Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “A Show” me gazetarin Adi Krasta në News 24

Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “A Show” me gazetarin Adi Krasta në News 24

Gazetari (Adi Krasta): Ja ku kemi mbërritur në zyrën e Presidentit të Republikës. Zoti Meta, shumë kënaqësi e madhe që po flasim bashkë.

Presidenti Meta: Është kënaqësia ime që ta nis këtë vit me ju. Dua të përshëndes të gjithë teleshikuesit tuaj dhe t’u uroj një vit të mbarë!

Gazetari: Shkarkimi i ministrave nga kryeministri shkaktoi menjëherë diskutim në publik dhe publiku po pret përgjigjen tuaj praktikisht gjatë këtyre orëve që ne kemi njoftuar për programin në raport me mosdekretimin e zotit Bushati dhe në pritshmëri, çfarë do të ndodhë në raport me dekretimin e zotit Cakaj? Zoti President i Republikës, përse nuk e dekretuat ju zotin Bushati?

Presidenti Meta: Dua t’ju siguroj që edhe në këtë rast Presidenti i Republikës do t’i përmbushë të gjitha detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore për t’iu përgjigjur vullnetit të kryeministrit, gjithmonë, në interes të respektimit të Kushtetutës dhe të respektimit të ministrit, si institucion kushtetues. Në këtë drejtim besoj se u përgjigja menjëherë në lidhje me ministrat, pra me dekretimin e lirimit të tyre, përveç ministrit të Jashtëm, dhe me emërimin e të gjithë deputetëve apo figurave të njohura politike në post ministri, të cilët për arsye të pozicioneve të tyre publike, i kanë kaluar disa filtra në të kaluarën.

Lidhur me pjesën tjetër, ata që janë emra të rinj, kanë nevojë t’u nënshtrohen verifikimeve përkatëse. Përsa i takon ministrit të Jashtëm do të bëj një sqarim: Mendoj se ky është një pozicion tepër i rëndësishëm dhe delikat. Çdo pozicion ministri është i tillë, por arsyet rreth përfshirjes së Shqipërisë në disa iniciativa mjaft të rëndësishme si në Trojkën e OSBE-së, në…

Gazetari: Institucioni duhet të ketë një lloj vazhdimësie…

Presidenti Meta: … vazhdimësie, për arsye të integrimit europian dhe për çdo gjë tjetër. Dhe mendoj se Shqipëria nuk duhet të jetë për asnjë sekondë pa ministër të Jashtëm.

Gazetari: A mund të mendohet, mund të sugjerohet që mosdekretimi i shkarkimit të zotit Bushati nuk ka lidhje me të personalisht, por ka lidhje me faktin që do të ketë një ‘vetting’ më të gjerë e më të kujdesshëm ndaj ministrit të propozuar Cakaj?

Presidenti Meta: Nuk ka të bëjë me këtë çështje, por ka të bëjë me pozicionin e ministrit të Jashtëm që është një pozicion më delikat. Ky proces do të kërkojë kohën e vet, që nuk varet nga Presidenti i Republikës, por nga përgjigjja e institucioneve, të cilave u jemi drejtuar.

Gazetari: Zoti Meta, një nga analistët në Shqipëri, kishte hedhur teori konspiracioni, – nga ato treqind teoritë e konspiracionit që zakonisht prodhohen në njëzet e katër orë, – që ky veprim jo domosdoshmërisht është një veprim institucional i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, por kishte aluduar se është ‘një marrëdhënie e ndërlikuar midis Metës dhe Bushatit’, ‘një antipati reciproke’ dhe le të themi një lloj ‘futjeje e shkopinjve në rrota’ për çdo moment, gjatë gjithë kohës që ai ka qenë në detyrë. Kjo natyrisht që nuk është e vërtetë?

Presidenti Meta: Unë besoj se marrëdhënia ime me të gjithë ministrat, me të gjitha institucionet, nga ana e Presidentit të Republikës, por edhe nga ana personale, njerëzore, ka qenë jashtëzakonisht korrekte. Së dyti, nga ana institucionale, akoma edhe më korrekte, nga Institucioni i Presidentit. Dhe për këtë besoj se kanë qenë në dijeni edhe kryeministri apo edhe kryetari i Kuvendit, apo komisioni i Jashtëm në Kuvend. Dhe ideja ka qenë për të mbështetur gjithmonë ministrin e Jashtëm, pavarësisht nga emri që ka qenë apo nga ai që mund të jetë në të ardhmen, për të përmbushur ato detyra, të cilat janë të një rëndësie të madhe dhe delikate, sepse lënë gjurmë të mira ose jo në planin ndërkombëtar dhe lidhen me interesa të sigurisë kombëtare, të integrimit europian, të detyrimeve ndaj NATO-s dhe partnerëve strategjikë. Pra janë çështje delikate.

Gazetari: A i ka kërkuar Institucioni i Presidenti të Shqipërisë, ose a duhet t’i kërkojë një informacion zyrtar me firmë e me vulë të firmosur nga Presidenti i Republikës, ose nga Zyra e Tij Ligjore, kryeministrit të Kosovës në raport me ministrin e sugjeruar Cakaj?

Presidenti Meta: Nuk do të dëshiroja të hyja në komente, por ne do të bëjmë të gjitha kërkimet apo verifikimet për…

Gazetari: A mund të themi një “po’, ose një ‘jo”?

