Ambasadorja e Greqisë, Sh.S.Znj. Sophia Philippiddou i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Ambasadorja e Greqisë, Sh.S.Znj. Sophia Philippiddou i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadoren e re të Greqisë në Shqipëri, Sh.S.Znj. Sophia Philippiddou, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Duke i uruar mirëseardhjen dhe suksese në detyrë, Presidenti Meta e siguroi Ambasadoren Philippiddou për bashkëpunim të ngushtë në objektivin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm e në të gjitha fushat të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve e popujve tanë.

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit theksoi rëndësinë e madhe të këtyre marrëdhënieve, për të ardhmen tonë të përbashkët europiane dhe të gjithë rajonit.

“Me Greqinë kemi shumë gjëra që na bashkojnë, ndaj nuk duhet të rreshtin përpjekjet për të çuar përpara partneritetin strategjik dhe për të zhvilluar më tej marrëdhëniet dhe fqinjësinë e mirë”, – theksoi Presidenti Meta.

Duke shprehur mirënjohjen ndaj Greqisë për mbështetjen e saj të vazhdueshme në funksion të përparimit të perspektivës europiane të vendit tonë, Kreu i Shtetit siguroi se procesi i integrimit europian mbetet projekti më i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë.