Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 50/2019 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 50/2019 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

D E K R E T

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 50/2019

“PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 125/2013, “PËR KONCESIONET DHE PARTNERITETIN PUBLIK PRIVAT”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend, të ligjit nr. 50/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, me qëllim rishqyrtimin dhe përmirësimin e neneve 17 dhe 18, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Nr. Dekreti 11251
Tiranë, më 05.08.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

 

 

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 50/2019

“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar’”

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën plenare të datës 18 korrik 2019 ndër të tjera, edhe ligjin nr. 50/2019, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar’”. 

Me shkresën nr. prot. 2890, datë 24.07.2019, të Kuvendit, ky ligj është përcjellë pranë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje, praktikë kjo e administruar me nr. prot. 2592, datë 24.07.2019.

Në zbatim të nenit 84 dhe nenit 85 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës brenda 20 ditëve nga paraqitja e ligjit të miratuar, shprehet me dekret për shpalljen e ligjit apo për kthimin e ligjit për rishqyrtim në Kuvend. Nëse Presidenti i Republikës brenda 20 ditëve nga paraqitja e ligjit nuk e shpall ligjin apo nuk ushtron kompetencën kushtetuese për ta rikthyer atë për rishqyrtim, ligji quhet i shpallur.

Presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencave kushtetuese, shqyrtoi ligjin nr. 50/2019 të  paraqitur për shpallje, referuar përmbajtjes së dispozitave të miratuara, praktikës parlamentare, nga ku rezultoi se ndryshimet e propozuara në ligjin nr. 125/2013 “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, janë nismë e Këshillit të Ministrave, përgatitur nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si ministria përgjegjëse për harmonizimin e veprimtarisë për zhvillimin e koncesioneve/PPP, por njëkohësisht dhe për hartimin e politikave për administrimin e buxhetit.

Presidenti i Republikës shqyrtoi në tërësi ligjin nr. 50/2019, duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke bërë një vlerësim dhe analizë të kujdesshme të përmbajtjes së ndryshimeve në ligj, përputhshmërisë së tyre në raport me respektimin e parimeve kushtetuese dhe interesin publik, në krahasim edhe  me qëllimet e kësaj iniciative ligjore dhe hyrjes në fuqi në mënyrë efektive.

Në përfundim të shqyrtimit Presidenti i Republikës, konstatoi se:

Këshilli i Ministrave ka propozuar projektligjin e mësipërm, i cili është administruar në Kuvendin e Shqipërisë në datë 09.01.2019. Ky projektligj është shqyrtuar në Kuvendin e Shqipërisë fillimisht nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat, si komision përgjegjës dhe Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, si komision përgjegjës për dhënie mendimi.

Sipas praktikës parlamentare të bërë publike nga Kuvendi i Shqipërisë rezulton se Komisioni i Ekonomisë dhe Financave e ka shqyrtuar projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin    nr. 125/2013, ‘Për koncesionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar”, në mbledhjet e datave 18 dhe 26 shkurt 2019, duke caktuar relator për këtë projektligj deputetin Arben Ahmetaj, njëkohësisht dhe Kryetar i Komisionit.

Ndërkohë Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, si komision përgjegjës për dhënie mendimi e ka shqyrtuar projektligjin në mbledhjet e tij të datës 11 dhe 25 shkurt 2019, dhe në përfundim ka hartuar Raportin përkatës.

Projektligji në fjalë pasi u shqyrtua në datat 11, 18, 25 dhe 26 shkurt 2019 në komisionet respektive, është përfshirë për shqyrtim në seancën plenare të datës 18.07.2019, duke u mbajtur pezull në mënyrë të paarsyetuar për një periudhë 4-mujore.

Nga shqyrtimi i raporteve të Komisioneve Parlamentare përkatëse apo dokumentave shoqëruese të publikuara nga Kuvendi i Shqipërisë, nuk rezulton i argumentuar fakti se, përse kjo nismë ligjvënëse e depozituar që prej datës 09.01.2019 dhe e shqyrtuar në komisione përfundimisht në datë 26.02.2019, nuk i është referuar për shqyrtim seancës plenare më parë në kohë ndërkohë që, vet projektligji i shqyrtuar përcaktonte afate proceduriale dhe dispozita materiale, që lidhen me realizimin e qëllimit të tij brenda një afati të caktuar dhe që kërkonin një shqyrtim me përparësi të këtij ligji në seancë plenare!

Sipas praktikës parlamentare i vetmi dokument që evidentohet se është krijuar nga Kuvendi i Shqipërisë që ka lidhje me këtë ligj përgjatë gjithë kësaj periudhe boshe 26 shkurt 2019 – 18 korrik 2019, është kërkesa e zotit Arben Ahmetaj e datës 17 korrik 2019.

