Presidenti Meta dekoron basketbollistët e shquar shqiptarë Luan Shatku (pas vdekjes) dhe Agim Lahi

Presidenti Meta dekoron basketbollistët e shquar shqiptarë Luan Shatku (pas vdekjes) dhe Agim Lahi

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie të veçantë të mbajtur në Kopshtin e Gjelbër të Institucionit dy basketbollistë të shquar shqiptarë.

Presidenti Meta dekoroi Luan Shatkun (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin, përkushtimin dhe veprimtarinë e suksesshme, si lojtar basketbolli i skuadrave ‘Vllaznia’, ‘Partizani’ dhe Ekipit Kombëtar. I dalluar për lojën cilësore si sportist i niveleve të larta dhe i shquar në karrierën e tij si pedagog matematike, burim frymëzimi për të gjithë brezat e rinj.”

Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës vlerësoi zotin Agim Lahi, me motivacionin: “Për kontributin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e sportit të basketbollit, si titullar i ekipeve ’17 Nëntori’,‘Vllaznia’, ‘Studenti’ dhe Ekipit Kombëtar. Shembull i harmonisë të një sportisti të shquar dhe intelektuali të dalluar”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, miqve, kolegëve sportistë, si dhe të pranishmëve, Presidenti Meta u shpreh:

“I lumtur të vlerësoj dy personalitete sportive të cilët me punën e tyre kanë ngritur lart jo vetëm vlerat e basketbollit, por edhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në shoqërinë tonë si modele të qytetarisë.

Është kënaqësi e veçantë të nderoj me titullin ‘Kalorës i Urdhrit të Flamurit’ Luan Shatkun, basketbollistin dhe intelektualin e shquar, një nga kampionët e njohur të basketbollit shqiptar.

Me prejardhje nga Dibra e Madhe e gjithë familja Shatku pati problemet e saj gjatë periudhës së kaluarës. Dhe jo vetëm kaq, por edhe vetë Luani përjetoi kufizimet e tij duke mos pasur mundësinë për të luajtur në ndeshjet jashtë vendit.

Megjithatë i gjithë komuniteti i basketbollit e veçanërisht sportdashësit shkodranë e kujtojnë gjithmonë Luan Shatkun për fizikun e tij gjigand, si edhe për forcën e personalitetin e tij.

Në vitin 1965 ai ishte lojtar i ekipit Kombëtar në Ballkaniadën e Basketbollit në Tiranë, ku u dallua për lojën shembullore.

Po atë vit ai do të luante me ekipin e ‘Partizanit’,  në  krah edhe të të mirënjohurit Agim Fagu.

Pas vitit 1969 Luani nuk vazhdoi më me ekipin kombëtar, për arsye të situatës politike dhe kufizimeve që ajo sillte.

Ai u nda para kohe nga jeta, kur ishte vetëm 50 vjeç, duke lënë pas një emër shumë të njohur dhe shumë të vlerësuar në historinë e basketbollit shqiptar.

Luan Shatku u shkëput nga sporti i basketbollit duke ia lënë stafetën pasardhësit të tij, një tjetër sportisti të talentuar, të birit, Altin Shatku, i cili luajti basketboll me ekipin e Vllaznisë dhe më pas me Tiranën, si dhe pas viteve 1990 edhe jashtë Shqipërisë, në Greqi, në Suedi, Gjermani dhe Australi.

Krahas basketbollit, Luani ka qenë edhe pedagog  matematike në Universitetin e Shkodrës ‘Luigj Gurakuqi’ ku është dalluar gjithmonë si një model.

Luan Shatku do të mbahet mend si një sportist i madh, si një njeri i thjeshtë dhe si një vlerë e skalitur në memorjen historike të sportit shqiptar, shumë i dashur jo vetëm nga familja e madhe e basketbollit, por dhe të gjithë shkodranët dhe shqiptarët, që e kanë njohur kudo.

Po kështu kam kënaqësinë të nderoj me titullin ‘Mjeshtër i Madh’ zotin Agim Lahin, një tjetër basketbollist i madh, një njeri i respektuar dhe një personalitet i spikatur i sportit tonë.

Agim Lahi është cilësuar nga të gjithë si basketbollisht dhe qytetar  karizmatik i asaj kohe, lojtar i formacioneve kryesore i skuadrave më të mira si ‘17 Nëntori’, ‘Vllaznia’, ‘Partizani’, ‘Studenti’ dhe ekipi kombëtar, duke përfaqësuar basketbollin tonë në shumë gara të rëndësishme ndërkombëtare ballkanike dhe evropiane.

Agimi me performancën si lojtar shtatlartë por edhe me gjithë përkushtimin e tij ndaj  basketbollit ka qenë dhe mbetet një vlerë e çmuar e komunitetit të basketbollit dhe sportit në vendin tonë.

Agim Lahi përveç rezultateteve të larta në basketboll, ka një kontribut të spikatur edhe me vlerat e tij si inxhinier dhe pedagog në fakultetin e inxhinierisë së ndërtimit.

Puna dhe studimet e tij në hidrocentralin e Vaut të Dejës dhe në Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit janë karakterizuar gjithmonë nga një vullnet i madh ndaj studimeve të thelluara, duke demostruar profesionalizëm, kulturë dhe angazhim qytetar.

Me këtë rast shpreh angazhimin dhe përkushtimin tim personal dhe institucional, që sporti të jetë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes për të rinjtë tanë, në mënyrë që ata të jenë gjithnjë e më të dhënë pas sportit, dhe aq më shumë jam i lumtur kur nderojmë sportistë, të cilët kanë qenë edhe modele të shkëlqyera, edhe me rezultate në fusha të tjera të jetës si në shkencë, arsim, diplomaci e në kulturë.

Ajo që këta dy personalitete të sportit i  kanë dhënë shoqërisë tonë është padyshim një investim, që nuk do të harrohet asnjëherë, por do të kujtohet gjithmonë.

Titujt që iu akordohen sot si lojtarë të spikatur të basketbollit, janë një vlerësim i punës, i sakrificave dhe i rezultateve të arritura si sportistë e qytetarë shembullorë dhe urojmë që të jenë një frymëzim për më të rinjtë!”