Presidenti Nishani në Darkën festive të Krishtlindjeve: Feja është instrument paqeje dhe dashurie. Ajo nuk duhet instrumentalizuar dhe përdorur në shërbim të ideve dhe qëllimeve totalitare e integraliste!

26 dhjetor 2015

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani dhe Zonja e Parë, Odeta Nishani festuan sonte në mbrëmje Krishtlindjet me një darkë solemne në Pallatin e Brigadave, ku ishin të ftuar drejtues institucionesh të pavarura, deputetë, udhëheqës shpirtërorë dhe përfaqësues të bashkësive fetare në vend, veçanërisht të Bashkësisë Ortodokse, asaj Katolike dhe Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare, të cilët edhe përshëndetën shkurtimisht të pranishmit pas fjalës së Kreut të Shtetit.

Në vijim fjala e plotë e Kreut të Shtetit shqiptar:

“Të nderuar krerë të Bashkësive fetare në Shqipëri!
Drejtues të institucioneve, deputetë, profesorë të pranishëm, miq!
Zonja dhe zotërinj!

Është kënaqësi e madhe që pranuat ftesën time për t’u mbledhur së bashku në këtë darkë menjëherë pas Krishtlindjeve, në nder të kësaj Dite të Shenjtë për të gjithë besimtarët e krishterë dhe për të gjithë ata që e kremtojnë atë. Ndaj më lejoni edhe njëherë t’ju uroj juve dhe të gjithë të krishterët shqiptarë dhe anembanë botës me respektin më të madh: Gëzuar Krishtlindjet! Paqe e mirësi për ju, për besimtarët e krishterë ortodoksë, katolikë dhe ungjillorë si dhe për të gjithë shqiptarët!

Para pak ditësh lajmi i jashtëzakonshëm i mirëpritur në të gjithë botën e aq shumë më tepër mes nesh, sepse të ndodhte ndryshe nuk kishte sesi, lajmi që Papa Françesku shpalli shenjtërimin e Nënë Terezës është një ngjarje që le shenjë të përjetshme në historinë tonë duke pasuruar, pse jo, edhe historinë e vetë njerëzimit. Bija e shqiptarëve do të shenjtërohet dhe do të jetë Shenjtorja e të gjithë popujve. Nder për jetë kujtimit të Gonxhes sonë që na magjeps e që na ka dhënë mundësinë të na identifikojnë e të krenohemi me plot të drejtë si kombi që e lindi dhe e mëkoi atë.

Por një brengë e kam në këtë natë, si njëri prej jush, por edhe si President i Republikës: Të gjithëve sonte na mungon personaliteti i shoqërisë shqiptare bashkëkohore, prelati i lartë i Kishës sonë Katolike, intelektuali dhe kleriku, besimtari dhe atdhetari, Arqipeshkvi i ndjerë Rrok Mirdita, ai misionar i paepur i ringjalljes dhe ringritjes së Kishës Katolike dhe vëllazërisë mes feve në Shqipëri. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

Por sot morëm edhe një lajm tjetër të hidhur. U nda prej nesh dhe Komunitetit Bektashi të shqiptarëve të Amerikës Baba Arshi Baze, kështu që nga kjo foltore i drejtoj ngushëllimet e mia më të sinqerta të gjithë Komunitetit Bektashi në Shqipëri dhe anembanë botës.

