Fjala e Presidentit Meta gjatë takimit me organizata të shoqërisë civile dhe gra aktiviste në Bashkinë Korçë

Fjala e Presidentit Meta gjatë takimit me organizata të shoqërisë civile dhe gra aktiviste në Bashkinë Korçë

Jam shumë i kënaqur dhe nuk mund t’i thoja jo një ftese për të qenë së bashku me ju, sepse tema është tepër e rëndësishme jo vetëm për ju e për të gjitha këto gra dhe vajza dhe nëna shqiptare, por është shumë e rëndësishme për familjen, shoqërinë dhe për kombin tonë. Sidomos në këto momente kur kemi nevojë të japim mesazhe edhe më të fuqishme të forcimit të familjes e të vlerave të saj, të forcimit të vlerave të komunitetit, të shoqërisë, por edhe të vlerave kombëtare, sepse globalizimi, sikurse ka shumë avantazhe, ka edhe shumë rreziqe për popujt e për vendet modestë në përmasa, siç jemi ne.

Dhe kush ka rol më të madh dhe cila është më e përkushtuar se sa nëna dhe bashkëshortja në familje për të edukuar në radhë të parë fëmijët me këto ndjenja shumë të domosdoshme të përgjegjësisë, sepse kjo është baza e edukimit në jetë? Kështu që unë besoj se kur flasim për nënë e për gruan, nuk flasim për gjysmën dhe as për gjysmën më të rëndësishme. Flasim për familjen, për komunitetin, për shoqërinë dhe flasim edhe për Shqipërinë e për kombin.

Korça me të drejtë është në krye të këtyre nismave, përpjekjeve dhe risive, dhe nuk habitem se ky qytet është i traditës dhe gjithmonë ka spikatur dhe gratë e vajzat e Korçës kanë spikatur që në periudhën e Rilindjes Kombëtare e në vijimësi.

Besoj se tema e ‘Barazisë gjinore dhe fuqizimi i gruas’ është tepër e mprehtë për arsye se familja jonë, nga një familje e fortë dikur për shkak të shoqërisë së mëparshme, izolimit, të pamundësisë lidhur me mungesën e lirisë së lëvizjes si brenda vendit, e për më tepër jashtë vendit, ishte edhe më e fortë e më e bashkuar.

Tani kuptohet, sikurse jemi ekspozuar ndaj shumë gjërave pozitive, jemi ekspozuar edhe ndaj shumë dukurive të tjera, të cilat e kanë goditur familjen shqiptare, shoqërinë tonë dhe të cilat e theksojnë duke e bërë edhe më imperative përqendrimin në këtë temë e në fuqizimin konkret të grave, sidomos të kryefamiljareve në shqoërinë tonë. Kemi edhe shumë dukuri të tjera, nga të cilat, për fat të keq burrat janë më të prekur, por nga të cilat më shumë paguajnë gratë, sepse ata nganjëherë e humbasin përgjegjshmërinë duke rënë viktima të disa veseve, që dëmtojnë edhe anën financiare të familjes. I kalojnë burrat në depresion dhe pastaj ky është një presion i drejtpërdrejtë që shkon te familja, te gruaja, rezultatet e të cilit i dimë: Janë edhe dhuna në familje, për fat të keq, edhe dhuna ndaj fëmijëve apo edhe dhuna në sy të fëmijëve, që lë trauma dhe që sjell një keqedukim të tyre në të ardhmen, si dhe dukuri të tjera që i dimë si trafikimi e kështu me radhë.

Kështu që në këtë aspekt mendoj se mesazhet tona duhet të jenë të patolerueshme kundër dhunës ndaj grave, ndaj dhunës në familje. E kam bërë të qartë që në çastet e para si President i Republikës dhe kur ndodhi një akt i vrasjes së një gruaje e një nëne, që ky lloj krimi: ai kundër një gruaje, krimi i dhunës në familje, për mua si President i Republikës është i pamnistueshëm, është i pafalshëm. Kjo gjë duhet të jetë publike dhe ky lloj krimi nuk mund të tolerohet. Dhe kjo është tepër e rëndësishme për të frenuar atë papërgjegjshmëri, sepse e dimë rastin e vrasjes së gjyqtares së ndjerë, që ndodhi sepse ishte një veprim i përsëritur apo jo? Një njeri që nuk ishte ndëshkuar ashtu siç duhej për arsye të problemeve të sistemit tonë të drejtësisë, por edhe të legjislacionit të dobët për këto çështje, iu dha mundësia dhe e kreu një akt të tillë kriminal. Kështu që këto mesazhe duhet të jenë shumë të rëndësishme dhe të prera.

Për fat të mirë gratë dhe vajzat tona janë edhe më të arsimuara. Fakti që gati 65% e të arsimuarve në vendin tonë janë vajza dhe gra është mjaft pozitiv, sepse ato janë edhe më punëtore, edhe më të përgjegjshme në përgjegjësi. Por kjo duhet përkthyer edhe në dhënien e një roli më të fuqishëm në të gjithë vendimmarrjen. Ne kemi pasur elemente pozitive edhe në Parlament, edhe në qeveri, edhe në përgjithësi në nivele të ndryshme të qeverisjes.

