Detyrat/Përgjegjësitë

Neni 67. (Thirrja e Kuvendit)

1.                  Kuvendi i porsazgjedhur thirret në mbledhjen e parë nga Presidenti i Republikës jo më vonë se 20 ditë nga përfundimi i zgjedhjeve.

2.                  Në rast se Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë kompetencë, Kuvendi duhet të mblidhet vetë brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.

Neni 74. (Thirrja e Kuvendit në sesion të jashtëzakonëshëm)

1.                  …

2.                  Kuvendi mblidhet në sesion të jashtëzakonshëm kur, kërkohet nga Presidenti i Republikës, nga Kryeministri ose nga një e pesta e të gjithë deputetëve.

3.                  …

Neni 79. (Zhvillimi me dyer të mbyllura i mbledhjeve)

1.                  Mbledhjet e Kuvendit bëhen të hapura.

2.                  Me kërkesën e Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të një së pestës së deputetëve mbledhjet e Kuvendit mund të bëhen të mbyllura, kur për këtë kanë votuar shumica e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 84. (Shpallja e ligjeve)

1.                  Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij.

2.                  Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85.

3.                  Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare.

4.                  Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.

Neni 85. (Kthimi i ligjit vetëm njëherë)

1.                  Presidenti i Republikës ka të drejtë ta kthejë ligjin për rishqyrtim vetëm njëherë.

2.                  Dekreti i Presidentit për rishqyrtimin e një ligji e humbet fuqinë, kur kundër tij votojnë shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

Neni 86. (Kushtet për tu zgjedhur President)

1.                  Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit.

2.                  President mund të zgjidhet vetëm shtetasi shqiptar që nga lindja, me qëndrim jo më pak se 10 vjetët e fundit në Shqipëri dhe që ka mbushur moshën 40 vjeç.

Neni 87. (Procedura e zgjedhjes së Presidentit)

1.                  Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të marrë pjesë në më shumë se një grup propozues.

2.                  Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi me një shumicë prej tri të pestave të të gjithë anëtarëve të tij.

3.                  Kur në votimin e parë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve nga kryerja e votimit të parë bëhet një votim i dytë.

4.                  Në rast se edhe në votimin e dytë nuk arrihet kjo shumicë, brenda 7 ditëve bëhet një votim i tretë.

5.                  Kur ka më shumë se dy kandidatë dhe asnjëri prej tyre nuk ka marrë shumicën e kërkuar, brenda 7 ditëve bëhet një votim i katërt ndërmjet dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave.

6.                  Në rast se edhe në votimin e katërt asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, bëhet një votim i pestë.

7.                  Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjëri prej dy kandidatëve nuk ka marrë shumicën e kërkuar, Kuvendi shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhjet e reja të përgjithshme.

8.                  Kuvendi i ri zgjedh Presidentin sipas procedurës së parashikuar nga paragrafët 1 deri në 7 të këtij neni. Në rast se edhe Kuvendi i ri nuk e zgjedh Presidentin, ai shpërndahet dhe brenda 60 ditëve bëhen zgjedhje të reja të përgjithshme.

9.                  Kuvendi pasardhës zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Neni 88. (Mandati i Presidentit)

1.                  Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

2.                  Procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 30 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës.

3.                  Presidenti fillon në detyrë pasi bën betimin para Kuvendit, por jo më parë se të ketë mbaruar mandati i Presidentit që largohet. Presidenti bën këtë betim: “Betohem se do ti bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do ti shërbej interesit të Përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar. Presidenti mund të shtojë edhe: Zoti me ndihmoftë!”

4.                  Presidenti që jep dorëheqjen para mbarimit të mandatit të vet, nuk mund të kandidoje në zgjedhjen presidenciale që behet pas dorëheqjes së tij.

Neni 89. (Papajtueshmëria)

Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.

Neni 90. (Shkarkimi i Presidentit)

1.                  Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij.

2.                  Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë. Propozimi për shkarkimin e Presidentit në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

3.                  Vendimi i Kuvendit i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e Presidentit të Republikës, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Neni 91. (Zëvendësimi në rast pamundësie)

1.                  Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij.

