Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 44/2019 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

Presidenti Meta dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 44/2019 – Arsyet e kthimit për rishqyrtim të ligjit

D E K R E T

“PËR

KTHIMIN E LIGJIT NR. 44/2019 ‘PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 7895, DATË 27.1.1995, ‘KODI PENAL I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË’, TË NDRYSHUAR”’

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 44/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”’, me qëllim rishikimin dhe përmirësimin e neneve 3, 6, 7 dhe 11, që kanë ndryshuar, apo shtuar nenet 121, 201, 201/b, si dhe 207/a të Kodit Penal, sipas arsyetimit bashkëlidhur.

Nr. Dekreti 11248
Tiranë, më 05.08.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

 

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 44/2019 

“Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”.

 

Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 18 korrik 2019 ka miratuar ligjin nr. 44/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”.

Me shkresën e Kuvendit të Shqipërisë nr. prot. 2890, datë 24.07.2019, ky ligj është përcjellë për dekretim dhe shpallje dhe është administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. prot. 2592, datë 24.07.2019.

Në zbatim të nenit 84 dhe nenit 85, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës brenda 20 ditëve nga paraqitja e ligjit të miratuar shprehet me dekret për shpalljen e ligjit apo për kthimin e ligjit për rishqyrtim në Kuvend. Nëse Presidenti i Republikës brenda 20 ditëve nga paraqitja e ligjit nuk e shpall ligjin apo nuk ushtron kompetencën kushtetuese për ta rikthyer atë për rishqyrtim, ligji quhet i shpallur.

Sipas praktikës parlamentare, rezulton se këto ndryshime në Kodin Penal janë depozituar në datë 02.05.2019 si nismë e 11 deputetëve të Kuvendit të  Shqipërisë. Sipas përmbajtjes së relacionit të deputetëve propozues projektligji është nismë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe materializim i vullnetit të mazhorancës qeverisëse për realizimin efektiv të të drejtave dhe lirive të shtetasve në disa fusha. Projektligji u hartua nga disa deputetë të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në bashkëpunim me ekspertët ligjorë të Kryeministrisë dhe të ministrive të linjës, sipas fushës linjës në përputhje me çështjet që adresojnë ndryshimet e propozuara.

Ndryshimet në Kodin Penal janë shqyrtuar nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e Komisionit përgjegjës, në mbledhjet të datave 1.10.2018, 22.5.2019, 10.6.2019, 12.6.2019 dhe 18.6.2019, në të cilat ky komision ka shqyrtuar bashkarisht dy nisma ligjore të propozuara për ndryshime në Kodin Penal, ku nisma e parë është depozituar në  Kuvend përgjatë vitit 2018 si propozim i 37527 shtetasve shqiptarë, dhe nisma e dytë e propozuar nga një grup deputetësh e depozituar më datë 02.05.2019.

Projektligji i propozuar nga zgjedhësit kishte për qëllim dënimin e rasteve të dhunës ndaj kafshëve, duke parashikuar shkeljet konkrete si dhe sanksionet përkatëse të organizuara në 6 nene, që parashikojnë si vepra penale, eliminimi i kafshëve me armë zjarri; braktisja e kafshëve të shoqërimit; tortura, helmimi, keqtrajtimi i tyre; organizimi i ndeshjeve mes kafshëve që shkaktojnë vuajtjen apo torturimin e kafshëve; kryerja e eksperimenteve të jashtëligjshme me kafshë; përdorimi i lëkurës së kafshëve të shoqërimit dhe individëve të faunës së egër, në rrezik zhdukjeje.

Ndërkohë që projektligji për ndryshime në Kodin Penal i propozuar nga 11 deputetë përbëhej nga 23 nene që parashikonin adresimin e disa çështjeve në fushat si mbrojtja nga dhuna e profesionistit shëndetësor; mbrojtja nga dhuna e policit, funksionarit publik, të zgjedhurit dhe personelit të shërbimit publik; rendi dhe qetësia publike/ndalimi i zhurmave; mbrojtja nga dhuna në sport; mbrojtja e të drejtës së autorit; ndalimi i veprimtarisë së lojrave të fatit; dekriminalizimi i gabimit mjekësor në rastet kur pasoja nuk vjen si rezultat i neglizhencës së mjekut; përdorimi i armëve dhe lëndëve plasëse pa leje të organeve shtetërore; mbrojtja e mjedisit; siguria ushqimore; mbrojtja nga kafshët shoqëruese në publik, etj. 

