Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “Open” në “Top Channel” me gazetaren Eni Vasili

Intervistë e Presidentit Meta për emisionin “Open” në “Top Channel” me gazetaren Eni Vasili

Gazetarja (Eni Vasili): Zoti President mirëmbrëma!

Presidenti Meta: Mirëmbrëma!

Gazetarja: Faleminderit që pranuar ftesën e OPEN, një ditë para publikimit të Opinionin të Komisionit të Venecias, kur ky komision do të shprehet nëse Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka shkelur ose jo Kushtetutën me vendimin për të anuluar përmes një dekreti zgjedhjet e 30 qershorit dhe caktimin e tyre më datë 13 tetor. Fillimisht dua t’ju pyes si ndjeheni përpara shpalljes së këtij Opinioni?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë lloj emocioni për ndonjë vendim të Venecias, sepse vendim im ka qenë tërësisht kushtetues dhe në mbrojtjen më të shkëlqyer të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Unë nuk pres as Venecia dhe askënd tjetër që të konfirmojë drejtësinë e vendimit tim.

Unë kam Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që e njoh më mirë se kushdo tjetër. Kam qenë edhe në Komisionin Parlamentar që merret gjoja me këtë hetimin e Presidentit, pikërisht vetëm për t’u treguar të gjithëve që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, jo vetëm nuk ka shkelur asnjë nen të Kushtetutës, por përkundrazi, ka bërë mbrojtjen më të shkëlqyer të Kushtetutës.

Gazetarja: Megjithatë, ju e keni vlerësuar më parë Komisionin e Venecias apo jo?

Presidenti Meta: Unë e kam vlerësuar për ato kontribute që ka dhënë për reformën në drejtësi dhe prisja që ndoshta të shprehte diçka në komentet e veta lidhur me këto problemet e mëdha të zbatimit të ligjit në kundërshtim, jo vetëm me Kushtetutën tonë, por edhe vetë formulimet dhe rekomandimet që ka bërë Komisioni i Venecias. Por çuditërisht në vend që të shprehej për këto çështje, për të cilat ajo ka një kompetencë ishte shprehur për çështje që janë të OSBE/ODIHR-it.

Gazetarja: Zoti President, a ka një kontradiktë këtu? Në fillim ju thatë që unë e besoj Venecian, e vlerësoj çfarë thotë Venecia dhe unë mund të jap dorëheqjen. Më pas thatë se 11 tetori nuk është i rëndësishëm, është fokus propagande…

Presidenti Meta: Po pa dyshim, propagandë është. Pse çfarë është? Çfarë vlere ka Venecia?

Gazetarja: Ju thatë se do jap dorëheqjen nëse Venecia thotë se keni shkelur Kushtetutën…

Presidenti Meta: Po, nëse më bind, por le të më bindin.

Gazetarja: Që do të thotë se kishte rëndësi apo jo? Ka rëndësi apo nuk ka rëndësi 11 tetori?

Presidenti Meta: Në qoftë se, jo Venecia, por ju si gazetare, qytetare e Republikës së Shqipërisë, më bindni dhe më thoni: Zoti President, ju me këtë dekret keni shkelur këtë nen të Kushtetutës unë jap dorëheqjen. Pse do të vlerësoja me shumë Venecian se sa Eni Vasilin për shembull?!

Edhe kur shkova te Komisioni Parlamentar që është ngritur dhe që merret me këtë çështjen e hetimit, shkova për të treguar respekt ndaj qytetarëve shqiptarë dhe njëkohësisht për të treguar që Presidenti është i hapur që të shkojë dhe të ballafaqohet në mënyrën më transparente dhe konstruktive pikërisht për të treguar që Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje. Çdo gjë tjetër është propagandë.

Gazetarja: Propaganda nga kush? Nga komisioni?

Presidenti Meta: Propagandë nga të gjithë. Nga mazhoranca, nga parlamenti, nga qeveria, nga të gjithë ata që duan të hyjnë në këtë propagandë. Do të jap një shkelje të qartë të Kushtetutës?

Gazetarja: Shkelje tuajën?

Presidenti Meta: Jo shkelje timen, se nuk gjen njeri në këtë botë shkelje të Kushtetutës, të paktën sa jam Presidenti i Republikës.

Neni 155 i Kushtetutës “Për financat publike”: Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi

Kjo është shumë e qartë, është kategorike, është në Kushtetutë në nenin 155.

Ky Kuvend, që do të hetojë Presidentin për një shkelje që nuk ekziston në asnjë nen në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe që nuk ka sjellë asnjë pasojë, përveçse ka sjellë pasoja të mira, asnjë pasojë negative për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, ka miratuar në dhjetorin e kaluar një ndryshim të taksës për dividentin nga 15% në 8% duke i dhënë fuqi prapavepruese.

Që do të thotë se ka bërë një shkelje, jo vetëm flagrante të Kushtetutës se Republikës së Shqipërisë, por njëkohësisht duke shkelur parimin e barazisë para ligjit të të gjithë subjekteve, duke favorizuar në mënyrë të paligjshme dhe anti-kushtetuese – sepse është shkelur qartë Kushtetuta – një kategori të caktuar subjektesh. Njëkohësisht duke diskriminuar të gjitha ata të cilët kanë qenë të ndershëm me ligjin dhe të cilët kanë paguar 15 % detyrimet e tyre.

Ne i kemi sytë në ballë apo jo? A jemi qytetarë të këtij vendi ne? Kjo është Kushtetuta jonë, ne duhet të themi atë që është e vërteta dhe e vërteta është që kjo është një shkelje flagrante, shumë e qartë dhe shumë e kuptueshme, shumë e thjeshtë dhe me fatura të mëdha me dhjetëra miliona euro që i kanë ikur qytetarëve shqiptarë dhe buxhetit të shtetit për qëllime klienteliste dhe korruptive. Për të pasur shkelje kushtetuese, qeveria dhe parlamenti kanë pasur sa të duash.

Gazetarja: Për denoncimin jam dakord, por duhet mekanizmi për ta rikthyer pastaj dhe duhet Gjykata Kushtetuese…

Presidenti Meta: Po prandaj Gjykata Kushtetuese u asgjësua, që të bëhen veprime të tilla dhe të bëhen akte të tilla. Dhe nuk është vetëm kjo, janë me dhjetëra akte, vendime, të cilat kanë qenë anti-kushtetuese gjatë gjithë kësaj periudhe. Vetëm nga viti 2013 deri në vitin 2016, që ka qenë funksionale Gjykata Kushtetuese janë mbi 38 vendime të qeverisë që anë rrëzuar si anti-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese kur ishte në detyrë.

Gazetarja: Zoti President, do të flasim më vonë ndoshta edhe për dekretet e rrëzuara nga qeveria, por unë dua të qëndroj te Komisioni i Venecias meqenëse jemi në këtë kontekst…

Presidenti Meta: Komisioni i Venecias ka zero rëndësi për mua. Për mua ka rëndësi Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Vendimi apo mendimi i Komisionit të Venecias ka të bëjë me integritetin e Komisionit të Venecias, nuk ka të bëjë me integritetin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe me raportin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Kushtetutën e vendit tim. Kaq!

Gazetarja: Pra, ju po thoni se çfarëdo të thotë Venecia për ju nuk ka asnjë rëndësi?

Presidenti Meta: Zero, nuk ka asnjë rëndësi!

Gazetarja: Megjithatë, ju keni dërguar letra, keni dërguar atje raporte….

Presidenti Meta: Jo vetëm aq, por në varësi me atë që do të shprehë Komisioni i Venecias unë do të vazhdoj aksionin tim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në Parlamentin Europian, sepse do ta çojmë në vend edhe integritetin e Komisionit të Venecias në rast se Komisioni i Venecias cenon integritetin e vet. Del nga kompetencat e veta dhe hyn në lojëra politike për të thelluar një krizë politike në këtë vend.

Gazetarja: Çfarë do të thotë integriteti i Komisionit të Venecias? Po thoni që është cenuar?

Presidenti Meta: Do të thotë që Komisioni i Venecias t’i qëndrojë kompetencave të tij lidhur me çështjen e Kushtetutës, lidhur me çështjen e ligjshmërisë. Të mos fusë hundët në kompetencat e OSBE/ODIHR-it, sepse gjykatës ndërkombëtar i zgjedhjeve është OSBE/ODIHR-it. Nuk mund të jetë as Venecia dhe askush tjetër dhe OSBE/ODIHR-i ka pasur këtu një mision me 200 e ca veta për gati 3 muaj përpara, gjatë dhe pas zgjedhjeve dhe ka bërë një raport të qartë dhe përfundimtar, i cili është referenca për gjithçka. Për situatën politike, për krizën, për votimet, për çështjet ligjore të votimeve dhe të kodit zgjedhor, për çështjet e mediave, për gjithçka. Kjo është një histori e mbyllur.

