Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e vlerësimit të tre personaliteteve të minoritetit etnik grek me kontribute të shquara në sportin shqiptar

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e vlerësimit të tre personaliteteve të minoritetit etnik grek me kontribute të shquara në sportin shqiptar

Motra dhe vëllezër të Derviçanit,

Sot është një ditë e veçantë për mua, të cilën e kam pritur prej kohësh!

Ka qenë një dëshirë prej vitesh të vija pranë vëllezërve e motrave të Lefter Millos në vendlindjen e tij, e cila e lindi e rriti dhe e bëri atë një nga personalitetet më të spikatura të futbollit shqiptar!

Futbolli ynë ka njohur figura sportive nga më të shquarat, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në memorjen e sportdashësve.

Po rrallë ka ndodhur që tek një futbollist të kenë qenë të grumbulluar bashkë kaq shumë vlera sportive dhe njerëzore si tek Lefter Millo. Karakteri i pamposhtur i tij, teknika e lartë, energjia e pashtershme, finesa e kalimeve, vizioni dhe forca motorike ishin disa nga tiparet e tij që kanë ngelur të stampuara në mendjen dhe zemrat e sportdashësve të shumtë.

Si President i Republikës e kam quajtur përherë detyrim, përpara jush dhe qytetarëve që të isha një ditë si sot mes jush, që t’i dorëzoj familjes, miqve dhe këtij komuniteti që lindi Millon, vlerësimet më të larta për birin dhe njeriun e tyre.

Ju shpreh mirënjohjen e merituar për gjithçka që Lefter Millo ka dhënë për sportin tonë, për lavdinë dhe kënaqësinë e mbarë sportdashësve që e kanë duartrokitur dhe janë krenuar me të.

Të dashur motra dhe vëllezër dropullitë,

Rrallë ndodh që nga një fshat si Derviçani, po edhe një krahinë si ajo e Dropullit të lindin e të shkëlqejnë kaq shumë talente dhe figura të shquara të sportit të artit, të kulturës dhe të gjithë fushave të tjera.

Dropulli, Gjirokastra dhe krejt vendi ynë dhe publiku sportiv do t’i jenë përjetë mirënjohës sportistit dhe profesorit të shquar Kristo Karanxha, publicistit dhe volejbollistit Kristo Ndrico, kronikanit sportiv të papërsëritshëm profesor Sokrat Papallopulli, volejbollistëve së famshëm Krisanthi Ksera, të mirënjohurës Figali Rogo, futbollistëve të shkëlqyer si të madhit Anastas Bozhorit, të jashtëzakonshmit Vasillaq Zerit, kryembrojtësit të kombëtares Arjan Xhumba, të pakulueshmve Pandeli Ksera, Altin Xhumba, Sotiraq Liti, Dhimiter Eksarko, Vangjel Millo mesfushorit të njohur Dhimitër Shoni, basketollistëve legjendarë Dhimo Kaci, Jorgjia Qirushi e Lefter Kaci, Evanthia Telo. Talentit të pafat Grigor Stavri, mundësit të famshëm Kosta Papazisi, kampionit kombëtar të peshëngritjes Petro Shendi e Thoma Bisbiqi dhe shumë yjeve të sportit të minoritetit të cilëve mundësia dhe koha nuk na lejon t’i përmendim.

Të dashur vëllezër e motra minoritarë,

Ka qenë shumë e vështirë të përzgjidhje për të dekoruar disa prej tyre sot, në këtë aktivitetet kushtuar vlerave sportive.

Por duke menduar se ky ceremonial është vetëm hapi ynë i parë, do të veçoja prej tyre këtë pasdite futbollistin e madh e të paharruar Lefter Millo, gazetarin, mësuesin dhe volejbollistin e shquar Kristo Ndrico si dhe kronikanin sportiv të papërsëritshëm, pipongistin dhe pedagogun e dalluar Sokrat Papallopulli.

Duke vlerësuar këta personalitete ne i kemi bërë nder gjithë plejadës së sportistëve që ata përfaqësojnë si dhe sportdashësve të panumërt të tyre, që nuk i harrojmë kurrë.

Të dashur pjesëmarrës,

Ditën e sotme dhe këtë vizitë në Derviçam ia dedikuam sportit dhe mesazheve shumë të rëndësishme që ai përcjell në shoqëri, sidomomos për brezat më të rinj.

Ndërkohë nuk mund të mos vendos në vëmendje vlerat e mëdha që kanë për shoqërinë tonë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes etnive të ndryshme, feve, kulturave.

Kjo harmoni mes minoritetit grek dhe shqiptarëve në Dropull, Gjirokastër, Sarandë, Vurg, Pogon, Delvinë dhe në gjithë territoret e tjera është një nga sintezat më të shkëlqyera të bashkëjetesës midis dy kombeve tanë të lashtë.

Dy popujt tanë kanë qenë për herë bashkë, në krah të njeri-tjetrit, në ditë të mira dhe të vështira. Ata kanë qenë përherë pjesë e së njëjtës aspiratë për mbijetesë, për liri, për demokraci, për emancipim shoqëror dhe një jetë më të mirë.

Triumfi i demokracisë edhe në Shqipëri i shtoi kësaj tradite bashkëjetese edhe hapjen ndaj atdheut Tuaj mëmë si dhe standardet më të mira euroatlantike në fushën e të drejtave dhe lirive njerëzore të pakicave etnike, të kartës europiane të drejtave te minoriteteve dhe një sërë traktatesh ndërkombëtare që garantojnë të drejtat dhe prosperitetin tuaj.

Të dashur miq të minoritetit grek,

Shqipëria ka ende rrugë për të realizuar ëndrrën e plotë evropiane. Por, është shumë e rëndësishme të ecim përpara në rrugën e prosperitetit, demokracisë, të zhvillimit ekonomik, turizmit dhe sipërmarrjes së lirë, krahas cilësisë së kërkesave për gjuhën, për edukimin dhe për identitetin kulturor.

Me kostumet e Dropullit krenohemi të gjithë, jo vetëm Dropulli. Duke përfunduar le të përkulemi edhe njëherë me nderim të thellë para kujtimit të mjeshtrit të madh të futbollit Lefter Millo!

T’i urojmë shëndet e jetë të gjatë barba Kristo Ndricos dhe të nderuarit Sokrat Papadhopulli.

Për çdo dëshirë dhe shqetësim dera e Presidentit është gjithmonë e hapur. Dhe ajo do të jetë gjithmonë e hapur për ju dhe për të gjithë minoritarët sepse është kënaqësi, dhe jam krenar që jam President i juaj, i këtij komuniteti të jashtëzakonshëm, i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm për përparimin e Shqipërisë në të gjitha fushat .

Rroftë Shqipëria dhe rroftë bashkëjetesa midis dy kombeve tona!

Paçi përherë gëzime dhe mbarësi në familjet tuaja!