Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Intervistat

Intervista e Presidentit të Republikës SH.T. Z. Bajram Begaj, dhënë gazetarit Blendi Fevziu në emisionin ”Opinion”

Blendi Fevziu: Zoti President mirëdita dhe mirë se ju gjeta!

Presidenti i Republikës: Mirë se erdhët! Kënaqësi që t’ju takoj.

Blendi Fevziu: Zoti President, ditë të ngarkuara besoj, sidomos me situatën e Kosovës. Ishit në Shqipëri apo në Amerikë kur e morët vesh për sulmin e 24 shtatorit?

Presidenti i Republikës:  Absolutisht ditë jashtëzakonisht të ngarkuara. Isha në

në Vjenë, në rrugën e kthimit nga New York, kur u informova.

Blendi Fevziu: Cili ishte reagimi i parë?

Presidenti i Republikës: Ishte një ngjarje e papritur, për faktin që i gjithë komuniteti ndërkombëtar ishte fokusuar te presioni që i bëhej palëve për të arritur një marrrëveshje  që të uleshin dhe të dialogonin rreth asaj çfarë ishte dakordësuar publikisht. Në fakt dëgjojmë të kundërtën që është një akt mjaft i rëndë terrorist.

Blendi Fevziu: Ishte edhe fakti që ishin gjithë ato armë, gjithë ato pajisje, të cilat sipas Kurtit ishin 5 milion vetëm kapja e parë, tregon që nuk ishte një strukturë e çfarëdoshme lokale…

Presidenti i Republikës: Natyrisht armatimi, pajisjet apo municioni që u kap ka një vlerë të caktuar monetare, por nuk është kjo…

Blendi Fevziu: Tregon një mbështetje logjistike?

Presidenti i Republikës: Kjo tregon se çfarë objektivi ka pasur me këtë arsenal armatimi.

Blendi Fevziu: Me sa duket objektivi ka qenë që të mos ketë kurrë një marrrëveshje.

Presidenti i Republikës: Mendoj se objektivi ka qenë, që të mos vazhdohet me marrëveshjen dhe të dyja palët të pretendojnë që dikush është fajtor.

Blendi Fevziu: Ka informacione që mund të jetë përfshirë Rusia në këtë ngjarje? Sepse përmendja e Rusisë ka qenë gjithmonë evidente.

Presidenti i Republikës: Natyrisht kjo është një ngjarje e cila është nën hetim, mund të ketë të interesuar aktorë të tretë në rajon, për të destabilizuar rajonin, për të destabilizuar Kosovën, por duke menduar këto të dyja mund të destabilizohet e gjithë Evropa.

Blendi Fevziu: Zoti President, a kishin informacione strukturat tona inteligjente, pra nga shërbimet sekrete, apo të tjera të marra drejtpërdrejt qoftë nga partnerët?

Presidenti i Republikës: Natyrisht që zhvillimet e rajonit, por sidomos të veriut të Kosovës, kanë qenë në fokus të informacioneve të cilat merren qoftë nga institucione të cilat janë përgjegjëse për informacionin, por edhe nga aktorë dhe organizata ndërkombëtare, të cilat veprojnë në Kosovë, janë përgjegjëse për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.

 Blendi Fevziu: Ndërkohë cili ka qenë reagimi juaj i parë për ngjarjen?

Presidenti i Republikës: Reagimi ka qenë i menjëhershëm. Siç ju thashë. Unë po kthehesha nga New Yorku dhe kur mora informacionin, më duhej të bëja një deklarim publik, ku natyrisht të mbështesja Kosovën në çdo rrethanë dhe i bëja thirje komunitetit ndërkombëtar që të bënte, një presion që të dënonte këtë akt terrorist i cili i tejkalonte caqet e një akti terrorist.

Blendi Fevziu: Po dhe kam përshtypjen që s’ishte thjeshtë një akt terrorist dhe momenti i parë ishte drejtëpërdrejtë nga Serbia zyrtare. A mendoni që Serbia zyrtare, shteti, jo disa serb që mund të kenë edhe pashaportat të dyfishta, kanë përgjegjësi direkt në këtë ngjarje?