Gazetarja: Ju sapo thatë që Komisioni i Venecias të mos fusë hundët në lojëra politike. Akuzë e drejtpërdrejtë për komisionin? Keni një informacion apo është analizë?

Presidenti Meta: Kjo është për vlerësimet paraprake të këtyre raporterëve. Komisioni nesër do ta ketë mundësinë, por kjo nuk më intereson fare.

Gazetarja: Unë do të flas pak shumë shkurt edhe për letrën që ju të premten keni publikuar drejtuar kryetarit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio….

Presidenti Meta: Letra ime është publike. Gjithashtu, komentet apo vlerësimet e këtij institucioni janë publike si asnjëherë tjetër dhe çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, kushdo ndërkombëtar apo ekspert mund të shkojë t’i lexojë te faqja zyrtare online e Presidencës si në fillim kur ka ardhur Komisioni këtu që ia kemi dorëzuar dhe tani që kemi bërë komentet për çdo vlerësim të tyre.

Gazetarja: Dua t’ju pyes vetëm për 2-3 momente për të qenë ndoshta edhe publiku më i qartë. Ju thoni se projekt-opinioni është shpeshherë kontradiktor me vlerësime diametralisht të kundërta për të njëjtën çështje. Doni të thoni që komisioni ka punuar keq, ka keqkuptuar, ka qenë joprofesional?

Presidenti Meta: Nuk dua t’i kushtoj fare rëndësi kësaj gjëje. Ja ku është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe tjetrën, unë përgjigjen më të mirë komisionit ia kam dhënë me pyetjet shtesë.

Gazetarja: Krijohet përshtypja se ekspertët e Komisionit të Venecias janë udhëhequr apriori në ide fikse. Për çfarë ideje fikse e keni fjalën?

Presidenti Meta: Nuk ia vlen të merrem kaq shumë me Komisionin e Venecias, se nuk është çështje fare e rëndësishme për mua.

E rëndësishme për mua është Komisioni i Venecias të thotë qartë a ka institucion tjetër në Republikën e Shqipërisë përveç Presidentit të Republikës që cakton datën e zgjedhjeve në këtë shtet. A ka apo nuk ka?

Dhe në rast se themi që Presidenti mund të ketë tejkaluar këtë kompetencë, duhet të themi edhe se kujt ia ka marrë këtë kompetencë ose në sferën e kompetencave të cilit institucion ka hyrë Presidenti? Të parlamentit, të qeverisë, të KQZ-së apo diku tjetër?

Gazetarja: Dhe këtu ju jeni i qartë, pra kërkoni të dini se cili është neni që keni shkelur…

Presidenti Meta: Nuk ka Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë fjalë “exceeding”. Ka shkelje – “violation”, ka shkelje të rëndë. Nuk ekziston kjo fjalë “exceeding”. Kjo është një interpretim politik.

Gazetarja: Dakord, por kur ju thoni “apriori ide fikse”, kush ia ka krijuar këto ide fikse sipas jush? A ka qenë i ndikuar zoti President sipas jush?

Presidenti Meta: Nuk jam tani këtu për të thënë se kush ia ka krijuar, sepse këtë do ta shohim, ndoshta këto mund të jenë vlerësime të cilat nuk kanë të bëjë me reflektimin e mundshëm, sepse unë u kam dhënë mundësi atyre të reflektojnë.

Nuk kam asnjë arsye që të nxitohem, por nuk është ndonjë çudi që institucionet ndërkombëtare të lobohen, të përpunohen në mënyra të ndryshme.

Dhe një pyetje tjetër mjaft serioze, që ne kemi drejtuar apo i kemi dhënë mundësinë Komisionit të Venecias që të ndriçohet është: meqenëse këta janë pjesë e Këshillit të Europës dhe meqenëse i kanë zyrat ngjitur me Kongresin e Autoriteteve Lokale Vendore në Strasburg, a e kanë pyetur Kongresin e Autoriteteve Lokale të Strasburgut pse e kanë anuluar misionin e tyre monitorues për zgjedhjet në Shqipëri? Le të shohim, ne presim përgjigje. Unë e di përgjigjen, por a i kanë pyetur ata.

Gazetarja: Zoti President, në të njëjtën letër ju thoni: ekspertët në disa raste kanë tejkaluar kompetencat. Ju përsëri përdorni të njëjtën fjalë që ata kanë përdorur në draft-opinionin.

Presidenti Meta: Ata padyshim që i kanë tejkaluar kompetencat, sepse nuk kanë kompetenca ata për të përcaktuar nivelin e sigurisë në Republikën e Shqipërisë, as të sigurisë publike, as të sigurisë kombëtare. Ata nuk janë institucion i specializuar për çështje të sigurisë. Ata janë për çështjen e Kushtetutës dhe për çështjen e ligjit. Dhe te Kushtetuta ata duhet të thonë: Presidenti ka shkelur fjala vjen këtë nen apo ka shkelur këtë ligj, apo ka shkelur këtë afat kushtetues…

Gazetarja: …Ata ju thanë tejkalim kompetencash, gjithashtu edhe iu thatë kështu. Siç duket nuk e keni kapërdirë mirë këtë togfjalësh….

Presidenti Meta: Unë nuk pranoj asgjë që nuk qëndron dhe që nuk ka lidhje me misionin e tyre. Nëse ata duan të japin një material, një ushqim propagandistik dikujt, le t’ia japin, punë e tyre.

Unë kam Kushtetutën. Ja më thoni ju mua, a keni dëgjuar që Komisioni i Venecias është ekspert për çështje të sigurisë?

Dhe si mund të përcaktosh shkallën e sigurisë me tre veta që vijnë këtu tre muaj pas zgjedhjeve në një situatë krejt tjetër dhe të thonë se si ishte situata. A ishte kaq e rëndë apo nuk ishte kaq e rëndë? Këto janë muhabete kot. Ata kanë Kushtetutën, ata kanë legjislacionin, ata kanë Konventën Europiane për të Drejtat të Njeriut, që e kanë për kompetencë që ta mbrojnë dhe ta respektojnë. Kanë vendimet e Gjykatës së Stasburgut. Për këtë çështje janë ata. Nuk kanë kompetencë të merren me çështjet e OSBE/ODIHR-it, sepse kjo është edhe një mungesë etike dhe një mungesë respekti për institucionet e tjera demokratike.

Gazetarja: Por ju e pranuat si interlokutor Venecian, patët takim me ta. Që në fillim u shprehët që….

Presidenti Meta: …Po pse të mos i takoj? I kam takuar, ua kam thënë dhe sa herë do t’i takoj do ua them prapë dhe do të përpiqem t’i ndihmoj që të reflektojnë. Pse çfarë problemi ka? Unë nuk kam ndonjë shqetësim nga takimet.

Gazetarja: Problemi i vetëm që unë shoh është që një herë i pranoni si interlokutor, pra thoni se produkti që do të nxjerrin është i pranuar prej jush, pra nuk e keni thënë që në fillim se varet se cili do të jetë opinioni dhe në varësi të opinionit do ta pranojmë ose jo…

Presidenti Meta: Nuk më intereson fare kjo logjikë, sepse kjo është një logjikë inferiore dhe kjo është një logjikë larg argumentit dhe faktit. Flasim për Kushtetutë, flasim për fakte. Kush është neni që ka shkelur Presidenti i Republikës? Kaq! Pikë! Nëse nuk ka, muhabete le të bëjnë ata, teorira, përralla, etj., sa të duan.

Gazetarja: Ju thoni se nëse ky projekt miratohet siç është, atëherë çdo lider – po ju citoj – autokrat mund ta interpretojë këtë opinion të Komisionit të Venecias në favor të tij. Çfarë doni të thoni? Kjo tregon sipas jush që Rama po përdor gjetjet e Venecias dhe për çfarë?

Presidenti Meta: Jo, nuk është thjesht vetëm Rama.

Kjo lidhet me interpretimet e tjera të Komisionit, që nuk kanë të bëjnë me çështje të Presidentit, – ata nuk thonë askund që Presidenti ka bërë shkelje – , por me interpretimet që kanë bërë për situatën politike, për raportet e brendshme këtu që nuk është një kompetencë e tyre dhe me rëndësinë që gjoja e theksojnë të çështjes së procedurave të zgjedhjeve, jo të përmbajtjes së tyre dhe të thelbit të tyre në një demokraci siç e përcakton Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut. Siç e përcaktojnë vendimet e Gjykatës së Strasburgut që është shprehur për atë se çfarë kuptojmë me zgjedhje. Pra që nuk është thjeshtë një proces mekanik, por është një mundësi ndikimi midis të paktën dy alternativave që i jepet votuesit. Pra, vota nuk është procedurale, është substanciale. Dhe jo vetëm kaq, por me një kandidat vota nuk është e fshehtë, sepse kur shkon të votosh vetëm për një kandidat, që dihet publikisht, ti je i ekspozuar edhe përpara komunitetit, edhe përpara të gjithëve, je i identifikuar që ti shkon e voton për këtë kandidat.