Rezulton se vetëm një ditë përpara zhvillimit të seancës plenare, në cilësinë e deputetit propozues, zoti Arben Ahmetaj në mbështetje të nenit 75, pika 4 e Rregullores së Kuvendit, ka parashtruar  përpara Kryetarit të Kuvendit një kërkesë të protokolluar me nr. prot. 2841, datë 17.07.2019, nëpërmjet të cilës ka paraqitur amendamente për projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar”, dhe konkretisht vetëm për dy nene kryesore të tij (nenin 17 dhe 18 të projektligjit). 

Konstatohet se kërkesa formale e paraqitur 24 orë përpara zhvillimit të seancës plenare për amendimin e këtyre dy neneve, nuk është e justifikuar dhe arsyetuar sa i takon qëllimit real dhe objektiv se përse kërkohen realisht këto amendamente. 

Këto propozime të deputetit Ahmetaj rezultojnë të jenë miratuar në seancë plenare, pasi përmbajta e dispozitave të nenit 17 dhe 18 të ligjit nr. 50/2019 të miratuar, janë votuar sipas amendamenteve të propozuara nga deputeti Ahmetaj.  

Sipas praktikës parlamentare të shqyrtuar, rezulton se propozimet e paraqitura nga deputeti 24 orë përpara shqyrtimit të projektligjit në seancë plenare, binin në kundërshtim me qëllimin e qeverisë dhe të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët kishin shprehur vullnetin në muajin janar dhe shkurt 2019 se ndryshimet ligjore të propozuara në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncensionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar”, synonin përmbushjen e këtyre qëllimeve kryesore: 

–                   Përmirësimin e kuadrit ligjor për përzgjedhjen, vlerësimin, miratimin dhe monitorimin e zbatimit të kontratave të koncesionit/partneritetit publik privat;

–                   Heqjen e mundësisë së zhvillimit të projekteve të koncesioni/PPP, në formën e propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, për një sërë sektorësh, ku që prej datës 1 korrik 2019 të lejohen propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror.

–                   Kufizimin e zhvillimeve të projekteve të koncesioni/PPP, në formën e propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, për një sërë fushash, duke e lënë atë në fuqi vetëm për realizimin e punimeve dhe / ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror.

Referuar projektligjit të miratuar në komisionet respektive në datë 26 shkurt 2019 në variantin përfundimtar dhe të depozituar në seancë plenare, përmbushja e qëllimit kryesor që lidhej me heqjen e mundësisë së zhvillimit të projekteve të koncesioni/PPP, në formën e propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, për një sërë sektorësh dhe kufizimit në kohë ku prej datës 1 korrik 2019 të lejohen propozimet e pakërkuara vetëm për realizimin e punimeve dhe/ose ofrimin e shërbimeve në porte, aeroporte, për prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, energjisë për ngrohje dhe shpërndarjen e gazit natyror, realizohej pikërisht nga nenet 17 dhe 18 të projektligjit të paraqitur në seancë plenare.

Pikërisht neni 17 i projektligjit përcaktonte se këto kufizime do të hynin në fuqi në datë 1 korrik 2019 dhe autoriteti kontraktues vazhdon procedurat për shqyrtimin dhe dhënien me koncesion vetëm për propozimet e pakërkuara, të paraqitura para datës 1 korrik 2019, ndërkohë që neni 18 i projektligjit të miratuar në komisione dhe i paraqitur në seancë parashikonte se ligji do të hynte në fuqi 15 ditë pas botimit në fletore zyrtare.

Pikërisht për këto dispozita sensitive të projektligjit është kërkuar ndryshim nga deputeti zoti Arben Ahmetaj, nëpërmjet amendamenteve të paraqitura prej tij, vetëm 24 orë përpara seancës plenare, duke bërë të mundur faktikisht shtyrjen e afatit të aplikimit të të gjithë kufizimeve koncesionare për në datë 1 tetor 2019.

Në këtë mënyrë, jepet sërish mundësi e pakufizuar që çdo kërkesë koncesionare që paraqitet deri më datë 1 tetor 2019, pavarësisht fushës ku kërkon të aplikohet apo të zbatohet projekti, do të shqyrtohet nga autoriteti kontraktues dhe qeveria shqiptare.

