Lajme

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Shtetit të Palestinës, Sh. S. Znj. Hana A. S. Shawa. Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet miqësore të Shqipërisë me Shtetin e Palestinës dhe nënvizoi nevojën që këto marrëdhënie të nxiten e të zgjerohen në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta shprehu mbështetjen për të gjitha përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të çuar përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme. “Është shumë e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje paqësore dhe njohja reciproke e të dy shteteve.” – nënvizoi Presidenti Meta....

Në një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi sot me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza” Presidenten e organizatës ndërkombëtare “People to People International”, zonjën Mary Jean Eisenhower, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Nderit të Shqipërisë në Atlanta të SHBA, Ambasadorin Theodore Roosevelt Britton. Presidenti Meta u dorëzoi dy personaliteve të shquara amerikane titullin e lartë në shenjë mirënjohjeje për kontributin e çmuar dhe të vazhdueshëm në promovimin dhe prezantimin e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe si drejtues të organizatës ndërkombëtare “People to People International”, që është e pranishme edhe në Shqipëri. Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z. Ilir Meta: “I dashur Ambasador Theodore Britton dhe zonja Mary Eisenhower, Familjarë të nderuar, miq dhe të ftuar! Jam i gëzuar që kam mundësinë në cilësinë e Presidentit të Republikës të vlerësoj sot dy njerëz të shquar e të nderuar, një zotëri dhe diplomat të respektuar dhe një zonjë të nderuar, humaniste dhe partnere paqeje, e cila drejton një nga organizatat më të njohura në botë: ‘People to People International’, e themeluar nga gjyshi i saj, Presidenti amerikan Eisenhower, çlirimtari i Europës, i cili udhëhoqi forcat aleate që i dhanë fund Luftës së Dytë Botërore. Zonja Eisenhower dhe Ambasadori Britton nuk kanë nevojë për shumë prezantim, pasi ata janë njerëz që gëzojnë respekt të lartë e që nderohen në sferat e jetës ku janë përfshirë dhe angazhuar, veçanërisht si udhëheqës të “People to People International”, me prani edhe në vendin tonë. Unë nuk pata asnjë hezitim kur gjeta propozimin në tryezën time për të vlerësuar këto dy personalitete me Dekoratën e “Nënës Terezës”, një nga medaljet më të larta që jepen në emër të humanistes me famë botërore, e cila ia kushtoi jetën e saj ndihmës për njerëzit në nevojë. I dashur Ambasadori Britton, Kontributi juaj shumë i vlefshëm si Konsulli i Përgjithshëm i Nderit i Shqipërisë në Atlanta të Shteteve të Bashkuara që nga viti 2006, detyrë që e keni mbajtur me nder dhe dinjitet, qenia anëtar i bordit të drejtuesve të ‘People to People International’, të Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë si dhe në shumë organizata të tjera amerikane, por dhe arritjet që keni shënuar në jetën tuaj më inkurajuan t’ju vlerësoj me Dekoratën “Nënë Tereza”. Ambasadori Britton ka treguar një interes të veçantë dhe mbetet një mik jetëgjatë dhe i vendosur i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Dekorata e sotme e “Nënë Tereza” është një vlerësim tjetër që i jepet atij nga një vend, që e do shumë por edhe që e respekton atë pa fund. E dashur zonja Eisenhower, Edhe roli e vepra juaj është po aq e rëndësishme, jo vetëm ndaj paqes në botë, por sidomos kontributi juaj i prekshëm në promovimin e vendit tonë duke prezantuar e përmendur Shqipërinë në Shtetet e Bashkuara dhe më tej gjatë fjalimeve dhe diskutimeve tuaja, që nëpërmjet misionit tuaj e kanë vendosur vendin tonë në hartën e botës për mirë. Vizita juaj e parë në Shqipëri u bë në vitin 2000 për të ndihmuar chapterat shqiptarë të “People to People International”, të cilët ndihmuan shqiptarët e Kosovës, të dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë periudhës së genocidit dhe më vonë ju vazhduat të vinit në këtë vend, me të cilin ratë shumë shpejt në dashuri. Puna juaj me disa programe të “People to People International”, me Forumin Rinor Botëror, me Operacionin Ndërkombëtar të Fëmijëve, Nismën Globale të Paqes, me Kampin e Paqes, Nismat Globale të Minave me Departamentin Amerikan të Shtetit, si dhe shumë të tjera kanë përfshirë edhe shumë studentë shqiptarë e të rritur, të cilët janë përfshirë duke i hyrë një udhëtimi vendimtar për të vendosur paqen aq shumë të nevojshme në botë. Znj. Eisenhower iu bashkua në vitin 1998 organizatës për të vazhduar e çuar edhe më tej ëndrrën e të gjyshit të saj, Presidentit. Eisenhower, – që më vonë u shndërrua edhe në vetë ëndrrën e saj. Ajo aktualisht është Presidente e “People to People International”. Të nderuar Zonja Eisenhower dhe Ambasadori Britton, Do të doja të përftoja gjithashtu nga ky rast për të vlerësuar edhe degët e “People to People International, të cilët janë shndërruar në Ambasadorë të Mirë Shqiptarë dhe nëpërmet familjes suaj globale, kanë promovuar vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ju faleminderit shumë për të gjithë kontributin që keni dhënë për promovimin e vlerave më të mira të kombit tonë!...

Londër, Britani e Madhe Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta u prit sot nga Sir Alan Duncan, Ministër për Europën i Britanisë së Madhe. "Shqipëria beson në angazhimin e domosdoshëm të Britanisë së Madhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor edhe pas Brexit", - theksoi Presidenti Meta, "pasi, vendi juaj ka një rol kyç në këto dekada për forcimin e stabilitetit në Ballkan". Ministri Duncan dhe Presidenti Meta ndanë qëndrime të njëjta mbi zhvillimet në rajon, progresin historik të Maqedonisë së Veriut si dhe për rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi, që të konkludojë në arritjen e një marrëveshjeje, e cila do të forcojë stabilitetin dhe të ardhmen europiane të gjithë rajonit. Ministri Duncan e siguroi Presidentin Meta se Britania e Madhe do vijojë të jetë prezente në Shqipëri dhe në rajon, me qëllim të konsolidimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Duke vlerësuar rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit në fushat e sigurisë, të luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit, Presidenti Meta theksoi rëndësinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis dy vendeve në të ardhmen, në nivele më të larta....

Londër, Britani e Madhe Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerësoi Lord George Robertson me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në mirënjohje të thellë për angazhimin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për kontributin e spikatur në integrimin e Shqipërisë në Aleancën Trans-Atlantike”. Në një audiencë të veçantë, ku merrnin pjesë personalitete të larta britanike, Presidenti Meta e cilësoi Lordin George Robertson si një nga personalitetet më të spikatura të politikës ndërkombëtare të kohës, por dhe si një nga miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe rajonit. Në fjalën e Tij, Kreu i Shtetit theksoi se emri i Lord Robertson është i gdhendur në kujtesën e mbarë shqiptarëve, për kontributin historik si Ministër i Mbrojtjes së Britanisë se Madhe dhe si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në dhënien fund të gjenocidit të Millosheviçit në Kosovë, si dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan. Po ashtu, Presidenti Meta shprehu edhe një herë mirënjohjen e thellë të shqiptarëve ndaj Lordit Robertson për mbështetjen e vendosur per zgjerimin e NATO-s në rajonin tonë dhe për integrimin e Shqipërisë në këtë Aleancë. Lordi Robertson, pasi i shprehu Presidentit Meta falenderimet për këtë vlerësim të lartë, nënvizoi se është shumë krenar që kishte patur fatin të