Fjala e Presidentit Meta gjatë darkës Iftar me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit

Fjala e Presidentit Meta gjatë darkës Iftar me rastin e Muajit të shenjtë të Ramazanit

Ju falënderoj përzemërsisht për prezencën tuaj në këtë mbrëmje Iftari, për të ndarë së bashku nderimin për Muajin e bekuar të Ramazanit!

Si çdo festë fetare tek ne, Muaji Ramazanit është një mundësi, në të cilën shqiptarët shprehin vlerësimin ndaj Zotit si dhe vëllazërimin, mirëkuptimin dhe harmoninë ndër fetare që ekziston në Shqipëri.

Në këtë ditë të 15-të të Iftarit do të doja së pari t’ju uroja gjithë besimtarëve myslimanëshqiptarë agjërim të mbarë, dhe të vlerësoj sakrificën e tyre në përkushtimin ndaj Zotit si dhe ndaj vlerave humane.

Ramazani është muaji i mirëkuptimit, paqes dhe i mëshirës hyjnore.

Është muaji ku dalin në pah cilësitë më të mira njerëzore si bujaria, toleranca, durimi, shpirtmirësia si dhe respekti e dashuria për njëri tjetrin.

Ramazani përcjell përherë mesazhe ngrohtësie për besimtarët dhe i fton ata për më shumë dhembshuri dhe bujari sidomos për të varfrit, familjet në nevojë, jetimët, të moshuarit dhe të vetmuarit.

Uroj që mesazhet e solidaritetit nga ky Muaj i Shenjtë të vazhdojnë edhe më tej të plotësojnë kërkesat e qytetarëve tanë për më shumë mundësi, paqe, solidaritet dhe drejtësi sociale!

Të nderuar pjesëmarrës,

Historia e shqiptarëve është një histori mbijetese, qëndrese dhe lufte për liri dhe identitet!

Në këtë përpjekje të përbashkët myslimanët dhe të krishterët shqiptarë janë ndodhur në krah të njeri tjetrit në të gjithë sfidat për pavarësi, emancipim dhe dinjitet shoqëror.

Përkulem me nderim të veçantë për kontributin dhe vetëmohimin e tyre në Rilindjen Kombëtare, Kryengritjet e mëdha tëPavarësisë, qëndresën ndaj diktaturës si dhe në çdo betejë të tyre për lirinë e fesë dhe ndërgjegjes!

Të nderuar miq,

Koha ka treguar se toleranca tek shqiptarët është jo vetëm fetare dhe gjuhësore, por edhe një tipar i sjelljes ndaj popujve të tjerë. Ajo është trashëguar dhe konsoliduar në kohë.

Në jemi të vetëdijshëm se kjo tolerancë duhet ruajtur e kultivuar vazhdimisht. Është detyra jonë të investohemi gjithnjë e më shumë në të ardhmen për harmoninë fetare të vendit tonë.

Të nderuar të ftuar,

Modeli shqiptar i harmonisë ndër fetare përbën një kontribut dhe merr një vlerë të shtuar në sfidën globale mbi nevojën e mirëkuptimit dhe bashkëjetesës së kulturave dhe qytetërimeve.

Ndërkohë duhet theksuar se Shqipëria, tashmë anëtar i NATO-s, përfaqëson një nga rastet e rralla të një vendi me besime të ndryshme fetare, ku të gjithë faktorët politikë e shoqërore, përfshirë edhe bashkësitë fetare, janë përkrahës të fuqishëm të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Ky fakt dëshmon edhe më shumë se identiteti ynë kombëtar, fetar e shoqëror është dhe mbetet identitet thellësisht evropian.

Të nderuar miq,

Besimi te Zoti është një frymëzim dhe forcë e pashtershme shpirtërore që na shtyn t’i përkushtohemi edhe më shumë familjes, atdheut dhe shoqërisë.

Në këtë drejtim është koha të reflektojmë rreth sfidave që kërkon konsolidimi i lirive dhe të drejtave të besimit në Shqipëri.

Njohja dhe rikthimi i pronave bashkësive fetare është jo vetëm një detyrim që buron nga Kushtetuta e Republikës, por edhe një kontribut real i mëtejshëm në rimëkëmbjen e institucioneve fetare dhe forcimin e pavarësisë së tyre.

Globalizimi në kohën që jetojmë dhe fenomenet që e shoqërojnë atë, na bën të përqafojmë zhvillimin e integruar, por edhe të ruajmëinstitucionet tona shpirtërore, familjen dhe traditat tona etno-kulurore.

Të nderuar të ftuar,

Sonte në këtë Iftar na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre përfaqësuesit më të lartë të besimeve fetare në Shqipëri. Mes nesh janë edhe drejtues të tarikateve dhe myftinjve të shumë krahinave të vendit.
Dua t’ju siguroj për mbështetjen time të palëkundur në punën dhe lutjet e tuaja për të mirën e qytetarëve dhe të ardhmen tonë të përbashkët.

Nga ky Iftar do të doja t’u përcillja të gjithë besimtarëve shqiptarë, kudo ndodhen, respektin tim të thellë për përkushtimin e tyre ndaj Atdheut e Zotit si dhe t’i uroja:

Gëzuar Muajin e shenjtë të Ramazanit!
Paqe e mirësi në shpirtin dhe familjen e tyre!
Agjërim të lehtë për gjithë besimtarët myslimanë!
Lumturi për të gjithë shqiptarët dhe harmoni!