Deklarata e Presidentit Meta në Konferencën e përbashkët për Shtyp me Presidentin austriak, Van der Bellen

Deklarata e Presidentit Meta në Konferencën e përbashkët për Shtyp me Presidentin austriak, Van der Bellen

Vjenë, Austri

Në përfundim të takimit dypalësh, Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Deklarata e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta në konferencën për shtyp:

“Kam nderin dhe kënaqësinë që të zhvilloj këtë vizitë të parë zyrtare në vendin tuaj dhe njëkohësisht t‘ju falënderoj për bujarinë tuaj, por edhe për gjithë mbështetjen që keni konfirmuar për rrugën europiane të Shqipërisë!

Gjatë takimit tonë ne vlerësuam së bashku marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera në pikëpamjen institucionale, por edhe njerëzore dhe u angazhuam për t‘i forcuar e intensifikuar ato edhe më shumë në të ardhmen. Dihet se Shqipëria dhe Austria janë mike tradicionale dhe aleate të ngushta prej më së shumti një shekull.

Me këtë rast i shpreha Presidentit Van der Belle, dhe nëpërmjet tij, qeverisë dhe popullit austriak, mirënjohjen për gjithçka vendi juaj ka bërë që nga krijimi i shtetit modern shqiptar.

Çdo 28 Nëntor ne festojmë pavarësinë e Shqipërisë dhe krijimin e shtetit tonë modern, dhe jo për shkak të rendit alfabetik, vendi i parë që kujtojmë me mirënjohje për mbështetjen që na ka dhënë, është Austria, ose më saktë Austro-Hungaria e asaj kohe.

Shqipëria është mirënjohëse për ndihmën bujare dhe aleancën solide të Austrisë, tek e cila kemi gjetur gjithmonë një mirëkuptim dhe mbështetje të plotë të interesave strategjike të ndërsjellta.

Me këtë rast përgëzova Presidentin Van der Bellen për kryesimin e suksesshëm austriak të Presidencës së BE-së duke çmuar vëmendjen që ajo i kushton Ballkanit Perëndimor, si një prioritet i rëndësishëm për Bashkimin Evropian.

Ndaj pritshmëria e Shqipërisë, por edhe e rajonit është, me të drejtë, shumë e madhe, pavarësisht vështirësive. Ne po punojmë fort, që bashkë me vendin të çelim negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian sa më parë të jetë e mundur.

Në këtë kontekst, ndamë qëndrimin e përbashkët se votimi në Kuvendin e Maqedonisë pro nismës për ndryshimet kushtetuese është një hap shumë i rëndësishëm, që nxit shpresën dhe besimin e përbashkët që procesi i anëtarësimit të saj në NATO dhe BE po shkon në drejtimin e duhur.

Një rajon më pranë NATO-s dhe BE-së garanton më shumë siguri, paqe dhe stabilitet për Ballkanin, Europën dhe Aleancën Trans-Atlantike.

Me këtë optikë e shikojmë dhe mundësinë dhe kemi dëshirë, që qytetarët e Kosovës të përftojnë lëvizjen pa viza drejt BE-së, brenda Presidencës Austriake, duke shënuar fundin e izolimit të tyre të pamerituar, pasi siç ka deklaruar edhe Komisioneri përgjegjës Avramopulos në Tiranë, Kosova, prej kohësh i ka realizuar të gjitha standardet e kërkuara.

Afrimi dhe njohja e vendeve të rajonit përmes ndërveprimit njerëzor është mënyra më efikase për të tejkaluar paragjykimet dhe ndërtuar urat e reja të besimit.

Ky është viti i përbashkët i kulturës Shqipëri-Austri. Ai do t’i shërbejë veçanërisht Diasporës Shqiptare në Austri, e cila është e mirëintegruar, dhe vazhdon të gjenerojë personalitete të spikatuar në art, kulturë, shkencë, dhe në fusha të tjera.

Dje unë promovova një nga artistët shqiptarë me famë botërore, – pata kënaqësinë që edhe vetë Presidenti van Der Belle ta përmendte, – Eno Peçi, solist dhe koreograf në Operan Shtetërore të Vjenës, i cili mbetet urë e shëndoshë lidhëse mes dy vendeve dhe popujve tanë.

Katalizatorë të një bashkëpunimi më të ngushtë janë padyshim edh investitorët e rëndësishëm austriakë në Shqipëri, të cilët janë dëshmitarë të besimit mbi potencialin e madh për bashkëpunim mes dy vendeve tona.

Me një prezencë solide në sektorë strategjikë si banka, energjia, sigurimet dhe me një rritje të admirueshme solide ekonomike, Austria i ka të gjitha mundësitë të shumëfishojë prezencën e saj edhe në sektorë të tjerë prioritarë, si turizmi, duke sjellë në Shqipëri përvojën e saj shumë të suksesshme dhe me reputacion botëror.

Aktualisht investimet austriake në Shqipëri kapin shifrën e mbi 425 milion Eurove, me prezencën e 100 ndërmarrjeve me kapital austriak, por unë vlerësoj se duke pasur në konsideratë marrëdhëniet vërtetë të shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe klimën mjaft pozitive ndaj investitorëve austriakë dhe austriakëve në tërësi, jemi ende nën potencialin e mundësive tona dhe shpresojmë të punojmë për një momentum të ri të marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve.

Po kështu një fushë e rëndësishme e bashkëpunimit është edhe arsimi.

Në radhë të parë dua të theksoj se kemi një traditë të shkëlqyer në këtë drejtim, sidomos para Luftës së Dytë Botërore, kur një pjesë e mirë e elitës së popullit dhe vendit tonë solli ndryshime të mëdha dhe pozitive në Shqipëri për shkak të edukimit në vendin tuaj. Dua të shpreh kënaqësinë që kjo traditë pas viteve ’90-të është ripërtëritur dhe mjaft studentë shqiptarë ndjekin studimet e mesme e të larta në Austri dhe ofrojnë një garanci për marrëdhëniet tona edhe më të ngushta e më të afërta në të ardhmen.

Dua gjithashtu të theksoj kontributin e vlefshëm që Austria jep në drejtim të arsimimit profesional të të rinjve shqiptarë, në ndërveprim me biznesin dhe nevojat që ai ka për të përsosur më shumë tregun e punës.

Shqipëria dhe Austria kanë një bashkëpunim shumë të mirë dhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Dhe në këtë drejtim shpresojmë shumë për mbështetjen e Austrisë ndaj kërkesës sonë për realizimin e kryesimit të OSBE-së në 2020.

Shqipëria qëndron përkrah partnerëve të saj strategjikë, dhe në lartësinë e zbatimit të detyrimeve si vend anëtar i NATO-s, dhe si një vend që e shikon të ardhmen e saj vetëm Bashkimin Europian dhe për këtë do të kontribuuojë gjithmonë në drejtim të stabilitetit politik të rajonit tonë, të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal.

Meqënëse pak ditë na ndajnë nga kremtimi i festës tuaj kombëtare, dhe atmosfera ndihet edhe pranë këtij Pallati, dëshiroj t’ju uroj i nderuar President Van der Bellen, dhe nëpërmjet jush, qeverisë dhe popullit tuaj për paqe dhe begati si dhe njëkohësisht për të forcuar akoma edhe më tej këtë miqësi të jashtëzakonshme mes shqiptarëve dhe austriakëve!”

]]>