Presidenti Meta: .. për të gjithë ministrat. Ne do të bëjmë të gjitha verifikimet e duhura dhe të mundshme.

Gazetari: Vë re që kam nevojë të afrohem te ju, që t’ju prek me përgjigjen që dua.

Presidenti Meta: Patjetër. Nuk do të sjellë ndonjë…

Gazetari: Ndonjë ndryshim esencial?

Presidenti Meta: …Ashtu siç ju e mendoni.

Gazetari: Besoj se nuk jeni nga ata politikanë që thonë: “Ju pyesni çfarë të doni, ne themi ato që duam”?

Presidenti Meta: Jo. Unë jam nga ata që besojnë te të drejtat e individit, te të drejtat e gazetarit, por edhe tek e drejta ime në këtë rast.

Gazetari: A ka reaguar kryeministrit Rama ndaj mosdekretimit të shkarkimit të Bushatit dhe pritjes për të bërë një ‘vetting’ ndaj ministrit Cakaj?

Presidenti Meta: Nuk ka pasur ndonjë arsye të reagojë. Ne kemi bërë një bisedë në mbrëmjen e 4 janarit, kur ai ka kërkuar takim për të paraqitur dekretet. Ka dhënë edhe disa shpjegime të tij, përveç materialeve shoqëruese për propozimet.

Gazetari: Ku e bëtë këtë takim?

Presidenti Meta: Këtu, ku jemi bashkë, në zyrën time.

Gazetari: A është ndryshe zoti Rama këtu në takim me ju nga performanca që ai ka zakonisht në publik, në televizion?

Presidenti Meta: Jo, unë nuk kam asnjë ankesë për sjelljen.

Gazetari: Jo, jo ankesa. A është ndryshe?

Presidenti Meta: Sigurisht që këtu është shumë mirëkuptues dhe bashkëpunues.

Gazetari: A ka frikë ai nga ju?

Presidenti Meta: Nuk besoj se është çështje frike. Është…

Gazetari: A ka momente servilizmi?

Presidenti Meta: Nuk besoj dhe nuk ka asnjë arsye.

Gazetari: A mund të thotë” “Ilir, shiko, ne mund ta themi këtë, por midis nesh? Kjo është kështu, dhe le ta mbyllim këtu e të themi që ta bëjmë apo mos ta bëjmë?”

Presidenti Meta: Mendoj se takimet janë tepër korrekte.

Gazetari: Kam idenë se më duhet të afrohem edhe pak, siç po shoh.

Presidenti Meta: Por jo edhe më shumë!

Gazetari: Në rregull! Si i gjykuat ju nga pikëpamja institucionale, por edhe si politikan në Shqipëri, si një ish-kryeministër, që keni drejtuar vendin në momente të caktuara, nga pikëpamja institucionale, një mazhorancë, kur duke qenë kryeministër: Si ishte për ju ky shkarkim i rreth 70% të ministrave të qeverisë? Si e konsideroni ju këtë? E konsideroni një shprehje suksesi apo e konsideroni një shprehje krize?

Presidenti Meta: Ajo që më shqetëson në këtë fillim janari, është ajo pikërisht që shpreha një ditë pas vendimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian në qershor, se “Shqipëria do të ketë një mundësi qershorin e ardhshëm”, pra atë që po vjen, për çeljen e negociatave, nëse do të realizojë disa suksese në disa reforma kyçe që tashmë dihen. Madje edhe një ditë pas unë kam thënë që nuk është koha për t’u gëzuar, sepse një vit kalon. Siç kalon një ditë, do të kalojë edhe një vit. Shqetësimi im është që në këto gjashtëmbëdhjetë muaj nuk kemi atë klimë përgjegjshmërie midis aktorëve kryesorë, në radhë të parë do të thoja të qeverisë e të opozitës, dhe të funksionimit të Kuvendit për të dhënë ato garanci që kanë nevojë të gjithë qytetarët shqiptarë, ose partnerët ndërkombëtarë se Shqipëria do të mundë të çelë negociatat në qershorin që po vjen. Kjo është më e rëndësishmja.

Tani çështja e ministrave: Kjo është një zgjidhje e kryeministrit për të bërë…

Gazetari: Çështje e ekzekutivit? Është një përgjegjësi.

Presidenti Meta: …për të bërë vlerësimet e tij, për të propozuar, për të dhënë shpjegimet e tij. Për mua, sikurse e kam shprehur që ditën që jam njohur me këto ndryshime, duhet të ndryshojnë disa politika, sepse e kam thënë dhe e them prapë: Mund ta ndryshojë çdo ditë ministrin e Bujqësinë. Në rast se nuk do të ndryshojmë politikën për bujqësinë, mbështetjen për bujqësinë, kjo është një gjë që nuk do t’u shërbente as fermerëve, as ekonomisë sonë kombëtare dhe askujt tjetër. Këtë gjë mund ta themi edhe për fusha të tjera dhe nuk na duhet për të mësuar kaq shumë nga Danimarka apo nga Holanda, që janë jashtëzakonisht të zhvilluara në këtë drejtim, por na duhet të mësojmë pak më shumë nga Maqedonia për çështjen e mbështetjes së bujqësisë. Apo qoftë edhe nga Kosova në këtë drejtim dhe të jemi të sigurtë se ndryshimi do të jetë shumë i shpejtë, sepse edhe potencialet e Shqipërisë për këtë zhvillim në fushën e bujqësisë e të agro-turizmit, janë të jashtëzakonshme.