Të nderuar të pranishëm,

Tashmë në vijim të një tradite të Institucionit të Presidentit me ftesën për një darkë të përbashkët me përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman në Muajin e Shenjtë të Ramazanit, me atë të festimit të Hanukës para disa ditësh me Komunitetin hebre në Shqipëri, sonte me të krishterët shqiptarë si një shenjë kjo e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit, por mbi të gjitha e respektit reciprok ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare në ditët më domethënëse festive, ne mblidhemi sonte të gjithë së bashku si vëllezër, si shqiptarë, si bashkëpunëtorë, si besimtarë, si laikë e si njerëz që besojmë tek historia jonë, tek trashëgimia, tek bashkëjetesa dhe tek harmonia, tek vetëdija e thellë se besimi fetar i tjetrit nuk kufizon besimin tim dhe besimi im nuk bie ndesh për asnjë çast me demokracinë, ligjin dhe paqen sociale. Në këto ditë Krishtlindjesh, festë kjo me domethënie të madhe për gjithë humanizmin, jo vetëm për të krishterët, për ortodoksët, katolikët dhe ungjillorët shqiptarë, por një ditë simbol e marrëdhënies së njeriut me Zotin e Plotfuqishëm, ditë e bekuar e shpresës dhe e gëzimit, e mirësisë dhe e solidaritetit, dua t’i shpreh Bashkësisë Ortodokse shqiptare, asaj Katolike si dhe Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë konsideratën time më të lartë, klerit dhe hierarkisë kishtare gjithashtu, për gjithçka ata përfaqësojnë në vendin tonë, për gjithçka kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë në shërbim të njeriut, besimit, jetës, shoqërisë dhe kombit tonë.

Nuk është kurrë e tepërt t’i kujtojmë, nuk është kurrë e tepërt të krenohemi me shqiptarët e mëdhenj ortodoksë, katolikë e ungjillorë, me të gjithë të krishterët tanë të shquar ndër shekuj, të cilët kaq shumë e kanë ushqyer indin tonë kombëtar, identitetin dhe vetëdijen evropiane, gjuhën dhe shkrimin, fjalën dhe librin shqip, besimin dhe qëndresën që nga Marin Barleti te Gjergj Fishta, nga Gjon Buzuku tek Shtjefën Gjeçovi, nga Vinçens Prenushi tek At Zef Pllumi apo edhe Kardinal Mikel Koliqi, nga Vangjel Meksi tek Kostandin Kristoforidhi, nga Petro Nini Luarasi tek Motrat Qiriazi, nga Mitropoliti Visarion Xhuvani e deri tek i përndrituri Kryepeshkop Fan Noli. Natyrisht përmenda veç pak, disa emra dhe të tjerëve u kemi borxh një listë të gjatë për kontributet që kanë dhënë, e cila shkëlqen si meteor në panteonin e vlerave tona kombëtare, por mjaftueshëm për të kuptuar se kjo është një histori e shkëlqyer, shembull i madh etik në çdo epokë, burim frymëzimi për brezat e sotëm e të ardhshëm, për kombin tonë, për Shqipërinë e së nesërmes, për vetë kishat tona ortodokse, katolike dhe për ungjillore. Dëshiroj të kujtojmë dhe nderojmë sonte të gjithë martirët, të krishterë e myslimanë që u përballën me totalitarizmin dhe triumfuan mbi të, të armatosur vetëm me dashuri dhe besimin në Zot. Ata duhet të jenë modeli ynë, sot dhe nesër!

Të dashur miq,

Jam i nderur të jem sonte mikpritësi juaj. Ndihem gjithashtu i lumtur që kam mundësi të përsëris se feja është instrument paqeje dhe dashurie, se ajo nuk duhet instrumentalizuar dhe përdorur në shërbim të ideve dhe qëllimeve totalitare e integraliste.

Ne shqiptarët mund ta pohojmë me forcë këtë, mund ta përçojmë kudo mesazhin tonë, porse kemi edhe detyrën të dekurajojmë, të izolojmë, të mposhtim çdo tentativë që cenon trashëgiminë tonë, të sotmen apo hedh hije dyshimi për të ardhmen.

Bashkësia Ortodokse, Bashkësia Katolike dhe Vëllazëria Ungjillore si dhe prijësit e tyre e kanë bërë gjithmonë këtë shërbesë dhe shfrytëzoj rastin t’iu shpreh admirimin tim të thellë personal dhe institucional si dhe vlerësimin plotësisht të merituar të të gjithë shqiptarëve në cilësinë e Kreut të Shtetit shqiptar! Ju falënderoj të gjithëve! Edhe njëherë siç urojmë ne shqiptarët: Për shumë mot Gëzuar Krishtlindjet!”