Deklarata e Presidentit Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin egjiptian Abdel Fattah El-Sisi

Deklarata e Presidentit Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin egjiptian Abdel Fattah El-Sisi

Shumë faleminderit President El-Sisi për ftesën tuaj dhe për mikpritjen tuaj të jashtëzakonshme!

Nuk mund ta vazhdoj më tej këtë deklaratë pa shprehur edhe një herë këtu për ju, por edhe për të gjithë popullin e Egjiptit dhe për familjarët e viktimave të aksidentit të sotëm, ngushëllimet më të sinqerta dhe më vëllazërore. Lutemi për shpirtin e tyre dhe uroj që të lënduarit të shërohen sa më parë.

Sot, pas takimit me Presidentin El-Sisi jam më i bindur në të ardhmen e shkëlqyer të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, jo vetëm për planin bilateral, por edhe për çështjet më të rëndësishme ndërkombëtare në rajonin e Mesdheut dhe të gjitha çështjet për të cilat ne kemi një interes të përbashkët.

Lidhjet midis dy vendeve janë të hershme, janë shekullore, janë historike, miqësore kulturore dhe vëllazërore, ashtu sikurse edhe interesat e përbashkëta që kemi pasur në rajonin e Mesdheut dhe ato që kemi përsëri, përfshirë edhe sfidat.

Po kështu edhe në aspektin ndërkombëtar, vendet tona janë kontribuuese mjaft aktive për paqen dhe për sigurinë. Gjatë kësaj bisede, sikurse edhe Presidenti e shprehu, i kushtuam vëmendje nxitjes dhe gjallërimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Për këtë bashkëpunim ne kemi një kuadër shumë të mirë ligjor, që garanton investimet reciproke dhe që lehtëson bizneset duke i çliruar ato nga taksimi i dyfishtë.

Në këtë drejtim e sigurova Presidentin se investimet egjiptiane janë të sigurta dhe shumë të mirëpritura në Shqipëri dhe Shqipëria do të jetë një portë hyrëse dhe motivuese për bizneset dhe investimet egjiptiane në gjithë rajonin e Ballkanit.

Potencialet e bashkëpunimit tonë janë të shumta sidomos në turizëm, në energji, bujqësi, eksplorimi dhe shfrytëzimi i naftës dhe i gazit e kështu me radhë. Ajo që është më e rëndësishmja dhe që ne u dakordësuam, është që sa më shpejt të mblidhet komisioni i përbashkët ndërshtetëror, brenda këtij 6-mujori, që do të identifikojë platformën e bashkëpunimit tonë ekonomik. Ndërkohë që edhe grupet e miqësisë në parlamentet tona do të bashkëpunojnë ngushtë për të shtyrë përpara këtë bashkëpunim të qeverive tona dhe gjithë institucioneve.

Njëkohësisht, bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe të kulturës ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet tona me Egjiptin dhe shumë shpejt do të nënshkruhet edhe programi ekzekutiv kulturor 2017-2020 midis vendeve tona.

Rikthimi i fuqishëm dhe premtues i Egjiptit në skenën ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm; si një aktor dhe partner shumë qendror dhe kyç në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, por edhe për forcimin e sigurisë në disa rajone, ku Egjipti luan një rol kryesor, por edhe në çështjet më të mprehta globale.

]]>