Gjithashtu sipas raporteve të komisioneve parlamentare bëhet e ditur se ndryshimet e propozuara si nga deputetët, ashtu edhe nga shtetasit, i janë nënshtruar një procesi konsultimi me pjesëmarrjen e organizatave dhe grupeve të interesit, të ekspertëve dhe të përfaqësuesve të institucioneve të fushës, si EURALIUS, Avokati i Popullit, Ministria e Drejtësisë, përfaqësues të Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit si dhe të Shoqatës së Avokatëve Penalistë.

Në përfundim, Kuvendi i Shqipërisë, në seancën plenare të datës 18.07.2019, ka miratuar ligjin nr. 44/2019, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, i cili përbëhet gjithsej nga 23 nene.

Presidenti vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 44//2019, në raport me Kushtetutën, me kuadrin ligjor në fuqi, dhe në përfundim të shqyrtimit, çmon se ky ligj i paraqitur për shpallje në përgjithsësi është një akt ligjor me tendencë pozitive, pasi për disa çështje, dispozitat aktuale të kodit penal nuk garantojnë parandalimin apo ndëshkimin e duhur të disa veprimeve apo mosveprimeve negative që janë shfaqur në shoqëri, për të cilat është e nevojshme parashikimi i tyre si vepra penale, apo për disa prej tyre është vlerësuar se nevojitet forcimi i ndëshkimit penal.

Nga ana tjetër, gjatë shqyrtimit u konstatua se disa dispozita të veçanta të ligjit nr. 44/2019 dhe konkretisht nenet 3, 6, 7 dhe 11, që kanë ndryshuar, apo shtuar nenet 121, 201, 201/b, si dhe 207/a të Kodit Penal paraqesin paqartësi në formulimin e disa paragrafëve të tyre; nuk janë në harmoni apo në ndonjë rast mbivendsen me parashikime të tjera të Kodit Penal, shkaqe këto, të cilat mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese të sigurisë juridike.

Nga shqyrtimi i ligjit nr. 44/2019 konstatohet se formulimet e një disa dispozitave të neneve të mësipërme përmbajnë problematika që cënojnë parimin e efektivitetit të normës, duke rrezikuar aplikimin dhe interpretimin në praktikë të tyre, për shkak të mungesës së qartësisë, çka do të kërkonte shumë shpejt ose amendim të tyre, ose do të bënte të nevojshme sqarimin e tyre nga jurisprudenca.

Duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë, e cila është e ngarkuar për unifikimin apo edhe interpretimin e përdorimit të normave ligjore, prej disa muajsh nuk është funksionale dhe askush nuk mundet të parashikojë sot se kur do të plotësohet kjo trupë gjyqësore me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve që mund të bëjnë unifikimin e praktikës gjyqësore në procesin penal, vlerësohet se nuk do të jetë e mundur kryerja e analizës gjithëpërfshirëse të ndryshimeve dhe efekteve që mund të kenë ndryshimet e propozuara mbi efektivitetin në sistemin e drejtësisë penale.

Pra, në këto kushte ku ndodhet vendi, pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese funksionale, i takon Kuvendit të Shqipërisë që të tregojë kujdesin maksimal gjatë hartimit dhe miratimit të dispozitave të reja në Kodin Penal, të cilat krijojnë figura të reja të veprave penale, pasi kriminalizimi i sjelljeve apo veprimeve në figura krimi, ndërkohë që ende nuk është funksionale trupa gjyqësore që mund të bëjë unifikimin e praktikës gjyqësore në këtë drejtim mund të sjellë si rezultat aplikim të ndryshëm të normës në praktikë, duke krijuar rrezik për cenim të  parimit të sigurisë juridike të shtetasve apo dënimin pa ligj.

Në kushtet kur, vetë fryma e miratimit të një Kodi, si një ligj që kërkon miratim me shumicë të cilësuar, është qendrueshmëria, pasjell në logjikë qëndrimin se, amendimi i shpeshtë i tij, veçanërisht i Kodit Penal, rrezikon të cenojë parimin e sigurisë juridike.

Për më tepër, kur këto amendime janë kryer në mungesë të qartësisë në vetvete të disa dispozitave, rrezikohet krijimi i premisave për cenimin e nenit 7 të KEDNJ-së, i cili sanksionon se nuk ka dënim pa ligj.

Konkretisht, në analizë të ndryshimeve ligjore të propozuara për miratim dhe shpallje nëpërmjet ligjit nr. 44/2019, janë vërejtur problematika dhe mangësi në disa dispozita të tij,  si më poshtë:

I.       Neni 3 i ligjit 44/2019, i cili synon ndryshimin e nenit 121 të Kodit Penal që parashikon veprën penale të ndërhyrjeve të padrejta në jetën private, krijon mbivendosje me dispozitat të tjera Kodit Penal dhe nuk është në harmoni me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.

