Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të ish-Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të ish-Presidentit të Republikës, Rexhep Meidani me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

“Edukimi dhe morali krijojnë njeriun e mirë, shtetarin e mirë, drejtuesin e mirë”, na mëson Aristoteli.

E nisa me këto fjalë të një njeriu të madh sepse mishërojnë më së miri figurën dhe personalitetin e Prof. Dr. Rexhep Meidani, i cili jo vetëm ka arritur majat e edukimit, por ka qenë e vazhdon të mbetet edhe një shembull i spikatur i moralit, vlerave dhe dinjitetit njerëzor; një shtetar i vërtetë, një President dhe figurë politike, akademike dhe civile, i dalluar gjithmonë për modestinë, përgjegjshmërinë dhe ndikimin pozitiv në vendin dhe shoqërinë tonë.

Jeta publike e Prof. Dr. Rexhep Meidanit është e njohur dhe e vlerësuar nga të gjithë shqiptarët për përgjegjësinë e lartë shtetërore dhe atdhetare që ai tregoi si President i Republikës në vitet 1997-2002, vite të cilat njihen si ndër më të vështirat në periudhën post-komuniste.

Jo vetëm në detyrën e Kreut të Shtetit, por edhe më herët, Profesor Meidani ka dhënë një kontribut të madh për konsolidimin dhe zhvillimin e atij ideali tek i cili ai ka besuar gjithnjë me shumë forcë dhe qëndrueshmëri, demokracinë, duke punuar me përkushtim për përçimin e frymës gjithëpërfshirëse në politikë, në qeverisje, institucione dhe shoqëri.

Duke investuar të gjithë kapacitetin e tij intelektual, politik dhe njerëzor, në shërbim të ngritjes dhe forcimit të institucioneve të pavarura në Shqipëri.

Ai mori detyrën si Kreu i Shtetit në momentet më kritike për vendin, siç ishte viti 1997, duke kontribuar me sukses në rimëkëmbjen e rendit institucional dhe të vetë shtetit shqiptar.

Mbetet i një rëndësie të veçantë kontributi i Profesor Meidanit në reformën e rëndësishme të Kushtetutës së re të Republikës së Shqipërisë dhe për suksesin e referendumit të miratimit të saj në vitin 1998.

Ai moment historik, miratimi me referendum i Kushtetutës së Shqipërisë, i hartuar nga mendjet më të ndritura të vendit dhe Komisionit të Venecias, dhe i bazuar mbi shembujt dhe parimet më të vyera të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve, në përputhje me standardet më të avancuara europiane, dëshmon për vullnetin e madh që personalitete dhe shtetarë të vërtetë të kohës, si Profesor Meidani, e shumë figura të tjera të njohura, kishin që sovraniteti në Republikës së Shqipërisë t’i përkasë vetëm popullit shqiptar.

Ai moment historik shërbeu si piketa më e rëndësishme dhe guri i themelit në rimëkëmbjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

“Forca e Kushtetutës qëndron tërësisht në këmbënguljen e secilit qytetar për ta mbrojtur atë. Vetëm nëse secili qytetar bën pjesën e tij për ta mbrojtur atë, janë të drejtat kushtetuese të sigurta”, ka thënë Albert Ajshtain, njeriu dhe gjeniu i shkencës.

Ndaj edhe Profesor Meidani, i ardhur po nga fusha e shkencës dhe fizikës, nën përgjegjësinë e tij institucionale besoi dhe kontribuoi që Kushtetuta e vendit duhet t’i përkiste vetëm qytetarëve dhe përmes referendumit, populli shqiptar të jepte verdiktin e tij final.

Profesor Meidani njihet dhe vlerësohet për përpjekjet e tij të palodhura dhe të frytshme edhe në mbështetje të çështjes së Kosovës.