Gazetari: A e patë performancën e kryeministrit në një program televiziv para disa ditësh?

Presidenti Meta: Mbrëmë?

Gazetari: Në programin televiziv me humor në “Klan”?

Presidenti Meta: Me Ermal Mamaqin?

Gazetari: Po.

Presidenti Meta: Jo, nuk e kam parë drejtpërdrejtë, por jam njohur më shumë përmes komenteve e portaleve, sepse kam qenë në lëvizje.

Gazetari: Çfarë kuptuat nga ai program?

Presidenti Meta: Nuk është shumë e rëndësishme. Unë kam qenë për vete tek Ermali dhe jam ndierë shumë mirë.

Gazetari: Dua t’ju flas pak për protestat. Ju i kuptuat? I mbështetët protestat e studentëve të universiteteve në Tiranë? A e kuptuat atë që ata donin të thonin?

Presidenti Meta: E njoh prej kohësh shqetësimin e studentëve e të shumë pedagogëve e drejtuesve të përgjegjshëm…

Gazetari: Jeni pro? Jeni kundër…?

Presidenti Meta: Shqipëria nuk ka vuajtur nga protesta, por nga mungesa e protestave. Shqipëria ka vuajtur nga largimi nga vendi i shumë qytetarëve dhe jo nga protestat për të përmirësuar qeverisjen. Protestat janë një lajm i mirë, për aq kohë sa ato janë paqësore dhe zgjojnë ndërgjegjjen e qytetarëve për të pasur kërkesa më të larta në radhë të parë ndaj vetes së tyre. Dhe kuptohet ndaj qeverisë, ndaj opozitës, ndaj institucioneve, sepse demokracia do të jetë aq e fortë sa ne e bëjmë atë.

Gazetari: Ju jeni një President jo i relaksuar, por ju jeni një President i shqetësuar në raport me tre vatra të rëndësishme protestash në këtë vend, që janë protesta e studentëve kundër ligjit të Arsimit të Lartë; protesta e familjeve që do të lëvizin nga “Astiri” dhe protesta e artistëve dhe dashamirësve të këtij vendi kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Keni kontaktuar, përveç veprimeve që keni bërë nga pikëpamja institucionale si President? Ajo është shumë e rëndësishme për Teatrin. Dhe natyrisht përveç mendimeve që keni për protestat, ju zoti Meta, a keni kontaktuar, a jeni takuar me ta? A jeni në brendësi të shpirtit të asaj që po ndodh me këta njerëz që kanë dalë për të protestuar?

Presidenti Meta: Përsa i takon çështjes së Teatrit Kombëtar, si Institucion i Presidentit të Republikës jemi shprehur dy herë: përmes kthimit të ligjit dhe të argumenteve të kthimit, që besoj se kanë qenë mjaft solide.

Përsa i takon çështjes së “Astirit” apo të banorëve të Unazës së Re, ne kemi bërë kërkimet tona ndaj institucioneve për të verifikuar se si qëndron e vërteta e këtij projekti. Duket qartë që i gjithë ky projekt ka probleme serioze të transparencës dhe të standardeve ligjore dhe etike që duhen ndjekur në një rast të tillë. Sigurisht që për interesin publik mund të dëmtohet apo mund të prishet prona, pavarësisht nga statusi ligjor i saj, i cilitdo qytetari, por kjo duhet bërë në mënyrë të qartë dhe strikte ligjore dhe transparente, në mënyrë që askush të mos ndihet i diskriminuar, i papërfilluar apo më keq, i shtypur dhe njëkohësisht të mos ketë as hapësirë, po themi, për opozitën apo për segmente të saj për të instrumentalizuar gjithë këtë mungesë transparence apo mbi problemet ligjore.

Gazetari: Përse më duket mua sikur ju mbani një “ekui-distancë”, një distancë të njëjtë midis qeverisë dhe opozitës.

Presidenti Meta: Jo, nuk mbaj ekui-distancë.

Gazetari: Ju, nuk do të duhej të ishit më pozitiv ndaj opozitës, gjithsesi?

Presidenti Meta: Detyra ime nuk është që të jem më kritik ndaj qeverisë apo më pozitiv ndaj opozitës. E kam bërë të qartë që kur jam zgjedhur në Kuvend se do t’i qëndroj premtimit tim se midis pushtetit dhe demokracisë, gjithmonë do të zgjedh demokracinë, sepse unë jam në këtë detyrë vetëm falë demokracisë, me të mirat, me vështirësitë e saj. Në rast se Shqipëria nuk do të ishte një vend demokratik nga 1990-ta, unë nuk do të isha këtu kurrsesi.

Gazetari: Tani që ju jeni President i Republikës, a konstatoni në fakt në mënyrë të prekshme që Presidenca është një institucion i dobët apo i pafuqishëm kushtetueshmërisht?

Presidenti Meta: Unë nuk vërej që Presidenca është një institucion i dobët dhe nuk mendoj se ka qenë institucion i dobët dhe sigurisht unë mendoj se Shqipëria nuk ka pasur probleme nga Presidenca në vijimësi, përveç kohës kur Presidenti ishte edhe Kryeministër.

