Fjala e Presidentit Meta në festimet e 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë arbëreshe të Lungros (Ungrës)

Fjala e Presidentit Meta në festimet e 100-vjetorit të themelimit të Eparkisë arbëreshe të Lungros (Ungrës)

Në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, përkujtuam pikërisht në Katedralën mëmë të Ungrës, në një meshë përshpirtje dhe bekimi, kujtimin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, të cilin e lidhim me ju dhe ju jemi mirenjohës, sepse përmes jush mbijetoi dhe nuk u shkëput nga ne shqiptarët, kudo ku gjendemi. Edhe në vitet e pushtimit osman, qëndroi me ju për t’u rikthyer bashkë me ju dhe prej jush në përgatitje të Rilindjes Kombëtare shqiptare, që me aq përkushtim, vizion dhe me përmbajtje të thellë përkatësie europiane përgatitën intelektualët arbëreshë të shkolluar dhe të formuar në kolegjet që ngrit dhe konsolidoi vetë kisha arbëreshe e ritit bizantin.

Bashkë me Presidentin Sergio Mattarella, në Kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër, nderuam veprën e një heroi të përbashkët, sa të shqiptarëve aq dhe të italianëne dhe Evropës.

Këtë mundësi na e dhatë ju që edhe pas më shumë se pesë shekuj e gjysmë, vazhdoni të ndjeheni po aq shqiptarë sa Gjergji ynë, ruani, trashëgoni dhe transmetoni vlerat e larta fisnike të identitetit të Arbërit, ritet, traditat, kostumet, vallet, gjuhën dhe besimin fetar si n’atë Mot të Madh.

Identiteti kombëtar shqiptar i mbartur në një truall të ri, në një atdhe të ri që ju pranoi dhe ju bëri pjesë të tij, u ushtrua në mënyrë të veçantë në mësimin e gjuhës dhe në forcimin e komunitetit të besimtarëve sipas ritit bizantin, fesë së të parëve.

Themelimi i Eparkisë së Ungrës, më 13 shkurt 1919, ishte dëshmi e integrimit që Selia e Shenjtë i jepte besnikëve të ritit bizantin në Itali, arbëreshëve të cilët që prej katër shekujsh kryenin në arbërisht trashëgiminë liturgjike të tyre.

Nëpërmjet këtij akti ruhej tradita arbëreshe, duke u kthyer në një vlerë të shtuar në marrëdhëniet mes të dy popujve e njëkohësisht brenda vetë besimit të krishterë në vetvete. Dëshmi këto të vlerave universale të tolerancës, mirëkuptimit e bashkëjetesës.

Nga fjalimi i Papës Gjon Pali II në rastin e takimit me komunitetin heparkik, më 21 nëntor 1982 në Konkatedralen e Eparkisë së ‘Piana degli Albanesi’: ‘Ju jeni këtu, pjesë nga grupi i të arratisurve të cilët, të fortë falë besimit të tyre ungjillor, më shumë se pesëqind vite më parë erdhën në Siçili, ku gjetën jo vetëm një mbështetje të qëndrueshme për të ardhmen e familjeve të tyre si bërthamë e Atdheut të largët, por edhe ishullin më të madh të Mare Nostrum, që për vendndodhjen e tij natyrore, është një qendër komunikimi mes Lindjes dhe Perëndimit, një bashkim hyjnor mes brigjeve të popujve të ndryshëm’.

Në këtë 100-vjetor Eparkia e Ungrës ka meritë të krenohet me ruajtjen e gjuhës së mrekullueshme arbëreshe, një gjuhë me tradita të lashta, që ka përcjellë dhe ruajtur gjatë shekujve, dhe më së shumti me gojë, trashëgiminë gjuhësore, kulturën dhe fenë.

Por, rigjallërimi i gjuhës arbëreshe mund të bëhet vetëm nëpërmjet shkollës dhe krijimit të një sistemi edukimi efektiv, në një implementim të aktualizuar dhe në përputhje me zhvillimet socio-ekonomike dhe progreset teknologjike, si gjuhë e mësimit shkollor.

Duhet të punojmë të gjithë së bashku për të gjallëruar kulturën arbëreshe me sa më shumë aktivitete të përbashkëta kulturore midis shtetit amë, Shqipërisë, komunitetit arbëresh dhe komunitetit më të vonë shqiptar në Itali dhe gjetkë.

Kjo do të ndihmonte shumë në përhapjen e gjerë dhe njohjen e kësaj pasurie të jashtëzakonshme tek brezat tanë të rinj.

Kisha jonë arbëreshe duhet të vazhdojë të luajë rolin e saj të rëndësishëm si qendër e kulturës shpirtërore të Arbërisë e të arbëreshëve dhe  po ashtu për publikimin e librave të liturgjisë dhe fesë për kishat e komunitetit arbëresh. Kjo do të vazhdonte të mbante fort të bashkuar të gjithë komunitetin arbëresh dhe do të vazhdonte të ruante gjuhën, traditat, doket e zakonet e trashëguara për 550 vite me kaq dashuri, përkushtim dhe konsekuencë.