2.                  Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë.

Neni 92. (Kompetenca të tjera)

Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:

a) i drejton mesazhe Kuvendit;
b) ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit;
c) jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas ligjit;
ç) jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit;
d) jep gradat më të larta ushtarake sipas ligjit;
dh) me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare;
e) pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë;
ë) lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit;
f) me propozim të Kryeministrit, emëron drejtorin e shërbimit informativ të shtetit;
g) emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit;
gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;
h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.

Neni 93. (Forma e akteve)

Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete.

Neni 94. (Baza ligjore e ushtrimit të kompetencave)

Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të.

Neni 96. (Emërimi i Kryeministrit, shpërndarja e Kuvendit)

1.                  Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend.

2.                  Në qoftë se Kryeministri i emëruar nuk miratohet nga Kuvendi, Presidenti emëron një Kryeministër të ri brenda 10 ditëve.

3.                  Në qoftë se edhe Kryeministri i emëruar rishtas nuk miratohet nga Kuvendi, brenda 10 ditëve Kuvendi zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.

4.                  Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.

Neni 98. (Emërimi dhe shkarkimi i ministrit)

1.                  Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve.

2.                  Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi.

Neni 99. (Betimi i qeverisë)

Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvëndëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës.

Neni 104. (Mocioni i besimit i Kryeministrit)

1.                  Në rast se mocioni i besimit i paraqitur nga Kryeministri refuzohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.

2.                  Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin.

3.                  …

Neni 105. (Mocioni i mosbesimit i Kryeministrit)

1.                  Në rast se mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta e deputetëve miratohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, brënda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti emëron Kryeministrin e ri.

2.                  Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin

3.                  …

Neni 115. (Caktimi i datës së zgjedhjeve të organeve vendore të shkarkuara)

1.                  …

2.                  …

3.                  Në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti i Republikës cakton datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse.

Neni 125. (Emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese)

1.                  Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

2.                  …

3.                  …

4.                  Kryetari i Gjykatës Kushtetuese emërohet nga radhët e anëtarëve të saj nga Presidenti i Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, për një periudhë 3 vjetësh.

5.                  …

Neni 127. (Emërimi në rastin e krijimit të vendeve vacant në Gjykatën Kushtetuese)

1.                  …

2.                  …

3.                  Në rast se vendi i gjyqtarit mbetet vakant, Presidenti i Republikës emëron, me pëlqimin e Kuvendit, një gjyqtar të ri, i cili qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.

Neni 129. (Betimi i anëtarve të Gjykatës Kushtetuese)

Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën bëtimin para Presidentit të Republikës.

Neni 134. (Vënia në lëvizje e Gjykatës Kushtetuese)

1.                  Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje vetëm me kërkesë të:

a. Presidentit të Republikës.
b. …
c. …

Neni 136. (Emërimi i gjyqtarëve)

1.                  Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

2.                  Njeri nga anëtarët emërohet Kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni.

3.                  Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi.

4.                  Gjyqtarët e tjerë emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

5.                  Gjyqtarë mund të jenë vetëm shtetasit me arsim të lartë juridik. Kushtet dhe procedura e zgjedhjes caktohen me ligj.

Neni 137. (Imuniteti i gjyqtarëve dhe KLD-ja )

1.                  …

2.                  …

3.                  Gjyqtarët e tjerë mund të ndiqen penalisht vetëm me miratim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

4.                  Gjyqtari mund të ndalohet ose të arrestohet vetëm në qoftë se kapet në kryerje e sipër të një krimi ose menjëherë pas kryerjes së tij. Organi kompetent njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Në qoftë se Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk jep pëlqimin brenda 24 orëve për dërgimin në gjykatë të gjyqtarit të arrestuar, organi kompetent është i detyruar ta lirojë atë.

Neni 147. (Kryetar i KLD-së)

1.                  Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, si dhe 9 gjyqtarë të të gjitha niveleve, të cilët zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare. Anëtarët e zgjedhur qëndrojnë në detyrë për 5 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme.

2.                  Presidenti i Republikës është Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

3.                  Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij një zëvëndëskryetar. Zëvëndëskryetari organizon veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe kryeson mbledhjet e tij në mungesë të Presidentit të Republikës.

