Presidenti i Republikës së Shqipërisë

STEMA 01 01

Lajme

Njoftim për media

Zëdhënësi i Institucionit të Presidentit të Republikës sqaron:

 Pasi u njohëm me artikujt e botuar në disa portale shqiptare, me objekt kushtëzimin e marrjes së shtetësisë shqiptare për sportistët, me pretendimin se u kërkohet provimi i gjuhës shqipe, sqarojmë se informacioni është i pasaktë dhe i pabazuar në fakte apo argumente juridike.

Fitimi i shtetësisë shqiptare për rastet e veçanta, ku bëjnë pjesë edhe sportistët, rregullohet në nenin 9 të ligjit nr. 113/2020 “Për shtetësinë”, ku parashikohen kushtet që duhen përmbushur për fitimin e shtetësisë, të cilat janë:

  1. Shtetasi i huaj të ketë mbushur moshën 18 (tetëmbëdhjetë) vjeç;
  2. Shtetasi i huaj të mos përbëjë kërcënim për rendin publik dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Në ligjin e lartpërmendur dhe VKM-në nr. 205, datë 06.04.2022 “Për përcaktimin e kritereve të procedurave të aplikimit, të rregullave të kryerjes së verifikimeve dhe kontrolleve të nevojshme për fitimin e shtetësisë shqiptare për kontribut të veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit”, i ndryshuar me VKM-në nr. 478, datë 01.08.2023, nuk kushtëzohet dhënia e shtetësisë me provimin e gjuhës shqipe, sikurse pretendohet në artikujt e disa portaleve.

Autoriteti përgjegjës për trajtimin e aplikimeve për rastet e fitimit të shtetësisë për kontribut të veçantë në fushën e arsimit, shkencës dhe sportit është Agjencia e Hartimit të Programeve të Veçanta të Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme. Plotësimi i kritereve ligjore dhe dokumentacionit përkatës verifikohet nga kjo agjenci dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Sportit, e cila vlerëson kontributin e kërkuesve në fushën përkatëse dhe shprehet me vendim të arsyetuar nëse kërkuesi përbën interes për shtetin shqiptar.

Futbollistët shtetas të huaj, të cilët plotësojnë kriteret ligjore për të veshur fanellën Kuq e Zi, nuk kanë pasur dhe nuk kanë asnjë pengesë nga Institucioni i Presidentit të Republikës.

Provimi i gjuhës shqipe nuk kërkohet dhe nuk është kriter ligjor për dhënien e shtetësise shqiptare.

Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se, që nga koha e marrjes së detyrës, Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar dhënien e shtetësisë shqiptare me procedurë të përshpejtuar për 17 futbollistë, të cilët plotësonin kriteret e legjislacionit në fuqi.

Artikujt pa autorë tregojnë në mënyrë të qartë se, në rastin më të mirë, janë shkruar nga mosnjohës të fushës së ligjit, dhe, në rastin më të keq, me qëllim keqinformimin e opinionit publik.