Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të katër gazetarëve të shquar shqiptarë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gazetarisë Sportive

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të katër gazetarëve të shquar shqiptarë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gazetarisë Sportive

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gazetarisë Sportive, kam sot kënaqësinë të vlerësoj kuartetin e nderuar të Profesorëve, Ismet Bellova, Besnik Dizdari, Ahmet Shqarri dhe Vladimir Grillo, këto personalitete të shquara të radiokronikës dhe gazetarisë sportive shqiptare, që në dekada kanë sjellë gëzim dhe emocione të fuqishme në familjet shqiptare, në një periudhë të vështirë për vendin, kur sporti ishte një nga kënaqësitë e pakta.

Kontributi i tyre dhe gazetarisë sportive ka qenë shumë i rëndësishëm për frymëzimin e gjeneratave të tëra sportistësh në rrugën e suksesit dhe të fitoreve.

Me zërin, fjalën dhe penën e tyre ata skalitën ngjarje historike për sportin shqiptar, që edhe sot janë burim frymëzimi për të rinjtë dhe fëmijët që ëndërrojnë të prekin suksesin dhe fitoren në sport.

Dua të shpreh mirënjohjen më të madhe për Profesor Ismet Bellovën, këtë legjendë të mikrofonit shqiptar.

Për zotin Besnik Dizdari, i cili ka një kontribut të jashtëzakonshëm në pasqyrimin e gjithë arritjeve të sportit tonë për dekada të tëra.

Për zotin Ahmet Shqarri, i cili mbante gjithë Shqipërinë të mbërthyer pranë “Radio Iliria” për të dëgjuar emisionin ‘Nga njëra ndeshje në tjetrën’.

Por edhe për zotin Vladimir Grillo, që mezi prisnim të hënën në darkë për të parë emisionin “Rubrika Sportive” dhe përmbledhjen e gjithë aktiviteteve sportive të javës.

Këto katër personalitete me talentin, pasionin dhe përgjegjshmërinë e tyre, jo vetëm kanë trasmetuar emocione të jashtëzakonshme dhe të fuqishme, por edhe kanë gdhendur ngjarjet, personalitetet dhe arritjet e sportit shqiptar duke i lënë trashëgim edhe për brezat e ardhshëm, si momente të frymëzimit drejt fitores, arritjeve, drejt shembujve më të mirë të suksesit.

Sot për fat të keq, vëmendja ndaj sportit nuk është ajo që ishte atëhere, sepse kuptohet jemi në një sistem tjetër, por ne jemi shumë të interesuar që ta shtojmë vëmendjen për sportin.

Kjo kërkon një cilësi gjithnjë më të lartë edhe të gazetarisë dhe informacionit sportiv.

Kërkon një punë shumë të thellë, të studiuar, kërkon gjithashtu të përfitohet sa më shumë nga arritjet në fushën e gazetarisë sportive ndërkombëtare, ashtu si edhe këto personalitet u përpoqën në atë kohë, pavarësisht nga kufizimet, të sillnin sa më shumë risi, në mënyrë që rinia jonë të jetë më e përkushtuar ndaj sportit.