Presidenti i Republikës: U cenua rendi dhe siguria e një vendi sovran, Kosovës. Natyrisht vrasja e policit në krye të detyrës, Afrim Bunjaku dhe plagosja e dy të tjerëve të çon në mendime të tilla, por mendoj se janë dyshime legjitime, që ushtria serbe është e dislokuar përgjatë kufirit të Kosovës. Apo prania e pajisjeve, e mjeteve ushtarake, armatimit ushtarak në një manastir që s’mund të ndodhte për pesë minuta. Apo edhe qasja që të gjithë pjesëtarët e këtij grupi terrorist ishin të nacionalitetit serb dhe e deklaruar publikisht edhe nga nënkryetari i Listës Serbe të çojnë në dyshime legjitime.

Blendi Fevziu: Kryeministri i Kosovës, ka nxjerrë gjithashtu pamje filmike të momenteve të stërvitjes së tyre, në baza ushtarake serbe, pra që do të thotë se prapavija e tyre ka ardhur me mbështetjen e shtetit serb.

Presidenti i Republikës: Patjetër që transparenca e kryeministrit të Kosovës dhe e qeverisë së Kosovës është shumë e rëndësishme për të kuptuar motivin e këtij agresioni, për të kuptuar qëllimet e tij dhe kush ishin ato agjenci të cilat i suportonin.

Blendi Fevziu: Ngjalli një reagim të menjëhershëm edhe të komunitetit ndërkombëtar, sidomos te shqiptarët, që Presidenti serb Vuçiç shpalli ditë zie për katër persona të cilët ishin vrasës të një punonjësi të sigurisë, pra të Policisë së Kosovës, që qëlluan ndaj policëve të Kosovës, dhe kryen një akt terrorist brenda territorit të Kosovës. Morën përgjigjen e merituar, pra u eleminuan por për ta i shpalli ditë zije.

Presidenti i Republikës: Nuk mund të bëhet shenjë e barazisë midis terroristit dhe atij që bie në krye të detyrës, në asnjë rrethanë. Ishte një akt provokativ, për Kosovën, për vlerat e Bashkimit Evropian dhe për komunitetin Euro-Atlantik.

Blendi Fevziu: A keni kontaktuar me autoritetet kryesore të Kosovës gjatë kësaj jave?

Presidenti i Republikës: Patjetër që jam në kontakt me të gjitha autoritetet e Kosovës.

Blendi Fevziu: Edhe me kryeministrin Kurti, me Presidenten Osmani?

Presidenti i Republikës: Patjetër që po. Kam kontaktuar me Presidenten Osmani, me Kryeministrin Kurti, të cilëve u kam ofruar mbështetjen e Shqipërisë.

Blendi Fevziu: Pra kanë qenë komunikime të drejtëpërdrejta. Cili ka qetinë reagimi i tyre?

Presidenti i Republikës: Kuptohet që në këtë ditë ne duhet të jemi bashkë, dhe të gjithë shqiptarët janë bashkë.

Blendi Fevziu: Ju e keni në një farë mënyre edhe detyrim si kreu i shtetit në bazë të Kushtetutës së Shqipërisë, atë që quhet angazhimi edhe për shqiptarët kudo që janë në botë. Padyshim që shqiptarët e Kosovës janë pjesa më tërësore e shqiptarëve jashtë kufijve të Shqipërisë. A ka pasur ndonjë ofertë konkrete apo çdo gjë ka qenë në kuadrin e komunikimit dhe shprehjes së gatishmërisë?

Presidenti i Republikës: Ka qenë një ofertë e cila është bërë në mënyrë konkrete, e bazuar në detyrimet kushtetuese të Presidentit të Republikës, kështu që i kam ofruar Kosovës, mbështetjen e Shqipërisë, në çfarëdo rrethane.

