Presidenti Nishani në pritjen tradicionale të Vitit të Ri 2016 me përfaqësuesit e mediave: Pa ju, demokracia nuk është e mangët apo e papërsosur, por e pamundur!

7 janar 2016

Me rastin e Vitit të Ri 2016, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani priti drejtues dhe përfaqësues të shumtë të mediave shqiptare në vend dhe në rajon, përfshirë kryeredaktorë, gazetarë, editorialistë, opinionistë, analistë, kameramanë dhe fotografë.

Duke përshëndetur të pranishmit në Pallatin e Brigadave dhe nëpërmjet tyre, mbarë mediat shqiptare, Kreu i Shtetit u shpreh:

“Ju falënderoj për praninë në këtë takim kushtuar respektit dhe mirënjohjes ndaj jush dhe punës tuaj! Në cilësinë e Kreut të Shtetit kam nderin dhe privilegjin t’ju përgëzoj dhe inkurajoj për punën sa të vështirë dhe të lavdërueshme që bëni çdo ditë duke pasqyruar me profesionalizëm, përgjegjësi dhe objektivitet, realitetin brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Duke nisur me vrasjet e kobshme të tetë gazetarëve të ‘Charlie Hebdo’ pikërisht një vit më parë, e duke vazhduar me ato të dhjetëra kolegëve tuaj të masakruar në Siri, Irak, etj., viti që shkoi na la pas një bilanc tragjik për gazetarët, gazetarinë e lirë dhe mediat në përgjithësi, çka tregon se edhe në kohët moderne ka barbarizëm, ka njerëz të cilët për qëllime kriminale të vërtetën dhe raportimin realist të saj e refuzojnë, duke na bërë të ditur faktin se terrorizmi, krimi i organizuar, korrupsioni, nuk njohin kufij, as kohorë, as hapësinorë.

Ju shpreh juve dhe kolegëve tuaj jashtë kësaj salle, respektin maksimal që ushqej për institucionet e medias. Së pari për “argatët” e saj, ata që mbajnë barrën më të madhe, kronistët, kameramanët, fotoreporterët, gazetarët e terrenit. Pastaj gjithë të tjerëve. Pa ju, demokracia nuk është e mangët apo e papërsosur, por e pamundur.

Përmes vështirësish dhe sfidash, të metash dhe meritash, suksesesh dhe dështimesh, duke masivizuar informacionin, duke nxitur debatin në politikë, ekonomi, shkencë, art, kulturë, interpretuese dinjitoze dhe serioze e problemeve respektive, media shqiptare është tashmë një agregat i kolauduar, që funksionon, që ka produktin e vet, bilancin e vet, dhe sigurisht historinë e vet, me të cilën mund të krenohet. Janë dashur mjete, që jo gjithmonë i keni pasur. Është dashur përkrahje, që edhe ju ka munguar. Është nevojitur mirëkuptim, që jo gjithmonë ka qenë i mjaftueshëm. Nuk ka qenë pra e lehtë për të arritur këtë fazë zhvillimi, ku konkurrenca funksionon, cilësia është rritur, përgjegjësia është shtuar deri në atë shkallë të lavdërueshme kur tashmë përplasjen e një biçiklete me bordurën e një trotuari askush prej jush nuk e paraqet si fillimin e luftës së tretë botërore.

Të nderuara zonja dhe zotërinj!

Pas rrugëtimit 25-vjeçar të shtypit të lirë dhe demokratik, që më 5 janarin e vitit të largët 1991 kur doli gazeta “Rilindja Demokratike” për t’u ndjekur më pas nga një numër gazetash të tjera, prej të cilave disa i përballuan sfidat e disa jo, çka është më se e natyrshme, përtej mediave të konsoliduara dhe përballimit të sfidave të tjera, e vërteta është se demokracia shqiptare, në tërësinë e saj, mbetet gjithsesi e brishtë, pavarësia e institucioneve, balancimi i pushteteve, vazhdon të jetë i rrezikuar.

Lejomëni, brenda këtij konteksti, të sjell në vëmendjen tuaj disa çështje lidhur me këto rreziqe! Reformat e kërkuara për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen evropiane, vazhdojnë të zvarriten.

Ndërkohë që trupat tona paqeruajtëse po vazhdojnë të japin kontributin e tyre anembanë botës, zinxhiri komandues është më se i qartë dhe i përcaktuar me Kushtetutë, kompetencat dhe roli i Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të aprovuara me ligj në Kuvend, janë minimalizuar në një masë të papranueshme.

Gjithaq i papranueshëm është gjithashtu Ligji për Shërbimin e Jashtëm që Presidentit, kryediplomatit të Shqipërisë, i vë afat kohor për dekretimin ose jo të përfaqësuesve diplomatikë më të lartë të politikës sonë të së jashtme.

Apo edhe ligjet për çështjet tepër të rëndësishme të Arsimit të Lartë, si dhe Pronave, ku siguria juridike cenohet dukshëm, të drejtat e njeriut dhe interesat e disa shtresave të rëndësishme të shoqërisë nëpërkëmben.

Po ashtu shtyrja pa asnjë shkak të argumentuar e zbatimit të Ligjit të hapjes së Dosjeve, pa marrë parasysh nevojën urgjente të lustracionit sipas shembujve dhe praktikave më të mira post-diktatoriale të vendeve të tjera të lindjes komuniste.

