paguajë shtetit shqiptar, Presidenti i Republikës, konstaton dhe vlerëson se  Ministria e Ekonomisë dhe Financave nuk ka dhënë ndonjë miratim për këtë projekt koncesionar.

Për më tepër edhe në Raportin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të datës 18.06.2019, nuk rezulton të jetë përmendur ndonjë miratim i dhënë nga Minsitria e Ekonomisë dhe Financave.

Në këtë raport të komisionit për këtë çështje citohet vetëm se Ministria e Ekonomisë dhe Financave duhet të ndjekë vazhdimisht koston e këtij projekti për të siguruar zbatimin e e treguesve të parashikuar në kontratë dhe në ligjin e buxhetit, duke ndikuar në vijimin e qëndrueshmërisë së financave publike.

Për këtë moment procedurial fillestar dhe shumë të rëndësishëm që përkon me marrjen e një vendimi miratues nga autoriteti kompetent që kujdeset për mbarëvajtjen e planifikimit dhe zbatimit të buxhetit të shtetit, për zhvillimin e një projektit koncesionar, me impakt të drejtëpërdrejtë financiar, nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë informacion shoqëruar me dokumenta mbështetëse provuese, sipas parashikimeve të vet aktit që rregullon procesin e dhënies me koncesion të veprave publike të kësaj natyre. (VKM nr. 634 datë 01.10.2014).

Mungesa e këtij akti dhe e informacionit mbi të, cenon rëndë të gjithë procesin dhe përbën shkelje të procedurës së ndjekur qoftë nga Autoriteti Kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Këshilli i Ministrave, duke përfshirë në këtë proces edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo është shkelje e rëndë e procedurës dhe ngarkon me përgjegjësi jo vetëm autoritetin kontraktor, por gjithë zinxhirin vendimarrës në këtë çështje që prej specialistit më të thjeshtë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti Kontraktor deri tek vendimarrja e Këshillit të Ministarve, që kanë toleruar që të nisë dhe të zbatohet një procedurë koncesionare, pa miratimin paraprak apo përfundimtar të shprehur në mënyrë prej Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

2.Referuar shqyrtimit të dokumentave të procedurës që përfshin; Njoftimin e kontratës në Buletinin e Njoftimeve Publike; si dhe Relacioni shoqërues të projektligjit, rezulton se;

A) Sipas Njoftimit të Kontratës në Buletinin e Njoftimeve Publike kostoja e projektit do të jetë 50 147 416 euro, pa TVSH,

Ndërsa në Kreun VI të relacionit të Këshillit të Ministrave parashikohet se:

 B) “Vlera e projektit për 13 vjet, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës “Porti i Jahteve – By-pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”, sipas specifikimeve teknike e parashikuar në vlerën totale 70 119 755 euro, pas negocimit dhe dakordësimit ndërmjet palëve do të jetë 67 359 926 euro plus TVSH-në, sipas propozimit të ri financiar, të rishikuar pas kësaj deklarate, bashkëlidhur kësaj kontrate (shtojca 6).

Pra duket qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve në vlerën prej 67 359 926 euro plus TVSH është 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim. 

2.1.      Në nenin 34 të VKM nr. 634, datë 01.10.2014, parashikohet se:

“Nuk do të ketë bisedime ndërmjet ofertuesit fitues dhe autoritetit kontraktues në lidhje me termat materialë të kontratës së koncesionit, me përjashtim të rasteve kur këta terma specifikohen nga autoriteti kontraktues si të negociueshëm në kërkesën për propozime para afatit përfundimtar të dorëzimit të kontratës”.

Nga ana tjetër, referuar edhe dokumentave standarde të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike rezulton se nuk ka asnjë parashikim ligjor ku të lejohet negociimi i ofertës së paraqitur nga ana e operatorëve ekonomikë konkurrues.

Kjo është një shkelje flagrante e rregullave të konkurrimit në këtë drejtim, dhe një mënyrë haptazi e kundraligjshme për të operuar në një sistem jashtë kuadrit ligjor rregullator, duke negociuar me kompaninë propozuese, çmimin apo terma të tjerë material të pa negociushme të kontratës.

Në lidhje me sqarimin e kësaj situate të paqartë jo ligjore, Institucioni i Presidentit të Republikës me shkresat nr. 2669 prot, dhe nr. 2670 prot., datë 01.07.2019, drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministrisë së Financave kërkoi informacion mbi bazën ligjore se ku ishin mbështetur në ndjekjen e kësaj praktike për nënshkrimin e kësaj kontrate me këtë mënyrë negocimi.