Blendi Fevziu: Zoti President, duket se ka një ftohje në raportet midis Shqipërisë dhe Kosovës, në ditët e fundit. Kjo ftohje reflektohet në raportet personale të Kryeministrit Kurti me Kryeministrin Rama, për shumë gjëra të tjera. Por një gjë është e sigurt, këtë mund ta themi, në ditët e fundit, kjo është situata më e keqe, flas ndoshta në 24 vitet e fundit së çlirimit të Kosovës, është situata më e keqe kur dy krerë të dy qeverive thuajse nuk kanë komunikim midis tyre. Nuk po them që kryeministri i Kosovës nuk priti kryeministrin e Shqipërisë gjatë një vizite në një tur Balkanik në Prishtinë e të tjera, por në përgjithësi për të mos u marrë me detajet ne e dimë shumë mirë që ka një ftohje. A e ndjeni edhe ju këtë ftohje?

Presidenti i Republikës: Unë nuk mendoj që është realisht kështu. Mendoj që komunikimi është, dhe komunikimi midis dy qeverive ashtu dhe ai mes dy drejtuesve të qeverive është.

Blendi Fevziu: Por praktikisht është komunikimi, por duket që është një ngurtësi që nuk duhet të ishte në këto rrethana.

Presidenti i Republikës: Ka keqkuptime që ne si shqiptarë duhet të ulemi e t’i zgjidhim.

Blendi Fevziu: Dhe shqiptarët pavarësisht keqkuptimeve nuk i zgjidhin asnjëherë duke u ulur.

Presidenti i Republikës: Jo! Patjetër që ne kemi mësuar se do t’i zgjidhim gjërat që kemi brenda shtëpisë.

Blendi Fevziu: Po marrëdhëniet tuaja personale me drejtuesit e Kosovës cilat janë?

Presidenti i Republikës: Absolutisht janë marrëdhënie jashtëzakonisht të mira. Me Presidenten Osmani, siç e dini, në fillim të shtatorit u bë një vizitë shtetërore në Tiranë, ku ne folëm për shumë çështje të cilat ishin në interes ndërshtetëror, po ashtu çështje të cilat kishin interes kombëtar. Vizita ishte mjaft e suksesshme.

Mund të them të njëjtën gjë për kryeministrin Kurti,  me të cilin unë kam bërë disa takime, rregullisht gjatë vitit. Kemi marrë pjesë në Forumin e Prespës. Kemi qenë të pranishëm në Lidhjen e Prizrenit, apo në pjesëmarjen time dy herë në Kosovë në vizitat shtetërore.

Blendi Fevziu: Pra kanë qenë komunikime intensive?

Presidenti i Republikës: Komunikimi është intensiv. Kemi ndarë mendime dhe opinione për gjërat që kanë interes të përbashkët.

Blendi Fevziu: Ndërkohë Zoti President duket se çështja që e rindezi sërish situatën është një deklaratë e kryeministrit të shqipërisë Edi Rama, i cili kërkoi që KFOR të merrte kontrollin e territorit të veriut të Kosovës, një kërkesë e cila ishte artikuluar ose u artikulua nga Vuçiç që krijoi idenë sikur kishte një rakordim midis të dyve.

Në fakt cili është mendimi juaj nëse KFOR mund apo s’duhet ta marrë nën kontoll veriun e Kosovës.

Presidenti i Republikës: KFOR është një histori suksesi. Është mjaft i rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Kosovës dhe të rajonit. Natyrisht që misioni i KFOR-it nuk përcaktohet nga dëshirat tona. Misioni është i paracaktuar, i përcaktuar mjaft qartë dhe dihet se për çfarë shërben. Që nga viti 2008, institucionet e Kosovës, unë them, kanë bërë progres të jashtëzakonshëm, arritje të rëndësishme për të mbarëvajtur rregullin dhe ligjin në gjithë hapësirën territoriale. Kuptohet që hapësira e kufirit monitorohet dhe ruhet nga KFOR-i, për sigurinë, stabilitetin  dhe lëvizjen e lirë.

