Deklaratë për shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Deklaratë për shtyp e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Përshëndetje!

Së pari, po e nis këtë komunikim javor me ju me çështjen e Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias, për arsye të rëndësisë dhe urgjencës që ka ngritja sa më parë e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë kushtetuese.

Siç e dini, përmes Zëdhënësit tim z. Tedi Blushi përpara tre ditësh, si President i Republikës, – siç kam qenë gjithmonë përgjatë këtyre tre viteve i palodhur në kërkimin e bashkëpunimit për zbatimin kushtetues të reformës në drejtësi, do të vijoj të jem kështu edhe pas Raportit Përfundimtar të Komisionit të Venecias – , sot ia kemi përcjellë edhe shkresën zyrtare Kryetarit të Kuvendit për të zhvilluar një takim sa më parë që ai të ketë mundësi, duke filluar nga e hëna që vjen.

Ju do të thoni pse të hënën dhe jo dje, të enjten? Sepse sot kemi përfundimisht të përkthyer në shqip në mënyrë të certifikuar dhe zyrtare Raportin Përfundimtar të Komisionit Europian për Demokraci përmes Ligjit, pra të Komisionit të Venecias.

Ky është një dokument tashmë zyrtar dhe me përgjegjësi të plotë nga Institucioni i Presidentit dhe shumë shpejt do të vendoset edhe në ‘web’-in tonë zyrtar, por njëkohësisht do t’u dërgohet zyrtarisht edhe të gjithë institucioneve të tjera në vend, përfshirë Kuvendin e Shqipërisë, Avokatin e Popullit dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, që është edhe elementi më kyç e më vital, siç e përforcon edhe “Venecia”, për të garantuar dhe mbrojtur kushtetueshmërinë e këtij procesi kaq të rëndësishëm.

Në rast se edhe ata kanë bërë një përkthim zyrtar të certifikuar ne e mirëpresim dokumentin e tyre në kuadër të bashkëpunimit, që thekson përsëri “Venecia”.

Kështu që edhe ju do ta keni përfundimisht të përkthyer në shqip Raportin Përfundimtar. Kuptohet nuk ka qenë një punë e lehtë, sepse është një gjuhë mjaft specifike dhe e specializuar. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse Gjykata Kushtetuese duhet të jetë sa më shpejt funksionale në interes të popullit shqiptar, qytetarëve tanë, të mbarëvajtjes së shtetit dhe të institucioneve, por njëkohësisht edhe sa i takon procesit të çeljes së negociatave, sepse është një kryekusht tashmë nga Parlamenti Europian.

Padyshim që edhe Bundestag-u, edhe Komisioni Europian, edhe Parlamenti Europian, edhe Parlamenti Danez e të tjerë me radhë e kanë marrë dhe do ta marrin Raportin Final të “Venecias” në variantin origjinal anglisht.

Kështu që, me këtë rast dua të shpreh dhe njëherë vendosmërinë e Presidentit të Republikës për të qenë gjithmonë bashkëpunues me të gjitha institucionet, siç kam qenë përherë, në mënyrë që në Shqipëri reforma në drejtësi të fitojë shpejtësinë e humbur dhe njëkohësisht të rifitojë besimin e qytetarëve.

Kjo realizohet, jo përmes interpretimeve sipas dëshirave apo interesave të secilit, por vetëm përmes respektimit të Kushtetutës dhe të ligjit nga të gjithë.

Së dyti, implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias është e vetmja rrugë për të ecur përpara. Tashmë këto rekomandime janë të qarta edhe në shqip, meqenëse institucionet shqiptare duhet të punojnë gjithmonë në gjuhën tonë kombëtare. Padyshim që jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me të gjithë institucionet, duke e nisur me Kuvendin e Shqipërisë edhe me gjithë institucionet e tjera.

Çështja e dytë e rëndësishme është zhvillimi i fundit lidhur me aktakuzat të bëra publike ndaj Presidentit të Kosovës, Sh.T.Z. Hashim Thaçi dhe njëkohësisht ish–Kryetarit të Kuvendit dhe Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, zotit Kadri Veseli.

Natyrisht që ky është një zhvillim mjaft sfidant, që absolutisht jam i sigurt do të përballohet me shumë urtësi, unitet dhe largpamësi. Jo vetëm nga këto dy përsonalitete, në radhë të parë nga Presidenti i Kosovës, i cili gjithashtu ka qenë edhe udhëheqësi kryesor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe nga zoti Veseli. Mbi të gjitha duke vlerësuar se kjo nuk është një sfidë e tyre në planin individual, apo institucional.

Jam gjithashtu i bindur se kjo do përballohet me shumë dinjitet dhe përgjegjshmëri, jashtë kalkulimeve afatshkurtra nga e gjitha klasa politike në Kosovë.

Nuk është hera e parë, që ndaj udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kemi aktakuza.

Të gjithë tashmë e kemi eksperiencën e këtyre 20 viteve, ku pala e humbur, që shkaktoi luftën dhe gjenocidin, që ishte dhe vetë përgjegjëse për krijimin e UÇK-së si e vetmja rrugë për të fituar lirinë dhe dinjitetin njerëzor, si dhe për t’i shpëtuar eksterminimit nga populli i Kosovës, e ka kthyer në një strategji të sajën, njollosjen e UÇK-së. Jo vetëm kaq, por mundësisht edhe dëmtimin e funksionimit të shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit, jo vetëm është njohur dhe konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë prej shumë kohësh, por njëkohësisht ka treguar që është një faktor stabiliteti në rajonin në të cilin në jetojmë.

Me këtë rast, unë dua të shpreh edhe njëherë solidaritetin tim edhe si President i Republikës, por edhe si mik edhe si shok me Presidentin e Kosovës, por edhe me Kryetarin e PDK-së zotin Veseli dhe jam i sigurt që ata do ta përballojnë me mjaft dinjitet dhe përgjegjësi këtë moment, duke bërë dhe një shërbim tjetër për të konfirmuar drejtësinë e luftës së UÇK-së, por edhe për të rrëzuar këtë strategji tepër të gabuar dhe provokative, që kërkon të mbajë peng të gjithë rajonin tonë dhe të ngadalësojë proceset e integrimit europian dhe mundësisht të minojë ato të integrimit euro-atlantik, siç e keni vënë re edhe në disa vende të tjera fqinje.