Pra, unë mendoj që Presidenca në tërësi ka qenë një institucion korrekt, por duhet të kemi parasysh që dobësitë e demokracisë sonë nuk duhet të kërkojmë që t’i zgjidhim duke e nxitur Presidentin të dalë jashtë Kushtetutës së vendit.

Gazetari: Të reagojë me pasion dhe me emocion…

Presidenti Meta: Me pasion, duke injoruar institucionet e tjera, duke krijuar një atmosferë polarizimi, konfliktualiteti të panevojshëm. Presidenti duhet të jetë shembull i bashkëpunimit midis institucioneve, i nxitjes së bashkëpunimit, i nxitjes së dialogut.

Presidenti nuk mund të zëvendësojë shoqërinë civile. Presidenti nuk mund të zëvendësojë opozitën, nuk mund të zëvendësojë Parlamentin, nuk mund të zëvendësojë as qeverinë, por ka për detyrë të nxisë një bashkëpunim midis të gjithë institucioneve për interesin e përbashkët. Pastaj ka hapësirë mjaft për temat e ndryshme që partitë, që qeveria, që opozita të debatojë dhe të mos merren vesh, por ka disa çështje që janë të interesit madhor e të përbashkët për të cilat ka nevojë për mirëkuptim, sepse koha kalon.

Gazetari: Cili është mendimi juaj personal me situatën e medias në Shqipëri? Meqë ra fjala, i keni vënë ju ndonjë nofkë medias në Shqipëri ose nëse do t’i vinit, ia keni gjetur në vetvete, por nuk e thoni? E quani për shembull me ndonjë term denigrues apo diskriminues?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se media është më e keqe apo më e mirë se politika dhe në këtë drejtim unë besoj te liria e medias dhe kritikat asnjëherë nuk bëjnë keq edhe kur ato mund të jenë të tepërta. Sepse në fund fare të ndihmojnë të jesh gjithmonë me këmbë në tokë.

Gazetari: Në karrierën tuaj të gjatë në shërbimin publik, ju keni kaluar disa faza që përgjithësisht i kalojnë njerëzit me një jetëgjatësi politike. Keni qenë i simpatizuar, keni qenë i antipatizuar, keni qenë i sulmuar, i mosbesuar. Presidenca e Republikës, çfarë i ka bërë imazhit tuaj zoti President?

Presidenti Meta: Nuk e kam menduar ndonjëherë se çfarë më ka bërë Presidenca mua. Unë kam ardhur në këtë detyrë për arsye të rrethanave. Përgjegjshmëria ime për të përmbushur këtë detyrë është maksimale.

Edhe më parë se unë të vija në këtë detyrë, ndonëse kam qenë në pozicionin e Kryetarit të Kuvendit dhe pjesë e një mazhorance të caktuar, kam bërë të gjitha përpjekjet për të mbajtur marrëdhënie sa më normale në Kuvend dhe për të nxitur bashkëpunimin, konsensusin për çështje më madhore.

Për mua është e rëndësishme që në këtë detyrë t’i shërbej maksimalisht interesit kombëtar, interesit publik dhe unë besoj që me aktivitetin tim, me aktet e mia, me vendimet e mia kam bërë më të mirën, por jam i gatshëm të përmirësohem.

Gazetari: Ju keni sot një bindje personale që ju do ta bëni të plotë mandatin presidencial. Në ç’rrethana e për çfarë arsyeje ju mund ta kishit ndërprerë mandatin tuaj presidencial?

Presidenti Meta: Në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye.

Gazetari: Kaq më mjafton.

Presidenti Meta: Unë mendoj që Presidenti i Republikës është pozicioni më i lartë dhe i nderuar në një shtet demokratik dhe absolutisht që jam tërësisht i përkushtuar për të respektuar këtë institucion.

Gazetari: Dua t’ju bëj një pyetje për zonjën Kryemadhi. Hillari Klinton në momentin që donte të konkurronte për postin e Presidentes së SHBA-ve bëri një lloj ndarjeje, bëri një dallim me bashkëshortin e vet që kishte një, dy, tre karakteristika të mira apo të këqija. Kjo u mor dhe u përdor në një film serial “Good wife” (Gruaja e mirë) ku personazhi kryesor për të konkurruar për Prokurore të Përgjithshme bëri një ndarje, një lloj dallimi apo ndryshimi të hapur publik midis saj dhe bashkëshortit i cili ishte Guvernator. Në momentin e parë kur Ju u bëtë President i Republikës dhe zonja Kryemadhi mori drejtimin e LSI-së ajo tha se: “Zoti Meta bëri ca gabime dhe ka ca të meta dhe unë mendoj që ne kemi disa ndryshime me njëri-tjetrin”. Që të jem i ndershëm me ju, unë këtë nuk “e haj”.

Presidenti Meta: Ky është mendimi juaj, mund të jetë perceptimi juaj apo provokimi juaj, kjo nuk është shumë e rëndësishme. Unë do të jap përgjigjen time. Lidhur me Monikën, ajo ka karrierën e saj, që është e jashtëzakonshme, pavarësisht se është një karrierë pak e mbetur në hije për shkak të ekspozimit tim më të madh.