4.                  Këshilli i Lartë i Drejtësisë vendos për transferimin e gjyqtarëve, si dhe për përgjegjësinë e tyre disiplinore sipas ligjit.

5.                  Transferimi i gjyqtarëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tyre, përvecse kur këtë e diktojnë nevojat e riorganizimit të sistemit gjyqsor.

6.                  Gjyqtari mund të shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për kryerjen e një krimi, për paaftësi mendore a fizike, për akte sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose për pamjaftueshmëri profesionale. Kundër këtij vendimi gjyqtari ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Lartë, e cila në këtë rast, vendos me kolegje të bashkuara.

Neni 149. (Emërimi i Prokurorëve)

1.                  Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

2.                  Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kuvendit, për shkelje të Kushtetutës ose për shkelje të rënda të ligjit gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, për paaftësi mendore a fizike, për akte e sjellje që diskreditojnë rëndë figurën e Prokurorit.

3.                  Prokurorët e tjerë emërohen dhe shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Prokurorit të Përgjithshëm.

Neni 150. (Vlerësimi i kërkesës së popullit për të zhvilluar referendum)

1.                  Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.

2.                  …

3.                  …

Neni 151. (Shpallja e ligjit të miratuar me referendum)

1.                  Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës.

2.                  …

3.                  …

Neni 152. (Caktimi i datës së referendumit)

1.                  …

2.                  …

3.                  Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit referendumet zhvillohen vetëm në një ditë

Neni 161. (Propozimi i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë)

1.                  …

2.                  Banka e Shqipërisë drejtohet nga një këshill, i cili kryesohet nga Guvernatori. Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Neni162. (Propozimi i emërimit dhe shkarkimit të Kryetarit të KLSH)

1.                  …

2.                  Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Neni 168. (Komandant i Përgjithshëm i FA. Këshilli i Sigurimit Kombëtar)

1.                  …

2.                  Presidenti i Republikës është Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

3.                  Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Republikës.

Neni 169. (Drejtimi i FA, emërimi dhe shkarkimi i Shefit të Shtabit, Komandantëve)

1.                  Presidenti i Republikës, në kohë paqeje, ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes.

2.                  Presidenti i Republikës, në kohë lufte, emëron dhe shkarkon Komandantin e Forcave të Armatosura me propozim të Kryeministrit.

3.                  Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, emëron dhe shkarkon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, si dhe, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, emëron dhe shkarkon komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.

4.                  Kompetencat e Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ato të Komandantit të Forcave të Armatosura, varësia e tyre nga organet kushtetuese, caktohen me ligj.

Neni 171. (Shpallja e gjëndjes së luftës)

1.                  Në rast agresioni të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, shpall gjendjen e luftës.

2.                  Në rast kërcënimesh të jashtme ose kur detyrimi për mbrojtje të përbashkët buron nga një marrëveshje ndërkombëtare, Kuvendi, me propozim të Presidentit të Republikës, shpall gjendjen e luftës, vendos gjendjen e mobilizimit dhe të çmobilizimit të përgjithshëm ose të pjesshëm.

Neni 172. (Paraqitja në Kuvend e dekretit të vendosjes së gjendjes së luftës)

1.                  Në rastin e nenit 171, paragrafi 1, Presidenti i Republikës i paraqet Kuvendit dekretin për vendosjen e gjendjes së luftës brenda 48 orëve nga nënshkrimi i tij, duke specifikuar të drejtat që kufizohen.

2.                  Kuvendi merr në shqyrtim menjëherë dhe vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve për dekretin e Presidentit.

Neni 176. (Nxjerr dekrete normativë në gjëndjen e luftës)

Kur Kuvendi nuk mund të mblidhet gjatë gjendjes së luftës, Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Ministrave, ka të drejtë të nxjerrë akte që kanë fuqinë e ligjit, të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi në mbledhjen e tij të parë.

Neni 177. (Shpallja e ligjit për amendimin e kushtetutës)

1.                  …

2.                  …

3.                  …

4.                  …

5.                  …

6.                  Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.