Nëpërmjet nenit 3 të ligjit nr. 44/2019, ligjvënësi ka miratuar ndryshimin tërësor të nenit 121 të Kodit Penal, në të cilin aktualisht parashikohet vepra penale  “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.

Në raportin përfundimtar të Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, të datës 18.06.2019, rezulton se Komisioni, në vazhdim të shqyrtimit të amendamenteve të propozuara, ka miratuar edhe disa ndryshime në disa dispozita të pjesës së përgjithshme të Kodit Penal, ku ndër të tjera edhe një ndryshim të nenit 121 me titull “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.

Nga shqyrtimi i praktikës shoqëruese të projektligjit, relacionit shoqërues apo raportit të komisioneve përgjegjëse, nuk përcaktohet asnjë arsye e mbështetur në të dhëna konkrete, që ka diktuar nevojën e amendimit të kësaj dispozite të Kodit.

Kështu dispozita aktuale në fuqi sanksionon:

Neni 121

Ndërhyrje të padrejta në jetën private

Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi, regjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, regjistrimi ose transmetimi i figurave, si dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”.

Ndërsa në nenin 3 të ligjit 44/2019, parashikohet ndryshimi i nenit në:

“Neni 121

  Ndërhyrje të padrejta në jetën private

Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve ose të figurave, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve, fiksimi ose regjistrimi figurave, si dhe ruajtja për publikim i të dhënave që ekspozojnë një aspekt të jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.  

Shpërndarja, ofrimi për publikim apo publikimi me çdo mjet ose formë të komunikimit publik apo mënyrë tjetër i të dhënave të marra në mënyrën e përcaktuar në paragrafin e parë të këtij neni, dënohet me burgim deri në tre vjet.  

Po kjo vepër, kur kryhet ndaj personave të mitur, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet. 

Kur vepra penale kryhet nëpërmjet shfrytëzimit të funksionit shtetëror ose shërbimit publik apo nga personi që disponon këto të dhëna për shkak të detyrës shtetërore apo shërbimit publik, dënohet me burgim nga një deri në tre vjet”.

Ashtu si edhe vërehet lehtësisht, dispozita e re në paragrafin e parë, nuk sjell një ndryshim i rëndësishëm në raport me dispozitën e mëparshme, por bën një riformulim, duke hequr fjalën “transmetimi”.

Ndërkohë, kësaj dispozite i janë shtuar tri paragrafë të rinj, duke përcaktuar tri raste kur: paraqitet  një mënyrë ndryshe nga paragrafi i pariiveprimeve të kryerjes së veprës penale; synon të mbrojë posaçërisht të miturin nga kjo vepër penale; dhe në paragrafin e katërt, ka përcaktuar rrethanat cilësuese të kryerjes së veprës, pasi kriminalizon posaçërisht subjektin e veprës penale, pra funksionarin shtetëror apo në shërbimin publik, që për shkak të këtij funksioni disponon të dhënat vetjake.

Ky paragraf i katërt i këtij formulimi të ri ligjor, kërkon më shumë qartësi në lidhje me subjektin e veprës penale. Gjithashtu ky paragraf duhet riformuluar dhe qartësuar, edhe nën dritën e faktit se duhet bërë një dallim edhe më i fortë me subjektin e veprës penale sipas parashikimeve të këtij neni të sapomiratuar, me atë të nenit pasardhës, (neni 122), i cili nënkupton një kategori tjetër funksionarësh shtetërorë apo publikë, që për shkak të detyrës disponojnë këto të dhëna (punonjësit e shërbimeve inteligjente, polici, opgj, prokurori, etj).

Konkretisht në nenin pasardhës 122, parashikohet se:

“Neni 122

Përhapja e sekreteve vetjake 

Përhapja e një sekreti që i përket jetës private të një personi nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës ose të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. 

Po kjo vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”.

Gjithashtu është e nevojshme të sqarohet arsyeja se përse ligjvënësi për këto veprime të kundërligjshme, detyrohet të krijojë dispozita të posaçme (neni 3 i ligjit nr.44 /2019) dhe të mos arsyetojë se këto fenomene dhe veprime të kundraligjshme janë të aplikueshme disponimet e nenit 248 të Kodit Penal që parashikon shpërdorimin e detyrës shtetërore nëpërmjet shkeljes së ligjit dhe me pasoja të rënda ligjore për shtetin dhe shtetasit.

Konkretisht neni 248 i Kodit Penal, parashikon se:

“Neni 248

Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër  tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet”.

Në këtë rast, nëse studiohet me vëmëndje parashikimet e nenit 3, paragrafi katër të ligjit nr. 44/2019 që ndryshon nenin 121,në krahasim me nenin 248 evidentohet qartë se kemi një konkurim të këtyre dispozitave midis tyre, çka passjell një ngarkesë të panevojshme të Kodit Penal dhe njëkohësisht dhe mundësi të keqzbatimit në praktikë së pari, nga organet ligjzbatuese e më pas nga Prokuroria dhe Gjykata.