Së dyti, të gjithë ata që na njohin të dyve nga afër e kuptojnë që ne jemi dy njerëz të ndryshëm, pavarësisht se kemi një familje dhe fuqia e kësaj familjeje qëndron te komplementariteti. Nuk qëndron te fakti që jemi e njëjta gjë dhe mendojmë në të njëjtën mënyrë dhe konformohemi me njëri-tjetrin. Me Monikën kemi dy axhenda të ndryshme.

Gazetari: Përplasen ato në ndonjë mënyrë?

Presidenti Meta: Ato edhe përplasen, por secili ka rrugën e vet dhe ka axhendën e tij.

Gazetari: Ju doni të më thoni mua që në shtëpi ju personalisht nuk flisni kurrë për LSI-në?

Presidenti Meta: Mund të them që ne prej kohësh kemi pasur dhe kemi mendime të ndryshme për çështje të ndryshme politike. Madje edhe në kohën e LSI-së kemi pasur pikëpamje të ndryshme për shumë çështje, dhe për fat të keq, koha i ka dhënë të drejtë asaj.

Por për pozicionin aktual një gjë mund ta them me bindje dhe për këtë nuk më intereson shumë se kush e beson dhe kush nuk e beson, vendimet si President unë i marr vetëm si rezultat i bindjes sime përsa i takon Kushtetutës, interesit kombëtar dhe interesit publik.

Dhe mund të them që kam mjaft vërejtje gjithashtu për opozitën në tërësi, pavarësisht se cila forcë politike, sepse këtu nuk dua të bëj dallime. Nëse shumë shqiptarë largohen nga Shqipëria kjo nuk është përgjegjësi vetëm e qeverisë dhe qeverisjes, por kjo është edhe përgjegjësi e opozitës dhe e mënyrës se si ajo reagon ndaj problemeve në vend dhe sa i jep shpresë njerëzve.

Gazetari: A mund të ma thoni si duhet të kishte reaguar opozita që të mos largoheshin njerëzit?

Presidenti Meta: Kjo nuk është detyra ime. Ajo që unë kam kërkuar dhe kërkoj gjithmonë është që opozita pavarësisht se ka vërejtjet e saj për funksionimin e Kuvendit dhe në shumë raste ka të drejtë për fat të keq, nuk mund të mendoj se duke qëndruar larg Kuvendit ndihmon veten e saj, ndihmon Kuvendin, jo mazhorancën, Kuvendin e Shqipërisë të përmirësohet apo të funksionojë më mirë.

Ndihmon një transparencë më të madhe për ligjet, që nga komisionet e deri në seancat plenare, ndihmon afirmimin e saj edhe si një alternativë për të ardhmen dhe njëkohësisht as nuk duhet t’i shkojë mendja se duke djegur mandatet dikush në Bruksel apo diku tjetër do të mbetet pa gjumë. Mendoj se opozita duhet të ketë një qasje tjetër shumë më aktive, më konstruktive dhe më institucionale. Kjo nuk e përjashton reagimin dhe mbështetjen e protestave e format e tjera, të cilat e bëjnë demokracinë edhe më vitale.

Gazetari: Ju nuk i kurseni konstatimet dhe vërejtjet ndaj opozitës për atë që Ju e konsideroni një pamundësi e saj për t’u sjellë në mënyrë të caktuar…

Presidenti Meta: Ka çështje për të cilat opozita ka të drejtë dhe unë jam shprehur dhe mund të shprehem, por ka edhe çështje për të cilat unë mendoj – sepse nga cilësia e opozitës, nga cilësia e lidershipit të saj, nga cilësia e mesazhit të saj, nga forca e reagimit të saj kur duhet dhe kombinimi i të dyjave ne e shohim perspektivën e zhvillimit më të qartë.

Gazetari: Presidenti i Republikës cilido qoftë ai ose Kryeministri ose shefi i opozitës ose një drejtues i një institucioni të rëndësishëm kushtetues ka edhe një raport personal, gjithmonë ka pasur. Mund të them unë me 30 vjetët e mia në observim si një specialist i marrëdhënieve publike, jo vetëm i gazetarisë, që ju personalisht nuk keni besim individual, njerëzor te Rama dhe te Basha?

Presidenti Meta: Nuk kam çështje me besimin tek individët. Kjo ka të bëjë me funksionimin e demokracisë, me funksionimin e institucioneve…..

Gazetari: A mund të shkojmë në një nivel komunikimi më bazik, sepse kjo është shumë e gjerë. Unë kam një ndjesi që ju nuk besoni te këta dy individë. E dyta, si një “kafshë politike” po themi apo si një politikan race…

Presidenti Meta: Kjo nuk i duhet askujt nëse unë kam besim te dikush, por sidomos në pozicionin që kam unë besoj vetëm te demokracia. Besoj tek institucionet dhe besoj se njerëzit duhet të jenë më të ndjeshëm për fatin e tyre dhe të mos e lënë atë thjesht në dorën e Presidentit, Kryeministrit, të kryetarit të opozitës apo të dikujt tjetër. Duhet të ngrenë zërin, duhet të kërkojnë të drejtat e tyre, duhet të kërkojnë përfaqësimin e tyre dhe është sistemi që i mbron ata nga padrejtësitë dhe është sistemi që u siguron atyre një perspektivë më të mirë.

