Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të doktorit Grej Malo me Titullin për “Merita të Veçanta Civile

Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të doktorit Grej Malo me Titullin për “Merita të Veçanta Civile

Kush shpëton një jetë shpëton një botë të tërë!” – ka thënë Shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza.

Unë sot jam i privilegjuar që t’i akordoj Titullin ‘Për Merita të Veçanta Civile’ zotit Grej Malo, mjekut hero, i cili jo vetëm zbriti menjëherë në terren pas goditjes së tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, por dhe rrezikoi jetën e tij për orë të tëra nën rrënoja për të shpëtuar jetë njerëzish në zonat e dëmtuara, si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile.

Z. Malo ishte ai i cili u dha ndihmën të izoluarve nën rrënoja duke punuar në mënyrë të palodhur së bashku me ekipin e specializuar të zjarrfikësve të Kavajës, por dhe me ekipin që erdhi më pas nga Greqia, ku në mënyrë të veçantë u evidentua roli dhe kotributi e tij në shpëtimin e të riut Klajdi Qato i mbetur nën rrënoja tek godina e Hotel “Palma” në Durrës.

Për fat të mirë Klajdi gjendet sot me ne në këtë ceremoni falë këtij akti të lartë civil, i cili e bën zotin Grej Malo një njeri mjaft modest, një hero të vërtetë, pasi nuk ka heroizëm më të madh se sa të rrezikosh jetën tënde për të shpëtuar jetën e tjetrit.

Ndaj, Grej na bën të gjithëve krenarë për një nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje, për të mbrojtur jetën njerëzore nën rrënoja, të cilat dëshmojnë për një nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje.

Për 23 orë pa ndalim, Grej, me një shembull të pashoq përkushtimi, sakrifice, profesionalizmi, ka asistuar në mbajtjen në jetë të personave nën rrënoja deri në nxjerrjen nga ekipet shqiptare të specializuara të kërkim-shpëtimit si edhe ata në ndihmë nga vendet e rajonit dhe Europës.

Më pas ai ka vazhduar duke dhënë kontributin e tij edhe në godina të tjera në ndihmë të njerëzve të shumtë.

Grej është diplomuar si Mjek Stomatolog dhe është trajnuar edhe në fushën e Emergjencave Civile dhe Urgjencat Mjekësore, në vende si Mali i Zi, Maqedoni, Kosovë, Itali dhe Greqi, Japoni dhe Kore e Jugut.

Si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile ai ka vënë në zbatim të gjithë dijet e marra dhe ka ushtruar me sukses të gjitha teknikat e shpëtimit për të shpëtuar jetën njerëzore nën rrënoja, të cilat dëshmojnë për një nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje.

Shfrytëzoj këtë rast të falënderoj dhe shpreh mirënjohjen time të thellë edhe për gjithsecilin prej anëtarëve të Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile.

Jemi krenarë për ju, për punën, shembullin dhe kontributin tuaj të jashtëzakonshëm human dhe profesional.

Vendi ynë ka shumë nevojë për njerëz si ju. Ka nevojë për njerëz të specializuar në emergjencat civile dhe të përkushtuar ndaj detyrës dhe përgjegjësisë qytetare.

Të gjithë ju jeni heronj dhe një shembull i lartë i përgjegjësisë civile dhe njerëzore, së bashku me të gjithë ata mjekë, ushtarakë, punonjës së policisë së shtetit, të emergjencave civile, të kërkim-shpëtim minierave, dhe gjithë ekipeve të tjera të kërkimi-shpëtimit nga vendi, por dhe ata të ardhur nga rajoni dhe Europa, të cilët iu gjendën në ndihmë njerëzve të shumtë në ato momente të vështira.

Një falënderim të gjithëve nga zemra dhe shpresojmë që të kemi sa më shumë si Greji që do të thotë të investojmë më shumë në formimin profesional, në përgatitjen e tyre në mënyrë që t’i përballojmë në kohën e duhur dhe me profesionalizmin e duhur të gjitha vështirësitë që do të ndeshim!