Ai ishte Presidenti i Shqipërisë gjatë Luftës së Kosovës dhe i mikpritjes së madhe që vendi ynë ju rezervoi 1 milionë vëllezërve dhe motrave nga Kosova, të cilët të detyruar nga gjenocidi i Milloshevicçt u strehuan në Shqipëri dhe u mirëpritën nga familjet shqiptare, gjetën ngrohtësi nga solidariteti historik i Kukësit por edhe në çdo vatër shqiptare që nga Tropoja e deri në Sarandë.

Roli i unitetit kombëtar i Presidentit Meidani në atë moment historik ishte një vlerë e shtuar për të gjitha forcat politike, që edhe pse vinim nga një ndarje e thellë e vitit 1997, të shfaqeshin si një komb me një qëndrim.

Më 24 maj 2000 Presidenti Rexhep Meidani, vizitoi Kosovën duke shënuar vizitën e parë nga një kryetar shteti që nga themelimi i shtetit shqiptar.

President i Republikës së Shqipërisë, deputet dhe politikan, Profesor Meidani është një personalitet i shquar edhe në fushën akademike me një veprimtari të spikatur shkencore me arritje të vyera akademike.

Si anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, honoris causa nga universitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit; mbajtës i shumë titujve nderi dhe gradave akademike nga shumë institucione të huaja që nga SHBA, Itali, Greqi, Mbretëria e Bashkuar, por edhe atyre të hapësirave shqiptare si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia, dhe si autor i shkrimeve dhe botimeve shkencore dhe politike, Profesor Meidani mbetet një nga personalitetet më të shquara të vendit tonë, me të cilin ne krenohemi kudo.

Dija dhe njohuritë e tij të thella shkencore dhe akademike, por edhe përvoja e tij e gjerë shtetërore dhe politike, të ndërthurura me vlerat e spikatura njerëzore janë transmetuar në shumë breza studentësh të cilët e kujtojnë gjithmonë Rexhep Meidanin si Profesorin e tyre model.

Modestia dhe profesionalizmi, shpalosja e jashtëzakonshme e shtetarisë dhe atdhedashurisë që Profesor Meidani ka treguar në të gjithë karrierën dhe jetën e tij, duhet të shërbejë si shembull për politikanët e sotëm.

Për të vendosur Atdheun dhe kombin përpara çdo ambicie pushteti; për të promovuar demokracinë kur rendi kushtetues dhe institucional është i cenuar; për ta bashkuar vendin kur ka përpjekje serioze për ta përçarë.

Për të ndihmuar e jo penguar rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes europiane; për të treguar përgjegjshmëri institucionale në çdo nivel të qeverisjes apo të shtetit; dhe mbi të gjitha për të ruajtur e mbrojtur të gjitha ato arritje dhe angazhime euro-atlantike që vendi ynë i ka fituar me aq shumë mund e sakrificë.

Kam qenë i nderuar që edhe në rolin e Kryeministrit të Shqipërisë në vitet 1999-2002 të bashkëpunoja me një President të Republikës me plot integritet, dinjitet dhe me përgjegjësi tejet të lartë shtetërore si Profesor Meidani.

Por sot jam edhe më i privilegjuar, t’i akordoj Profesor Meidanit, një personaliteti të tillë kaq të shquar dhe me vlera të rralla për vendin tonë “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

“Një burrë shteti është një politikan që e vendos veten në shërbim të kombit. Një politikan është një drejtues shteti që e vendos kombin në shërbim të vetes”, – ka thënë Xhorxh Pompidu.

Profesor Meidani ju falenderojmë që ju e keni vendosur gjithmonë veten dhe të gjitha aftësitë tuaja në shërbim të kombit.

Dhe sot, me rastin e 76-vjetorit të lindjes, ju uroj shëndet e mbarësi, dhe në emër të gjithë shqiptarëve ju shpreh mirënjohjen për të gjithë kontributin tuaj shumë të çmuar për Shqipërinë dhe shqiptarët!