Deklaratë e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta

Deklaratë e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta

Të nderuar gazetarë,

Dua të tërheq vëmëndjen tuaj te dy akte të rëndësishme që Kuvendi ka miratuar dje. Një, në një drejtim mjaft pozitiv dhe një në një drejtim shumë negativ dhe në kundërshtim me drejtimin e parë.

Dje Kuvendi ka miratuar dekretin e Presidentit për “Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 14/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8577, datë 10.02.2000 ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese’, të ndryshuar”’.

Ky është pikërisht ai Dekret që pata kënaqësinë dhe përgjegjësinë ta nënshkruaja në bindje të Kushtetutës dhe vullnetit të sovranit, përpara sovranit, në Manifestimin e  2 Marsit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ky dekret dhe nisma e Presidentit për mbrojtjen e Kushtetutës, vlerave dhe parimeve themelore demokratike që vet populli shqiptar i ka vendosur në Kushtetutë me referendum 22 vjet më parë, gjeti një mbështetje mjaft të gjerë mbarëpopullore.

Pranimi i këtij Dekreti nga Kuvendi, provon qartë se mazhoranca u detyrua të pranoj fuqinë e popullit, të cilit i përket sovraniteti në Republikën e Shqipërisë.

Përshëndes Komisionin e Venecias, që e bëri të ditur  ndërkombëtarisht të vërtetën se, Presidenti i Republikës kishte të drejtë në të gjithë veprimtarinë e tij, në procesin e emërimit të Gjyqtarëve Kushtetues.

“Venecia” konfirmoi se: “Betimi i Gjyqtarit Kushtetues do të duhet të bëhet vetëm para Presidentit të Republikës dhe askund tjetër” dhe se nisma ligjore e njëanshme e Kuvendit, për të ndryshuar formatin e betimit, ishte antikushtetuese dhe e dyshimtë.

U provua qartë se kjo nismë ligjore për të ndryshuar formatin e betimit të gjyqtarit kushtetues ishte vetëm një tendencë për të uzurpuar me një ligj antikushtetues kompetencat e Kreut të Shtetit, por edhe vetë Gjykatën Kushtetuese.

Por, në të njëjtën ditë kur vemendja juaj ka qenë e përqendruar në çështje shumë më zhurmëmëdha, Kuvendi çuditërisht mori dhe një akt tjetër, që është pikërisht në kundërshtim më këtë filozofi dhe me rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Kuvendi u soll krejt ndryshe me ligjin tjetër “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”’.

Përmes këtij ligji, Kuvendi preku në mënyrë të njëanshme, të shëmtuar dhe të pabesë, ligjet e reformës në drejtësi, të miratuara me konsensus dhe veproi krejt ndryshe nga çfarë ka rekomanduar edhe së fundmi Komisioni i Venecias.

Përmes këtij ligji, Kuvendi i hoqi Presidentit të Republikës kompetencën për të pranuar betimin e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Prokurosisë së Posaçme Antikorrupsion.

Përmes këtij ligji, ky Kuvend një partiak  i ndau gjyqtarët e Gjykatës së Lartë në Republikën e Shqipërisë në tre kategori:

Në gjyqtarë  që pritet të emërohen në Gjykatën e Lartë  dhe që nuk kanë më detyrim për t`u betuar.

Në gjyqtarë të cilët vijnë nga rradhët e juristëve të spikatur, që do të duhet të betohen jo si 3 kolegët e tjerë të cilët janë betuar përpara Presidentit sipas ligjit por, që mund të zgjedhin  të postojnë betimin edhe në një copë letër në adresë të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Përmes këtij ndryshimi në ligj, krijohet rreziku i shkeljes së integritetit të Gjykatës së Lartë, me disa anëtarë të betuar dhe disa jo.

Ndërkohë, mos të harrojmë që Gjykata e Lartë është kompetente edhe për zgjedhjen edhe të 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pra në këtë mënyrë është cënuar edhe integriteti i një pjese të Gjykatës Kushtetuese.

Të mos harrojmë se ngritja e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, në përputhje të Kushtetutës dhe të rekomandimeve të Komisionit të Venecias, janë dy nga kushtet kryesore të Parlamentin Europian, të Bundestagut dhe të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Me këtë ligj, Kuvendi i ndau prokurorët e SPAK në dy pjesë:

  • në prokurorë që tashmë janë betuar sipas ligjit përpara Kreut të Shtetit dhe kanë filluar detyrën, dhe
  • në prokurorë të tjerë që pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve ligjore, nuk kanë më detyrim të betohen për marrjen e kësaj detyre përpara asnjë autoriteti.

Përmes këtij ndryshimi ligjor, Parlamenti një partiak delegjitimoi procedurën solemne dhe traditën e krijuar të betimit që duhet bërë përpara një autoriteti që pranohet të jetë përfaqësues i unitetit të popullit.