Gazetarja: Pra, kur thoni lider autokrat keni parasysh Ramën?

Presidenti Meta: Nuk është vetëm çështja e Ramës. Por të shikojmë në gjithë rajonin e Ballkanit ka një rritje të autoritarizmit, ka një rënie të demokracisë, ka një kompromentim të institucioneve ndërkombëtare në raport me demokracinë, në raport me zgjedhjet e lira, në raport me shtetin ligjor, në raport me pavarësinë e institucioneve.

Ndaj Komisioni i Venecias ka për detyrë si një institucion që është ngritur për të mbrojtur demokracinë përmes ligji.

Të jetë gjithmonë në anën e ligjit për mbrojtjen e demokracisë dhe jo në anën e procedurave që justifikojnë krijimin e regjimeve autoritare.

Gazetarja: Edhe diçka për ta mbyllur me pjesën e Venecias…

Presidenti Meta: Kot e zgjate kaq shumë me Venecian, nuk ka asnjë vlerë për mua Venecia për këtë rast.

Gazetarja: Në mënyrë indirekte ju duket sikur e akuzoni për situatën aktuale politike. Ju thoni se projekt-opinioni ndezi polarizimin politik. Ju i bëni përgjegjës anëtarët e Komisionit të Venecias për polarizimin politik?

Presidenti Meta: Unë i bëj përgjegjës për daljen nga fusha e kompetencës së tyre dhe për të dhënë ushqim propagandastik të panevojshëm për çështje që ato nuk janë kompetentë. Është raporti i OSBE/ODHIR kompetent për të gjitha çështjet e procesit zgjedhor në datën 30 qershor në Shqipëri. Dhe OSBE/ODIHR ka qenë i ftuar nga qeveria e Republikës së Shqipërisë. Dhe raporti i OSBE/ODIHR është mundësia e artë dhe ndoshta e fundit që i jepet komunitetit ndërkombëtar për të rivendosur integritetin e tij në raport me zhvillimet në Shqipëri.

Është dokumenti më serioz, më i paanshëm, më i qartë, më i kthjellët, që mund të ndihmojë në rivendosjen e vendit vërtet në shinat e shtetit të së drejtës edhe të demokracisë.

Gazetarja: Zoti President, a mendoni se mazhoranca do ta finalizojë nismën e shkarkimit?

Presidenti Meta: Se çfarë do të bëjë mazhoranca unë nuk mbaj asnjë përgjegjësi. Unë e di që jam këtu në këtë zyrë ku jeni edhe ju sot dhe i gatshëm me ju edhe më datën 24 korrik 2022 të bëjmë një intervistë përmbyllëse. Sepse unë kam vënë dorën mbi Kushtetutë dhe unë e di shumë mirë se çfarë kam firmosur dhe çfarë firmos, kaq!

Gazetarja: Po thoni, çfarëdo vendimi që të marrë edhe Gjykata Kushtetuese?

Presidenti Meta: Unë përgjigjem vetëm përpara Kushtetutës dhe popullit shqiptar.

Gazetarja: Edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese?

Presidenti Meta: Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse është asgjësuar funksionimi…

Gazetarja: …Sot jo, por deri në vitin 2022…

Presidenti Meta: Nuk ka Gjykatë Kushtetuese, sepse është asgjësuar funksionimi i Gjykatës qëllimisht nga kjo mazhorancë, siç e dinë të gjithë përmes bllokimit të KED-së dhe pikërisht kjo u bë për të pasur një qeveri të gjithëpushtetshme, ta pagjykueshme, të pahetueshme, të pakontrollueshme.

Gazetarja: Dakord, por Gjykata Kushtetuese në një moment do të mblidhet. Nëse Gjykata Kushtetuese merr një vendim, çfarë do të bëjë Presidenti Ilir Meta?

Presidenti Meta: E dashur Eni, për mua kanë vetëm dy gjëra rëndësi. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ku jam betuar dhe populli shqiptar, kaq! Për të tjerat përgjegjësinë e kanë ata që i kanë kompromentuar të gjitha institucionet e tjera në këtë vend.

Gazetarja: Shpesh thoni që parlamenti ka 82 deputetë. A keni menduar ndonjëherë ta shpërndani atë?

Presidenti Meta: Që parlamenti nuk i ka 140 biem dakord, kemi konsensus këtu? Duhet që parlamenti të ketë 140 vota. Është në Kushtetutë. Tani ju po kaloni te numri 82. Mendimi im ose vlerësimi ka qenë shumë i qartë, që nga deklarata ime e Pogradecit, që nuk ka qenë një deklaratë e rastësishme, që ky parlament plotësisht legjitim ka 82 apo 83 deputetë, duke përfshirë dhe ata 3 deputetë të PD-së dhe të LSI-së që nuk pranuan të dorëzonin mandatet. Gjithçka tjetër pastaj është e diskutueshme në drejtim të ligjshmërisë sepse janë shkelur të gjitha procedurat që kemi ne për zëvendësimin e mandatave të deputetëve dhe padyshim dhe në kuptim të legjitimitetit, sepse ju e dini shumë mirë se cili është sistemi zgjedhor dhe se si caktohen deputetët. Dhe e dini shumë mirë që nuk janë 60 deputetë të opozitës që kanë dhënë dorëheqjen në bllok, por janë 182 deputetë dhe ish-kandidatë për deputetë nga listat e të gjitha partive opozitare që kanë refuzuar, që nuk kanë pranuar të jenë pjesë e këtij Parlamenti.

Gazetarja: Për dy pyetjet e fundit nuk mora përgjigje. Çfarë do të bëni me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe a keni menduar ta shpërndani Parlamentin?

Presidenti Meta: Unë u dhashë përgjigjen time, Presidenti përgjigjet para Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe para popullit shqiptar, kaq! Duan ta vënë Presidenti ta gjykojnë para popullit shqiptar? Zgjedhje për Presidentin sot, jo nesër dhe t’i vendosin Presidentit cilindo kandidat që ta mendojnë se do ta mbrojë Kushtetutën dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptarë më mirë se Presidenti aktual.

Gazetarja: Pra, kështu si kanë ardhur punët, ju a e mendoni një mandat të dytë në krye të Presidencës kurdo që të mbarojë i pari?

Presidenti Meta: Unë nuk kam hyrë në zyrë me idenë që do të kem një mandat të dytë apo nuk do të kem. Madje, nuk është se kam dashur që të hyj në këtë zyrë….

Gazetarja: …Jeni penduar që keni hyrë në këtë zyrë?

Presidenti Meta: Jo aspak, unë nuk pendohem asnjëherë, sepse vendimet i marr në kontekst të rrethanave kur jam i detyruar të marr vendimet. Kam hyrë këtu sepse ka qenë një situatë krize, për të ndihmuar në tejkalimin e asaj krizës së atëhershme dhe jo vetëm që nuk jam penduar, por jam mjaft krenar për atë që mundësi dhe për atë rol që kam luajtur dhe mund të luaj këtu për të evituar disa gjëra të rënda për popullin shqiptar dhe për kombin shqiptar.

Gazetarja: Pra, po të ktheheshit mbrapa do ta ribënit të njëjtën zgjedhje duke pasur parasysh se si rrodhën ngjarjet?

Presidenti Meta: Në ato rrethana pa asnjë dyshim, nuk kam marrë asnjë vendim të gabuar në tërësi për shkak të rrethanave kur janë marrë këto vendime.

Gazetarja: Po sot do ta kishit ribërë po të kishit parasysh të gjitha ngjarjet?

Presidenti Meta: Po të ishte e njëjta situatë si atëherë, patjetër.

Gazetarja: Do të shkoni në Venecia personalisht?

Presidenti Meta: Për Bienalen do të shkoj kur të kem kohë, por për këtë çështje nuk e shikoj kaq të rëndësishme për të shkuar atje.

Gazetarja: Zoti President, shpeshherë kohët e fundit ju keni deklaruar se jeni në një lloj misioni për t’i shërbyer popullit dhe jo në punë, pra jo një vend pune në Presidencë. Është dëshira e juaja ky mision apo ndjeheni kushtëzuar nga rrethanat?