Në analizë të nenit 3 të ligjit nr.44/2019, që ndryshon nenin 121 të Kodit Penal, vlerësohet se, marrëdhënia juridike-shoqërore që synohet të mbrohet është e lidhur me jetën private e personit/viktimës (të njerëzve dhe të të miturve) në këtë rast.

Ndërkohë dispozita e paragrafit të fundit të nenit 121, të amenduar, përcakton si subjekt të posaçëm për kryerjen e veprës penale, personin që kryen funksion shterëror/shërbim publik apo që disponon të dhënat për shkak të detyrës. 

Pra, objekt parësor i këtij paragrafi të shtuar, është marrëdhënia juridike e vendosur në territorin e Republikës së Shqipërisë për të garantuar ushtrimin e rregullt të veprimtarisë shtetërore nga aktet kriminale, të kryera në mënyrë specifike nga punonjësit shtetërorë ose në shërbimin publik.

Vlen të theksohet gjithashtu se, paragafi i katërt i shtuar, përbën veprim të kundraligjshëm që mund dhe duhet të ripozicionohet si vepër penale në kreun përkatës në kushtet kur, neni 121 i ndryshuar i përket Seksionit VIII “Vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit” të Kreut II “Vepra penale kundër personit” dhe duke qënë se, në këtë kre janë të renditura veprat penale të kryera nga subjekte të posaçme-punonjës shtetërorë.

Për të konkretizuar analizën e mësipërme sjellim në vëmendje sanksionimet e parashikuara në nenet 123 dhe 255 të Kodit Penal.

Vepra penale e përcaktuar në nenin 255 të Kodit Penal, “Pengimi dhe shkelja e fshehtësisë së korrespondencës”, që në thelbin e saj ka mbrojtjen e privatësisë (posaçërisht korrespondencës) nga subjekti i posaçëm, është e pozicionuar në Kreun VIII “Krime kundër autoriteti të shtetit”.

Kjo e fundit, dallon nga neni 123 “Pengimi ose shkelja e fshehtësisë së korrespondencës” vendosur në Kreun II “Vepra penale kundër personit”, si vepra penale që synojnë të mbrojnë jetën private, por që kanë subjekt të përgjithshëm.

Në të njëjtën kohë, në zbërthim teorik të nenit 255, kujtojmë se ky nen ka në tërësinë e tij dy objekte; objekt parësor ka ushtrimin e rregullt të veprimtarisë shtetërore nga funksionarët publikë, dhe objekt dytësor, ka mbrojtjen e jetës private. Ndërkaq, neni 121, në fakt, ka për objekt vetëm mbrojtjen e jetës private të personit, pa pëlqimin e tij, siç përcaktohet në paragrafin e parë dhe të dytë të nenit, dhe përforcohet nga paragrafi i tretë ku mbrohet më tepër jeta private e të miturit.

Në këto kushte, edhe nën dritën e këtij arsyetimi paragrafi i katërt i shtuar, nuk përputhet me këtë objekt pasi, kur cilësohet si rrethanë e posaçme kryerja e kësaj vepre nga një funksionar publik, në radhë të parë synohet të mbrohet veprimtaria e rregullt shtetërore dhe jo jeta private, që duket se del si objekt dytësor i këtij parashikimi ligjor.

Gjithashtu, një tjetër arsye se përse paragrafi i katërt i shtuar ka paqartësi, është fakti se ai nuk përcakton qartë në se ndëshkohen ose jo në këtë rast ato veprime që parashikon po e njëjta dispozitë në paragrafin e parë, ku parashikohet se: “vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim, dëgjimi ose regjistrimi i fjalëve, fiksimi ose regjistrimi i figurave si dhe ruajtja për publikim i të dhënave”, apo vetëm “shpërndarja ofrimi për publikim apo publikimi”.

Nëse paragrafi i fundit i referohet kryerjes së veprës penale me mënyrat e përcaktuara në paragrafin e parë të nenit të amenduar, jemi para rastit klasik, kur mund të krijohen keqkuptime për zbatimin e kësaj dispozite ndaj shtetasve që kanë për detyrë vendosjen e aparaturave dhe regjistrimin e fjalëve, fiksimin e tyre, sipas autorizimit të posaçëm të marrë në përputhje me legjislacionin në fuqi për këtë qëllim.

Në këto raste, do duhej të ishte identifikuar qartë qëllimi në kryerjen e veprës penale të sanksionar në paragrafin e fundit, çka nuk është bërë dhe lë vend për keqpërdorim të këtij parashikimi.