kontribuonte në vendosjen e paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe përsëriti bindjen se për çlirimin e Kosovës, Aleanca kishte bërë, jo vetëm gjënë e duhur, por të vetmen gjë që duhej bërë në atë periudhë. Lordi Robertson shprehu gjithashtu kënaqësinë për progresin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit drejt integrimin Euro-Atlantik që konfirmon vendimet e drejta historike që u morën dy dekada më parë. Fjala e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Ilir Meta, me rastin e dekorimit të Lordit Robertson, me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”: I dashur Lordi Robertson dhe anëtarë të familjes suaj dhe miq! Të nderuar të ftuar! Jemi mbledhur këtu për të nderuar një mik shumë të veçantë, Lordin e Nderuar George Robertson. Teksa kanë kaluar 19 vite që nga 19 shkurti i vitit 2000, ndihem i kënaqur që jam këtu, në këtë rast e veprimtari, që më jep mundësinë të takohem sërish me njërin nga protagonistët më të shquar të politikës ndërkombëtare të kohës së tij. Emri i Lordit Robertson është gdhendur në kujtesën e përbashkët të të gjithë shqiptarëve, për rolin që luajti gjatë një kohe të vështirë e sfiduese për kombin tonë, dhe me të vërtetë, e tillë ishte ajo periudhë e këtij fillim-shekulli për mbarë Ballkanin në përgjithësi. Në cilësinë e tij si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi i nderuar ka luajtur një rol vendimtar, sidomos në Kosovë, duke ndihmuar për dhënien fund të gjenocidit dhe spastrimit etnik të udhëhequr nga Millosheviçi. Vendosmëria e tij për t’i dhënë fund konfliktit siguroi në Kosovë, bëri të mundur që Aleanca e Atlantikut Verior të mos tërhiqej deri në rivendosjen e paqes në të gjithë Ballkanin. Si i tillë, Lordi Robertson ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për qëndrueshmërinë dhe sigurinë në një rajon, i cili shpesh dhe për një kohë fort të gjatë ka qenë i trazuar e ka vuajtur nga konfliktet dhe tensionet. Dëshiroj të nënvizoj rolin e tij kyç për rivendosjen e paqes në Maqedoninë e asaj kohë, që përfundoi me Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001, i një nga arritjet e tij. Kam pasur nderin dhe privilegjin të punoj me Lordin Robertson, në cilësinë e Kryeministrit të Shqipërisë dhe më vonë, si Ministër i Jashtëm, duke hedhur kështu themelet e përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në NATO dhe përgjatë procesit të saj të integrimit europian. Pothuajse dy dekada më vonë, Shqipëria ka shënuar përparime madhore dhe për më shumë se prej dhjetë vitesh është anëtare e NATO-s. Në të njëjtën kohë, angazhimi i vazhdueshëm i Lordit Robertson për një rajon gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues, që vazhdimisht përpiqet të përparojë drejt Bashkimit Europian, ka qenë një mbështetje e madhe për Shqipërinë. Për më tepër, angazhimi i tij ndaj vendit tonë ka ndihmuar në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Kështu që, po e shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur edhe një herë mirënjohjen tonë të thellë për ju, Lordi Xhorxh Robertson, për mbështetjen tuaj të pafund për rajonin si dhe për të gjithë shqiptarët në përgjithësi, gjatë përpjekjeve të tyre për liri, drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimit Europian. Është interesante koinçidenca që Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, quhej gjithashtu “Gjergj / George” dhe, po ashtu, ai shërbeu si një mburojë e Europës përkundrejt Perandorisë Otomane, siç bëri edhe Lordi Xhorxh Robertson 20 vite më parë, duke mbrojtur shqiptarët nga padrejtësitë, gjenocidi dhe spastrimi etnik. I dashur Lordi Robertson, Për shkak të politikës suaj të zgjerimit të NATO-s, dy dekada më vonë, rajoni ynë është më i sigurt dhe pjesë e NATO-s sot. Ne vazhdojmë të mbështetemi në mençurinë dhe përkrahjen tuaj, duke ju konsideruar një mik shumë të vyer. Ju faleminderit të gjithëve!...