Në lidhje me këtë kërkesë, nuk u dha asnjë shpjegim nga MEI, ARRSH dhe MFE deri në përfundim të shhqyrtimit të ligjit nr. 51/2019.

Gjithashtu, në kontratën e Koncesionit të lidhur midis palëve parashikohet se:

Model financiar është:

 a) Në datën e nënshkrimit të kësaj kontrate, Modeli Financiar i paraqitur në ofertën e Koncesionarit;

 dhe

 b) Pas kësaj date modeli i përditësuar, në përputhje me këtë kontratë.

Më tej akoma, referuar dokumentave standarde të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike, dhe konkretisht pikës 9.8 rezulton se palët kanë rënë dakord që:

OFERTA NUK MUND TË MODIFIKOHET.

Bazuar, në gjithë konstatimet e mësipërme, Presidenti i Republikës vlerëson se:

Nga ana e Autoritetit Kontraktues, nuk është respektuar baza ligjore lidhur veprimtarinë e kryer për negociimin e termave material të kontratës së koncesionit, duke shkelur parimin e sigurisë juridike dhe interesin publik në mënyrë flagrante.

Negociimi i kontratës koncesionare përfshirë ofertën e propozuesve apo modelin financiar, pa patur një parashikim të qartë në dokumentat standard të garës, madje në kundërshtim të plotë me vetë parashikimin se oferta nuk mund të modifikohet, dhe nga ana tjetër pa patur një bazë ligjore specifike për ta realizuar këtë proces, cenon rëndë sigurinë juridike, cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës, duke shkelur nenin 4 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku parashikohet se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.

Duke vepruar në një terren të tillë, pa ligj dhe pa rregulla, Autoriteti Kontraktor dhe më pas Këshilli i Ministrave, i kanë ofruar Kuvendit të Shqipërisë, për miratim me ligj një Kontratë Koncesionare/PPP, e cila është formuar nën një vullnet të shtrembëruar, subjektiv dhe të pakontrolluar në të gjitha dimesionet e tij, ekonomike, financiare, etj.

Këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të ligjit dhe rregullave të konkurrimit, por anashkalim haptazi i çdo norme ligjore në fuqi me qëllim nënshkrimin e një kontrate koncesionare, përtej rregullave dhe ligjit, duke synuar që çdo paligjshmëri të amnistohet nga Kuvendi, me miratimin e kësaj kontrate me një akt ligjor, në mënyrë që ajo, në çdo kohë të quhet e ligjshme dhe të jetë e pakontrollueshme dhe askush të mos përgjigjet për shkeljet e kryera në këtë proces.

Kjo bindje krijohet edhe për faktin se Këshilli i Ministrave më datë 27.03.2019, ka miratuar VKM nr. 174, datë 27.03.2019 “Për një ndryshim në VKM nr.634, datë 01.10.2014, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me Koncesion/Partneritet publik privat të punëve publike dhe Shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale” i ndryshuar, nëpërmjët të cilit ka ndryshuar pikën 5, të nenit 34 të kësaj VKM-je me këtë përmbajtje:

“5. Kontrata e koncesionit/PPP do të hyjë në fuqi pas miratimit me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.”.

Pra duket qartë se Këshilli i Ministrave për t’i dhënë një mbrojtje këtij procesi të paligjshëm, dhe për të shmangur çdo përgjegjësi miratuese të Këshillit të Ministrave, ka miratuar një rregull të ri, për t’ia kaluar përgjegjësinë Kuvendit, me qëllim aministimin e gjithë procesit të zhvilluar në paligjshmëri të plotë. 

3.Referuar relacionit shoqërues të Ligjit nr. 51/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Minfrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria” sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara” sh.p.k. për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i Jahteve – by pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”, rezulton se shteti shqiptar duhet të paguajë në përfundim të kësaj kontrate vlerën totale prej 67,359,926 Euro.

Ndërkohë, referuar dokumentave standarde të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike rezulton se vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është: 50,575,020 Euro.

Pra çmimi i dakordësuar midis palëve në vlerën prej 67 359 926 Euro plus TVSH është 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim. 