Për më tepër, nëse subjekti që disponon të dhënat për shkak të funksionit shtetëror, i shpërndan ato, ky është një veprim i parashikuar tashmë si vepër penale nga neni 122 i Kodit Penal, ku citohet se:

“Përhapja e një sekreti që i përket jetës private të një personi nga ai që e siguron atë për shkak të detyrës ose të profesionit, kur detyrohet të mos e përhapë pa qenë i autorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.  

Po kjo vepër, e kryer me qëllim fitimi ose për të dëmtuar një person tjetër, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”.

Ndërkohë, në një rast të tillë, kur këto veprime ndërmerren nga një subjekt i posaçëm, ndodhemi përpara rastit të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, si një dispozitë që përcakton qartë objektin, subjektin, mënyrën e kryerjes dhe qëllimin e veprës penale.

Për më tepër, parashikimet e nenit 3 të ligjit nr. 44/2019, duhet analizuar edhe në raport me nenin 59 të Kodit të Procedurës Penale, sepse neni 121 të Kodit Penal, siç është aktualisht, hyn në grupin e atyre  veprave penale e  cila ndiqet nga vetë viktima akuzuese e dëmtuar nga kryerja e  veprës penale drejtpërdrejt në gjykatë.

Neni 59 i Kodit të Procedurës Penale aplikohet për një kategori veprash penale që ligjvënësi i ka parashikuar me rrezikshmëri jo të lartë shoqërore dhe për këtë arsye ia ka lënë ndjekjen penale vetë personave që janë dëmtuar nga këto vepra penale.

Me shtimin e paragrafëve në nenin 121 të Kodit Penal parashikohet njëkohësisht rritja e  rrezikshmërisë shoqërore. Në këtë mënyrë është e nevojshmë që të bëhet edhe ndryshimi i nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, për të saktësuar nëse dhe për cilin  prej këtyre  paragrafëve ndjekja penale do të ushtrohet nga vetë viktima akuzuese apo nga prokurori.

Sa më sipër, vlerësohet se, neni 3 i ligjit nr. 44/2019, duhet rishqyrtuar pasi paragrafi i fundit i nenit 121 të amenduar, jo vetëm që nuk është shprehur qartë në përcaktimin e elementëve që duhet të përmbajë një figurë e veprës penale, por krijon mbivendosje me dispozitat e sipërcituara të Kodit Penal dhe nuk është në harmoni me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.

II.      Neni 6 i ligjit nr. 44/2019, i cili ndryshon nenin 201 të Kodit Penal, në paragrafët 2-5 përmbajnë shprehje abstrakte, përdorimi i të cilave jo vetëm e bën të pamundur zbatimin këtyre paragrafëve në praktikë, por krijon rrezik që të sjellë një precedent në ushtrimin e ndekjes penale apo dhënien e dënimeve në mënyrë jo proporcionale. Lënia e hapësirave abstraguese në dispozitë dhe formulimi jo i saktë sa i takon teknikës legjislative është një mundësi e hapur për keqinterpretim dhe abuzim në praktikë. 

Nëpërmjet nenit 6 të ligjit nr. 44/2019, ligjvënësi ka miratuar ndryshimin tërësor të nenit 201 të Kodit Penal, në të cilin aktualisht parashikohet vepra penale “Ndotja e ajrit”.

Në raportet e komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë dhe relacionit që shoqëron projektligjin relatohet se: “Mbrojtja e mjedisit mbetet, gjithashtu, një problem shqetësues, për të cilën propozohen ndryshime në ashpërsimin e sanksioneve përkatëse. Projektligji përcakton dhe veprat penale të kryera nga persona fizikë a juridikë, me dashje apo nga pakujdesia, të cilat bien ndesh me legjislacionin specifik për mjedisin dhe për rrezatimet jonizuese apo me lejet/autorizimet që janë miratuar në zbatim të tyre dhe që rrezikojnë të shkaktojnë dëm real mbi cilësinë e ajrit, ujit, tokës, bimët, kafshët, shëndetin apo jetën e njeriut… 

Si pasojë e miratimit dhe zbatimit të këtyre amendimeve, synohet dhe pritet që të rritet shumë ndërgjegjësimi për mbrojtjen e mjedisit i të gjithë aktorëve që veprojnë mbi mjedisin dhe që kanë potencial për ta rrezikuar atë përmes aktiviteteve të tyre.”

Kështu dispozita aktualisht në fuqi sanksionon:

“Neni 201

Ndotja e ajrit 

Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. 

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet”.

