Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të tetë figurave të spikatura patriotike të krahinës së Tepelenës për kontributin e shquar në Luftën e Vlorës

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të tetë figurave të spikatura patriotike të krahinës së Tepelenës për kontributin e shquar në Luftën e Vlorës

Vëllezër e motra të Tepelenës dhe Gjirokastrës,

Ju përshëndes dhe falënderoj për mikpritjen e ngrohtë!

Jam i lumtur sot që jemi bashkë këtu në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, në këtë vend besëlidhjesh për liri të burrave të shquar të Labërisë!

Tepelena e bukurive të rrepta të mahnit me historinë e saj të lavdishme dhe të tërheq me bujarinë, mençurinë, virtytet e arrira dhe vlerat shpirtërore të qytetarëve të saj.

100 vite më parë, pikërisht në këtë vend ku jemi sot, luftëtarët e çetave të Tepelenës dhe Gjirokastrës lidhën besën për t’u bashkuar për çlirimin Vlorës nga okupatorët italianë!

Pasi çliruan Tepelenën me armët e tyre dhe këngë në gojë, ata u nisën në betejën më të lavdishme që shqiptarët kanë shkruar në historinë tyre.

Gjirokastër Tepelenë
Besa – besë, bënë benë
Ndihmë Vlorës do t’i venë

Malet, brigjet dhe kodrat e Tepelenës, Salarisë, Kurveleshit, Lopësit, Gjirokastrës, Toskërisë dhe gjithë Labërisë janë dëshmitarë të luftërave dhe heroizmit të shqiptarëve në betejat më të rëndësishme të mbijetesës së kombit tonë ndaj fateve të historisë.

Tepelena ishte një nga pikat e rëndësishme strategjike të pushtuesve italianë. Këtu ishin përqendruar trupa këmbësorie, karabinierie, reparte artilerie, mitraloza të rëndë dhe armë të tjera speciale.

Përballë kësaj fortese të përgatitur për një luftë të gjatë u zhvilluan përpjekje mjaft të përgjakshme.

Në këto përpjekje morën pjesë çetat, që përbëheshin nga qyteti i Tepelenës, nga krahina e Kurveleshit të Sipërm dhe nga rrethet Përmet, Skrapar, Gjirokastër. Numri i luftëtarëve vullnetarë që rrethuan kështjellën e Tepelenës, ishte rreth 1.000 veta.

Pas përpjekjeve të shumta në 21 qershor 1920 Tepelena u mor nga patriotët dhe luftëtarët shqiptarë.

Ishte gjëmimi i topave të 16 majit 1920 nga kalaja e Tepelenës, që njoftoi botën për këtë sulm.

Gazeta “Drita” do të shkruante atëhere në gjuhët shqip dhe frëngjisht vullnetin e luftëtarëve:

“Shqiptarët që nuk i janë përkulur Romës dhe Turqisë, nuk mund të tolerojnë shtypjen e huaj, në shekullin në të cilin u ngjallën edhe kombet e vdekura”

Gazeta i drejtonte banorëve thirrjet:

Hesapet në Vlorë!
Në llogoret e Vlorës!
Në fushën e Vlorës së shenjtë!

Luftëtarët shqiptarë i kujtuan gjeneralit italian Piaçentini, se ka ikur koha e gjeneralit romak Paul Emil, i cili 2000 vjet më parë dogji 70 qytete ilire, e mes tyre edhe Antigonenë.

“Piaçentin, i thanë. Sa të rrojnë trimat e Shqipërisë, karabinierët e tu s’kanë vend as në Tepelenë, as në Vlorë, e as në Shqipëri!”

Festimet për 100-vjetorin e Luftës së Vlorës nuk do të ishin të plota pa ardhur në Tepelenë, për tu përkulur në shenjë nderimi dhe mirënjohje para kujtimit të Luftëtarëve trima të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit, këtyre krahinave të lavdishme që i dhanë nder dhe jetë çështjes kombëtare!

Historia e Shqipërisë nuk mund të harrojë kurrë Selam Musain, Dule Dalanin, Riza Runën, Musa Buzën, Resmi Latifin, Ibrahim e Kalo Selimin, Sheme Halilin, Jaho Sinanin, që ishin komandatë të çetave në gjithë Tepelenën.

