Kreu i Shtetit shqiptar uron Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanović për ftesën e anëtarësimit në NATO

2 dhjetor 2015

“I nderuar Zoti President,

Vendimi i sotëm i Këshillit të Atlantikut të Veriut për të ftuar Malin e Zi të bëhet pjesë e NATO-s është shprehje e besimit të plotë të Aleancës dhe Shqipërisë për përmbylljen me sukses të reformave të ndërmarra nga vendi juaj në këtë fazë të anëtarësimit.

Shqipëria, si vend anëtare e NATO-s, e ka mbështetur fuqimisht anëtarësimin e vendit tuaj, e bindur se kjo do të jetë një vlerë e shtuar jo vetëm për Aleancën, por që do t’i vlejë dhe konsolidimit të mëtejshëm të paqes e stabilitetit në rajonin tonë.

Jam i sigurt se, nën udhëheqjen Tuaj Mali i Zi do t’i mbyllë me brenda afatit të parashikuar negociatat e anëtarësimit në NATO, duke u bërë anëtarja e 29-të e kësaj Aleance.

Duke ju përgëzuar përzemërsisht për marrjen e ftesës, Ju siguroj për mbështetjen e Shqipërisë deri në anëtarërimin e plotë të Malit të Zi në Aleancë.

Miqësisht,

Bujar Nishani”