Presidenti Meta bën homazhe në nderim të tenorit të mirënjohur shqiptar, Gaqo Çako

Presidenti Meta bën homazhe në nderim të tenorit të mirënjohur shqiptar, Gaqo Çako

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta bëri sot homazhe në nderim dhe respekt të jetës dhe veprës së tenorit dhe këngëtarit lirik të mirënjohur shqiptar, Gaqo Çako, i cili u nga jeta në moshën 83-vjeçare.

Presidenti Meta u shprehu ngushëllimet familjarëve, miqve dhe të afërmve të interpretuesit të përsosur të këngës lirike shqiptare dhe vendosi një kurorë me lule, duke u përulur me respekt para trupit të pajetë të tenorit Gaqo Çako.

Pas homazheve President Meta u shpreh para përfaqësuesve të mediave të pranishme: “Kënga, kontributi, talenti i tij dhe dashuria me të cilën ai këndoi për publikun dhe për popullin tonë janë të përjetshme dhe kjo trashëgimi do të jetë gjithmonë frymëzuese për artistët më të rinj dhe njëkohësisht do të jetë gjithmonë në kujtesën e popullit dhe kombit tonë.

Është një artist i përmasave të jashtëzakonshme, por njëkohësisht dhe trashëgimia që ai po lë është e jashtëzakonshme dhe jam i sigurt që kjo trashëgimi do të jetë gjithmonë e gjallë.”