Presidenti Meta: Natyrisht që rrethanat nuk janë normale, nuk janë të zakonshme dhe fakti që ne po flisnim kaq shumë për një çështje që nuk duhet të ekzistonte, pse nuk duhet të ekzistonte? Sepse normalisht zgjedhjet në Shqipëri duhet të ishin zhvilluar, duhet të kishin qenë gjithëpërfshirëse, demokratike, të padiskutueshme, të pakontestueshme dhe tani ne duhet të merrnim një “PO” të qartë pa kushte për çeljen e negociatave, sepse kemi 3-4 vjet që po e presim këtë moment. Por ju të gjithë e dini se rrethanat kanë qenë të jashtëzakonshme dhe si mund të jenë rrethana normale në një vend që është pa Gjykatë Kushtetuese, që është pa Gjykatë të Lartë, që është një vend ku nuk ekziston llogaridhënia në asnjë instancë dhe në asnjë institucion, duke filluar që nga Kuvendi. Pra është padyshim….

Gazetarja: Cili bëni përgjegjës për këtë situatë zoti President, që ju e përshkruani me këto nota, që në vend nuk ka institucione e kështu me radhë?

Presidenti Meta: Atë që nuk mund të bëj përgjegjës është vetëm Presidenti i Republikës, më falni për mungesën e modestisë, sepse i ka bërë të gjitha përpjekjet që vendi të kishte një reformë në drejtësi me konsensus dhe kjo u bë falë përpjekjeve të mia si Kryetar i Kuvendit para tre vitesh. Më pas kam bërë çdo gjë që Gjykata Kushtetuese të krijohej në kohë. Këtë e kam bërë dhe si kryetar Kuvendi kur është hedhur shorti në vitin 2017 për krijimin e KED-së, që më pas u bllokua dhe u sabotua nga mazhoranca.

Gazetarja: Dakord, ju nuk keni faj, po kush e ka fajin?

Presidenti Meta: Unë besoj se po ua jap përgjigjen, edhe në 2018-n si President kam bërë përpjekjen më të mirë për të parandaluar përsëri kontestimin dhe bllokimin e KED-së, që bën edhe rankimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha përpjekjet, për dialogun i kam bërë, që situata mos të vijë këtu.

Me pak fjalë ne kemi një kryeministër, i cili politikën e nxitjes së konfliktit e ka kthyer në një strategji të qeverisjes me qëllim që të mbulojë gjithashtu dhe atë politikë polarizimi, jo vetëm politik, por edhe shoqëror, edhe ekonomik që po ndodh në vend, dhe për të shmangur vëmendjen e opinionit, të shoqërisë, të të gjithëve nga mënyra e qeverisjes, nga cilësia dhe integriteti i saj nga mbajtja e premtimeve konkrete dhe për t’u shfokusuar te shashkat te konfliktet te batutat.

Gazetarja: Në fakt a është dualiteti Rama-Meta që po e mban peng shoqërinë në një farë mënyre? Ky duel politik “balozësh”, le ta quajmë kështu, njerëzish të rëndësishëm politikë?

Presidenti Meta: Kjo është tërësisht e pavërtetë. Këtu kemi të bëjmë me një dëshirë të jashtëzakonshme të kryeministrit për të kontrolluar gjithë jetën institucionale, politike dhe ekonomike në vend, kjo është tërësisht e qartë. Ndërsa përsa i takon Presidentit, më duket se kam qenë shembulli më i qartë i respektimit të Kushtetutës, respektimit të institucioneve të tjera dhe i bashkëpunimit me qeverinë dhe me gjithë të tjerët brenda kompetencave të mia.

Besoj që ky është një konkluzion i sponsorizuar dhe nuk kemi një problem midis Ramës dhe Metës, por kemi një problem midis kryeministrit tonë, me pluralizmin politik, me zgjedhjet e lira, me demokracinë dhe me shtetin e së drejtës. E ka shumë të vështirë të jetojë në respekt dhe në harmoni të të gjitha këtyre parimeve dhe koncepteve, që janë fondamentale për demokracitë e shëndetshme.

Gazetarja: E mendonit kështu edhe kur bashkëqeverisnit, apo ka ndryshuar Rama, pas bashkëqeverisjes me ju , është bërë i tillë pas bashkëqeverisjes?

Presidenti Meta: Nuk jam këtu, për të bërë këto komente,

Gazetarja: Sepse zonja Kryemadhi ua lë ju përgjegjësinë për zgjedhjen e Edi Ramës kryeministër…

Presidenti Meta: Patjetër, edhe këtu opozita nuk është se nuk shkëlqen në transferimin e përgjegjësive te të tjerët dhe që nuk merr dot përgjegjësitë e saj në kohë për të parandaluar konflikte apo për të mos rënë viktimë e politikës së aktit të kryer që bën kryeministri për t’i vendosur ata gjithmonë në pozita të vështira dhe për t’i provokuar dhe për t’i nxjerrë jashtë institucioneve. Unë përgjegjësitë e mia i kam mbajtur në çdo kohë, në çdo detyrë që kam patur. Këtu në detyrën e Presidentit jam i sigurt dhe jam i bindur që kam bërë më të mirën dhe do të bëj më të mirën për të respektuar Kushtetutën dhe për t’u sjellë si një President i shtetit të së drejtës.

Gazetarja: Zonja Kryemadhi shkon dhe më tej duke thënë nëse do kisha 98 deputetë do e shkarkoja Presidentin, pikërisht për përgjegjësinë që ai ka për mbajtjen në pushtet të zotit Rama me gjithë problematikat që i solli vendit. A keni ndonjë koment për këtë?

Presidenti Meta: Nuk më mbetet që tjetër vetëm të them shyqyr që ka ik nga Parlamenti, sepse tani nuk ka asnjë deputet.

Gazetarja: Megjithatë, unë dua t’i rikthehem pak më pas edhe marrëdhënies me zonjën Kryemadhi si kryetare e LSI-së sigurisht. Por, qëndrojmë pak tek Edi Rama, cila është ajo krisja e madhe që ka ndodhur mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, që ka sjellë konfliktualitet që ne shohim sot mes Presidentit dhe Kryeministrit?

Presidenti Meta: Po pse ju shikoni konfliktualitet vetëm midis Presidentit dhe Kryeministrit? Nuk shikoni ju konfliktualitet midis kryeministrit dhe mediave?

Gazetarja: Dakord, por ai është për një emision tjetër. Këtu jemi për Presidentin

Presidenti Meta: Dakord, por ua them këtë gjë, sepse ua thashë që qëllimi për të krijuar idenë, që këtu kemi një konflikt të disave është një ide e sponsorizuar.

Gazetarja: Po ka një konflikt këtu. Qeveria rrëzon çdo dekret tuajin, nuk boton në Fletoren Zyrtare dekretet, çfarë mund t’i ndodhë më shumë një Presidenti?

Presidenti Meta: Ky nuk është konflikt, është çmenduri, sepse të shkelësh Kushtetutën, të mos zbatosh dekretin e Presidentit, të bësh një veprim të paligjshëm, siç thotë edhe raporti i OSBE/ODIHR-it, që në mënyrë të paligjshme nuk u botua dekreti i Presidentit në Fletoren Zyrtare, që është përgjegjësi e qeverisë dhe e Ministrisë së Drejtësisë, këto janë akte skandaloze të dhunimit të shtetit të së drejtës, aq më tepër që bëhen nga qeveria apo nga parlamenti, siç ishte veprimi me rezolutën ndaj dekretit. Pra, këto nuk janë çështje personale, këto janë raporte me shtetin.

Gazetarja: Por janë dhe personale. Kryeministri përplaset me Presidentin, po ata janë dhe persona Rama dhe Meta…

Presidenti Meta: Është përplasje e kryeministrit me ligjin, është përplasje e kryeministrit me Kushtetutën.

Gazetarja: Zoti President, Ju keni deklaruar se e keni takuar në Pallatin e Brigadave, por z. Rama sërish do që t’ju shkarkojë. Një takim për të cilin ai nuk flet. Ju flisni për këtë takim dhe Rama, jo. Si e shpjegoni këtë gjë?

Presidenti Meta: Ato që kam thënë janë muhabetet e korrikut e të gushtit, kalojmë te ndonjë gjë e re.

Gazetarja: Jam kurioze të di çfarë u diskutua aty? Mund të presim të reja rreth atyre takimeve? A janë përsëritur ato takime që atëherë?

Presidenti Meta: Këto kanë qenë takime para dekretit tim të datës 10 qershor me idenë për të gjetur një zgjidhje për të kaluar atë krizë pa përplasje, pa konfrontime dhe të caktonim një datë të re për zgjedhje gjithëpërfshirëse vendore. Pra, ka kaluar ajo kohë.

Gazetarja: Që atëherë nuk jeni takuar më dhe nuk ka patur tentativa ndërmjetësimi, paqtimi apo ulje në tryezë?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë arsye për t’u ndierë i armiqësuar me dikë dhe me askënd. Unë, jam këtu, jam në krye të detyrës.

Gazetarja: Një komision hetimor parlamentar, nuk është arsye?