Kjo është ajo që unë kërkoj dhe kjo është eksperienca ime në 28 vite, sepse ne kemi njohur në 28 vite njerëz të ndryshëm në pozicione të ndryshme dhe kemi vënë re metamorfoza të pabesueshme. Duhet të jemi syçelët që fatin tonë e kemi në dorë vetë dhe çdo ditë duhet të jemi më kërkues ndaj demokracisë dhe demokracia është aq e fortë sa ne e bëjmë atë dhe është aq e dobët sa ne dorëzojmë të drejtat tona.

Gazetari: Fjalët kyçe që ju keni përdorur në frazën tuaj ishin: syçelët, ekzaminim, vëmendje dhe sukses. Ka rrezik që kjo marrëdhënie individuale me ta t’ju bëjë pak paranojak?

Presidenti Meta: Unë nuk kam asnjë problem në raportet individuale. Raportet e mia janë të mira me të gjithë, nga ana institucionale mendoj që nga ana ime janë gjithmonë perfekte, janë bashkëpunuese, janë të qarta se çfarë mund të bëhet, se çfarë nuk mund të bëhet tani. Çfarë pengon për t’u bërë duhet zgjidhur, çfarë nuk bëhet, nuk bëhet për këto interesa apo për ato interesa. Gjërat janë të qarta, nuk kam unë asnjë problem individual.

Gazetari: Por ama gjatë këtyre kohëve si politikan dhe në moshën që Ju keni sot, natyrisht jo në pozicionin kushtetues, në dijeninë Tënde, ju keni informacion, e keni parë metamorfozën që përmendët, ju dini ta lexoni interlokutorin, bashkëbiseduesin Tuaj deri në fund ose shumë?

Presidenti Meta: Nuk është prapë shumë e rëndësishme. E rëndësishme është që njerëzit këtu në këtë vend të kuptojnë që demokracia nuk vjen as nga SHBA, nuk vjen as nga Brukseli. Të gjithë do të pajtohen me atë demokraci që do të pranojnë njerëzit këtu.

Gazetari: A keni informacion apo qëndron pandehma paralele, që ka një dakordësi hëpërhë të folur pak me kujdes midis Kryeministrit të Shqipërisë, Presidentit të Kosovës dhe Presidentit të Serbisë që dinamika e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë të shkojë drejt shkëmbimit të territoreve si një shprehje sipas tyre që problemi në Ballkan të zgjidhet përfundimisht dhe secili të marrë atë që do? Pra, kjo marrëdhënie ekziston apo kjo është një legjendë urbane?

Presidenti Meta: Unë mund t’ju jap përgjigjen nga ana ime. Qyshkur jam angazhuar në politikë me thirrjen “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa” e që kur kam filluar të kuptoj nga politika e jashtme në fillim të viteve ‘90, gjithnjë kam qenë i bindur që Ballkani do të bëhet si gjithë Europa vetëm përmes bashkëjetesës dhe jo përmes ndryshimit të kufijve. Aktualisht janë vënë në diskutim edhe tema të tilla, që janë menduar tabu në të kaluarën.

Sikurse e tha këtu Presidenti Mesiç, kur u bë gjithë ajo luftë në ish-Jugosllavi, sepse mund të ishin ndarë paqësisht, pasi edhe në Jugosllavi ekzistonin kufijtë midis republikave dhe krahinave, por e gjithë kjo u bë që Serbia të përfitonte territore të reja dhe në fund fare u vranë qindra mijëra njerëz dhe nuk u ndryshua asnjë centimetër kufi.

Aktualisht është në lëvizje një ide e tillë e cila ka qenë prej kohësh nga ana e Serbisë. Unë nuk besoj te shkëmbimi i territoreve, nuk besoj se ndryshimi i kufijve është një zgjidhje. Unë mendoj se Serbia e ka marrë përgjigjen nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku vetë Serbia ka shkuar për të verifikuar nëse Pavarësia e Kosovës ka qenë apo jo konform ligjeve ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë një përgjigje shumë të pastër. Cila do të jetë marrëveshja? Marrëveshja është, Serbia do të bëhet anëtare e Bashkimit Europian kur të zgjidhë problemet me të gjithë fqinjët dhe problemi me Kosovën është kryesori dhe Kosova njëkohësisht të marrë vendin që i takon në OKB e njëkohësisht në të gjitha organizatat e tjera. Duam ta bëjmë më të vështirë këtë gjë? Kjo është një çështje e të tjerëve si të thuash, por unë personalisht mendoj që çdo ide për shkëmbim territoresh ngado që vjen, sido që të vijë, krijon vetëm shqetësime dhe rreziqe të reja në Ballkan.

Gazetari: A keni folur Ju personalisht me Kryeministrin për këtë çështje të rëndësishme që konsiderohet si “patate e nxehtë”, e keni përmendur apo folur ndonjëherë?

Presidenti Meta: Kemi pasur edhe ndonjë rast që kemi folur për këtë çështje, por besoj që mesazhet e mia kanë qenë dhe janë tepër të qarta. Mendoj që kjo është edhe politika zyrtare e Shqipërisë, kjo është politika për të cilën kjo qeveri është votuar në Parlament dhe Ministri i Jashtëm, zoti Bushati besoj që në këtë çështje ka mbajtur qëndrime mjaft parimore dhe mbetet e rëndësishme të punojmë për bashkëjetesën midis shqiptarëve dhe serbëve. Sepse ndryshimi i kufirit përmes vijave etnike më duket një operacion i pamundur aq më tepër po të kemi parasysh – unë para pak ditësh vizitova dhe Patriarkanën e Pejës, vizitova dhe Manastirin e Deçanit, ato janë në kufi me Shqipërinë, nuk janë në kufi me Serbinë dhe janë trashëgimi kyçe, kryesore, për ortodoksinë serbe.

