Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të Zëvendëskryeministrit të Parë në detyrë të Kosovës, Behgjet Pacolli me Dekoratën “Nënë Tereza”

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të Zëvendëskryeministrit të Parë në detyrë të Kosovës, Behgjet Pacolli me Dekoratën “Nënë Tereza”

Zoti Pacolli është një personalitet i shquar, që gjithçka e ka arritur vetë në jetën e tij falë përpjekjeve, studimeve dhe sfidave të panumërta me të cilat ai është ndeshur dhe jo vetëm ka arritur të dallojë dhe shkëlqejë në fushat e biznesit, të ekonomisë, të sipërmarrjes, por gjithashtu ajo që e bën atë të veçantë dhe mbi të gjitha, që e bën edhe të dashur për njerëzit, është pikërisht angazhimi i tij i pareshtur për dekada në aktivitetin humanitar, në shërbim të paqes, po kështu për krijimin e një imazhi të dalluar dhe pozitiv të shqiptarit në botë, jo vetëm si një sipërmarrës i suksesshëm, por edhe si një njeri i jashtëzakonshëm dhe me zemër të madhe.

Si një ambasador i paqes, si një sipërmarrës i suksesshëm i përmasave ndërkombëtare, si promovues i realiteteve ekonomike kombëtare, nëpërmjet nxitjes së formave komplementare, politikan dhe shtetar i përgjegjshëm, me dashuri të madhe për Kosovën dhe shqiptarët, ai është një dëshmi e veçantë dhe e pashembullt, jo vetëm e suksesit, por edhe e humanizmit.

Si një njeri i tillë mjaft bujar, z. Pacolli ka një veprimtari tejet frymëzuese humanitare. Kujtojmë këtu krijimin e fondacioneve për jetimët, refugjatët, në ndihmë të studentëve, në asistencën ndaj njerëzve në nevojë, ndërtimin e shtëpive për të varfrit, sponsorizimet në fushën e artit, kulturës dhe të sportit, dërgimi i dhjetëra pacientëve të Kosovës jashtë vendit për trajtim mjekësor e kështu me radhë.

Vlen të përmenden edhe ndërmjetësimet e tij për lirimin e disa pengjeve dhe të një gazetari italian në vende në konflikt si Afganistani, të cilat dëshmojnë për titujt e akorduar ndaj tij, mëse të merituar, si kalorës global i paqes.

Së fundmi, pas pasojave të rënda të shkaktuara nga tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, z. Pacolli shpalosi menjëherë një ndjeshmëri të lartë, personale dhe familjare, përveçse edhe institucionale si pjesë e të gjithë popullit dhe shtetit të Kosovës, ndaj popullit shqiptar e në veçanti ndaj popullatës më të goditur rëndë, asaj të Thumanës, duke dhënë kontributin e tij të menjëhershëm në interes të rindërtimit të zonave të prekura nga tërmet dhe duke i dhënë në këtë mënyrë një nxitje të mëtejshme gjithë atij solidariteti mbarëshqiptar.