Presidenti Meta: Nuk më shqetëson fare mua, se çfarë bën parlamenti, është e drejta e parlamentit. Mua më shqetëson çfarë bën Ilir Meta. Ilir Meta, mbron Kushtetutën në mënyrën më të qartë, më kushtetuese, më demokratike, më patriotike. Kaq!

Gazetarja: A ndiheni person nën hetim zoti Presidenti?

Presidenti Meta: Zero! Hetim nga kush?

Gazetarja: Nga komisioni parlamentar.

Presidenti Meta: Hetim nga ata që, kanë shkelur nenin 155, që i kanë rrëmbyer në mënyrë të ndërgjegjshme dhjetëra miliona euro buxhetit të shtetit, qytetarëve shqiptarë? Që kanë shkelur parimin e barazisë së subjekteve para ligjit. Si mendon ti? Se nuk dua të përmend 100 raste të tjera. Duan të bëjnë propagandë, le të bëjnë propagandë. Në qoftë se dikush ua beson propagandën, le t’ua besojnë.

Gazetarja: A është kjo beteja më e madhe politike e jetës suaj?

Presidenti Meta: Jo, kjo s’është fare betejë për mua, as e llogaris fare si betejë. Gjëja më e parëndësishme që më ka ndodhur në jetë, në kuptimin personal. Për shtetin nuk është serioze, sepse për çfarë po hetohet ky President? Ky President po hetohet se ka nxjerrë dekret. Po çfarë punë ka Presidenti? Presidenti ka dy punë: Të japë mesazhe dhe të nxjerrë dekrete. Presidenti nuk mban asnjë përgjegjësi thotë Kushtetuta për aktet e tij gjatë detyrës. Aq më tepër që ky dekret i ka shërbyer vendit, i ka shërbyer demokracisë, i ka shërbyer paqes sociale.

Gazetarja: Sipas jush, se palët shohin në mënyra të ndryshme.

Presidenti Meta: Ka shmangur një konflikt, ka shmangur gjakderdhjen. Se këtu ka vetëm një palë, e cila ka konflikt interesi, se ai i donte zgjedhjet vetëm, me kandidatët e vet, me votuesit e vet. Kaq!

Gazetarja: Por, duket se Komisioni i Venecias po e mbështet pavarësisht ideve fikse…

Presidenti Meta: Komisioni i Venecias ka zero vlerë përsa i takon zgjedhjeve të 30 qershorit. Komisioni i Venecias, ka vetëm një detyrë, të thotë nëse Presidenti ka shkelur Kushtetutën, cilin nen të Kushtetutës ka shkelur, ku e ka shkelur. Kaq!

Gazetarja: Dhe pastaj ju jepni dorëheqjen nëse e thotë këtë?

Presidenti Meta: Në qoftë se më bind, po. Në qoftë se më bind, se mund t’ia fusë kot.

Gazetarja: Prisni ndonjë surprizë nesër? Ndoshta ju bind nesër dhe jepni dorëheqjen?

Presidenti Meta: Nesër e kam mendjen të Kombëtarja, ju mbajeni të Venecia.

Gazetarja: Nëse Venecia thotë e ka shkelur në këtë nen dhe në këtë paragraf?

Presidenti Meta: Nuk ekziston një shqetësim i tillë, sepse unë e di Kushtetutën shumë herë më mirë se sa Venecia. Unë kam vetëm një shqetësim për nesër, Kombëtarja. Jemi të shqetësuar se na është dëmtuar Hysaj, shpresojmë ta kompensojmë këtë mungesë. Do të kisha shkuar në Stamboll, por nuk kishte bileta. Dje u kujtova dhe nuk kishte bileta.

Gazetarja: Dhe ju nuk jeni nga ata Presidentë, të cilët marrin çarter për të shkuar për parë një ndeshje?

Presidenti Meta: Jo, atë nuk e bëj dot. Nuk kam as kohë të shkoj me biçikletë se mund të ikja edhe me biçikletë.

Gazetarja: Zoti President, ju përmendet në një intervistë një dosje fasadash, lyerjesh, një dosje të Edi Ramës, që e ruani akoma. Ishte akuzë apo shantazh ndaj kryeministrit?

Presidenti Meta: Nuk merrem unë me shantazhe.

Gazetarja: Po pse e ruani akoma?

Presidenti Meta: Ajo, ishte për t’i dhënë një sqarim kolegut tuaj, se po më thoshte mua që thotë Rama se ju keni shqetësime nga drejtësia dhe unë i thashë: Nëse ka ndonjë njeri në këtë vend, që e di më mirë se kushdo tjetër sesa i rregullt jam unë në raport me ligjin, është Rama dhe ata që kanë punuar me mua. Për shembull i thashë kur kam qenë kryeministër dhe Rama ishte ministri im, të gjithë e dinë që në mbledhjet e qeverisë nuk kalonte asnjë vendim pa konsensus. Pra në qoftë se dikush e kundërshtonte, që kishte vërejtje për anën ligjore, financiare apo aspektet e tjera dhe e di aq mirë Edi, sa 4-5 herë janë kthyer mbledhjet e qeverisë, sepse kolegët e tij kundërshtonin aktet që ai sillte, për shembull për çështjen e fasadave. Pra, e kisha në kuptimin e përgjegjshmërisë që unë kam patur dhe e kam gjithmonë në ushtrimin e detyrave të mia në raport me ligjin.

Gazetarja: Nuk është se e keni dosjen e fasadave?

Presidenti Meta: Ato i kam të gjitha unë, se unë çfarë firmos i mbaj për të gjitha një kopje, se ti e ke parasysh se çfarë ndodh këtu. Mund të ndodhë çdo gjë në kuptimin e falsifikimit, të ndërrimit të gjërave.

Gazetarja: Pra, i keni të gjitha dosjet e Edi Ramës?

Presidenti Meta: Kam ato që kam firmosur unë si kryeministër, si Ministër i Jashtëm, si President.

Gazetarja: Dosje të tilla problematike si ajo e fasadave nga Edi Rama, a keni?

Presidenti Meta: Atje duhet të jenë të gjitha në kuptimin e seriozitetit të dokumentimit të çdo akti. Njeriu duhet të jetë i përgjegjshëm për çdo akt që firmos, aq më tepër kur kemi të bëjmë me çështje që kanë të bëjnë më ligjin, që kanë të bëjnë me financat, që kanë të bëjnë me interesin publik.

Gazetarja: I ruani thjesht si materiale arkivore, apo mendoni se do i përdorni një ditë?

Presidenti Meta: Jo, janë materiale të domosdoshme. Ma ka mësuar Anastas Angjeli këtë gjë, që letrat duhen të ruhen të gjitha se është tregues i përgjegjshmërisë publike, se nuk është thjeshtë për histori e për arkiv.

Gazetarja: Mendoni se mund t’i përdorni?

Presidenti Meta: Po, edhe mund t’i përdor në kuptimin e kujtimeve, në kuptimin e rikthimit për të parë relacione, çështje të caktuara, ç’lidhje ka. Por, kjo është çështje e seriozitetit në përmbushjen e një detyre.

Gazetarja: Pra, thjesht i keni ruajtur si arkivë, nuk janë dosje problematike?

Presidenti Meta: Po, si arkivë. Një ditë do i çoj tek Arkivi i Shtetit, që t’i ketë arkivi, t’i kenë edhe historianët kur të gjykojnë për momente të caktuara të këtyre viteve, të këtyre dekadave.

Gazetarja: Më datën 13 qershor, Edi Rama deklaroi në Kuvend, se Kryemadhi dhe Basha, janë kukulla që komandohen nga Ju dhe Berisha. A keni një koment për këtë? Është jo e rrallë akuzë që ju bëjnë se kryesoni opozitën.

Presidenti Meta: Ai duhet të jetë i sigurt që nëse do ta kisha kryesuar unë opozitën situata do ishte krejt tjetër. Por, pa hyrë në sferën e kompetencave të opozitës dhe as të kryeministrit, unë bëjë vetëm detyrën time si President i Republikës. Unë nuk kam qenë aspak dakord me vendimin e opozitës për lënien e mandateve, më duhet ta përsëris këtë për herën e 1000-të. Jam shprehur për këtë, jo që kur u lanë mandatet, por që kur u shpreh ky mendim në publik. Sepse unë, e kam ditur e kam parashikuar se cila do të ishte dhe sjellja e Edi Ramës, nuk do të ishte një sjellje e përgjegjshme, për të reflektaur për të krijuar një normalitet demokratik në parlament. Ai do i provokonte, do të nxiste menjëherë zëvendësimin e tyre, krijimin e një lloj opozite gjoja fasadë. Për këtë disa nga ndërkombëtarët i kishte gati të përpunuar për t’u justifikuar.

Gazetarja: Si e shpjegoni ju që opozita nuk ju dëgjoi, që zonja Kryemadhi nuk ju dëgjoi, duke pasur parasysh eksperiencën e madhe politike që ju keni?

