Një sqarim dashamirës dhe i domosdoshëm nga Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z. Tedi Blushi për kolegen Ani Ruci

Një sqarim dashamirës dhe i domosdoshëm nga Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, z. Tedi Blushi për kolegen Ani Ruci

Shpreh keqardhjen që në shkrimin “Tiranë: Funksionimi i Gjykatës Kushtetutese në rend të ditës” me autore kolegen e respektuar Ani Ruci për “DW”, datë 23 qershor 2020, nuk gjejnë vend konstatimet e qarta dhe rekomandimet specifike që Komisioni i Venecias ka bërë mbi procesin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Duke ripërsëritur qëndrimin e palëkundur të Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta se funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është rëndësi jetike për kthimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në Shqipëri, ashtu sikundër është edhe zbatimi kushtetues i reformës në drejtësi, besoj se është e domosdoshme që opinioni publik të njihet me analizën dhe konkluzionet e Komisionit të Venecias në mënyrë të drejtëpërdrejtë, jashtë çdo interpretimi politik.

Konkretisht, Komisioni i Venecias ka theksuar se:

I. Roli i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) ishte vendimtar në procesin e emërimeve të Gjykatës Kushtetuese.

II. Shkaktar i incidentit procedurial në procesin e emërimeve të gjyqtarëve kushtetues ishte Kryetari i KED.

III. Transparenca është thelbësore jo vetëm për besueshmërinë e procesit të emërimeve por edhe për vetë Gjykatën Kushtetuese. KED minoi transparencën e procesit përmes vendimeve antikushtetuese.

IV. Veprimet e Presidentit ruajtën kushtetutshmërinë e të gjithë procesit të emërimeve. Emërimi i mëvonshëm i kandidatit të dytë të Presidentit është i justifikueshëm, pasi qëllimi i mekanizmit zhbllokues nuk ishte i zbatueshëm, për sa kohë nuk kishte as mosveprim dhe as vullnet dashakeq nga ana e Presidentit. Refuzimi i Presidentit për të pranuar betimin e kandidates që pretendonte emërimin automatik ishte i arsyeshëm.

V. Ligji i miratuar në Parlament për ndryshimin e procedurës së betimit përpara Presidentit të Republikës është antikushtetues. Betimi përpara Presidentit shënon jo vetëm nisjen e detyrës së gjyqtarit por edhe konfirmon legjitimitetin e këtij mandati kushtetutes. Ndryshimi i kësaj procedure mund të bëhet vetëm përmes ndryshimit të Kushtetutës me një dispozitë të formuluar qartë dhe vetëm për rastet e qarta të abuzimit. Në rastin aktual Komisioni i Venecias nuk konstaton në asnjë moment abuzim me detyrën.

VI. Ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi jetike për Shqipërinë veçanërisht për kushtetutshmërinë e çështjeve që lidhen me interesin publik. Dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë thelbësore për një konsensus të gjerë. Respektimi i mandatit dhe kompetencave të institucioneve shtetërore është kyç.

Të gjitha këto janë pikë për pikë konkluzione të Komisionit të Venecias mbi procesin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese të cituara si më poshtë, dhe nuk janë as komente të Presidentit dhe as të ndonjë komentuesi dashamirës.

Sa i përket shqetësimit në lidhje me shkarkimin e Presidentit të Republikës, sjell gjithashtu në vëmendje se mazhoranca aktuale ka kërkuar dy herë mendimin e Komisionit të Venecias për këtë çështje, me pretendimin e shkeljes së rëndë të Kushtetutës. Në të dyja herët Komisioni i Venecias është shprehur qartë se pretendimet e Kuvendit nuk kanë bazë për të çuar në shkarkimin e Presidentit. Madje Komisioni ka paralajmëruar mazhorancën që në rast se i shkon deri në fund këtij qëllimi politik do të duhet të vendosë “nëse në fund të fundit kjo do t’i shërbente apo do ta asgjësonte qëllimin e kontrollit dhe balancës në një situatë kur Parlamenti dhe të gjitha bashkitë dominohen nga një parti.[1]

Sa i përket çështjes së 15 kushteve të Bashkimit Europian, dëshiroj të theksoj se ka qenë pikërisht Presidenti, që edhe në këtë rast, ka kërkuar bashkëpunim gjithëpërfshirës, dhe në mungesë të këtij bashkëpunimi ka paralajmëruar me shqetësim shtimin e kushteve, duke këmbëngulur se nga Shqipëria pritet përparim konkret dhe i vërtetë.

