Presidenti Meta bën homazhe dhe nderon eruditin Moikom Zeqo: Ai gjithmonë i vuri njohuritë dhe dijet e tij të rralla në shërbim të kauzave kombëtare dhe publike dhe, në shërbim të së vërtetës.

Presidenti Meta bën homazhe dhe nderon eruditin Moikom Zeqo: Ai gjithmonë i vuri njohuritë dhe dijet e tij të rralla në shërbim të kauzave kombëtare dhe publike dhe, në shërbim të së vërtetës.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot homazhe në Muzeun Historik Kombëtar për ndarjen nga jeta të letrarit, shkrimtarit, arkeologut, politikanit dhe eruditit të shquar shqiptar Moikom Zeqo.

Pasi vendosi një kurorë me lule dhe la shënimin e Tij në Librin e Zisë, duke u shprehur personalisht ngushëllimet anëtarëve të familjes Zeqo dhe të afërmve, Presidenti i Republikës vuri në dukje:

“Sot është një moment vërtet pikëllues dhe shumë trishtues edhe për mua personalisht, për t’i dhënë lamtumirën e fundit një personaliteti të jashtëzakonshëm e të gjithanshëm si Moikom Zeqo, të cilin jo vetëm kam pasur fatin ta lexoj përpara se ta njoh, në një moshë shumë të re, por edhe ta njoh nga afër në momente tepër të vështira dhe të mësoj mjaft prej tij.

Moikom Zeqo është ndër ata njerëz, të cilët për njohuritë dhe dijet nga fushat nga më të ndryshmet, janë shumë të rrallë. Aq më tepër për një vend si vendi ynë. Por edhe më të rrallë atë e bën, çka është edhe arsyeja që do ta ndiejmë më shumë mungesën e tij në të ardhmen, fakti që njohuritë dhe dijet e Tij, i vuri gjithmonë në shërbim të kauzave më të mëdha, të kauzave kombëtare, të kauzave publike dhe gjithmonë në shërbim të së vërtetës.

Sot po lexoja në mënyrë të veçantë një shkrim të Spiro Dedes, ashtu sikurse kam lexuar shumë shkrime dhe reagime të personaliteteve, të cilët e kanë njohur përgjatë gjithë jetës Moikom Zeqon.

Ai kujtonte se si pesëdhjetë vite më parë, ndërsa Moikom Zeqoja kishte disa përfytyrime që u dukeshin si imagjinare shokëve dhe bashkëmoshatarëve të tij, ai u thonte se ata nuk shihnin. Dhe ajo që e dallonte mendoj Moikom Zeqon, si misionar që ishte, është që ai kishte një përfytyrim dhe kishte një vështrim shumë largpamës.

Ai gjithmonë u vendos në anën e duhur të historisë dhe kjo është arsyeja që sot të gjithë e dinë se kanë humbur diçka nga vetja e tyre.

Ishte një personalitet që i dha shoqërisë shumë më tepër se sa mori prej saj.

Padyshim që është një personalitet që la pas një vepër të jashtëzakonshme, për atë mbrojtje të shkëlqyer që i ka bërë historisë dhe trashëgimisë sonë kombëtare dhe kulturore, por edhe për atë vështrim kritik që kërkonte gjithmonë një Shqipëri më të drejtë, më përfshirëse, më humane, një Shqipëri në shërbim të qytetarëve të thjeshtë.

Për të gjitha këto, padyshim që ai do të mbetet një personalitet frymëzues për të ardhmen, për të gjithë dhe sidomos uroj dhe shpresoj për gjeneratën më të re.”

Pyetjes së përfaqësuesve të medias për sa i përket kontributit politik të Moikom Zeqos në Partinë Socialiste, Presidenti Meta iu përgjigj:

“Moikom Zeqo ishte një personalitet, i cili mund të kalonte menjëherë me Lëvizjen Demokratike në fillimin e viteve ’90-të, por ai nuk e bëri këtë gjë.

Ai nuk mohoi bindjet e veta dhe karakterin e vet, sepse ishte i majtë në bindjet e Tij, por padyshim që ishte një i majtë me bindje të forta demokratike, dhe këtë e tregoi përgjatë gjithë jetës.

Ishte ndër kontribuesit kryesorë të hapjes, të emancipimit të Partisë Socialiste, të mbështetjes së të rinjve si puna ime atëhere, si dhe shumë të tjerëve si Pandeli Majko, për të bërë një transformim të së majtës në Shqipëri dhe për të ndërtuar një alternativë konkurruese. Dhe kjo ndodhte në momentet më të errëta të së majtës, pra flasim për fundin e vitit 1991, fillimin e vitit 1992 e kështu me radhë.

Ajo që është e qartë është se Moikom Zeqo edhe brenda familjes së tij politike, gjithmonë qëndroi një personalitet, si vetvetja, pra si rrallë të tjerë, gjithmonë kritik, gjithmonë parimor.

Një personalitet, i cili qe gjithmonë problematik me çdo lloj pushteti, por që ishte gjithmonë i dashur, i adhuruar nga qytetarët, nga njerëzit, nga lexuesit, nga dashamirësit e pafund, të cilët vlerësonin virtytet, njohuritë e tij dhe mungesën e tij të kompromiseve për të vendosur interesin e tij përpara interesit publik apo para interesit kombëtar.

Është një figurë e lartë, shumë e adhuruar, jo vetëm brenda vendit, por në të gjithë botën shqiptare, kudo ku jetojnë shqiptarë dhe për të gjithë ata, të cilët janë krenarë për historinë tonë, për traditat tona, për kulturën tonë, për trashëgiminë tonë dhe që luftojnë për t’i mbrojtur ato.”