Deklarata e Presidentit Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin maqedonas Stevo Pendarovski

Deklarata e Presidentit Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin maqedonas Stevo Pendarovski

Mirë se keni ardhur në këtë konferencë shtypi me rastin e vizitës së parë zyrtare të Presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sh. T. Z. Stevo Pendarovski në vendin tonë.

Dua të shpreh një kënaqësi të veçantë për këtë vizitë të parë të Presidentit Pendarovski, pasi jam i sigurt që do t’i japë një dimension të ri marrëdhënieve midis dy vendeve tona, ashtu sikurse është një fakt për t’u përshëndetur se zgjedhja e tij si President i Republikës së Maqedonisë së Veriut i ka dhënë një dimension tjetër marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut, duke kontribuar për forcimin e bashkëjetesës dhe të mirëbesimit atje, që është shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të këtij vendi, por edhe për forcimin e mëtejshëm e të pandërprerë të fqinjësisë midis dy vendeve tona.

Njëkohësisht është kënaqësi e veçantë që të shohim se pas Marrëveshjes Historike të Prespës, mjaft e rëndsishme për forcimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës europiane të të gjithë rajonit tonë, se Maqedonia e Veriut po ecën e sigurt drejt anëtarësimit në NATO.

Dhe për ne është kënaqësi që kemi treguar dhe tregojmë gjithmonë mbështetjen tonë të sinqertë për këtë vlerë të shtuar të Aleancës, aq më tepër në këtë rajon që ka nevojë të forcojë edhe më tej parametrat e tij të sigurisë.

Njëkohësisht dua të shpreh kënaqësinë për angazhimin e Presidentit si dhe të institucioneve të këtij vendi fqinj për të përmbushur të gjitha angazhimet dhe detyrimet që parashikohen nga Marrëveshja e Ohrit, pasi kjo sigurisht është tepër e rëndësishme në të gjitha aspektet, jo vetëm në forcimin e bashkëjetesës në Maqedoninë e Veriut, por edhe të vetë perspektivës europiane të këtij vendi, të marrëdhënieve tona dhe të gjithë rajonit.

Ashtu sikurse e kam siguruar për përkushtimin tim, por edhe tonin për integrimin gjithnjë e më të plotë të pakicës maqedonase në vendin tonë, që përfaqësohet me një komunitet të mrekullueshëm ku ne do të ndërmarrim të gjitha angazhimet e duhura për të ruajtur e forcuar edhe më tej identitetin e tyre kombëtar dhe kulturor.

Natyrisht që nuk jemi të lumtur për zhvillimet e fundit lidhur me perspektivën e çeljes së negociatave për të dy vendet tona, por është tepër e qartë se ndajmë një qëndrim të përbashkët se e vetmja rrugë dhe e vetmja alternativë e pakonkurueshme nga çdo ide tjetër për të dyja vendet tona, por edhe për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian.

Dhe në këtë drejtim ne do të forcojmë përpjekjet tona si në planin e brendshëm, por edhe në atë të bashkëpunimit tonë dhe të bashkëpunimit edhe me vetë Bashkimin Europian në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të kemi zhvilime pozitive në këtë drejtim.

Çdo ide tjetër do të ishte e papranueshme për një rajon që është aq jetik për të ardhmen e vetë kontinentit dhe aq më tepër që sot është i rrethuar, edhe gjeografikisht nga vetë Bashkimi Europian.

Përsa i takon vendit tonë, jam i sigurt se do të na duhet të bëjmë përpjekje shumë më të mëdha për të qenë edhe më të besueshëm, dhe për këtë besoj se platforma më e mirë e reagimit dhe e reflektimit drejt zhvillimeve më pozitive në raport me BE-në, mbetet pikërisht platforma e miratuar nga Bundestagu gjerman, për të cilën kërkohet një konsensus dhe një lexim realist dhe i përbashkët nga të gjitha palët në vendin tonë.

Dhe së fundmi, në mënyrë që t’ia jap fjalën Presidentit Pendarovski të parashtrojë idetë dhe mendimet e tij, kemi diskutuar për gjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe akoma dhe më shumë, ën të gjitha aspektet më konkrete, sidomos për përmirësimin e ndërlidhjes mes vendeve tona përsa i takon infrastrukturës, në mënyrë të veçantë asaj hekurudhore që është një domosdoshmëri, por edhe në fushën e energjsë dhe në shumë fusha të tjera.

Një tjetër shqetësim dhe angazhim i përbashkët i yni është që intensifikojmë marrëdhëniet midis të rinjve në të dyja vendet, por edhe në të gjithë rajonin tonë, në mënyrë që japim mesazhe sa më pozitive, jo vetëm të bashkëjetesës e të bashkëpunimit të të rinjve në këtë rajon, por edhe të së ardhmes së tyre të sigur në vendet tona që të dekurajojmë çdo tendencë apo çdo trend për t’u larguar nga vendet tona drejtvendeve më të zhvilluara për kushte më të mira.

Sepse ky është një rajon që ka një potencial të madh për t’u zhvilluar edhe më shpejt dhe në mënyrë më të qëndrueshme dhe nuk mund ta realizojë potencialin e tij pa inkurajuar të rinjtë që të qëndrojnë, të kenë më shumë vetëbesim dhe të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin edhe më shumë.

Edhe njëherë e falënderoj Presidentin Pendarovski për këtë vizitë dhe për atë frymë të sinqertë bashkëpunimi midis dy vendeve tona që ai rrezaton në mënyrë të qëndrueshme!