Presidenti i Republikës shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Imzot Rrok Mirditës

7 dhjetor 2015

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani shpreh keqardhjen e thellë për ndarjen nga jeta të Imzot Rrok Mirditës, Arqipeshkv i Kryedioqezës së Tiranës dhe Durrësit, si dhe i shpreh ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta  familjarëve, komunitetit katolik dhe Kishës Katolike në Shqipëri dhe të gjithë miqve dhe bashkëpunëtorëve të të ndjerit.

Presidenti Nishani vlerëson se Imzoti Mirdita u bë mishërimi i asaj që me të drejtë ai e quante “dalja e Kishës Katolike në Shqipëri nga katakombet e dhunës diktatoriale”.

Që pas rënies së komunizmit dhe ndryshimeve demokratike në vend në vitin 1992, Imzot Mirdita riktheu mes komunitetit katolik, por jo vetëm, ritet, vlerat dhe traditat më të mira shumëshekullore të krishtera .

Imzot Mirdita do të mbahet mend me mirënjohje edhe për rolin e tij shumë domethënës në ruajtjen dhe forcimin e bashkëjetesës fetare në Shqipërinë post komuniste, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtuesit e lartë të besimeve të tjera fetare në Shqipëri. Mesazhet e tij, shkonin përtej predikimeve fetare, duke prekur zemrat dhe mendjet e bashkatdhetarëve të tij për një shoqëri vlerash.

Presidenti Nishani, duke u lutur që Imzot Rrok Mirdita të gjejë prehjen e amshuar, shpreh bindjen se imazhi dhe mesazhet e të ndjerit prelat katolik do të mbesin gjatë në kujtesën e mbarë shqiptarëve.