Gjithashtu, nuk mund të harrohen bijtë shqiptarë dhe kontributi i Bandës së Vatrës ardhur nga Amerika me 200 trupa ushtarake kombëtare, ku bashkë me 700 forca vullnetare nisën luftën për çlirimin e Tepelenës nga 17 maji deri më 21 qershor të 1920-ës.

E gjithë kjo luftë nuk mund të kuptohet pa degën e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare e përbërë nga Baba Ahmet Turani, Arshi Shehu, Dervish Seit Gusmari, Haxhi Shehu, Rakip Duka, Shaqo Llapi, Dervish Xhaferi, Qazim Nikaj, Sheh Beqir Bënça, Sheh Beqir Toçi, Sheh Ali Hormova, të cilët përmes mësueseve që nxisnin frymën atdhetare si Heroi i Popullit Avni Rustemi, Gani Abazi, Shuko Dalipi, Sali Nivica, Qazim Hitaj, Shefqet Sadullai, me shumë mundim dhe sakrifica të mëdha vulosën fatin e trojeve tona në Luftën Kombëtare të Vlorës.

Të dashur tepelenas,

Pata nderin të përkulem sërish sot para bustit të Selam Musait, legjendës dhe personifikimit të shpirtit luftarak të popullit të Tepelenës e gjithë Labërisë, imazhi i paharruar i luftës kombëtarë të Vlorës.

Ç’u shkule nga Drashovica
Lule more Selam, lule
Me treqind e ca komita
Bëre poshtë nga Babica
Posi dielli me çika,
Xheneralë e mori frika,
Ja zure topin nga gryka

Të dashur miq e të ftuar,

Fitorja e Luftës së Vlorës nuk ishte kalkuluar në kancelari apo akademi të mëdha ushtarake.

Ajo është gatuar në shpirtin liridashës së shqiptarit, në vetëdijen dhe krenarinë e tij për identitetin traditat dhe trojet ku lindi dhe u rrit.

Komiteti i mbrojtjes Kombëtare që e udhëhoqi këtë luftë diti me mençuri, pjekuri dhe atdhedashuri të vendoste në lëvizje mekanizmin e vetëmbrojtjes kombëtare të çdo shqiptari, çete fshati apo krahine.

Figura më e rëndësishme e Luftës së Vlorës edhe pse anonim është Luftëtari kombëtar shqiptar, i cili la arrën, bagëtinë e punët e tij dhe rroku pushkën për lirinë e këtyre trojeve.

Më vjen mirë që sot në shumë familje atdhetare nga krahinat e Labërisë, Vlorës, Tepelenës, Mallakastrës, Skraparit, Gjirokastrës, kujtojnë me krenari të parët e tyre luftëtarë në Epopenë e Vlorës.

Ndofta nisur nga kjo ndjenjë e përligjur do të duhet në të ardhmen që emrat e gjithë luftëtarëve të Vlorës të shkruhen me germa të arta ne basorelievin e një monumenti historik.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Ne do të deshëm sot të vlerësonim të gjithë emër për emër por në pamundësi historianët kanë veçuar në mënyrë simbolike këtë radhë komandantët e çetave të cilët nuk janë dekoruar më parë.

Kështu sot kam nderin dhe privilegjin e veçantë të dekoroj atdhetarët:

Selam Musai – me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Brahim Selimi – me Dekoratën “Nder i Kombit”

Hasan Xhiku – me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Kapo Topulli – me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”

Veli Hashorva – me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”

Shezai Çomo – me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”

Asim Mero – me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Novruz Bello – me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”

Të dashur pjesëmarrës,

Duke vlerësuar këta bij të shquar të Nënës ne i bëjmë nder veprës së tyre dhe Kombit!

Por, nderimi më i madh që mund ‘ti bëjmë kujtimit të tyre është që të gjithë bashkë të lartësojmë vendin tonë përpara sfidave të kohës dhe të ardhmes.

Ta bëjmë atdheun tonë të dashur më të jetueshëm dhe frymëzues për qytetarët tanë dhe brezat që do të vijnë.

Ju falënderoj edhe njëherë për mikpritjen,
Lavdi heronjve të Luftës së Vlorës,
Qofshin te paharruar në breza e ndër shekuj,
Shumë urime dhe lumturi në familjet tuaj,
Rroftë Shqipëria!