7.                  Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë ligj.

8.                  …

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë shpallur me
Dekret Nr. 2260 Datë 28 Nëntor 1998

Funksionet dhe Kompetencat e Presidentit të Republikës në ligje të tjera.

Ligji nr. 8745, date 22.02.2001 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8080, datë 01.03.1996 “Për Letrat me Vlerë”, ndryshuar me ligjin nr. 8168, datë 05.12.1996”.

Neni 3

Komisioni përbëhet nga shtatë anëtarë, të cilët emërohen nga Kuvendi për një periudhë pesëvjeçare. Dy komisionerë propozohen nga Presidenti i Republikës, dy nga Kuvendi, një nga Këshilli i Ministrave, një nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dhe një nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë.

Neni 5

Një nga komisionerët emërohet si kryetar i Komisionit të Letrave me Vlerë me propozim të Presidentit të Republikës dhe miratohet nga Kuvendi Popullor, njëherazi me propozimet për komisionerët e tjerë.

Ligji nr. 8643 Dt. 20.07.2000 “Për Gradat në Policinë e Shtetit”

Neni 15

Gradat në rolin madhor

Gradimet në rolin madhor bëhen me dekret të Presidentit të Republikës, me propozim të Ministrit të Rendit Publik dhe me miratim të kryeministrit.

Ligji nr. 8391 Dt. 28.10.1998 “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”

Neni 5

Shërbimi Informativ Kombëtar drejtohet nga Kryetari, i cili përgjigjet për veprimtarinë e tij.

Kryetari e zëvendëskryetari i tij emërohen e shkarkohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Ligji nr. 8794, datë 10.5.2001 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për Radion dhe Televizionin Publik e Privat në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr. 8655, datë 31.07.2000.

Neni 9 (Zgjedhja)

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit zgjidhen nga Kuvendi Popullor për një periudhë 5-vjeçare, jo më tepër se 2 herë  radhazi. Presidenti i Republikës i propozon Kuvendit Popullor kandidaturën për 1 anëtar, kurse 6 kandidaturat e tjera propozohen nga Komisioni i Përhershëm  për Mjetet e Informimit Publik në përfaqësim të barabartë midis pozitës dhe opozitës parlamentare.

Ligji nr.8753, datë 26.03.2001 “Për një shtesë në ligjin nr. 7602, datë 09.09.1992 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë” ndryshuar me ligjet nr. 8361, datë 01.07.1998, nr. 8421, datë 28.10.1998 dhe nr. 8452, datë 28.01.1999.

Neni 11

Komandanti i Gardës së Republikës emërohet nga Presidenti me propozimin e Këshillit të Ministrave.

Ligji nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

PUSHTETET DHE AUTORITETET E KOMANDIMIT DHE TË DREJTIMIT STRATEGJIK

Neni 3

Pushtetet dhe autoritetet e komandimit dhe të drejtimit strategjik për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë:

  1. Kuvendi
  2. Presidenti i Republikës
  3. Këshilli i Ministrave
  4. Kryeministri
  5. Ministri  i Mbrojtjes
  6. Shtabi i Përgjithshëm
  7. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm
  8. Komandantët e forcave (tokësore, detare dhe ajrore).

KREU II

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

Neni 5

Presidenti i Republikës është Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës, në kohë paqeje e ushtron drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, ndërsa në kohë lufte i drejton Forcat e Armatosura drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet Komandantit të Forcave të Armatosura.

Neni 6

Në rast të një sulmi të armatosur kundër Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, me kërkesën e Këshillit të Ministrave, shpall gjendjen e luftës.

Dekretin për vendosjen e gjendjes së luftës, Presidenti ia paraqet Kuvendit brenda 48 orë nga nënshkrimi, duke përcaktuar qartë të drejtat që kufizohen.

Neni 7

Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gëzon autoritetin e plotë të komandimit e të drejtimit të Forcave të Armatosura dhe ka këto detyra e përgjegjësi:

1.                  Miraton, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, strukturën organizative të Forcave të Armatosura.