Presidenti i Republikës është i vetmi institucion që sipas Kushtetutës e mishëron këtë unitet.

Ky ndryshim i formatit të betimit zhbëri praktikat e mira të deritanishme dhe hodhi poshtë edhe grimcat e fundit të solemnitetit dhe legjitimitetit të marrjes së detyrës nga Gjyqtari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

Duke hequr detyrimin për t`u betuar para Presidentit të Republikës, Parlamenti një partiak zhbëri mekanizmin e fundit të verifikimit të ligjshmërisë së marrjes së detyrës prej gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorit të Prokurorisë së Posaçme.

Kryerja e betimit para Presidentit të Republikës, nuk është vetëm një akt formal, honorifik, apo ceremonial.

Kryerja e betimit lidhet me ushtrimin e kompetencave thelbësore të Presidentit të Republikës, në:

–      krijimin e besimit se personi që po betohet ka gatishmërinë, vullnetin dhe ndërgjegjësimin e nevojshëm për marrjen përsipër të detyrës për të cilën ai është emëruar apo zgjedhur;

–      vlerësimin, për aq sa i lejohet, të procesit të ndjekur për përzgjedhjen apo emërimin e magjistratit në funksione kaq të larta në sistemin e drejtësisë.

Ndryshimi i formatit të betimit dhe heqja e detyrimit për ta kryer këtë akt solemn nuk ishte qëllimi i vetëm i kësaj nisme të pabesë të Parlamentit një partiak.

Këto ndryshime ligjore, kanë dhe një tjetër qëllim, atë për dhënien e kompetencës për të kryer verifikimin e pasurisë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe kompetencës për të paraqitur para Këshillit kërkesën për pezullimin e magjistratit nga detyra, në tejkalim flagrant të dispozitave Kushtetuese.

Ky ligj rifut mundësinë e pezullimit nga detyra të çdo magjistrati, edhe përpara se të fillojë një procedim disiplinor ndaj tij, duke e lënë këtë çështje në diskrecion subjektiv të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Edhe pse kjo kompetencë e parashikuar në ligjin fillestar është shfuqizuar një herë me Vendimin nr. 34, datë 10.04.2017 të Gjykatës Kushtetuese, sërish mazhoranca e rifut atë në mënyrë tinzare, përmes këtyre ndryshimeve ligjore.

Duke përfituar pikërisht nga fakti i mosqënies funksionale gjithashtu të Gjykatës Kushtetuese, palët e interesuara vihen në pamundësi për të kërkuar shqyrtimin e kushtetutshmërisë së këtyre ndryshimeve ligjore që synojnë mbajtjen nën terror politik të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Parlamenti një partiak përmes këtyre ndryshimeve në ligjin nr. 96/2016, shkeli nenet 7, 42, 116, 140, 145, 147/a të Kushtetutës dhe vendimin nr. 34, datë 10.04.2017, të Gjykatës Kushtetuese, posaçërisht për këtë çështje.

Mazhoranca, në mënyrë arbitrare, në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, rifuti mekanizmin ndëshkimor për të pezulluar nga detyra çdo magjistrat, me urdhër të një individi, pa asnjë hetim dhe garanci procedurale.

Asnjë nga këto ndryshime ligjore të miratuara përmes ligjit nr. 15/2020, nuk është në funksion të Reformës Kushtetuese në Drejtësi që u miratua me konsensus të plotë 4 vitë më parë.

Këto ndryshime e minojnë akoma më shumë besimin dhe konsensusin me të cilin reforma kushtetuese u votua pikërisht  4 vjet më parë.

Ndryshimet që Kuvendi miratoi dje në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, synojnë ndër të tjera vendosjen nën trysni të trupës së magjistratëve dhe cenojnë rëndë pavarësinë dhe integritetin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë.

Këto ndryshime ligjore dhe Dekreti nr. 11444, datë 02.03.2020 i Presidentit të Republikës që i ktheu ato për rishqyrtim, u mbajtën të fshehura nga mazhoranca për 5 muaj, me qëllim për t’i përfshirë ato në një moment ku vëmendja e publikut është e përqendruar në çështje të tjera me interes shumë më të lartë, zhurmëmadh, siç janë ato me çështjet e Kodit Zgjedhor apo më gjoja ndryshimet e mundshme kushtetuese të cilat besoj se edhe ju keni vëmendjen dhe interesin më të lartë.

Ende nuk kanë ardhur ndryshimet e bëra nga Kuvendi në Presidencë.

Sapo do të vijnë do të verifikohen edhe njëherë nëse janë zbardhur tamam ashtu siç është dakortësuar nga Këshilli Politik dhe do të dekretohen menjëherë.