Presidenti Meta: Unë nuk dua të merrem me analiza të tilla. E kam thënë që ky ka qenë një vendim i Partisë Demokratike kryesisht dje i zotit Basha. Unë s’kam qenë ato ditë në Shqipëri, kam qenë në Gjermani. Zonja Kryemadhi i ka dhënë besën zotit Basha, kjo është përgjegjësia e saj dhe është përgjegjësi e të gjithëve për rrugën që ata kanë zgjedhur. Unë nuk kam asnjë shqetësim për çështjen e vendimeve që merr opozita. Vendimi im për zgjedhjet nuk ka të bëjë me opozitën dhe as me plotësimin e tekave, këtë gjë e kam bërë shumë të qartë. Ka të bëjë me kriteret e Kopenhagenit dhe me disa detyrime minimale që ka Shqipëria, që i ka të domosdoshme për t’i përmbushur për çështjen e zgjedhjeve, ku të paktën të ketë kandidatë formal të ligjshëm për zgjedhje, alternativë.

Gazetarja: Është e vërtet që ju i shprehni pakënaqësinë për djegien e mandateve bashkëshortes suaj, Kryemadhi, çdo mëngjes? Ua bëj këtë pyetje, sepse ka qenë një deklaratë e saj.

Presidenti Meta: Nuk është se fle çdo natë me Monikën, kështu që nuk ndodh çdo mëngjes kjo.

Gazetarja: Vërtet? Me kë flini çdo natë zoti President?

Presidenti Meta: Ne kemi axhenda të ndryshme.

Gazetarja: Zoti Meta, çfarë është LSI-ja, sot për ju?

Presidenti Meta: LSI-ja për mua sot është si 50 parti të tjera që janë sot në Shqipëri. Kaq, asgjë më shumë.

Gazetarja: Në mos gabojë keni thënë që ka qenë vendimi juaj politik më i mirë themelimi i LSI-së. Nuk e konsideroni më kështu?

Presidenti Meta: Unë po flas si President, nuk po flas si Ilir. Si President për mua LSI-ja është si 50 parti të tjera të Shqipërisë.

Gazetarja: A duhet besuar kjo po të kemi parasysh se e keni drejtuar, ka qenë partia që ju e keni themeluar, e keni dashur, e keni rritur, i keni dhënë rezultate shumë të mira?

Presidenti Meta: Unë prandaj jam kaq i qartë dhe i ftohtë në këtë raport, sepse unë kam dhënë gjithçka për LSI-në kur kam patuar ato detyrimet e mia ndaj LSI-së. Tani LSI-ja të eci vetë.

Gazetarja: Sepse duket e pakuptimtë dhe e vështirë për t’u kuptuar edhe nga teleshikuesit, kur ju thoni për shembull opozita është e papërgjegjshme, po të kemi parasysh që gjysmën e opozitës e keni në shtëpi? Një nga partitë kryesore, drejtohet nga bashkëshortja juaj.

Presidenti Meta: Unë mendoj që nuk duhet të ngatërrojmë çështjet e sjelljes publike me raportet personale apo me raporte familjare. Ato janë zgjedhje të LSI-së, mban përgjegjësi vetë LSI-ja, e gjykon populli shqiptar, e gjykon qytetari shqiptar. Qëndrimet e mia janë plotësisht të sinqerta, tërësisht të përgjegjshme dhe ky lloj debati nuk mund të spostojë kurrsesi vëmendjen nga përgjegjësitë, që ka qeveria për mbarëvajtjen e vendit, për mbarëvajtjen e institucioneve demokratike, për përgjegjësinë që ka maxhoranca për të garantuar standardet më normale, demokratike të funksionimit të Kuvendit, të marrëdhënieve me gjithë institucionet e tjera. Pastaj, se çfarë bën opozita kjo është një përgjegjësi e saj.

Gazetarja: Pyetja e fundit për LSI-në, partinë që ju themeluat. Zonja Kryemadhi tha që nëse shkarkoheni nga detyra e Presidentit, nuk ua lë partinë.

Presidenti Meta: Zonja Kryemadhi nuk ka pse të ketë shqetësime të tilla, sepse nuk kam ndërmend të kandidoj ndonjëherë për një çështje të tillë.

Gazetarja: Pra, nuk do riktheheni asnjëherë në krye të LSI-së?

Presidenti Meta: Më duket se e kam bërë të qartë që angazhimi im është për çështje të mëdha mbarëkombëtare dhe nuk do të jetë për çështje të karakterit parcial apo ideologjik.

Gazetarja: Pas Presidencës e kishit fjalën sigurisht?

Presidenti Meta: Tani, unë për të ardhmen e kisha, nga sot e nesër.

Gazetarja: Do t’i kishit shtyrë zoti President zgjedhjet e 30 qershorit vetëm për të shpëtuar politikisht opozitën? Ju akuzoheni për këtë, po ju vetë a do ta kishit bërë këtë?

Presidenti Meta: Po unë e bëra për të shpëtuar Edi Ramën, se opozita nuk kishte çfarë të humbiste më shumë. Çfarë do të humbiste opozita?

Gazetarja: Pse do ta shpëtonit Edi Ramën, kur duket se është një rival i juaj?

Presidenti Meta: Po unë doja ta shpëtoja Edi Ramën, sepse Edi Rama ka harruar historinë e Qazim Mulletit, dhe meqenëse e ka harruar mund t’ia tregojnë në Pezë, se atje ia kanë treguar dhe e kam dëgjuar dhe unë për herë të parë nga një veteran.

Kishin rrethuar Kajo Karafilin këta njerëzit e Qazim Mulletit këtu në Tiranë, edhe i thonë Qazim Mulletit që i kemi rrethuar Kajon dhe ja kemi mbyllur të gjitha shtigjet dhe do ta këpusim. Vërtetë, i thotë ai? Po, nuk ka shteg ku del ai i gjallë nga Tirana do ta zhdukim, i thonë! Budallenj, tha, lërini një shteg të ikë shpejt se përndryshe do na vijë këtu tha dhe do na bëj copë-copë!

Kështu që morali është ky: që kundërshtarit lëri gjithmonë një shteg të hapur, përndryshe përplasjen asnjëherë nuk mund ta parashikosh se çfarë pasojash mund të ketë. Qazim Mulleti ka qenë njeri i mençur, lerë se çfarë thoshin ata se ju duhej për qëllime propagandistike, por ka qenë njeri shumë i mençur. Në Pezë e kam mësuar këtë histori se atje për Kajo Karafilin dhe për Babë Myslymin flasin gjithë ditën.

Gazetarja: Zoti President ju thoni kështu, por Kryeministri thotë dhe pretendon se Shqipëria ju ka thënë gjithçka, sepse pa bërë 50 vjeç keni qenë Kryeministër, Kryetar Kuvendi dhe President. Dhe më tej ka vazhduar, po e citoj, askujt më shumë se Ilir Metës nuk i janë falur përçartjet, skandalet dhe i është dhënë kaq herë mundësia për të rilindur i penduar.

Presidenti Meta: Kam thënë që do të ketë mjaft materiale për Arkivin e Shtetit për të gjykuar këto raportet e 20 viteve, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Por e rëndësishme është që unë i jam shumë mirënjohës Shqipërisë edhe shqiptarëve për atë mundësi që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve të angazhimit në politikë. Duke ndjerë detyrime ndoshta edhe për gabimet, apo ndoshta për sjellje jo shumë të kujdesshme në të kaluarën apo për çdo gjë tjetër, nuk ka rëndësi, unë jam absolutisht shumë i vendosur për të bërë gjithçka që të mbroj interesin kombëtar, të mbroj interesin publik, të mbroj Kushtetutën e të gjithë shqiptarëve.

Gazetarja: Zoti President, si e vlerësoni lidershipin e Lulëzim Bashës para, gjatë dhe pas 30 qershorit, vendimet e tij në ato ditë deçizive?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të hyjë në këto komente. Unë mendoj që opozita ka një përgjegjësi shumë të madhe për të ardhmen e vendit dhe duhet të mendojë, jo hapin e dytë, por dhe hapin e pestë kur hedh hapin e parë, pra duhet të ketë një strategji të mirëmenduar dhe plotësisht të përgjegjshme.

Unë nuk kam qenë dakord me të dyja filozofitë, filozofinë e Kryeministrit për kapjen e gjithë pushteteve, që është shumë e qartë dhe shume evidente sot, sikurse nuk kam qenë dakord me strategjinë e opozitës për delegjitimimin e gjithë institucioneve, siç faktikisht ka ndodhur dhe këto janë dy rrugë që nuk takohen me njëra-tjetrën dhe që e ndajnë Shqipërinë. Kështu që duhet një reflektim nga të dyja palët, pra nga mazhoranca dhe nga opozita sa më shpejt, që vendi të rivendoset në normalitet në shinat kushtetuese në rrugë demokratike.