Ndërsa në nenin 6 të ligjit 44/2019, parashikohet ndryshimi i nenit me këtë përmbajtje: 

“Neni 201

Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës

Ndotja e ajrit, ndotja e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, ndotja në sipërfaqe apo në thellësi e tokës, dëmtimi i rëndë i kafshëve ose i bimëve, nëpërmjet shkarkimit, emetimit ose futjes së rrezatimit jonizues ose të një sasie materialesh në ajër, tokë apo ujë, tej kufirit të normave të lejuara me ligj, dënohen me burgim deri në tre vjet.  

Po kjo vepër, kur është kryer në zona të mbrojtura posaçërisht me ligj, si zona me vlera mjedisore, kulturore, artistike, historike, arkitektonike apo arkeologjike, ose kur ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë dëmtim të rëndë të ekosistemit, biodiversitetit, të florës ose faunës, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet. 

Kur vepra penale e parashikuar në paragrafin e parë të këtij neni ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë plagosjen e lehtë të një ose disa personave, dënohet me burgim nga një deri në shtatë vjet.  

Kur kjo vepër ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë plagosjen e rëndë të një ose disa personave, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.  

Po kjo vepër, kur ka shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë vdekjen e një ose disa personave, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.

Përmirësimi i nenit 201 të Kodit Penal, është tejet i mirëpritur nga të gjithë. Në këtë nen të riformuluar, ligjvënësi ka përfshirë nën një figurë të veprës penale, ndotjen e ajrit, ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore, ndotjen në sipërfaqe apo në thellësi e tokës, por edhe dëmtimin e rëndë të kafshëve ose të bimëve, nëpërmjet shkarkimit, emetimit ose futjes së rrezatimit jonizues ose të një sasie materialesh në ajër, tokë apo ujë, tej kufirit të normave të lejuara me ligj.

Në rastin konkret, dëmtimi i rëndë i kafshëve dhe bimëve, është renditur si mënyrë e kryerjes së kësaj figure të veprës penale, kur në fakt, ajo është pasojë e veprimeve që janë kriminalizuar, si shkarkimi, emetimi ose futja e rrezatimit jonizues ose një sasie materialesh në ajër, tokë apo ujë, tej kufirit të normave të lejuara me ligj.

Ndërkohë kjo dispozitë, e riformuluar në 4 paragrafët e tjerë vijues të saj (paragrafi 2-5), paraqet problematike, sa i përket mënyrës se si ajo është ndërtuar nga ana gjuhësore, ku rezulton se rrethana e cilësuar e kryerjes së veprës penale, që sjell si rezultat rritjen e masës së dënimit rezulton të jetë përcaktuar me shprehje të papërshtatshme për qëllimin për të cilin këto dispozita janë hartuar.

Në të katërt paragrafët e fundit të këtij neni, përdoret togfjalëshi “ose ka mundësi të shkaktojë”.

Kuptimi i rrethanave të cilësuara në një figurë krimi në vetvete, është përcaktimi i veprimeve apo kushteve, vërtetimi i të cilave kërkon një masë më të rëndë ndëshkimi.

Rrethanat e cilësuara, konsiderohen elementë të vet veprimtarisë krimane dhe për pasojë, duhet të verifikohen në mënyrë të pakundërshtueshme përtej çdo dyshimi gjatë procesit të hetimit dhe gjykimit penal, për të bërë të mundur kërkimin apo aplikimin e një mase dënimi më të ashpërsuar ndaj subjektit që i ka kryer ato.

Sa më sipër, parashikimet që përmbajnë rrethana të cilësuara, kërkojnë lidhjen e këtyre rrethanave të kryerjes së veprës penale me pasojën konkrete të ardhur.

Përdorimi i togfjalëshit “ka mundësi të shkaktojë”, jo vetëm që e bën të pamundur zbatimin, por edhe rrezikon që në praktikë të sjellë një precedent të rrezikshëm në ushtrimin e ndekjes penale apo dhënien e dënimeve në mënyrë joproporcionale. Parashikime ligjore me shprehje abstraguese mbi “pasojën që mund të vinte”, në një dispozitë penale është një hapësirë shumë e madhe, për keqintepretim dhe abuzim në praktikë.  

Kësisoj, është e nevojshme që për shkak të mënyrës së formulimit të tyre të pazakontë për një figurë të veprës penale, paragrafët 2-5 të nenit 201 të dispozitës së riformuluar, duhet të rishikohen me qëllim përmirësimin e tyre.  

Kjo duhet të realizohet dhe të vlerësohet nga Kuvendi edhe për dispozitat vijuese që janë shtuar me nenin 7 të ligjit nr. 44/2019 (nenet 201/a; 201/b; 201/c; 201/ç; të shtuara) që paraqesin të njëjtën problematikë në përcaktimin e rrethanave të cilësuara.