Në krahasim të qëllimit të vetë nismës propozuese me përmbajtjen e neneve 17, 18 të ligjit nr. 50/2019, të miratuar nga Kuvendi, që janë miratuar sipas propozimit amendues të deputetit Ahmetaj bërë vetëm 24-orë përpara shqyrtimit të projektligjit në seancë plenare, Presidenti i Republikës, ka arritur në përfundimin se, nenet 17 dhe 18 të ligjit nr. 50/2019, nuk përmbushin qëllimin objektiv të vetë ligjit; janë rrjedhojë e një propozimi urgjent dhe të pajustifikuar; krijojnë një hapësirë kohore të përshtatshëm për thirrje për aplikime të reja koncesionare; nuk janë në harmoni me qëllimin fillestar të qeverisë dhe ligjvënësit; konstatime dhe vlerësime këto të cilat, krijojnë terren të përshtatshëm për të vijuar me aplikimin e gabuar të praktikave koncesionare problematike të vlerësuara jo objektivisht me pasojë cenimin e interesit publik dhe të ekonomisë së vendit.

Konkretisht në këto dispozita të miratuara parashikohet se: 

“Neni 17

Dispozita të fundit

1.Autoriteti kontraktues vazhdon procedurat për shqyrtimin dhe dhënien me koncesion vetëm për propozimet e pakërkuara, të paraqitura para datës 1 tetor 2019, për të cilat është krijuar nga autoriteti kontraktues komisioni i koncesionit/PPP.

2.Këshilli i Ministrave, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, nxjerr aktet nënligjore, të përcaktuara në nenet 3, 5, 6, 7 dhe 10 të këtij ligji. 

Neni 18

Hyrja në fuqi 

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, me përjashtim të nenit 2, nenit 8, pika 1, dhe nenit 10 të këtij ligji, të cilët hyjnë në fuqi më 1 tetor 2019.”  

Referuar relacionit të Këshillit të Ministrave dhe raporteve të komisioneve parlamentare të muajit shkurt 2019, që kanë shoqëruar dhe shqyrtuar projektligjin fillestar arsyetohej se, projektligji synonte heqjen e mundësisë së zhvillimit të projekteve të koncensionit/PPP në formën e propozimeve të pakërkuara në një sërë sektorësh, në zbatim edhe të rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare, si FMN, Banka Botërore dhe SIGMA-OECD, për reduktimin e përdorimit të procedurës së propozimeve të pakërkuara në identifikimin dhe zhvillimin e objekteve të koncensionit/PPP.

Në këto akte shoqëruese parashikohet që pas datës 1 korrik 2019, të mos përdoret më procedura e propozimeve të pakërkuara në ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e rrugëve nacionale me rëndësi të veçantë, si dhe në një sërë sektorësh të tjerë të ekonomisë, siç lejohet sipas ligjit aktual në fuqi nr. 125/2013. 

Me ndryshimin në ligjin nr. 50/2019, për kufizimin e së drejtës për të aplikuar në një projekt PPP në formën e propozimit të pakërkuar synohet reduktimi i rreziqeve që ajo sjell ndaj buxhetit të shtetit apo qytetarëve.

Ndërkohë përkundër këtyre qëllimeve, sipas përmbajtjes së neneve 17 dhe 18 të ligjit nr. 50/2019 të miratuara, konstatohet se Kuvendi i Shqipërisë me pranimin e amendamenteve të deputetit propozuar 24 orë përpara seancës, rezulton se i ka anashkaluar analizat, propozimet, dhe rekomandimet e raporteve të institucioneve ndërkombëtare, duke e shtyrë sërish  afatin për aplikim dhe nënshkrim të kontratave koncesionare deri në datë 1 tetor 2019, dhe duke krijuar një hapësirë kohore ku propozues të ndryshëm, të kenë mundësi të paraqesin të parashtrojnë projektet e tyre për çdo lloj fushe pa asnjë kufizim.

Nga ky ndryshim i përgatitur nga deputeti propozues dhe i pranuar nga Kuvendi sipas parashikimeve të neneve 17 dhe 18 të ligjit nr. 50/2019, bëhet e mundur që propozimet e pakërkuara, të cilat aktualisht janë të pakufizuara sipas nenit 5, pika 1/j, dhe nenit 25 të ligjit nr. 125/2013, të mbeten ende të tilla dhe do të aplikohen për të gjitha propozimet që do të depozitohen deri në datë 1 tetor 2019.

Pra në vetvete dispozitat e neneve 17 dhe 18 të ligjit nr. 50/2019, janë në fakt një thirrje e hapur për aplikime të pakufizuara për kontrata të reja koncesionare, sipas kushteve të ligjit aktual në fuqi të pandryshuar, sepse të gjitha kufizimet që qeveria dhe Kuvendi po pretendon se po realizon me ligj, shtyhen për t’u aplikuar deri më datë 1 tetor 2019.

