Deklaratë e Presidentit të Republikës mbi Opinionin Përfundimtar të Komisionit të Venecias për emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese

Deklaratë e Presidentit të Republikës mbi Opinionin Përfundimtar të Komisionit të Venecias për emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese

I. Komisioni i Venecias konfirmoi qartë se shkaku i përplasjes institucionale midis Kuvendit dhe Presidentit të Republikës ishin veprimet antiligjore të ish-Kryetarit të KED-se dhe veçanërisht të mënyrës së dërgimit të listave prej tij.

Opinioni qartëson pa asnjë ekuivok se përgjegjësia individuale e ish-Kryetarit të KED, për kohën dhe mënyrën e dërgimit të listave, është tërësisht e provuar, sepse ai nuk e diskutoi në mbledhje plenare me të gjithë anëtarët e KED siç e kërkon ligji.

Ja çfarë thuhet në pikën 92 të Opinionit të Komisionit të Venecias:

92. “Çështja më problematike e shkaktuar nga vendimet e KED-së në vitin 2019 në lidhje me emërimet në Gjykatën Kushtetuese ka të bëjë me kohën e përcjelljes së listave të renditjes së kandidatëve tek Presidenti dhe Kuvendi…”

“…Kjo shkaktoi një incident të rëndë procedurial…”

“…Kjo mënyrë veprimi nuk u diskutua në KED…”

II. Komisioni i Venecias konfirmoi se KED ka funksionuar në mënyrë jo transparente dhe përjashtimi i Avokatit të Popullit nga mbledhjet e KED është veprim antikushtetues.

Ja çfarë thotë Komisioni i Venecias në pikën 90 të Opinionit:

90. “Për më tepër, KED nuk funksionoi në mënyrë transparente.

Transparenca është thelbësore për të fituar besimin e publikut në procedurën e emërimit, pra të vet Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, KED shpërfilli praninë e detyrueshme kushtetuese të Avokatit të Popullit si vëzhgues qoftë në përzgjedhjen përmes shortit, qoftë edhe në mbledhjet dhe veprimtarinë e KED-së (nenet 149/d (3) dhe 179 (11) të Kushtetutës)…”

III. Komisioni i Venecias në pikat 96, 98 të Opinionit konfirmoi përfundimisht se veprimet e Presidentit, jo vetëm që ishin tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin, por ato kanë ruajtur kushtetushmërinë e gjithë procesit të emërimit.

Në këto paragrafë, Komisioni Venecias, konfirmoi të drejtë emërimin nga Presidenti të gjyqtares së dytë dhe refuzimin e pranimit të betimit të një kandidate të vetë-zgjedhur pas deklarimit përpara një noteri

Ja çfarë thotë Komisioni i Venecias në pikat, 96 – 98 të Raportit:

96. “… Për më tepër, nëse Presidenti do kishte zgjedhur dy kandidatë, Kuvendi do të dispononte një listë me më pak se tre kandidatët, që është dhe numri minimal që parashikon Kushtetuta…”

“…Përfundimisht, kandidati i zgjedhur nga Presidenti ishte renditur ndër tre të parët nga lista e KED, pas zgjedhjes së Kuvendit të kandidatit të tretë të listës…”

98. “…Prandaj duket e arsyeshme që Presidenti refuzoi të pranonte betimin e gjyqtares që pretendon se u emërua automatikisht…”

IV. Në lidhje me ligjin aktikushtetues të mazhorancës për ndryshimin e procedurës së betimit të gjyqtarit përpara Presidentit, Komisioni i Venecias, konfirmoi se, betimi i Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet vetëm përpara Presidentit të Republikës dhe është parakusht jo vetëm për fillimin e detyrës, por dhe për konfirmimin e legjitimitetit të mandatit të gjyqtarit.

Komisioni i Venecias në paragrafët 99 – 100 të Opinionit shprehet se:

99. “…Komisioni i Venecias thekson se neni 129 i Kushtetutës parashikon që një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën e tij/saj pasi të bëjë betimin përpara Presidentit të Republikës (theksuar fort).

“…Një detyrim i tillë është gjerësisht i përhapur në sistemet kushtetuese me qëllim që të përcaktojë qartë momentin kur nis ushtrimi i funksionit të gjyqtarit dhe momentin kur konfirmohet legjitimiteti i mandatit të tij/saj.

Kushtetuta shqiptare e bën të qartë se betimi përpara Presidentit është parakusht për nisjen e ushtrimit të funksionit…”

100. “…Sipas mendimit të Komisionit, kushtetutshmëria e këtij ndryshimi me ligj është e dyshimtë pasi Kushtetuta shprehet qartë se betimi duhet të bëhet “përpara” Presidentit…”