Fjala e Presidentit Meta në takimin me drejtuesit dhe përfaqësuesit e “Unindustria Calabria”

Fjala e Presidentit Meta në takimin me drejtuesit dhe përfaqësuesit e “Unindustria Calabria”

E pranova me shumë kënaqësi ftesën për të takuar dhe për të përshëndetur përfaqësuesit dhe sipërmarrësit e “Unindustria Calabria” dhe “Unaproa”, të cilat janë pjesë integrale të Konfidustrias Italiane.

Ky takim i sotëm mishëron një dimension të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, atë të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe investimeve reciproke.

Ne do t’i mbetemi mirënjohës përjetësisht popullit dhe shtetit italian për atë çfarë kanë bërë prej shekujsh për arbëreshët dhe për mikpritjen bujare prej dekadash për qindra mijëra emigrantë shqiptarë, të cilët tashmë janë integruar plotësisht duke kontribuar në shoqërinë dhe ekonominë italiane.

Fati e donte që Italia të bëhej një “tokë e premtuar” si për arbëreshët, bashkëkohësit e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, para më shumë se 500 vitesh , ashtu dhe për emigrantët shqiptarë të pas viteve 90-të, të cilët sakrifikuan gjithçka për një jetë më të mirë për vetë dhe familjet e tyre.

Sot pas gati 27 vitesh demokraci, vendi ka bërë progres në shumë drejtime edhe pse aspiratat dhe pritshmëritë tona për të ndërtuar një Shqipëri europiane akoma nuk janë përmbushur.

Si shqiptarë ndihemi mirë teksa shikojmë dhe dëgjojmë çdo ditë dhe më tepër të rinj italianë që studiojnë, punojnë dhe jetojnë në Shqipëri.

Janë mbi 25 mijë qytetarë italianë që kanë zgjedhur si “tokën e premtuar” të tyre Shqipërinë.

Popujt dhe vendet tona nuk i bashkon vetëm Adriatiku, historia apo kultura. Ekonomia është një urë lidhëse e qenësishme, sidomos në epokën e globalizimit ku tregtia dhe biznesi nuk njohin kufijtë shtetërorë dhe barriera kulturore.

Prej më shumë se 2 dekadash Italia është një nga donatorët dhe partnerët tanë kryesorë tregtar, si dhe renditet si investitori i huaj me më shumë prezencë biznesesh në Shqipëri.

Megjithatë, kemi akoma shumë potencial për të rritur volumet tregtare dhe për të tërhequr më shumë investitorë italianë privatë në sektorë si energjetika, turizmi, infrastruktura dhe manifaktura, bujqësia, agro-turizmi dhe industria ushqimore, apo shërbimet financiare dhe ICT-ja.

Shfrytëzoj rastin të përgëzoj vullnetin e qeverisë italiane për t’i dhënë “dritën jeshile” projektit të gaz-sjellësit Trans Adriatik Pipeline, në segmentin e territorit Italian. Përtej debateve të shëndetshme që janë zhvilluar këtu gjatë viteve të fundit, TAP është një projekt me impakt gjeostrategjik për të gjithë rajonin tonë dhe për vetë sigurinë energjetike të Europës.

Turizmi shqiptar mesa duket është “dashuria e re” e italianëve. Deri në shtator të 2018-ës, mbi 350 mijë turistë italianë kanë shijuar bukuritë e rralla të plazheve të virgjëra dhe ujërave të kristalta, të gërshetuara me malet magjepsëse dhe mbi të gjitha me një kulinari që impresionon dhe vetë italianët. Jam i sigurtë që italianët vetëm në Shqipëri mund të hanë ushqim më të mirë se sa në Itali.

Potenciali ynë turistik ka nevojë për investime të konsiderueshme dhe “know-how” për zgjerimin e shpejtë të ofertës akomoduese të hoteleve dhe rezorteve, sidomos për të përballuar trendin në rritje të turistëve të huaj, numri i të cilëve kaloi 5 milion për 2017.

Në këtë kontekst, dëshiroj që të ftoj sipërmarrësit e “Unindustria Calabria” të vlerësojnë këto oportunitete investimesh në turizmin shqiptar. Tashmë kemi dhe një kuadër rregullator dhe fiskal tepër stimulues, me përjashtime taksash dhe reduktime tatimesh për bizneset që investojnë në hotele me 4 dhe 5 yje.

Bujqësia, agro-turizmi dhe industria ushqimore janë sektorë që po njohin një zhvillim të shpejtë, të cilat vitet e fundit kanë zgjuar dhe interesin e investitorëve të huaj me kapital të mesëm financiar, për shkak të potencialeve të pashfrytëzuara dhe fitimeve të kënaqshme.

Aktualisht, pjesa dërmuese e kompanive italiane janë përqendruar në industrinë e lehtë apo atë tekstile (fason), si dhe në sektorin e shërbimeve të ashtu-quajtura “call centers”.

Padyshim, aseti më i madh atraktiv që ka Shqipëria në raport me investitorët e huaj dhe në veçanti me Italinë, nuk është barra e ulët fiskale, por fuqia e saj punëtore dhe kryesisht potenciali i të rinjve.

Ne kemi një rini të mirëedukuar që flasin në pjesën dërmuese italisht dhe anglisht dhe që punojnë me paga mesatare jo më shumë se 300-400 Euro.

Kjo është dhe arsyeja kryesore se pse kompanitë italiane të sektorit të shërbimeve dhe ICT kanë gjetur “parajsën” e tyre në Shqipëri.

Të nderuar sipërmarrës italianë,

Në mbyllje, më lejoni t’ju ftoj të diskutoni e të eksploroni Shqipërinë dhe oportunitetet investuese që ajo ofron për secilin prej jush!

Na duhet ndihma, përvoja juaj e vyer dhe investimet tuaja.

Duhet ta dini se në Shqipëri jeni të mirëpritur për të investuar e për të bërë biznes dhe për të jetuar, ashtu siç i pritet ju arbëreshët dikur, shpresoj se Shqipëria do të shndërrohet në një “atdhe të dytë” për kalabrezët dhe italianët.”