Periudha e parashikuar (deri në 1 tetor 2019) në ndryshim nga nisma fillestare që përfundoi shqyrtimin që në muajin shkurt 2019 në komisionet përkatëse, por u përfshi në seancë plenare vetëm në datë 18 korrik 2019, duke shtyrë përmes amendamentit hyrjen në fuqi të kufizimeve, nga muaji korrik në variantin fillestar, në muajin tetor 2019, është tregues i qartë për:

–          Mungesë transparence në procedurat e shqyrtimit të nismave ligjore;

–          Mungesë transparence ndaj qytetarëve në propozimet e pakërkuara që janë administruar gjatë kësaj periudhe nga autoritetet kontraktuese (duke qenë se tashmë nisma për kufizimin e propozimeve të pakërkuara dihej dhe njihej);

–          Ka krijuar hapësirën jo vetëm për depozitimin e kërkesave të reja koncesionare/PPP, por edhe për trajtimin dhe miratimin e tyre sipas kritereve dhe procedurës së mëparshme ligjore;

Ndërkohë që me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore pas datës 1 tetor 2019, këto kërkesa dhe procedurat që duhet të ndiqen për miratimin e kontratave koncesionare/PPP, do t`i nënshtrohen kushteve ligjore kufizuese, miratuese dhe monitoruese, tërësisht të ndryshme, duke krijuar kështu jo vetëm rrezik për cenim të interesit publik (për shkak të lënies me qëllim të hapësirave kohore për miratimin e kontratave koncesionare/PPP me një procedurë dhe kritere që nuk ofronin garancinë e nevojshme dhe që çuan në ndërmarrjen e kësaj nisme), por edhe pabarazi në trajtimin e subjekteve private në kundërshtim me parimet kushtetuese, që në vijim do të mund të paraqisnin ofertat e tyre në këto procedura sipas kërkesave të reja ligjore.

Çdo lloj kërkese e re për marrjen e një të drejte koncesionare/PPP që mund të jetë depozituar ndërkohë, kërkon një adresim të saktë ligjor për trajtimin e saj, sipas kushteve të reja të propozuara pasi nxitimi që mund të karakterizojë miratimin e këtyre propozimeve të pakërkuara, sipas ligjit të pa ndryshuar, mund të sjellë si rezultat;

–          Miratimin e kontratave që nuk kanë një studim të plotë fizibiliteti e për pasojë reduktimin e cilësisë së shërbimit apo ndërtimit të siguruar, rritjes së kostove, dhe duke lënë hapësira favorizuese që krijojnë nivele të larta rrisku për praktika korruptive.

Për më tepër, është absolutisht e papranueshme edhe sikur të ngrihej pretendimi se kërkesa e shtyrjes së afatit të ligjit bëhet për mungesë të kohës në përgatitjen e akteve nën ligjore, për ndryshimet aktualisht të miratuara, kur tashmë pranohet qartë se këto propozime janë paraqitur që në janar të vitit 2019, nga ministria përgjegjëse për ekonominë dhe financat.

Nëse ky do të jetë një justifikim ai nuk ka asnjë peshë të llogaritshme përpara situatës së fluksit që të aplikimeve dhe propozimeve të pakërkuara që janë paraqitur apo mund të paraqiten për shkak të mundësisë që jep neni 17 dhe 18 i ligjit nr. 50/2019.

Ndërkohë që, institucionet përgjegjëse për nxjerrjen e akteve nënligjore duhet tashmë të ishin investuar në përgatitjen paraprake të këtyre akteve që venë në zbatim ligjin.

Për më tepër, aktet nënligjore, përgatiten pas hyrjes në fuqi të ligjit. Ndërkohë, nisma konkrete është mbajtur në mënyrë të pashpjeguar për rreth 4 muaj pa u depozituar për shqyrtim në seancë plenare.

Gjithashtu, në vlerësim të kushteve aktuale ekonomike, situatës në vend lidhur me projektet e partneritetit publik privat dhe interesin publik të qytetarëve shqiptarë, si dhe në konsultim të raporteve të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht të raportit nr. 19/29 të FMN-së, të muajit janar 2019, i cili, ka theksuar se vendi ynë në kushtet e rritjes së shpejtë të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka rritur për rrjedhojë dhe rreziqet fiskale, Presidenti i Republikës ka arritur në përfundimin se:

–          Ligji nr. 50/2019, i përcjellë për dekretim i duhet kthyer Kuvendit me qëllim rishikimin e neneve 17 dhe 18 të tij për sa i përket hyrjes në fuqi të kufizimit të propozimeve koncesionare/PPP për të marrë përsipër projekte koncesioni, të cilat nuk kanë ardhur në përgjigje të kërkesave të bëra nga autoritetet kontraktuese, në kuadër të procedurave përzgjedhëse konkurruese. 

