Berat-Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve të shquara të sportit në Berat

Berat-Fjala e Presidentit Meta në ceremoninë e dekorimit të personaliteteve të shquara të sportit në Berat

Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sot në qytetin e Beratit për disa veprimtari mjaft domethënëse, të cilat e bëjnë atë një qytet edhe më të rëndësishëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel ndërkombëtar, sikurse ishte sot edhe Maratona e Beratit, por edhe Olimpiada Mbarëkombëtare e Matematikës!

Me këtë rast është kënaqësi të takohem me përfaqësues të një komuniteti mjaft të rëndësishëm e të spikatur të Beratit, që është ai i sportit. Besoj se më shumë vëmendje ndaj sportit, Berati i ka të gjitha mundësitë, sepse nuk i kanë munguar asnjëherë talentet, për të luajtur një rol edhe më të rëndësishëm në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndaj ne sot, duke shfrytëzuar këtë mundësi, nderojmë disa nga modelet më të mira në të kaluarën e Beratit në sport, disa nga modelet më të suksesshme.

Kur isha i vogël, kuptohet shumë i dhënë pas Tomorit, për arsyet që i dini ju, mbaj mend një këngë: ‘Jani Kaç, Jani Kaçi, ki kujdes nga ai Kovaçi! Po t’u afrua në zonën e rreptësisë, të mori gjysmën e revanisë’. Dhe vërtet Përparim Kovaçi është një nga modelet më të shkëlqyera, më të suksesshme, që ka dhënë kontribute të shkëlqyera për futbollin në Berat. Ka qenë ndër golashënuesit më të mirë të kampionateve kombëtare. Sot ende është një model që mund të frymëzojë shumë të rinj dhe sidomos shumë fëmijë drejt fushës së blertë. Ndaj edhe unë kam kënaqësinë që të jem sot bashkë me ju për të shprehur nderimin dhe dashurinë më të madhe për Përparim Kovaçin.

Njëkohësisht është kënaqësi të nderojmë sot një ping-pongist që u bë kampion që kur ishte fëmijë, 15 vjeç, Ilir Shabanajn, i njohur në nivel kombëtar e me arritje edhe në nivel ndërkombëtar, dhe po kështu ta mbështesim në punën e pasionin e tij në përgatitjen e sportistëve të rinj në të ardhmen. Aq më tepër që unë ping-pongun e kam me shumë pasion dhe nuk jam i keq, jam i mirë.

Një voljebolliste cilësore që ka nxjerrë qyteti juaj, e cila ka qenë edhe kapitenia e skuadrës së ‘Tomorit’ duke e çuar drejt rezultateve të larta edhe në nivele kombëtare kur dihet se volejbolli ka qenë një sport mjaft konkurrues në Shqipëri, është Ollga Gjoku, dhe është kënaqësi për mua që të nderojmë këtë personalitet, dhe po kështu të kërkojmë një përkrahje më të madhe për sportet e lojërave me dorë, sepse janë sporte mjaft të shëndetshme, zhvillojnë fëmijët e të rinjtë fizikisht, por edhe nga pikëpamja e mendjes, intelektuale dhe nuk kërkojnë shumë shpenzime e investime. Me pak mbështetje janë sporte, të cilat mund të na kthejnë në kohët e dikurshme të lavdishme.

E mbani mend të gjithë ‘Dinamon’ në volejboll për femra apo ‘Partizanin’ në basketbollin e meshkujve në nivelet më të larta të Evropës. Jo vetëm ato, por edhe shumë ekipe anembanë vendit që konkurronin denjësisht.

Tani të fundit, por jo më të parëndësishmin, do të thoja që është konflikt interesi: Vasil Hoçon. Meqenëse jam marrë për pak kohë me peshëngritje, e kam njohur nga afër dhe e kam ndjekur në shumë gara këtu Vasil Hoçon, një kampion dhe rekordmen absolut në peshat e lehta. Ende ka rekorde të paprekura me një bilanc mjaft pozitiv edhe në garat ndërkombëtare. Atëherë ekipi i ‘Tomorit’ ka qenë shumë konkurrues: Vasili, vëllai i tij Mihali, e shumë të tjerë me trajnerin e jashtëzakonshëm Fehmi Telegrafi, një trajner dhe edukator i vërtetë.

Ashtu sikurse peshëngritja, ishte edhe mundja, ku Berati ka pasur kampionë absolutë dhe natyrisht që sportet e forcës në Berat duhet të rivitalizohen. Kështu që mendoj se duke nderuar sot zotin Vasil Hoço, t’u kërkojmë edhe të gjithë atyre që merren me këto sporte, njerëzve që kanë përvojën, duke shfrytëzuar modele të tilla, të arrijmë që t’i angazhojmë të rinjtë e fëmijët me sport, sepse kjo i bën të fortë për të ardhmen, të shëndetshëm, por i shkëput nga tundimet e ndryshme, nga të cilat janë të kërcënuar vazhdimisht të rinjtë në botën e sotme. Nuk ka ilaç më të mirë se sa sporti. Nuk ka asnjë alternativë më të mirë se sa sporti për t’i socializuar fëmijët, për t’i edukuar e për t’u dhënë shpirtin e garës, për t’i mësuar të jenë të organizuar, për t’i mësuar edhe me humbjen e për të mësuar edhe nga humbja, që të shkojnë te fitorja.

Mendoj se këto katër modele që ne nderojmë sot janë vërtet figura që kanë bërë krenarë të gjithë qytetarët e Beratit dhe që besojmë se do të frymëzojnë shumë të rinj e fëmijë në të ardhmen, në mënyrë që ‘Tomori’ siç është një mal i pakrahasueshëm, të jetë edhe në sporte një emër mjaft i fuqishëm e konkurrues.