Si gazetare e “DW”, ju keni zbuluar vetë qëndrimin e qartë që edhe Gjermania, vendi që do të marrë së afërmi Presidencën e Bashkimit Europian, ka mbajtur në raport me pritshmëritë e këtij procesi, me rëndësi strategjike për Shqipërinë.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta qëndron përherë i gatshëm t’ju sqarojë drejtpërdrejt çdo çështje, e veçanërisht faktet që përbëjnë interes të veçantë publik.

1. Roli i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) ishte vendimtar në procesin e emërimeve.

Pika 88 e Opinionit të Komisionit të Venecias citon:
“Për shkak të dorëheqjes masive ose shkarkimit nga detyra të anëtarëve në detyrë të Gjykatës Kushtetuese në 2017 dhe 2018 (shiko paragrafët 29 dhe 30 më lart), domosdoshmëria për të proceduar me zëvendësimin e tyre në bazë të sistemit të ri u materializua më herët dhe në terma më kompleks sesa ishte parashikuar në vitin 2016. Roli i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) u bë i vendimtar”.

2. Shkaktar i incidentit procedurial në procesin e emërimeve të gjyqtarëve kushtetues ishte Kryetari i KED.

Pika 92 e Opinionit të Komisionit të Venecias citon:
Çështja më problematike e shkaktuar nga vendimet e KED-së në vitin 2019 në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me kohën e përcjelljes së listave të renditjes së kandidatëve tek Presidenti dhe Kuvendi. KED formoi katër lista të kandidatëve (dy për Presidentin dhe dy për Kuvendin) më 21.09.2019; ai më pas i dërgoi Presidentit dy lista më 08.10.2019 dhe dy lista në Kuvend më 14.10.2019. Kjo shkaktoi një incident të rëndë procedurial. Në përgjigje të pyetjes së delegacionit të Komisionit të Venecias, pse i dërgoi listat në Kuvend gjashtë ditë më vonë se ato që i ishin dërguar Presidentit, Kryetari i KED u përgjigj se përgatitja e dosjeve të plota që u dërguan së bashku me listat morën më shumë kohë. Kjo mënyrë veprimi nuk u diskutua në KED. Komisioni i Venecias nuk është në gjendje të shqyrtojë nëse shpjegimi i dhënë është i besueshëm. E megjithatë, duhet të ishte e qartë se data e dërgimit të listave do të kishte pasoja të rëndësishme për shkak të zbatimit të mundshëm të emërimit automatic në bazë të rregullit 30-ditor. Normalisht, sipas Neneve 7/a deri 7/c të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, KED duhet të respektojë afatet e rrepta gjatë procesit të emërimit. Megjithatë, afatet fillestare i shkelën që kur KED nuk funksionoi gjatë 2018.”

3. Transparenca është thelbësore jo vetëm për besueshmërinë e procesit të emërimeve por edhe për vetë Gjykatën Kushtetuese. KED minoi transparencën e procesit përmes vendimeve antikushtetuese.

Pika 90 dhe 91 e Opinionit të Komisionit të Venecias citon:

“90. Për më tepër, KED nuk funksionoi në mënyrë transparente. Transparenca është thelbësore për të fituar besimin e publikut në procedurën e emërimit, pra të vet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, KED shpërfilli praninë e detyrueshme kushtetuese të Avokatit të Popullit si vëzhgues qoftë në përzgjedhjen përmes shortit, qoftë edhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e KED-së (nenet 149 / d (3) dhe 179 (11) të Kushtetutës). […] Mesa duket KED argumentoi se Avokati i Popullit mund të bëjë deklarata publike të cilat mund të shkelnin konfidencialitetin e procedurave të KED. Kjo nuk duket e justifikueshme pasi Avokati i Popullit gjithashtu do t’i përmbahej kriterit të ruajtjes së fshehtësisë për sa i përket çështjeve individuale; Në vend të kësaj, Avokati i Popullit mund të bëjë komente publike për funksionimin e KED në përgjithësi. Meqenëse diskutimet janë pjesë kryesore e “veprimtarisë” së KED, duket se Rregulli 41 është në kundërshtim me Kushtetutën, dispozitat ligjore të lidhura me të dhe me qëllimin për të siguruar besimin e publikut në procedurën e zhvilluar nga KED. Komisioni i Venecias rekomandon që KED ta ndryshojë këtë Rregull për procedurat e verifikimit dhe zgjedhjes së kandidatëve të ardhshëm.”

“91. Gjithashtu, neni 226 (2) (d) i ligjit nr. 115/2016 për institucionet qeverisëse të sistemit të drejtësisë parashikon që Kryetari i KED të sigurojë regjistrimet audio të mbledhjeve të Këshillit dhe që përmbledhjet e procesverbalit të mbledhjeve të Këshillit mbahen dhe publikohen në faqen e internetit të Gjykatës së Lartë. Mirëpo duket se përmbledhjet e takimeve nuk janë botuar në kohë. Kjo është veçanërisht për të ardhur keq sepse Avokati i Popullit u përjashtua nga diskutimet sipas Rregullit 41. Komisioni i Venecias rekomandon që përmbledhjet e procesverbalit të mbledhjeve të KED në vitin 2020 të publikohen në kohën e duhur.”

4. Veprimet e Presidentit ruajtën kushtetutshmërinë e të gjithë procesit të emërimeve. Emërimi i mëvonshëm i kandidatit të dytë të Presidentit është i justifikueshëm, pasi qëllimi i mekanizmit zhbllokues nuk ishte i zbatueshëm, për sa kohë nuk kishte as mosveprim dhe as vullnet dashakeq nga ana e Presidentit. Refuzimi i Presidentit për të pranuar betimin e kandidates që pretendonte emërimin automatik ishte i arsyeshëm.

Pika 96 dhe 98 e Opinionit të Komisionit të Venecias citon:
96. …Në këto kushte, si dhe duke pasur parasysh faktin se mbivendosja e procedurave nuk është e rregulluar në mënyrë të qartë, nuk duket e paarsyeshme që Presidenti të kërkonte respektimin e radhës renditëse edhe për përzgjedhjen e kandidatit aktual: nëse radha ekziston, ajo duhet të jetë e lidhur me radhën e emërimit nga një listë e vetme. Për më tepër në një situatë kur emërimi nga një organ lidhet drejtpërdrejt me emërimet e organit tjetër, pasi ndryshon përbërjen e listës së kandidatëve në dispozicion të organit përkatës të emërtesës. Për më tepër, nëse Presidenti do kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të dispononte një listë me më pak se tre kandidatët, që është dhe numri minimal që parashikon Kushtetuta. Rezervat (e Presidentit) e bazuara mbi këtë arsyetim nuk duken të pajustifikuara. Prandaj, sjellja e Presidentit në lidhje me këtë, nuk duket se justifikon shkarkimin e tij. Përfundimisht, kandidati i zgjedhur nga Presidenti ishte renditur ndër tre të parët nga lista e KED, pas zgjedhjes së Kuvendit të kandidatit të tretë në listë.”

98. Presidenti, përmes Aktit të tij të 5 nëntorit 2019, pezulloi në mënyrë të njëanshme procedurën e emërimit para skadimit të afatit 30 ditor të përcaktuar në ligj. Ndërsa një pezullim i tillë nuk parashikohet në mënyrë eksplicite nga Ligji për Gjykatën Kushtetuese, ai mund të jetë në përputhje me një mekanizëm zhbllokues që ka për qëllim zhbllokimin e një situate, kur ka mosveprim ose vullnet dashakeq nga njëri prej aktorëve të përfshirë. Nëse nuk ka as vullnet dashakeq dhe as mosveprim, por përkundrazi duhet të plotësohet një boshllëk ligjor, ratio legis (qëllimi) i mekanizmit zhbllokues nuk do të ishte i zbatueshëm. Si pasojë, do të duhet të ekzistojë mundësia për të ndërprerë funksionimin – automatik – të mekanizmit zhbllokues. Ndaj, në bazë të një interpretimi teleologjik të dispozitave ligjore, është e justifikueshme të pranohet emërimi i mëvonshëm i një kandidati të dytë nga Presidenti. Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht.”