Blendi Fevziu: Kam përshtypjen që ideja kryesore ishte për të kontrolluar të gjithë veriun, i cili për hir të së vërtetës për 24 vjet, është një territor i pakontolluar nga vetë Kosova.

Presidenti i Republikës: Aktualisht është në fazë diskutimi, shtimi i numrit të prezencës së KFOR-it në Kosovë, për faktin e këtyre ngjarjeve të ndodhura të cilat cenojnë rëndë rendin dhe sigurinë, jo vetëm të Kosovës por edhe të rajonit. Kjo është në diskutime. Nuk di që të jetë në diskutime misioni.

Blendi Fevziu: A keni folur me partnerë dhe drejtues për këtë çështje?

Presidenti i Republikës: Patjetër unë jam në kontakt gjatë gjithë kohës me komandantin e KFOR-it, me të cilin edhe për arsye të detyrës time të mëparshme, kemi pasur njohje personale me të dhe jemi në diskutim për të gjitha çështjet që kanë interes të përbashkët.

Blendi Fevziu: Ndërkohë duket që do ketë një rritje të numrit të forcave, por KFOR-i vetë, deri tani ka deklaruar që çështjet e sigurisë, së rëndësisë së territorit të Kosovës, do i ketë vetë Kosova.

Presidenti i Republikës: Patjetër është e shkruar që institucionet ligjzbatuese të Kosovës, janë përgjegjëse, dhe KFOR-i përgjigjet i treti në radhë, pas policisë së Kosovës dhe EULEX-it.

Blendi Fevziu: Ndërkohë që ky incident i dha njëfarë të drejte Kryeministrit Albin Kurti duke i thënë ndërkombëtarëve që ndërkohë që negociohet shihni se çfarë organizohet në anën tjetër. Pra i dha një avantazh të ndjeshëm Kosovës, në tryezën e bisedimeve, por duket se tryeza e bisedimeve është zgjidhja e vetme përfundimtare e krizës. Në këtë situatë të krijuar me një dëshmor në terren, me një grup terrorist që hyn nga Serbia dhe merret në mbrojtje nga Serbia, pavarësisht lajmit për arrestimi e Radoiçiç sot, a mendoni se mund të vazhdojnë negociatat?

Presidenti i Republikës: Patjetër që dialogu është e vetmja rrugë. Nuk ka rrugë tjetër për zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë. Duhet që Serbisë t’i bëhet më shumë presion nga komuniteti ndërkombëtar. Duhet që pas kësaj ngjarjeje, të ketë një qasje të re për dialogun dhe natyrisht duhet që Serbia të shprehet qartë, që është në favor të paqes, të fqinjësisë së mirë dhe në favor të dialogut.

Blendi Fevziu: I vetmi problem Zoti President është që në raste të tilla dominon gjeopolitika mbi të drejtën, që do të thotë, komuniteti ndërkombëtar mund t’i bëjë presion Vuçiçit, por e sheh për momentin si një zgjidhje më komode se sa mund të vijë një nacionalist që mund të krijojë probleme apo mund të ketë lidhje me Rusinë dhe për këtë arsye mund t’i bëhet më shumë presion Kosovës pa të drejtë. A ekziston, a e keni ndjerë këtë te ndërkombëtarët, apo nuk ekziston?

Presidenti i Republikës: Faktori shqiptar në rajon duhet të dijë një gjë me siguri, që partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjithmonë mendojnë që ne jemi të rëndësishëm dhe jemi kontributorë për paqen dhe sigurinë në rajon. Duke dëgjuar këshillat e tyre unë them që zgjiudhja e vetme dhe rruga e vetme për arritjen e normalizimit të mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë është dialogu.