Gazetarja: Do ndërhyni më për zgjidhjen e ngërçit politik zoti President apo jeni dorëzuar në lidhje me këtë?

Presidenti Meta: Unë po hetohem pse ndërhyra për ta zgjidhur. Ky është paradoksi më i bukur në Shqipëri, megjithatë unë jam i palodhur për të dhënë kontributin tim. Unë jo vetëm ndërhyra për ta zgjidhur, por dhe përpara se të ndërhyja kam mbështetur iniciativën e vetme publike të ndërmarr nga një palë ndërkombëtare, sikur ishte qëndrimi zyrtar i CDU/CSU më 23 maj, që ofronte dhe një moderim të sajin për zgjidhjen e krizës.

Gazetarja: Jeni i gatshëm t’i thërrisni në tryezë përsëri?

Presidenti Meta: Më fal, kam kërkuar edhe zyrtarisht OSBE-në në Vjenë, sekretaren e përgjithshme dhe gjithë institucionet e tjera që të luajnë një rol për të tejkaluar këtë ngërç. Dhe unë isha i gatshëm që t’i mbështesja dhe t’i mbështes brenda të gjithë mundësive të mia, por dihet në të gjitha rastet pastaj se kush i ka bllokuar të gjitha këto iniciativa.

Gazetarja: Pra jeni i gatshëm të vazhdoni sërish të punoni për zgjidhje, t’i thërrisni në tryezë për dialog apo do qëndroni në distancë?

Presidenti Meta: Unë jam i gatshëm të punoj me të gjithë ata që duan të punojnë që vendi t’i rikthehet sa më shpejt normalitetit të bashkëjetesës demokratike, të përmbushë të gjitha ato detyrime që ka në raport me proceset e integrimit europian. Edhe të rikthejë shpresën, se ky është një vend që ka të ardhme dhe nga i cili njerëzit nuk duhet të largohen më në mënyrë që t’i japim fund fenomenit të shpopullimit.

Gazetarja: Pyetja e fundit për opozitën. Pesë pika ka publikuar për Reformën Zgjedhore, mendoni që është një mënyrë për ta zgjidhur ngërçin politik ose është një hap drejt zgjidhjes?

Presidenti Meta: Unë mendoj që Reforma Zgjedhore duhet të ecë përpara, mendoj që raporti final i OSBE-ODHIR është platforma më e mirë për të reflektuar gjithë shqetësimet e problemeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Mendoj që opozita duhet të tregohet aktive në drejtim të dialogut, po jo dialog për dialog, por dialog për të adresuar dhe për t’i zgjidhur problemet në mënyrë të besueshme.

Opozita gjatë këtij procesi dialogu duhet të kërkojë një ndërmjetësim të besueshëm, dhe jo vetëm kaq, por dhe duhet të dokumentojë të gjitha bisedimet që do të zhvillohen në mënyrë që mos bëj atë gabim tragjik, që bëri me reformën në drejtësi. Që i bënte bisedat, një herë te Rogneri, një herë i bënte te Sheratoni, një herë i bënte nëpër zyra dhe në fund fare nuk kishte asnjë dokumentacion se për çfarë ishte rënë dakord dhe se për çfarë nuk ishte rënë dakord dhe pastaj u vendos para faktit të kryer të akuzave, që gjoja sabotonte reformën. Pra, duhet të nxjerrë mësime nga e kaluara.

Gazetarja: Pra duhet të mbajë protokoll? Të regjistrohet çdo gjë po thoni se më pas palët…

Presidenti Meta: Në rast se duan, në rast se nuk duan dhe të bëjnë dialog që të dali pastaj dhe të thonë “ti më the kështu, unë të thashë ashtu”, ai nuk është dialog.

Gazetarja: Kaq mosbesim ka sot midis palëve të politikës shqiptare zoti Meta? Se praktikisht i bie që dikush ka mashtruar.

Presidenti Meta: Kaq mosbesim… po të kishte besim ne do të kishim në Parlament normal ne do të kishim zgjedhje vendore normale, ne do të kishim një drejtësi që funksiononte dhe që askush nuk e kontestonte. Pse jemi në këtë situatë? Sepse ka mosbesim, sepse ka dëshirë për intriga, për ngatërresa, për të mos mbajtur asnjëri përgjegjësi, dhe këto janë kostot që vuajnë qytetarët shqiptarë. Prandaj çdo gjë duhet dokumentuar, sepse kështu bëhen gjërat serioze.

Gazetarja: Një pyetje shumë të shkurtër për një procedurë që i takon Presidencës. Të martën Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) i përcolli Presidentit të Republikës listën me 6 kandidatë. Sipas ligjit brenda 30 ditësh duhet zgjedhur anëtari me një nga tre emrat e parë të listës. A jeni gati ta bëni këtë?

Presidenti Meta: Kjo është një çështje që i takon javës së ardhshme. Sot kam patur një angazhim mjaft të rëndësishëm me forumin “U’ Jam Arbëresh”, që është një nismë e re e Presidentit të Republikës dhe çështje të tilla presin për javën që vjen.

Gazetarja: Ka gjasa që një nga anëtarët e rinj të Kushtetueses të mbështetur nga ju do t’i duhet të vendosë më pas për fatin tuaj politik?

Presidenti Meta: Nuk më intereson fare se çfarë vendosin të gjithë anëtarët e Kushtetueses, mua më intereson Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, kaq!

Ju jeni qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe ju nuk jeni qytetare e painformuar, më gjeni një nen të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që ju të thoni zoti President më duket se ju keni shkelur këtë nen. Unë ua thashë një nen shumë të qartë dhe flagrant që ka shkelur Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, që ka sjellë dëm me pasoja të mëdha për financat publike dhe për buxhetin e shtetit.

Gazetarja: Zoti President, meqenëse jemi te reforma, a keni besim te ngritja, tek eficienca e SPAK-ut dhe e BKH-së?

Presidenti Meta: Tani mos hyjmë te kjo çështje, sepse dihet që zbatimi i njëanshëm i reformës ka sjellë këtë situatë dhe nuk ka qenë i rastësishëm insistimi për ta zbatuar reformën në mënyrë të njëanshme.

Gazetarja: Ju vetë i druheni përdorimit politik të këtyre institucioneve, në qoftë se janë të njëanshme siç thoni ju?

Presidenti Meta: Kjo është një pyetje, – më fal që po ua them -, po i ka dalë boja kaq shumë, që unë t’i druhem një përdorimi politik të një drejtësie të ndërtuar në mënyrën më të shtrembër. Unë i druhem vetëm qytetarëve shqiptarë, ditën që nuk jam në gjendje të dal para qytetarëve shqiptarë, të flas para tyre, edhe të mbroj punën time dhe aktet e mia, ai është problemi im, të tjerat janë përralla kot.

Asnjë institucion i drejtësisë së re nuk është ndërtuar në afatet kushtetuese, dhe këtë e ka bërë ky Parlament. Më gjej një institucion të drejtësisë që është ndërtuar dhe është krijuar në afatet kushtetuese? Asnjë, përveç të tjerave.

Gazetarja: Flasim për 18 tetorin përderisa nuk doni të flasim për “Ramaformën”, zoti Meta. Unë ua u bëra pyetjen, a i druheni përdorimit politik për shkak edhe të gjitha vlerësimeve që ju keni dhënë në lidhje me këtë, por në qoftë se nuk doni të ktheni përgjigje…

Presidenti Meta: Eni, dallimi midis një njeriu që ka frikë dhe që nuk ka frikë, është ky: ai që nuk ka frikë vdes vetëm një herë, ai që ka frikë vdes çdo ditë. Kështu që mjerë kush mendon që është i pavdekshëm.

Gazetarja: Sipas jush Rama ka frikë çdo ditë?

Presidenti Meta: Unë të thashë që këto janë pyetje të pavlera.

Gazetarja: 18 tetori po afron. Ka gjasa që të shpërndani dekorata siç keni deklaruar, e keni thënë në një konferencë për shtyp?

Presidenti Meta: Tani të presim 18 tetorin, e rëndësishme është që të kemi një lajm sa më të mirë.

Gazetarja: Ju keni informacione jeni optimist?

Presidenti Meta: Do të isha shumë optimist nëse nuk do të kishim pasur ato situata që patëm në qershor, edhe në korrik edhe mundësia që unë dhashë pikërisht kjo ishte, për të qenë shumë më optimist. Megjithatë, le të shpresojmë që do të ketë një derë të hapur pavarësisht se rruga nuk do të jetë e lehtë.

Gazetarja: Ndjeni ju përgjegjësi personale zoti Meta për këtë vonesë?

Presidenti Meta: Vonesën e kujt?