Kështu që nuk e di se çfarë do të zgjidhte një ndryshim apo një zhvendosje, kur ne e dimë shumë mirë se Kosova dhe Mali i Zi për disa pyje midis Pejës dhe Malit të Zi, ku nuk banon askush për vite të tëra edhe pse u arrit një marrëveshje, nuk u zbatua dhe Kosova u penalizua për liberalizimin e vizave. Nuk mund të besoj te ndryshimi i kufijve, por absolutisht në çdo rast do të pranoja një marrëveshje që arrihet me konsensusin e klasës politike në Kosovë e në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gazetari: Unë jam te tre pyetjet e mia të fundit dhe dua për të trajtuar shqetësimin e madh që ka popullata në Shqipëri dhe një mosbesim të saj të thellë në raport me institucionet juridike të këtij vendi. Një grupim institucionesh që janë akuzuar gjithë jetën në Shqipëri si institucione të paformuara, të devijuara, problematike që nuk bëjnë drejtësi. Zoti President, Presidenca në fakt ka treguar që i ka ndjekur me vëmendje, ju duhet të keni një grupim juristësh shumë të mirë në këtë institucion, disa nga zhvillimet në vend. Fjala vjen, po i ndiqni ju zhvillimet e Vetting-ut dhe të reformës në drejtësi? Ka një perceptim popullor dhe një pjesë e mirë e institucioneve ekzekutive në Shqipëri punojnë me perceptimin popullor dhe ka një perceptim që ka probleme në vetting, ka selektivitet dhe që aktualisht situata e institucioneve juridike në vend është totalisht e paralizuar. E konstatoni ju këtë dhe nëse e konstatoni keni bërë ndonjë gjë që të mbushni boshllëkun?

Presidenti Meta: Nuk jam aspak i preokupuar për protagonizmin e Presidencës në këtë drejtim dhe dua t’ju siguroj që Presidenca, ka përmbushur dhe do përmbushë me përgjegjshmëri maksimale në respekt të Kushtetutës dhe të ligjeve në zbatim të saj, të gjitha detyrimet lidhur me çështjet e reformës në drejtësi, apo të marrëdhënieve me institucionet e drejtësisë.

Kjo gjë është bërë në mënyrë të vazhdueshme, është bërë në mënyrë të dokumentuar zyrtarisht dhe mesazhet janë dhënë aq sa duhet. Në vlerësimin tim, padyshim që ka patur dhe ka probleme serioze në zbatimin e Kushtetutës në reformën në drejtësi. Unë këto çështje i kam bërë të ditura, edhe në pozicionin e Presidentit tani, por edhe më parë në pozicionin e Kryetarit të Kuvendit, por edhe në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë. Madje, dhe u kam kërkuar atyre, rasti më i fundit Drejtori i Përgjithshëm i Zgjerimit, zoti Danielsson, që të sjellin njerëz që të verifikojnë se si janë zbatuar të gjitha ato angazhime dhe detyrime.

Gazetari: Mund ta konsideroni situatën sot të rrezikshme në raport me moskontrollimin e procesit?

Presidenti Meta: E rëndësishme është që kjo reformë u bë për të krijuar një besim të ri, në bazë të asaj nevoje ulëritëse që kishte për ndryshime në sistem, por edhe në bazë të një pritshmërie, që kjo reformë do ta frenojë korrupsionin, do t’i frenojë veprimet apo tundimet e pushtetarëve apo të zyrtarëve apo të politikanëve për të shkelur ligjin, për të shkelur Kushtetutën, për të bërë veprime jotransparente dhe abuzive.

Nuk e di, nëse kjo gjë ka ndodhur, do të thoshim se reforma ia ka dalë. Pra, që pushtetarët, duke filluar nga Presidenti, nga Kryeministri, nga ministrat, nga opozita tani janë edhe më të shqetësuar, edhe me të kujdesshëm, se sa më përpara në zbatimin e ligjit, në gjithçka, në prokurimet, në tendera, etj.

Gazetari: Mund të kishit dhënë një ton cinizmi këtu në një kuptim, sepse po ta dëgjojnë të shkruar njerëzit do thonë: Po, po ndodh. Nuk ka një dëshirë …

Presidenti Meta: Unë këtë gjë nuk mund ta them. Ajo që mund të them është se sistemi është ende në kolaps, për shkak se tranzicioni ka zgjatur shumë më tepër. Mendoj që ky proces tranzicioni ka pasur probleme të rëndësishme, që të zhvillohej në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Polarizimi i palëve ka patur efektin e tij, por megjithatë asnjëherë nuk është vonë për të përmirësuar funksionimin e këtyre institucioneve në të ardhmen dhe për të patur institucione tërësisht legjitime. Sepse ne gjithmonë kemi patur institucione në drejtësi, nuk është se nuk ka patur dhe në kohën e komunizmit ka patur.