Blendi Fevziu: Po, deri më tani kryeministri i Kosovës nuk ka patur asnjë shqetësim për raportin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës por ka një shqetësim për angazhimin dhe qëndrimet e Bashkimit Europian. Ai ka qenë kontestues ndaj Lajçakut dhe nuk është i pari por para tij edhe ish- kryeministri dhe ish- presidenti i Kosovës Thaçi ka deklaruar të njëjtën gjë, tetë vjet më parë, mos gaboj nëse jam i saktë me datat pra duket që ka një mos pëlqim për politikat e Bashkimit Europian më shumë se sa për SHBA-në.

Presidenti i Republikës: Unë mendoj se ne duhet të dëgjojmë partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen e këtij konflikti. Natyrisht që emrat e përveçëm nuk kanë shumë rëndësi. Ka rëndësi politika dhe strategjia jonë që duhet të ndjekim, për të realizuar ëndrrën evropiane, ëndrrën Euro-Atlantike të shqiptarëve.

Blendi Fevziu: Zoti President si shkuan takimet tuaja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në sesionin e rradhës?

Presidenti i Republikës: Ishin takime mjaft të sukseshme. Kuptohet që ishte vizita ime e parë në Kombet e Bashkuara, në Asamblenë e Përgjithëshme. Isha shumë i fokusuar te mesazhi që do të jepja gjatë Asamblesë së Përgjithëshme.

Besoj, se ishin takime jo vetëm të fokusuara në drejtim të mesazhit të Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe në takimet bilaterale që kisha me kryetarë shtetesh të tjera të cilat ishin të fokusuara më shumë jo vetëm te marrëdhëniet bilaterale midis Shqipërisë dhe këtyre vendeve por edhe në drejtim të njohjeve të reja të Kosovës.

Natyrisht një vend të rëndësishëm kishte edhe takimi me komunitetin shqiptar në New York, me guvernatorin e New Yersey-t dhe me kryebashkiakun e New York-ut.

Blendi Fevziu: Jeni i kënaqur në fund të vizitës?

Presidenti i Republikës: Besoj se po.

Blendi Fevziu: A është e vërtetë se keni shkuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me një ekip prej tridhjetë vetash?

Presidenti i Republikës: Në fakt unë isha i fokusuar te ajo çfarë thashë më parë, që t’i jepja një mesazh të duhur në atë vend dhe lajmet e pavërteta, apo fake news, që i quani ju, nuk janë të pavërtetueshme, kështu që letrat kredenciale të cilët ka qenë delegacioni shqiptar i kryesuar nga Presidenti i Republikës janë të depozituara në OKB dhe mund të shikohet shumë lehtësisht sa veta ka pasur Presidenti i Republikës.

Blendi Fevziu: Që e shoqëronin atë si pjesë e delegacionit zyrtar?

Presidenti i Republikës: Po.

Blendi Fevziu: Ndërkohë ka patur një lajm në dy ditët e fundit i cili ishte shumë tronditës dhe unë e konsideroj shumë të rëndë pavarësisht se nuk mori vëmendjen e duhur. Në bazë të dëshmisë së një të penduari të drejtësisë ka patur tentativa për të organizuar atentate, për t’ju marrë jetën dy prokuroreve të çështjeve të caktuara që lidheshin me një bandë konkurrente me bandën e Lushnjes, bandë që po ashtu vinte nga zona e Lushnjes. Cili është qëndrimi juaj Zoti President? Sepse ngrihet edhe një pikëpyetje e madhe lidhur me sigurinë e organeve ligjzbatuese. Deri tani drejtësia, prokurorët, gjyqtarët duhet të jenë të garantuar për jetën e tyre, ndryshe ata nuk mund ta luftojnë krimin.

Presidenti i Republikës: Patjetër që lajmi ishte shokues. Me marrjen e informacionit kam kontaktuar me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme, SPAK dhe kam shprehur gatishmërinë time, dhe të institucionit në lidhje me ngjarjen.

Natyrisht lufta ndaj krimit të organizuar është e përditshme, dhe duhet që ne t’i ofrojmë siguri personale, familjarëve të gjithë individëve që luftojnë krimin e organizuar.  Është një luftë e përditshme, duhet t’i bëhemi mbështetës në çdo rrethanë.