Gazetarja: Vonesën e integrimit të Shqipërisë, ua shpjegoj tani pyetjen. Ju keni qenë një ndër politikanët më aktivë sigurisht të post-komunizmit në postet më të larta drejtuese. Keni drejtuar një parti që e quajtët Lëvizja Socialiste për Integrim, pra e ka pasur kauzë integrimin. Gjithë kjo vonesë kaq shumëvjeçare, a ndjeni ju përgjegjësi?

Presidenti Meta: I vetmi që nuk ka asnjë përgjegjësi jam unë. Kur unë jam larguar nga zyra e Kryeministrit, Shqipëria ka qenë shumë më përpara Serbisë dhe Malit të Zi përsa i takon çështjes së integrimit, dhe i ka përmbushur të gjitha ato detyrimet që kishte për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në një kohë rekord. Dhe ka qenë gati në një ritëm me Kroacinë.

Së dyti, dua t’iu them se edhe në të gjitha aktet e LSI-së, në kohën që e kam drejtuar unë, jo Kryetarja aktuale, dhe kjo është një çështje tjetër, i kanë shërbyer vetëm integrimit europian të Shqipërisë. Dhe vet krijimi i saj si forcë politike në Shqipëri i shërbeu integrimit europian të Shqipërisë, i shërbeu edhe rotacionit, pasi qeveria e asaj kohe nuk po përmbushte më detyrimet ndaj integrimit europian. Dhe dorëheqja ime si Kryeministër i shërbeu integrimit europian të Shqipërisë për arsye, sepse kryetari i Partisë Socialiste në atë kohë dëshironte të bëhej President me një shumicë që ishte e kontestuar nga institucionet ndërkombëtare për shkak të “Dushkut”, ju besoj e mbani mend.

Ishte një dorëheqje për t’i krijuar atij mundësinë që të bëhej Kryeministër dhe unë duke marrë postin e Ministrit të Jashtëm, me qëllim që të zgjidhnim një President me konsensus me Opozitën, që të mos bllokonim çështjen e integrimit europian.

Edhe marrëveshja me zotin Berisha në vitin 2009 i ka shërbyer integrimit europian të Shqipërisë. Të mos harrojmë u përmbush procesi i liberalizimit të vizave dhe unë kam qenë edhe koordinator i atij procesi si Ministër i Jashtëm në atë kohë. Edhe koalicioni që u bë me Partinë Socialiste ka patur vetëm një kusht, koalicioni i para zgjedhjeve të 2013-s, që Partia Socialiste, e cila kishte bllokuar ato ligjet që kishin të bënin me integrimin europian e që ishin kusht për shkak të Këshillit të Qarkut të Fierit, ato tre ligjet të votoheshin përpara zgjedhjeve në mënyrë që të zhbllokohej procesi i integrimit europian.

Gazetarja: Duket sikur ju jeni përpjekur gjatë gjithë kohës dhe të tjerët e kanë sabotuar?

Presidenti Meta: Unë po të jap fakte, më jepni një fakt që unë kam bllokuar një proces të integrimit europian të Shqipërisë?

Gazetarja: Fakti është rezultati.

Presidenti Meta: Rezultati varet nga të gjithë nuk varet vetëm nga një njeri apo nga një forcë politike, secili le të bëjë analizën e vet. Nuk do të kishte Shqipëria rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave, që e mori në tetor të vitit 2016, pa insistim tim që reforma në drejtësi të votohej me konsensus. Që nga ai moment lajme të mira për integrimin europian të Shqipërisë kemi gjithnjë e më pak. Kemi çdo vit përsëritet e njëjta histori, komisioni jep gjoja pa kushte, pastaj shtyhet çdo vit historia e integrimit.

Gazetarja: Zoti Meta, meqë jemi te momentet e fundit disa komente për zgjedhjet në Kosovë. Jeni shprehur se ju ka surprizuar fitorja e Albin Kurtit. Përse?

Presidenti Meta: Më surprizoi, për arsye sepse partia e tij pësoi një goditje të fort në publik, që ishte largimi i gati më shumë se gjysmës së deputetëve.

Në rast se për shembull nuk do të kishte ndodhur një gjë e tillë, me atë momentum që kishte krijuar Vetëvendosja ndoshta tani do të kishte pasur një rezultat shumë herë më të mirë. Dhe duke patur në konsideratë një goditje kaq të fortë dhe duke qenë se nuk është se mund ta njoh aq mirë situatën në Kosovë, po flasim për aspektin politik apo elektoral si në Shqipëri, kam patur gjithmonë një ide që kjo nuk ka qenë një goditje e lehtë për t’u rikuperuar, por fakti që ai ka dalë ose Vetëvendosja ka dalë forcë e parë politike tregon që ai është një personalitet shumë i fuqishëm politik. Kjo fitore është qartazi një vepër le të themi e tij kryesisht.

Gazetarja: Çfarë marrëdhëniesh keni ju personalisht me Albin Kurtin?

Presidenti Meta: Marrëdhënie tepër korrekte dhe tepër interesante, sepse ai është tepër interesant kur bisedon me të.

Gazetarja: Si mendoni se do të ndryshojnë marrëdhëniet midis Tiranës dhe Prishtinës me këto ndryshime politike atje?

Presidenti Meta: Marrëdhëniet midis Tiranës dhe Prishtinës duhet të jeni marrëdhënie partneriteti. Këtë e kam thënë që në vitin 2000 kur kam qenë Kryeministër dhe kam vizituar Kosovën, jo paternalizmi. Aq më tepër që ne nuk jemi më në gjendje sot që të japim mend në Kosovë, t’u japim mend për zgjedhje, t’u japim mend për demokraci, t’u japim mend sesi tejkalohen krizat apo ngërçet politike.

Apo t’u japim mend dhe për futboll, sepse janë shumë më mirë sesa ne për momentin, për më tepër që edhe ato arritjet dhe sukseset që ne patëm i dedikohen shumë kontributit të futbollistëve nga Kosova për Kombëtaren e Shqipërisë. Kështu që marrëdhëniet duhet të jenë të hapura, duhet të jenë konstruktive.

Shqipëria nuk ka punë me dialogun e Kosovës me Serbinë, kjo është një përgjegjësi ekskluzive e gjithë udhëheqësve të Kosovës. Detyra jonë është që ta mbështesim këtë dialog, t’u kërkojmë atyre që të unifikohen më njëri-tjetrin, të koordinohen sa më mirë me partnerët kryesorë, me Shtetet e Bashkuara, me Gjermaninë, me Britaninë e Madhe, me vendet që kanë investuar më shumë për stabilitetin dhe sigurinë e këtij rajoni, por edhe për pavarësinë e Kosovës.

Gazetarja: Ju mendoni se ideja e korrigjimit të kufijve është një ide e mbyllur me ardhjen e Albin Kurtit në krye të qeverisë?

Presidenti Meta: Unë nuk dëshiroj të komentojë çështjet e dialogut Kosovë-Shqipëri dhe nuk kam ndërhyrë asnjëherë në këto çështje. Ua kam bërë të gjithëve të qartë qëndrimin tim, si përfaqësuesve të institucioneve, si përfaqësuesve të opozitës kur ka qenë dhe zoti Kurti në opozitë, edhe zoti Mustafa, që ju duhet të bashkoheni në një qëndrim, t’i jepni një zgjidhje çështjes së dialogut dhe të finalizimit të marrëveshjes me Serbinë, dhe kjo është një përgjegjësi e tyre, nuk mund të jetë një përgjegjësi e jona. Ata janë votuar për të zgjidhur problemet e Kosovës. Detyra jonë është t’i mbështesim që t’i zgjidhin sa më mirë.

Gazetarja: Fitorja e Albin Kurtit u komentua edhe si një votë pro opozitës, por dhe si e një force anti-sistem, anti-stabilishment, etj. Vetëvendosja thuhet se do të vendoset dhe në Shqipëri, a mendoni që ka terren për një forcë të tillë me këto karakteristika në Shqipëri?

Presidenti Meta: Në Shqipëri ka hapësirë pa fund për opozitë, kjo është e qartë, sepse njerëzit kanë nevojë pafund për përfaqësim.

Gazetarja: A do ishte Ilir Meta i gatshëm në një kohë tjetër të bënte opozitë, meqenëse ka kaq shumë nevojë?

Presidenti Meta: E vetmja detyrë që më ka mbetur pa provuar në këtë vend është për të udhëhequr opozitën, por unë jam shumë i përgjegjshëm për detyrën time mjaft të rëndësishme të Presidentit të Republikës edhe e bëj këtë me shumë përgjegjësi. E bëj këtë, jo vetëm kur jam në zyrë, por edhe kur jam duke fjetur e mbaj gjithmonë një sy hapur.

Gazetarja: Zoti President faleminderit për kohën që na kushtuat!

Presidenti Meta: Faleminderit edhe juve!