Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të ish-Kryeministrit të Republikës Italiane, Massimo D’Alema

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të ish-Kryeministrit të Republikës Italiane, Massimo D’Alema

I nderuar z. Kryeministër
I dashur Massimo D’Alema,
Ambasador Cutillo,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë, të organizoj sot këtë ceremoni dekorimi për një mik të çmuar të Shqipërisë dhe shqiptarëve, Massimo D’Alema

Të gjithë shqiptarët që ndiqnin dikur fshehurazi, e pas viteve ‘90 hapur e plot pasion, muzikën, sportin, artin dhe jetën publike në Italinë fqinje, e kanë të ngulitur mirë në mendje emrin dhe personalitetin e Massimo D’Alemës.

Ai është një nga figurat kryesore të politikës italiane, pagëzuar edhe me emrin “Lider Maximo”, për vizionin, kurajën dhe përpjekjen e palodhur për të reformuar të majtën dhe në tërësi politikën italiane dhe evropiane.

Miqësia e Massimo D’Alemës me përfaqësues të gjithë spektrit politik në Shqipëri nuk është e rastësishme, pasi përkushtimi i tij në mbështetje të vendit tonë është bazuar në interesat afatgjatë të dy vendeve dhe popujve tanë.

Massimo D’Alema është edhe gazetar, shkrimtar e mendimtar i guximshëm.

Në aktivitetin tim të vazhdueshëm me të rinjtë një nga dhuratat më të preferuara që merren me politikë apo janë të interesuar për çështjet e integrimit është libri i tij, për fat të mirë i botuar në gjuhën shqipe “Europa, jo vetëm Euro”.

Massimo D’Alema do të mbante pozicione kyçe në politikën dhe qeverinë italiane në momente të vështira të historisë sonë, në kohën e ndërhyrjes së NATO për t’i dhënë fund gjenocidit në Kosovë dhe pastrimit etnik.

Ndonëse me kundërshtime të forta brenda koalicionit të së majtës që drejtonte Italinë, Qeveria e tij luajti rol kryesor në mbështetjen e aksionit historik të NATO-s që kontribuoi për lirinë e Kosovës dhe paqen në rajon.

Po kështu Italia dhe qeveria D’Alema mbajti barrën kryesore të operacionit humanitar në Shqipëri, në mbështetje të një milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova.

Ende sot mbetet në kujtesën time ajo ditë kur mbërriti në Kukës, Ministria e Brendshme e Italisë zonja Roza Russo Jervolino, si e para përfaqësuese e komunitetit ndërkombëtar në një situatë tejet të dëshpëruar dhe që përkeqësohej çdo minutë.

Nga ai moment në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë do të niste një operacion humanitar me përmasa gjigante, ndër më të mëdhenjtë e historisë së rajonit tonë.

Në librin e tij dedikuar kësaj ngjarjeje D’Alema do të pohonte se nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje “Italia, në radhë të parë do të rikthente rolin dhe prestigjin ndërkombëtar që meriton; qytetarët italianë demonstruan edhe një herë sa i thellë dhe i rrënjosur qëndron ndër ta vokacioni për solidaritet; dhe në fund politika gjeti në një nga rrugët më të vështira dhe të rrezikshme të historisë moderne, arsyet dhe forcën për të marrë përsipër dhe kryer, deri në fund, detyrën e saj.”

Duke i shprehur mirënjohjen e thellë, Kryeministrit D’Alema për të gjithë mbështetjen ndaj Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi, në rrugëtimin e tyre drejt lirisë dhe Bashkimit Europian, dëshiroj që t’i akordoj sot dekoratën e lartë “Nënë Tereza”.

Shqipëria ka bërë një përparim të madh që nga ajo kohë, qenë sot anëtare e NATO-s dhe duke punuar që së shpejti të nisin negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian.

Por arritjet tona na bëjnë gjithmonë të kujtojmë e vlerësojmë veçanërisht miqtë e mirë që na u gjendën në kohë të vështira dhe falë mbështetjes të të cilëve përballuam sfida të jashtëzakonshme.

Duke falënderuar edhe një herë z. D’Alema për gjithçka ka bërë për vendin tonë shpreh bindjen që do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë e Italisë dhe dy popujve tanë.