Blendi Fevziu: Por ndërkohë besoj që është më e nevojshme që të fuqizohen edhe ligjet kundër akteve të tilla. Pra nuk është njësoj marrja e një jete me marrjen e jetës së dikujt që është në detyrë duke luftuar duhet të jetë shumë herë më ndëshkuese ndaj ligjit.

Presidenti i Republikës: Patjetër edhe unë jam shumë i kënaqur dhe vlerësoj shumë takimin që u organizua me Këshillin e Lartë të Prokurorisë me Ministrin e Brendshëm, Drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, për të gjetur modalitetet e mbështetjes që të mos bëhemi pjesë e skenarëve pas ndodhjes se faktit por të realizojmë gjërat që duhet për sigurinë publike, të këtyre njerëzve që luftojnë krimin në momentin që duhet.

Blendi Fevziu: Zoti President ka pasur vazhdimisht komente edhe pse jo si në kohët e shkuara, për raportet tuaja me kryeministrin Rama. Si janë raportet tuaja me kryeministrin?

Presidenti i Republikës: Marrëdhëniet me kryeministrin janë marrëdhënie institucionale që unë kam me çdo drejtues institucionesh të cilët bëjmë vlerësimin kushtetues, ligjor dhe institucional për çdo çështje që është e rëndësishme.

Blendi Fevziu: Ka pasur fërkime mes jush apo gjithçka ka qenë korrekte?

Presidenti i Republikës: Marrëdhëniet tona janë shumë korrekte dhe institucionale.

Blendi Fevziu: Institucionale!

Presidenti i Republikës: Patjetër që janë institucionale.

Blendi Fevziu: Kisha edhe një pyetje të fundit. Ky ka qenë një vit shumë i mirë për Shqipërinë lidhur me turizmin. Numri i të huajve që kanë ardhur ka qenë shumë më i lartë, i pabesueshëm edhe për pritshmëritë tona. Si e vlerësoni këtë vit dhe a ndikon kjo në një përmirësim të imazhit të Shqipërisë?

Presidenti i Republikës: Patjetër që rritja e turizmit lidhet me rritjen e emrit të Shqipërisë. Shqipëria ka qenë e vlerësuar në arenën ndërkombëtare për politikën e jashtme që ka bërë qoftë në Këshillin e Sigurimit, qoftë në linjëzimin e saj me Bashkimin Evropian. Patjetër, përmirësimi i kushteve ekonomike dhe i turizmit, sidomos i bregdetit shqiptar ka bërë të mundur që të fokusohet numri i lartë i turistëve të cilët kanë kërkuar dhe preferuar për të ardhur për të vizituar Shqipërinë. Duhet të punojmë fort që të garantojmë kushte më të mira për ata që vijnë, që vitin tjetër cilësia e turizmit të jetë akoma më e lartë.

Blendi Fevziu: Ju kam parë që keni shëtitur nëpër Shqipëri, për të vizituar vende të ndryshme dhe aktivitete të ndryshme. Ka ndryshuar mikpritja në Shqipëri dhe struktura akomoduese?

Presidenti i Republikës: Unë ju siguroj që mikpritja shqiptare vazhdon të jetë në lartësinë e duhur. Unë gjatë këtij viti kam vizituar bashki të ndryshme, vende të ndryshme dhe e  kam ndjerë nga afër sa e rëndësishme është mikpritja e njerëzve të thjeshtë.

Blendi Fevziu: Pyetja e fundit: Ku është vendi që ju pëlqen të pushoni vetë në Shqipëri?

Presidenti i Republikës: Ku më pëlqen mua?

Blendi Fevziu: Po!

Presidenti i Republikës: Në Qerret.

Blendi Fevziu: Aty e kaloni pjesën më të madhe të pushimeve ?

Presidenti i Republikës: Aty i kaloj.

Blendi Fevziu: Atëherë, ju falënderoj Zoti President për këtë intervistë! Shumë faleminderit!

Presidenti i Republikës: Kënaqësi! Shumë faleminderit!