Kemi pasur elemente pozitive edhe në Bashki përsa u takon nënkryetareve, por edhe këshilltareve, edhe funksioneve të tjera. Në këtë drejtim edhe përcaktimi i kuotave të përfaqësimit ka pasur rëndësinë e vet mjaft pozitive, por ne e dimë se vetëm kaq nuk mjafton, sepse mund të ketë shumë gra deputete.

Por nëqoftëse cenohet një zonjë deputete dhe nuk reagojnë të gjitha gratë, pavarësisht nga partitë, ndaj një veprimi të tillë, atëhere nukjemi aty ku duhet. Mund të kemi shumë gra këshilltare siç kemi këtu, por nëqoftëse cenohet integriteti i njërës prej jush dhe nuk kemi një reagim nga të gjitha gratë në radhë të parë, edhe nga burrat, nuk diskutohet…! Pra duhet t’i japim sa më shumë zë dhe personalitet përfaqësimit të gruas.

Pra t’i japim një peshë reale, jo thjesht dekorative apo sipërfaqësore siç ndodh nganjëherë për fat të keq, që na shkon mendja edhe ne burrave e nuk përjashtoj edhe veten time. Kjo është më e rëndësishmja në mënyrë që të nxisim një lidership real të grave. Ne e dimë që Shqipëria ka dhe ka pasur mjaft gra të zonja dhe me personalitet, të përgjegjshme e me ambicie për të treguar vlerat e tyre. Ashtu sikurse e dimë që duhet bërë një punë shumë e madhe që ne të garantojmë një kualifikim profesional të grave për të rritur në tërësi kapacitetet e tyre që të integrohen në tregun e punës, që është një treg që lëviz në mënyrë dinamike.

Dhe për këtë, të gjitha institucionet qendrore e vendore, sipas karakteristikave të zonës, sipas resurseve, të burimeve natyrore, sipas mundësive të zhvillimit dhe tregut të punës, duhet t’i përgatisim e t’i kualifikojnë, në bashkëpunim edhe me OJQ-të, me organizatat ndërkombëtare. Kemi raste të ndryshme se si, përmes këtyre nismave, shumëgra kanë dalë nga shtëpia, kanë fituar një profesion duke siguruar të ardhurat për familjet e tyre.

Një përparësi të veçantë duhet t’u japim edhe kryefamiljareve, sepse ato janë në situatën më të vështirë. Tani kemi kryefamiljare në të dyja rastet, kur edhe për arsye të divorcit apo për arsye të tilla, ato janë të tilla, por i kemi kryefamiljare edhe kur burrat për arsye të punës, shkojnë të punojnë larg, qoftë edhe në periudha sezonale, për t’i kontribuuar familjes. Mendoj se edhe në këtë drejtim kujdesi nga të gjithë, edhe nga autoritetet vendore, edhenga vetë organizatat që merren me kujdesin e mbështetjen e tyre, duhet të jetë më përparësor në të gjithë këto raste.

Ashtu sikurse jam i sigurt që përmirësimi i kushteteve të çerdheve, të kopshteve, të shkollave për fëmijët është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ujep siguri grave dhe nënave, u jep qetësi që fëmijët për aq kohë do të jenë në kushte shumë më të mira dhe ato mund të punojnë e të luftojnë për të përballuar jetën e tyre si dhe për të konribuuar për familjen e tyre.

Ndërkohë dihet që çdo politikë, po nuk u shoqërua me buxhetim, me financim,me planifikim dhurimesh mbështetëse, mbetet në letër, mbetet thjesht një retorikë, ose në rastin më fatlum, një përpjekje e mirë, por e pasuksesshme. Në këtë drejtim unë e përshëndes këtë angazhim të Bashkisë së Korçës për buxhetimin gjinor dhe kjo duhet të jetë një politikë e mirë në të gjitha bashkitë, por edhe në të gjitha institucionet tona, të cilat merren në mënyrë të veçantë me çështjet që kanë të bëjnë me përfshirjen sociale, me fuqizimin dhe mbështetjen e gruas. Natyrisht këtu një rol të rëndësishëm luan nxitja e grave jo vetëm për kualifikim e tyre, për gjetjen e integrimit të tyre në tregun e punës, por njëkohësisht edhe për një shpirt sipërmarrës, sidomos përsa i takon biznesit të vogël, atij familjar apo edhe atij të mesmë. Për këtë natyrisht që është e nevojshme një politikë mbështetëse, sidomos me grante, të cilat japin një nxitje e një shkëndijë që mund të prodhojë sukses jo vetëm për një grua e për një familje, por edhe për komunitetin, edhe më shumë.

Këto raste pozitive ne duhet t’i promovojmë. Duhet t’ua bëjmë të qartë edhe shumë grave të tjera, të cilat mund të kenë humbur shpresat apo besimin te vetja se ato mund të bëjnë diçka, se si edhe gra të tjera, që kanë qenë në të njëjtën situatë si ato, kanë marrë iniciativën, kanë gjetur guximin dhe kanë arritur një sukses që nuk u shërben vetëm atyre dhe familjeve të tyre, por që u shërben të gjithëve. Prandaj edhe këto forma, të seminarëve, sidomos të suksesit e të arritjeve, janë tepër të rëndësishme.