Gazetari: Dy pyetjet e fundit, për ta humanizuar pak pozicionin e Presidentit të Republikës, jo se ai nuk është njeri i zakonshëm, por publiku ka dy pyetje që bëjnë përshtypje.

E para, zoti Nishani, që ishte Presidenti i Republikës para jush, realizoi, bëri të mundur që në Pallatin e Brigadave, në afërsi, të kishte shtëpinë Presidenti i Republikës dhe të jetonte atje. Ka një sens në fakt, a mund ta di unë, pse ju, keni vendosur të jetoni në një zonë skandaloze të Tiranës, për hir të së vërtetës zona ku jetoni është e tmerrshme. A mund ta di pse, keni marrë një vendim familjar, që mos të jetoni në shtëpinë e Presidentit?

Presidenti Meta: Unë banoj te Kodra e Diellit dhe nuk është zonë skandaloze, më vjen keq. Unë mendoj që është një zonë shumë e mirë, edhe si organizim, si komunitet, por edhe në raport me diellin edhe me pamjen. Pak lartësi ka, është më afër Tiranës, është një zonë ideale.

Gazetari: Dhe pse nuk shkuat ju, për të jetuar te shtëpia e Presidentit?

Presidenti Meta: Për arsye sepse ne jemi një familje me shumë lidhje, me shumë njohje edhe nga ana ime kushërinj pafund, edhe nga ana e Monikës pafund. Ne jetojmë edhe bashkë me mamanë e Monikës, sepse kemi jetuar gjithmonë me prindërit e saj, sepse janë kujdesur edhe për fëmijët. Ata kanë lidhje pafund, motra, kushërinj, etj., dhe Garda do të lodhej shumë atje duke pritur e duke përcjellë njerëz. Kështu që jemi shumë më komodë te kjo zonë dhe te kjo lagje.

Gazetari: Pyetja e fundit, ju nuk keni lënë majë malesh pa shkuar apo keni edhe disa të tjera? Dhe ndërkohë, shkoni takoni njerëz, bëni fotografi, komunikoni. Duke patur parasysh që ju në mënyrë të natyrshme nuk jeni njeriu i shfaqjes, keni një problem, siç e shpreha në fillim dhe unë e mendojë atë, një problem publik ngurtësimi, edhe individual edhe institucional. Nuk janë të gjithë njerëzit njësoj, unë për shembull nuk do të kisha ditur si të sillem si President i Republikës, nuk di ta bëj. Pra, ky komunikim ndryshe në vendet e Shqipërisë, takimi i njerëzve të zakonshëm, hyrja në shtëpitë e tyre, përqafimi, dalja në fotografi, jam këtu, kam takuar këtë….

Presidenti Meta: Besoj se kjo lidhet me natyrën time, e cila në raport me njerëzit nuk është kaq e ngurtë sa mund të jetë në komunikimet publike, e cila mendoj se është e natyrshme gjithmonë. Unë e kam nisur karrierën si një politikan, si një student, që është zgjedhur deputet, duke i marrë të gjithë fshatrat në këmbë në Tomoricë të Skraparit në vitin 1992 dhe kjo lidhje me njerëzit ka qenë gjithmonë organike, nuk ka qenë për shkak të politikës. Ky raport për mua, mbetet i pazëvendësueshëm pavarësisht nga rrjetet sociale. Ato kanë rolin e tyre, kanë rëndësinë e tyre dhe në këtë mënyrë njëkohësisht edhe njeh problemet më mirë, edhe njerëzit janë më të çliruar sesa kur vete nëpër takime me kamera.

Por, besoj se është dhe momenti që ne t’i rikthehemi shumë zonave që janë braktisur dhe unë kam shumë shpresë se disa nga vendet më të bukura të Shqipërisë, që për fat të keq janë braktisur, do të gjallërohen e vitalizohen edhe përmes promovimit të zhvillimit të turizimit.

Rasti që më pëlqen më shumë është Curraj i Epërm, një zonë e jashtëzakonshme në Tropojë, e cila ka qenë totalisht e braktisur. Vetëm një familje jetonte aty në dimër. Këtë vit pata kënaqësinë të shkoj atje për të marrë pjesë në inaugurimin e rrugës që ishte hapur për herë të parë nga përfaqësues të këtij komuniteti, që jetojnë në Tiranë, Durrës, Kamëz, Londër, Itali, të cilët kanë bërë një shoqatë dhe kanë kontribuar vetë edhe me një ndihmë nga Bashkia e Tropojës. Ka qenë një gjë e mrekullueshme, pasi pjesëmarrja ka qenë e jashtëzakonshme dhe tani përveç rrugës kryesore, po vazhdojnë të rregullojnë edhe rrugët e tjera të fshatit. Dhe kanë bërë një besa-besë, që është e mrekullueshme do të thosha, që nuk do të ndryshojnë peizazhin e shtëpive, të fshatit, do ta ruajnë ashtu siç është, kuptohet duke përmirësuar kushtet për turizmin. Vërtetë është një mesazh tepër pozitiv i ringritjes së pjesëve më të bukura të Shqipërisë që kanë histori të jashtëzakonshme, që kanë një natyrë dhe një peisazh të jashtëzakonshëm. Një mundësi për të ardhmen, për zhvillimin e turizmit, agro-turizmit. Për këtë duhet t’u jemi shumë mirënjohës edhe çekëve, pasi ata e kuptuan të parët rëndësinë e Currajt.