Përtej mendimeve dhe sugjerimeve të drejta të Komisionit të Venecias, Reforma në Drejtësi, që duhet të jetë gjithëpërfshirëse, transparente dhe afatgjatë, po zhvillohet pa denjuar të merret mendimi edhe i Presidentit të Republikës. Reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të jetë shprehje vullneti përmes retorikash. Unë vazhdoj të besoj se vullneti i shprehur i të gjithë aktorëve, posaçërisht atyre politikë, është serioz. Por ky vullnet tashmë duhet të ketë një produkt. Duhet të prodhojë një mekanizëm, i cili duhet të nxjerrë jashtë sistemit njëherë e përgjithmonë prokurorët dhe gjyqtarë e korruptuar e të paaftë, si dhe shkallmojë nga themeli piramidën e administratorëve të korruptuar, të nëpunësve zhvatës të pasurive publike që u zënë rrugën mundësive për zhvillim të shqiptarëve. Që ky mekanizëm të mund të jetë i tillë, duhet garantuar ndërtimi i tij tërësisht jashtë ndikimit dhe kapjes politike. Nëse ky proces nuk do ta prodhojë këtë mekanizëm, e ardhmja jonë do vazhdojë të mbetet peng e korrupsionit dhe krimit. Pas mendimeve tashmë të qarta të Komisionit të Venecias, përgjegjësia e vijimit të procesit mbetet tek lidershipi politik në vend, i cili duhet të përcaktojë zyrtarisht piketat ku duhet të kalojë ky proces pa devijuar. Ndaj i ftoj të gjithë ata të ulen në një tryezë koordinimi për t’i lënë më pas hapësirën ekspertëve që ta jetësojnë vullnetin e tyre politik. Shpreh, me këtë rast, gatishmërinë e Institucionit të Presidentit të Republikës për të dhënë ndihmesën e nevojshme koordinuese mes palëve në këtë problematikë.

Një problem i madh dhe tejet brengosës është ikja e shqiptarëve. Pse po ikin shqiptarët në vitin 2015? Çfarë po i detyron ata që ta braktisin vendlindjen? Çfarë ua ka vrarë shpresën për një të ardhme më të mirë këtyre njerëzve? Janë pyetje që kërkojnë përgjigje pa ekuivoke nga faktorët përgjegjës dhe marrjen e masave urgjente.

Sa i përket ngritjes së një sistemi ekonomik të qëndrueshëm që do të garantojë zhvillim makroekonomik, si dhe hapjen e sa më tepër bizneseve të vogla dhe të mesme, mundësinë e investimeve, shtimin e sa më tepër vendeve të reja të punës, më tepër se kurrë më parë, sot është koha që Shqipëria të ketë një platformë dhe strategji të qartë zhvillimi deri më sot të munguar.

Shqipëria vijon të përballet me sfidën e krimit të organizuar. Akti më i fundit i Kuvendit të Shqipërisë, për të larguar nga aktiviteti politik dhe administrata shtetërore, individët me rekorde kriminale është një hap i parë premtues për të ndalur depërtimin e krimit në proceset vendimmarrëse dhe menaxhuese të institucioneve. Përgjegjësia dhe detyra jonë e përbashkët mbetet të vijojmë të ndeshemi fort me çdo individ apo grup individësh nga bota e krimit të organizuar që tenton të hyjë në politikë dhe administratë për përfitime të paligjshme dhe dominim të pasurive publike. Nëse tërhiqemi nga përballja në fjalë, shpejt krimi dhe kriminelët do na mposhtin dhe do ndodhemi para situatave pa shërim, pa kthim, çka do jetë një kosto tepër e madhe dhe e pamerituar për të ardhmen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Shqipëria është dhe na përket të gjithëve. Nuk ka më kohë për të humbur dhe fuqi për të harxhuar me ‘ne dhe atyre’, ‘në kohën e këtyre dhe kohën e atyre’. Duhet të krijojmë dhe të ndërtojmë kulturën e dialogut konstruktiv pushtet-opozitë, qytetar me qytetar, sepse demokracia fillon tek dëgjimi dhe pranimi i argumenteve bindëse të tjetrit, sado të ndryshëm qofshin. Le të marrim shembull e të frymëzohemi nga historia jonë, nga burrat atdhetarë idealistë të Rilindjes dhe Pavarësisë, të cilët shkrinë jetët dhe pasuritë e tyre për vendin!

Zonja dhe zotërinj gazetarë!

Duke ju falënderuar edhe një herë për praninë, lejomëni së fundi edhe një këshillë: Ju lutem mos rendni shumë pas teknologjisë, ngjyrave, dritave, zbukurimeve! Teknologjia është e mirë, por ka një cak. Përqendrohuni më tepër tek thelbi, indi, kocka, qeliza, që janë më të gjalla dhe më të vërteta se zbukurimet dhe teknologjitë! Unë, për shembull, aspak për ekzibicionizëm apo modesti të tepruar, lus dhe pres që kur ndonjëri prej jush të vijë ndonjë ditë të më marrë një intervistë, ta bëj këtë jo me pajisje elektronike, por thjesht me laps e letër. Deri atëherë: Gëzuar dhe për shumë vjet Vitin e Ri 2016! Qoftë një vit i mbarë, i begatë, i frytshëm dhe plot sihariqe të mira për ju dhe të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë! Ju faleminderit!”