Me shkresën nr. 2669 prot., datë 31.07.2019, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka drejtuar një kërkesë Ministris së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ndër të tjera ka kërkuar informacion nëse Autoriteti Kontraktor ka kryer një studim krahasimor nga ku ka rezultuar si ekonomikisht më e favorshme dhënia e kontratës me konçesion/PPP në raport me prokurimin publik.

Autoriteti Kontraktor nuk ka kthyer përgjigje lidhur me këtë kërkesë deri në përfundim të këtij shqyrtimi të ligjit nr. 51/2019, çka provon bindjen se nuk ka një vlerësim të tillë të bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare.   

Në nenin 13 “Detajimi i studimit të fizibilitetit”, pika 4 germa “ç”, të VKM nr. 634, datë 01.10.2014 parashikohet se, “Projekti trajtohet si produkt i autoritetit kontraktor dhe rezultatet e studimit të fizibilitetit duhet të tregojnë se:

ç) dhënia e kontratës me koncesion/PPP është ekonomikisht më e favorshme se dhënia e saj me prokurim publik”.

Bazuar në sa më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se rezultati i këtij krahasimi ekonomik është thelbësor në vijimin e procedurave të dhënies me Koncesion dhe mos kryerja e tij është një shkelje tjetër e rëndë në këtë proces.

Nuk ka informacion dhe transparencë nëse është kryer ose jo ky vlerësim, apo nëse është kryer ky krahasim për të evidentuar se cila është vlera e projektit që është marrë në analizë për krahasim midis Partneritetit Publik Privat apo Procedurës së Prokurimit:

a) vlera e publikuar në dokumentet e procedurës së konkurrimit, fillimisht prej 50,575,020 Euro;

 apo

b) vlera totale prej 67,359,926 Euro që do të paguhet nga Buxheti i Shtetit Shqiptar.

Referuar edhe raportit të Komisionit të Ekonomisë të datës 18.06.2019, rezulton se ky moment i rëndësishëm e thelbësor për vijimin e procedurave të konkurrimit nuk është prekur as formalisht dhe as materialisht nga komisioni, por ai është mjaftuar vetëm me citimin e një paragrafi duke përmendur se çmimet e referuara në kontratë janë në përputhje me çmimet e manualeve që përdor Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Mungesa e këtij krahasimi, cënon rëndë ligjshmërinë e formës së përzgjedhur nga Autoriteti Kontraktor për të përfituar punën objekt kontrate (rrugën Orikum–Llogara), fakt i cili ka impakt ligjor të drejtëpërdrejtë mbi ligjshmërinë e procedures dhe kontratës koncesionare.

Nga ana tjetër, Presidenti i Republikës, nisur nga situata e parashtruar më sipër, shpreh hapur rezervat e tij lidhur me vlerën e publikuar të projektit, pasi nga autoriteti kontraktor do të duhej që të publikohej vlera e plotë e tij, në mënyrë që çdo konkurrent tjetër të kishte mundësi të njihej me të dhe të kishte mundësinë të bënte një ofertë objektive, si dhe institucionet shtetërore të vlerësonin plotësisht implikimin financiar të këtij projekti koncesionar në Buxhetin e Shtetit.

Me formën dhe procedurën e ndjekur Autoriteti Kontraktor nëpërmjet informacionit të publikuar, ka krijuar një percetim të rremë dhe të shtrembëruar për publikun apo për konkurrentët e tjerë të mundshëm të huaj apo vendas mbi vlerën e projektit, të cilët pasi janë njohur me vlerën fillestare 50,575,020 euro kanë hezituar për të konkurruar, ndërkohë që kompania që ka paraqitur propozimin e pakërkuar të këtij projekti i është dhënë e drejta të ofertojë e negociojë çmimin.

Kjo veprimtari e Autoritetit Kontraktor, veç të tjerave krijon një situatë të cenimit te parimit kushtetues të konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe të barazisë përpara ligjit, me pasojë diktimin e kompanisë fituese dhe cenim të interesit publik dhe të financave publike.

Vlen të theksohet se projektligji për miratimin e kësaj kontrate koncesionare nuk është shqyrtuar as nga Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe as nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese në Kuvendin e Shqipërisë.

Gjithashtu edhe shqyrtimi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave duke se është i përciptë dhe dhe në këtë mënyrë nuk ka mundësi të jetë as objektiv.