2.                  Miraton planin e veprimeve të Forcave të Armatosura në kohë paqeje dhe në rastet e vendosjes së masave të jashtëzakonshme.

3.                  Miraton shpërndarjen e Forcave të Armatosura në kohë paqeje dhe vendos për mobilizimin dhe për provat e gatishmërisë së njësive ushtarake rezervë, brigadë e lart.

4.                  Në kohë lufte, emëron e shkarkon, me propozimin e Kryeministrit, Komandantin e Forcave të Armatosura.

5.                  Emëron e shkarkon, me propozimin e Kryeministrit, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

6.                  Emëron e shkarkon, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore.

7.                  Jep gradën e gjeneralit dhe dekoron ushtarakët e Forcave të Armatosura.

8.                  Emëron, shkarkon dhe nxjerr në rezervë ose në lirim, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, oficerët me grada madhore.

9.                  Urdhëron fillimin e veprimeve luftarake, kur shkelet integriteti i hapësirave tokësore, ajrore e detare të Republikës së Shqipërisë.

10.             Miraton vendimet e Komandantit të Forcave të Armatosura për përdorimin në veprimet ushtarake në kohë lufte të Forcave të Armatosura.

11.             I propozon Kuvendit përfundimin e gjendjes së luftës dhe ndërkohë përcakton mënyrën e zhvillimit të bisedimeve për paqe.

12.             Urdhëron vendosjen e shkallëve të ndryshme të gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme.

13.             Urdhëron lëvizjen, rivendosjen dhe përdorimin e Forcave të Armatosura, në kushtet e masave të jashtëzakonshme.

14.             Delegon autoritetin e komandimit operacional të njësive ushtarake, të madhësisë ushtar-skuadër-togë-kompani-batalion të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë te komandat aleate, me të cilat forcat tona kryejnë misione e veprime të përbashkëta, sipas marrëveshjeve dhe traktateve të ratifikuara nga Kuvendi.

15.             Miraton regjimin, rregullat e gatishmërisë luftarake dhe ngritjen në kushtrim të Forcave të Armatosura.

16.             U jep njësive ushtarake, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, flamujt luftarakë.

Neni 8

Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, nxjerr urdhra dhe udhëzime në ushtrimin e detyrave dhe të përgjegjësive që ka.

Neni 9

Presidenti i Republikës i rekomandon Këshillit të Ministrave ndryshime në buxhetin për mbrojtjen, në varësi të nevojave për:

·                     përballimin e rreziqeve, që i kanosen Republikës së Shqipërisë ose përballimin e gjendjes së luftës;

·                     përballimin e gjendjeve që mund të krijohen në Forcat e Armatosura;

·                     krijimin e njësive të reja ushtarake në Forcat e Armatosura;

·                     programe të veçanta për zhvillimin dhe modernizimin e Forcave të Armatosura.

Neni 10

Për marrjen e vendimeve të rëndësishme që ka në përgjegjësi, Presidenti këshillohet me Këshillin e Sigurimit Kombëtar.

Neni 11

Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor pranë Presidentit të Republikës.

Neni 12

Këshilli i Sigurimit Kombëtar ushtron veprimtarinë në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve e detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi.

Neni 13

1.                  Këshilli i Sigurimit Kombëtar thirret nga Presidenti i Republikës, sipas një rendi dite të përcaktuar.

2.                  Këshilli i Sigurimit Kombëtar ndihmon Presidentin e Republikës në çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit, si dhe të drejtimit, organizimit dhe mobilizimit të burimeve njerëzore dhe materiale, në dobi të sigurisë e të mbrojtjes së vendit.

3.                  Këshilli i Sigurimit Kombëtar diskuton dhe jep mendime për çështje të politikës së sigurimit, të politikës së mbrojtjes, të armëkontrollit dhe për të gjitha çështjet e sigurisë e të mbrojtjes.

4.                  Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime. Mbledhjet e tij, si rregull, zhvillohen të mbyllura.

