Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të ish-ministrit të Jashtëm italian, z. Franco Frattini

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të ish-ministrit të Jashtëm italian, z. Franco Frattini

Është kënaqësi e veçantë, që në këtë ditë që përkon me lumturimin e Shën Nënë Terezës, të nderojmë sot të gjithë së bashku një mik të çmuar, zotin Franco Frattini.

Shqipëria dhe Italia janë dy vende të lidhura hershëm me pafundësi nyjesh historike, kulturore, ekonomike, politike, por mbi të gjitha njerëzore.

Kjo marrëdhënie është zgjeruar e forcuar me një dinamikë të jashtëzakonshme pas viteve ‘90, duke arritur në nivelin më të lartë të Partneritetit Strategjik në shkurt të vitit 2010.

Zoti Frattini, në atë kohë Ministër i Jashtëm i Italisë, ka padyshim rolin dhe mirënjohjen tonë të merituar për këtë “pranverë të re të miqësisë shqiptaro-italiane”.

Kjo stinë e re e marrëdhënieve tona është pasuruar me projekte të shumta, gjithnjë e më ambicioze, në përmbushje të angazhimit politik që përmban partneriteti ynë strategjik.

Një nga projektet që e mishëron më së miri këtë dokument esencial të bashkëpunimit tonë është Gazsjellësi Trans-Adriatik, që prek një fushë me rëndësi strategjike si energjia, jo vetëm për dy vendet tona, por për të gjithë Europën.

TAP është gjithashtu tregues i zbatimit konkret të këtij partneriteti, falë vullnetit të ndërsjelltë.

Zoti Frattini është magjistrat nga profesioni.

Në Itali ai njihet edhe si Prokuror, sot është edhe Kryetar i Dhomës Gjyqësore të Anti-Mafias dhe Emigracionit në Këshillin e Lartë të Shtetit, por ne shqiptarët e njohim më shumë si Avokat.
Në të gjitha detyrat dhe postet e tij politike zoti Frattini ka qenë një nga avokatët më të zëshëm por edhe bindës për avancimin e Shqipërisë, por edhe të rajonit tonë në proceset integruese në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Angazhimi i tij për një rajon gjithëpërfshirës, më bashkëpunues dhe në përparim të vazhdueshëm drejt BE-së, ka qenë një mbështetje e madhe për Shqipërinë dhe rajonin tonë.

Në veçanti ne i jemi mirënjohës për rolin e tij vendimtar si Zëvendëspresident i Komisionit Evropian dhe Komisioneri për Drejtësinë, Liritë dhe Sigurinë, që ideoi dhe nisi zbatimin e procesit të liberalizimit të vizave për Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë që më pas, si Ministër i Jashtëm i Italisë, ka qenë protagonist kryesor në mbështetjen e zbatimit të plotë dhe përfundimtar të këtij procesi.

Për ne shqiptarët, qytetarët më të izoluar të Europës përpara 30 vjetësh, lëvizja pa viza drejt BE pati një impakt dhe përjetim të jashtëzakonshëm emocionesh, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të rajonit.

Falë këtij procesi dhjetëra mijëra familje u ritakuan pas vitesh të tëra ndarjeje.

Çlirimi psikologjik nga izolimi dhe nga frustrimi i radhëve të gjata përpara ambasadave qe i patregueshëm, edhe pse njerëzit harrojnë shpejt.

Por mbi gjithçka, liberalizimi i vizave u risolli atyre dinjitetin e merituar si qytetarët e tjerë europianë.

Shqipëria e ka vendosur anëtarësimin në Bashkimin Evropian si prioritetin e saj më parësor dhe strategjik.

Vitin e ardhshëm ne do të kemi një tjetër mundësi për të avancuar marrëdhënien tonë, duke shpresuar dhe duke punuar për çeljen e negociatave të anëtarësimit.

Ne i kemi të gjitha mundësitë, siç ndodhi me liberalizimin e vizave, që përmes rezultateve konkrete në reforma kyçe për vendin ta hapim edhe këtë dritare të re të marrëdhënies sonë me BE.

I nderuar z. Frattini,

Ky vit për ne shqiptarët është viti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i personalitetit më të madh që kombi ynë ka nxjerrë dhe që i ka kaluar kufijtë tanë, duke qenë një figurë e njohur jo vetëm në Itali, por edhe në të gjithë Europën. Dhe është kjo figurë që ka përcaktuar edhe identitetin europian të kombit tonë.

Ndaj kemi kënaqësinë sot që t’ju vlerësojmë me Dekoratën “GJERGJ KASTRIOT SKËNDERBEU”, në mirënjohje të kontributit të spikatur për forcimin e marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë, për mbështetjen e pakursyer për integrimin evropian dhe euroatlantik e në veçanti për lidershipin që ju keni treguar për procesin historik të lëvizjes pa viza të shqiptarëve drejt Bashkimit Europian.

Jam i bindur në vazhdimin e kontributeve tuaja të sinqerta në forcimin e marrëdhënieve dhe miqësisë midis dy vendeve tona, por edhe për mbështetjen e integrimit europian të Shqipërisë edhe më tej.

Ju faleminderit!