Për më tepër në raportin e datës 18.06.2019 të këtij komisioni citohet ndër të tjera se: “ Këshilli i Ministrave e paraqiti projektligjin bazuar në nenin 81 pika 1 dhe 121 të Kushtetutës, si dhe në nenin 17 të ligjit nr. 43/2016 “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” .

Ky citim i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ose është një lapsus ose është një çështje e vendosur në raport për të krijuar një imazh të gabuar, sikur marrëveshja koncesionare e këtij projekti i nënshtrohet dispozitave të lidhjes së marrjeveshjeve ndërkombëtare sipas ligjit nr. 43/2016 .

Kjo e fundit nuk është e vërtetë, pasi ligji nr.43/2016, në qëllimin dhe objektin e tij ka përcaktimin e rregullave dhe procedurave të lidhjes dhe përfundimit të marrëveshjeve ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me konventën e Vjenës “Për të drejtën e traktateve”, 1969, dhe konventën e Vjenës “Për të drejtën e traktateve” ndërmjet shteteve dhe organizatave ndërkombëtare ose ndërmjet organizatave ndërkombëtare, 1986, si dhe zbatohet për të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dypalëshe dhe shumëpalëshe, të lidhura në formë të shkruar, sipas së drejtës ndërkombëtare publike, pavarësisht nga emërtimi i tyre, ndërmjet institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të shteteve të tjera ose organizatave ndërkombëtare.

Ndërkohë e gjithë procedura për nënshkrimin e kontratës koncesionare Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës) rregullohet nga një akt të Këshillit të Ministrave dhe pikërisht VKM nr.634, datë 01.10.2014, “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me Koncesion/Partneritet publik privat të punëve publike dhe Shërbimeve për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale” i ndryshuar.

Gjithashtu në vlerësim të kushteve aktuale ekonomike, situatës në vend lidhur me projektet e partneritetit publik privat dhe interesin publik të qytetarëve shqiptarë, si dhe në konsultim të raporteve të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht të raportit nr.19/29 të FMN-së, të muajit janar 2019, i cili, ka theksuar se vendi ynë në kushtet e rritjes së shpejtë të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka rritur për rrjedhojë dhe rreziqet fiskale duke orientuar qeverinë në vendimmarrjen e hapave konkrete me qëllim kontrollimin e tyre, Presidenti i Republikës ka arritur në përfundimin se ligji nr. 51/2019, i përcjellë për dekretim i duhet kthyer Kuvendit me qëllim rishikimin e këtij ligji dhe kontratës koncesionare në tërësi, pasi:  

–          Ligji nr. 51/2019 dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur, janë propozuar, hartuar nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës;  

–          Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me rregullat që normojnë këtë proces, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cenim të interesit publik; 

–          Kontrata e lidhur mes autoritetit kontrakor dhe operatorit ekonomik, është formalizuar përgjatë një procesi jo transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore konkrete për negocimin e kushteve materiale të saj; 

–          Mungesa e një vlerësim të qartë ekonomik, krijon rrezik për cenim të financave të shtetit dhe interesin publik ; 

–          Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë; 

–          Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces; 

–          Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit dhe ekonominë e familjeve shqiptare, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit; 

–          Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mos evidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit. 

Presidenti i Republikës, gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare, kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite si në daljet publike ashtu edhe në raportet e tyre zyrtare, eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.

Në kundërshtim me këtë kërkesë të institucioneve financiare Këshilli i Ministrave ka nënshkruar dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar, këtë kontratë koncesionare që pretendohet të miratohet me ligjin nr. 51/2019 në kushte kaq të rënda paligjshmërie dhe në dëm të interesave të qytetarëve. 

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,  

Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllim rishqyrimin e këtij ligji në përputhje me parimet kushtetuese dhe kuadrin ligjor në fuqi, si dhe në referim të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare që asistojnë dhe monitorojnë Shqipërinë, si dhe për të mos lejuar më, që familjet shqiptare të përballojnë kosto të panevojshme financiare që janë të panjohura deri më tani, por që duket se shkojnë përtej mundësisë së tyre dhe që shtrihen për një kohë të ardhme të gjatë dhe të papërllogaritur saktë, si dhe me qëllimin e rikthimit të ligjshmërisë në këtë proces, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 51/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve-By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”, me qëllim rishikimin tërësor të kësaj kontrate koncesionare.

  

Sinqerisht,

 

Ilir META