Presidenti i Republikës, gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare, kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite si në daljet publike ashtu edhe në raportet e tyre zyrtare, eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit. 

Shtyrja e hyrjes në fuqi të ndryshimit kryesor që pëson ligji nr. 125/2013, që përkundrejt raporteve ndërkombëtare është vlerësuar kohë më parë si masë e cila duhet të merret në mënyrë të menjëhershme, duke evidentuar nevojën e kontabilizimit të kostove të projekteve aktuale PPP në buxhet, duke përfshirë dhe përllogaritjen e borxhit publik, që në rastin më të mirë nuk është bërë e ditur nga qeveria dhe më të keqin ende nuk është përllogaritur, shton rrezikun që ky borxh do të jetë akoma edhe më i lartë, nisur nga fakti që deri në datën 1 tetor 2019, mund të paraqiten oferta të reja të pakërkuara.

Në këtë mënyrë, përgjigja e qeverisë dhe e Kuvendit ndaj këtyre rekomandimeve duhej të ishte më e sinqertë, duke e përfshirë menjëherë në shqyrtim të përshpejtuar miratimin e nismës ligjvënëse në seancë plenare dhe jo ta shtynte atë pa asnjë shkak të arsyeshëm dhe objektiv për t`u shqyrtuar në datë 18.07.2019, apo akoma dhe më keq për hyrje në fuqi më datë 01 tetor 2019, ndërkohë që Kuvendi në po të njëjtën datë 18.07.2019, ka miratuar me ligj dhe dy kontrata të reja koncesionare për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve e “Milot Balldren” dhe “ Orikum-Dukat”.

Përkundrejt kësaj sjellje serioze, objektive dhe të sinqertë që duhej të shfaqte qeveria dhe Kuvendi me institucionet ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë, një tjetër lëvizje e orëve të fundit, shfaqet në veprimtarinë parlamentare ku nëpërmjet një amendamenti të paraqitur 24 orë përpara nga deputeti Ahmetaj, bëhet e mundur shtyrja e zbatimit të ligjit në kohë deri në 1 tetor 2019, duke i dhënë kohë të mjaftueshme ndokujt që të propozojë diçka ndryshe për t`u koncesionuar sipas parashikimeve të ligjit të vjetër.

Krijimi i kësaj hapësire kohe për të sjellë çfarëdo propozimi për t’u quajtur i trajtueshëm sipas ligjit, duke e trajtuar dhe miratuar atë me dispozitat ligjore të vjetra që nuk parashikojnë kufizim të sektorëve të ekonomisë që përfshihen në partneritet publik privat, konstatohet si një çështje shumë serioze nga Presidenti i Republikës, që veç të tjerave ul nivelin e besimit në veprimtarinë e Kuvendit përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Në përfundim të shqyrtimit, Presidenti i Republikës, çmon se ky ligj i paraqitur për shpallje është një iniciativë tepër e vonuar e qeverisë dhe e Kuvendit të Shqipërisë, pasi ndryshime të kësaj natyre duhet të ishin ndërmarrë shumë kohë më parë nga mazhoranca.

Nën këtë frymë, Presidenti i Republikës i mirëpret ndryshimet ligjore të miratuara nëpërmjet ligjit nr. 50/2019 që kufizojnë zhvillimet e projekteve të koncesioni/PPP, në formën e propozimeve të pakërkuara nga sektori privat, por gjithashtu Kuvendi duhet më patjetër që të rishikojë  dispozitat e nenit 17 dhe18 të ligjit, të cilat shtyjnë në kohë aplikimin e këtyre kufizimeve. 

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, 

Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllimin e vetëm përmirësimin e këtij ligji në përputhje me frymën me të cilën kjo nisëm është propozuar; në mënyrë që ky ndryshim ligjor të jetë realisht në përputhje me rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare që asistojnë dhe monitorojnë Shqipërinë; në mbrojtje të interesit publik dhe për të mos lejuar më, që familjet shqiptare të përballojnë kosto të panevojshme financiare që janë të panjohura deri më tani, por që duket se shkojnë përtej mundësisë së tyre dhe që shtrihen për një kohë të ardhme të gjatë dhe të papërllogaritur saktë, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85 pika 1 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 50/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncensionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar” me qëllim rishqyrtimin dhe përmirësimin e neneve 17 dhe 18 të këtij ligji.

 

Sinqerisht,

Ilir META