5. Ligji i miratuar në Parlament për ndryshimin e procedurës së betimit përpara Presidentit të Republikës është antikushtetues. Betimi përpara Presidentit shënon jo vetëm nisjen e detyrës së gjyqtarit por edhe konfirmon legjitimitetin e këtij mandati kushtetutes. Ndryshimi i kësaj procedure mund të bëhet vetëm përmes ndryshimit të Kushtetutës me një dispozitë të formuluar qartë dhe vetëm për rastet e qarta të abuzimit. Në rastin aktual Komisioni i Venecias nuk konstaton në asnjë moment abuzim me detyrën.

Pika 99 dhe 100 e Opinionit të Komisionit të Venecias citon:
99. Në këtë drejtim, Komisioni i Venecias thekson se neni 129 i Kushtetutës parashikon që një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën e tij/saj pasi të bëjë betimin përpara Presidentit të Republikës (theksuar fort). […] Një detyrim i tillë është gjerësisht i përhapur në sistemet kushtetuese me qëllim që të përcaktojë qartë momentin se kur nis ushtrimi i funksionit të gjyqtarit dhe momentin kur konfirmohet legjitimiteti i mandatit të tij/saj. Kushtetuta shqiptare e bën të qartë se betimi përpara Presidentit është parakusht për nisjen e ushtrimit të funksionit.”

100. […]Sipas mendimit të Komisionit, kushtetutshmëria e këtij ndryshimi me ligj është e dyshimtë pasi Kushtetuta shprehet qartë se betimi duhet të bëhet “përpara” Presidentit. Për më tepër, dispozita e miratuar është shumë e paqartë. Çfarë do të thotë “shpallja e emërimit” dhe kush e ka kompetencën për shpalljen e tij? Edhe nëse do të mund të ishte Gjykata Kushtetuese, konteksti i situatës në Shqipëri e përjashton këtë mundësi. Kështu që ndryshimi krijon pasiguri sa i përket legjitimitetit të anëtarëve që nisin punën në Gjykatën Kushtetuese pa bërë betimin sipas procedurës së parashikuar në Kushtetutë. Nëse vlerësohet e nevojshme për të shmangur ngërçin në raste të qarta abuzimi, një dispozitë e formuluar më qartë mund të miratohet në nivelin kushtetues.”

6. Ripërtëritja e Gjykatës Kushtetuese është me rëndësi jetike për Shqipërinë veçanërisht për çështje që lidhen me interesin publik. Dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë thelbësore për një konsensus të gjerë. Respektimi i mandatit dhe kompetencave të institucioneve shtetërore është kyç.

Pika 101 dhe 108 e Opinionit të Komisionit të Venecias citon:
101. Është me rëndësi jetike për Shqipërinë që të ripërtërijë sa më shpejt Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, aq më tepër kur duhet të shqyrtohen çështje tepër komplekse që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e çështjeve me interes publik. Një numër i madh i çështjesh që presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk mund të shqyrtohen. Për të kapërcyer këtë krizë, kërkohet dialog dhe bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet institucioneve shtetërore që është thelbësor për arritjen e një konsensusi të gjerë.”

“108. Së fundmi, Komisioni i Venecias rithekson nevojën absolute për dialog dhe bashkëpunim me besnikëri midis institucioneve shtetërore. Mandati dhe kompetencat e institucioneve shtetërore duhet të respektohen në mënyrë që ato të përmbushin objektivat e tyre legjitime institucionale, gjithmonë në dobi të qytetarëve shqiptarë…”

______________________________________________________________________________

[1] Para 93, Opinioni i KV CDL-AD(2019)019, 14 tetor 2019.