III.            Neni 7 të ligjit 44/2019, i cili parashikon shtimin e një figure të re të veprës penale, atë të transportimit të mbetjeve, është i paqartë në mënyrën se si është miratuar dhe e bën aplikimin e kësaj dispozite të vështirë nga ana praktike.

Nëpërmjet nenit 7 të ligjit 44/2019, veç të tjerave është parashikuar dhe shtimi i një figure të re të veprës penale, ajo e transportimit të mbetjeve.

Konkretisht sipas nenit 7, në Kodin Penal, shtohet dispozita e nenit 201/b me këtë përmbajtje:

“Neni 201/b

Transportimi i mbetjeve 

Transportimi i mbetjeve që hyjnë, dalin apo tranzitohen nga territori i Shqipërisë, në sasi jo të papërfillshme, i kryer në një transportim të vetëm ose në disa transportime në dukje të lidhura me njëri-tjetrin, në shkelje të kërkesave të legjislacionit në fuqi për menaxhimin e mbetjeve ose të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente, dënohet me gjobë ose burgim deri në pesë vjet”.

Vërehet se, sa i përket anës objektive të kryerjes së kësaj vepre penale renditen dy elementë që duhet të jenë kumulativë për të shkaktuar përgjegjësi penale.

Si të tillë, përcaktohen:

a) Transportimi i mbetjeve që hyjnë, dalin apo tranzitohen nga territori i Shqipërisë, në sasi jo të papërfillshme; 

dhe

b) në shkelje të kërkesave të legjislacionit në fuqi për menaxhimin e mbetjeve ose të lejeve dhe autorizimeve të lëshuara nga organet kompetente.

Duke qenë se sasia në këtë rast është një element kumulativ që duhet të përmbushet për të çuar në përgjegjësi penale subjektin e veprës, atëherë përdorimi në dispozitë i termit “në sasi  jo të papërfillshme”, e bën realisht aplikimin e kësaj dispozite të vështirë nga ana praktike.

Ndaj nën këtë këndvështrim, dispozita e nenit 201/b duhet të jetë më e plotë dhe më e qartë sa u përket elementeve të anës objektive.   

I njëjti sugjerim si më sipër, për këtë mënyrë të formulimit të dispozitës, paraqesin edhe nenet 202 dhe 202/a. Në këto dispozita marrja apo përjashtimi nga përgjegjësia penale lidhet drejtpërdrejtë me sasinë e ekzemplarëve të marrë të specieve të mbrojtura, apo me sasinë e ndikimit mbi statusin e ruajtjes së specieve.

Në këtë mënyrë është e nevojshme që këto dispozita të reja 202 dhe 202/a, të përmirësohen duke evituar shprehje “në sasi të papërfillshme” dhe “ndikim të papërfillshëm”, sepse janë parashikime ligjore që nuk diktojnë masën e saktë të anës objektive të veprës penale, duke krijuar kështu mundësi praktike për intepretim, qoftë për të shmangur apo për të rënduar përgjegjësinë penale, ndaj një individi që ka kryer ose jo një veprim të tillë.

Gjithashtu është me vend të theksohet se në të gjitha veprat penale të amenduara apo të shtuara që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, është treguar kujdes i veçantë në përcaktimin si rrethanë të cilësuar të kryerjes së veprës penale, pasojën e ardhur, apo llojin e fajësisë, duke bërë dallimin në masën e dënimit, ndërkohë që nga ky shqyrtim i ligjit konstatohet se në asnjë prej këtyre veprave nuk është përcaktuar si rrethanë e cilësuar kryerja e tyre në bashkëpunim apo përsëritja e saj.

IV.        Neni 11 të ligjit 44/2019, ku parashikohet shtimi i nenit 207/a të shtuar dhe sanksionohet si vepër penale braktisja e kafshës së shoqërimit, nuk rezulton të jetë përcaktuar subjekti i veprës penale dhe formulimi i saj paraqet paqartësi që vështirësojnë aplikimin e saj në praktikë.

Nëpërmjet nenit 11 të ligjit 44/2019, është parashikuar dhe shtimi i disa figurave të reja penale.  Konkretisht në këtë dispozitë është shtuar dhe nenin 207/a në Kodin Penal ku parashikohet se: 

“Neni 207/a

Braktisja e kafshës të shoqërimit  

Kur nga braktisja e kafshës së shoqërimit ose nga mosvendosja e maskës mbrojtëse kafshës së shoqërimit, në ambiente publike ose në mjedise të hapura për publikun, kanë ardhur pasoja në dëm të shëndetit të një personi, dënohet me gjobë ose burgim deri në gjashtë muaj.   

Kur nga vepra penale ka ardhur plagosja e rëndë e një personi, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.  

Kur nga vepra penale ka ardhur vdekja e një personi, dënohet me burgim nga tre deri në dhjetë vjet”. 

Pas analizimit të dispozitës vihet re se, kjo dispozitë ka paqartësi pasi nuk përcakton para së gjithash subjektin e veprës penale.

Në këtë dispozitë, duhet të ishte përcaktuar më së pari se e kujt është përgjegjësia për braktisjen e kafshës ose e mosvendosjes së maskës mbrojtëse të kafshës në ambientet publike. Përcaktimi i subjektit duhet të lidhet jo vetëm me pronarin e kafshës, por veçanërisht për rastin e dytë, atë të mosvendosjes së maskës në ambiente publike edhe me personin që e shoqëron/nxjerr kafshën në këto ambiente dhe që jo domosdoshmërisht mund të jetë pronari i saj. 

Gjithashtu, kjo dispozitë e re penale nuk rregullon situatën ku pasoja në shëndetin e një personi, plagosja e rëndë nga kafsha mund të ndodh në banesën e pronarit të kafshës. Pra sipas dispozitës së miratuar nëse ndodh në këtë ambient, nuk kemi braktisje dhe normalisht, as edhe përgjegjësi penale. 

Në kushtet e mospërcaktimit të  subjektit në parashikimin ligjor, dhe si në kushtet kur kjo dispozitë nuk parashikon trajtimin e situatave që ndodhin rëndomë është e nevojshme që dhe kjo dispozitë të përmirësohet.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Nga  gjithë sa u parashtrua më sipër referuar qëllimit për amendimin e Kodit Penal, vlerësohet se politika penale patjetër që duhet të orientohet drejt nevojave të qytetarëve për siguri dhe për këtë është e nevojshme edhe ndryshimi i legjislacionit penal si një detyrë parësore e organeve të shtetit.

E rëndësishme është që këto ndryshime duhet të bëhen në mënyrë të mirëmenduar dhe në përputhje me evolucionin e shoqërisë dhe të problematikave që shfaqen. Në çdo rast ndërmarrja e ndryshimeve në Kodin Penal që ka impakt direkt në politikën penale duhet të bëhet në formë të strukturuar, mbështetur në studime të thelluara mbi dukuritë më të përhapura kriminale, të dhënat statistikore mbi veprat penale që synohen të amendohen si sa i përket numrit të rasteve, si studimit të rrethanave në të cilat ato janë kryer, dhe të subjekteve që i kanë kryer ato.

Studimet e thelluara dhe të dhënat statistikore janë kushtet thelbësore që çojnë në propozime konkrete të legjislacionit.

Në relacionin shpjegues të nismës dhe në raportet e komisioneve përkatëse, fatkeqësisht, mungon referimi në një studim të tillë dhe referencat në të dhëna konkrete statistikore për numrin e çështjeve të regjistruara për veprat penale që amendohen dhe masa e dënimit të të cilave ashpërsohet.

Në analizë të akteve të Kuvendit të Shqipërisë vlerësohet se nuk është kryer ose të paktën nuk referohet se është kryer ndonjë veprimtari kërkimore apo në se janë shfrytëzuar raporte apo kumtime të ndryshme për marrjen e kësaj nisme për ndryshime në Kodin Penal. Raportet e komisioneve pjesë përbërëse të Kuvendit kanë kryer në mënyrë të përgjithshme dhe sipërfaqësore një analizë të dispozitave të propozuara.

Presidenti i Republikës, vlerëson se një pjesë e dispozitave të mësipërme që shtohen apo ndryshohen në Kodin Penal me ligjin nr. 44/2019, nuk mund të jenë plotësisht efikase si një burim për të luftuar sjelljen e padëshirueshme shoqërore që mund të lindin sipas veprave penale të propozuara për t’u ndryshuar, pasi në mënyrën se si një pjesë e këtyre dispozitave janë miratuar është e pashmangshme që ato do të hasin pengesa në praktikë, pikërisht për shkak të paqartësisë dhe ambiguitetit (dykuptimësisë) së tyre.

Kështu, nëse do të kemi në praktikë dispozita të paqarta ose të paorientuara mirë rrezikohet të aplikohen në mënyrë gabuar duke cenuar parimin e sigurisë juridike, ku në vend që të adresojmë saktë problematikën dhe aktin e dënueshëm, do të krijohet edhe më shumë paqartësi në trajtimin e fenomemeve përgjatë aplikimit në praktikë të këtyre normave penale. 

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1, të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 44/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, me qëllimin që Kuvendi të përmirësojë nenet 3, 6, 7 dhe 11, që kanë ndryshuar, apo shtuar nenet 121, 201, 201/b, si dhe 207/a të Kodit Penal.

 

Sinqerisht,

 

Ilir Meta