5.                  Anëtarë të Këshillit të Sigurimit Kombëtar janë: Kryetari i Kuvendit, Kryeministri,  Ministri  i Punëve të Jashtme, Ministri  i Mbrojtjes, Ministri  i Rendit Publik, Ministri  i Pushtetit Lokal, Ministri  i Financave, Ministri  i Transportit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Presidenti, sipas çështjeve që diskutohen, mund të ftojë në mbledhje edhe persona të tjerë si kryetarë të komisioneve të përhershme parlamentare, ministra, drejtues të institucioneve qendrore shtetërore etj.

Neni 30

1.                  Shefi i Shtabit të Përgjithshëm emërohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit. Ai zgjidhet nga radhët e oficerëve me grada madhore të Forcave të Armatosura, në bazë të aftësive profesionale dhe të përvojës.

2.                  Shefi i Shtabit të Përgjithshëm bën betimin para Presidentit të Republikës.

Ligji nr. 8551, datë 18.11.1999 “Për Avokaturën e Shtetit”.

Neni 8

Avokati i Përgjithshëm i Shtetit

Emërimi dhe shkarkimi i Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, bëhet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Kryeministrit.

Neni 9

Këshilli i Avokaturës së Shtetit

Këshilli i Avokaturës së Shtetit (Këshilli) përbëhet nga Avokati i Përgjithshëm, Këshilltari Ligjor i Presidentit, Këshilltari Ligjor i Kryeministrit, përfaqësuesi i Prokurorit të Përgjithshëm, tre juristë të kualifikuar e me vjetërsi nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, një jurist i zgjedhur nga Shoqata e Kryetarëve të Bashkive dhe një jurist nga Shoqata e Kryetarëve të Komunave, si dhe pesë avokatë të shtetit, të zgjedhur nga Mbledhja e Përgjithshme e Avokatëve të Shtetit dhe sipas procedurës së parashikuar në Rregulloren e Avokaturës së Shtetit.

Ligji nr. 8546, datë 05.11.1999 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8436, datë 28.12.1998 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 20/a

Me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Presidenti i Republikës emëron gjyqtarë personat që kanë mbaruar vitin e dytë të Shkollës së Magjistraturës për të kryer stazhin profesional të parashikuar në ligjin nr.8136, datë 31.7.1996 “Për shkollën e Magjistraturës së Republikës të Shqipërisë”, në gjykatat që kanë kushtet më të mira për organizimin e këtij stazhi.

Neni 22

Kandidatët për gjyqtarë emërohen në detyrë nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbi bazën e konkurimit në këtë të fundit.”

Neni 24

Gjyqtarët e gjykatës së apelit emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbi bazën e konkurimit, pasi të kenë punuar jo më pak se pesë vjet në gjykatat e shkallës së parë dhe të jenë dalluar për aftësi profesionale dhe cilësi të larta etiko-morale.

Kryetarët dhe zëvendëskryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit emërohen nga Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Neni 11

Gjykatat e shkallës së parë organizohen dhe funksionojnë në rrethe gjyqësore në të gjithë territorin e vendit. Kompetencat tokësore dhe qendra e ushtrimit të veprimtarisë për secilën prej tyre caktohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozim të ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë edhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Gjykatat e apelit funksionojnë në zona të caktuara nga Presidenti i  Republikës, me propozim të ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë dhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Neni 12

Numri i përgjithshëm i gjyqtarëve të të gjitha hallkave gjyqësore caktohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozim të ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë edhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ligji nr. 8737, datë 12.02.2001 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 7

Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit.

Prokurori i Përgjithshëm mund të shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Kuvendit…

Neni 11

Këshilli i Prokurorisë përbëhet nga shtatë anëtarë. Në Këshillin e Prokurorisë bëjnë pjesë një përfaqësues i Presidentit, një përfaqësues i Ministrit të Drejtësisë dhe pesë prokurorë.

Neni 21

Kandidatët për prokurorë emërohen në detyrë nga Presidenti i Republikës me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm mbi bazën e rezultateve të konkurimit.

Neni 23

Me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Presidenti i Republikës emëron prokurorë në stazh personat që kanë mbaruar vitin e dytë të Shkollës së Magjistraturës,…

Neni 24

Ngritja në një detyrë më të lartë ose transferimi mund të bëhet vetëm për nevoja dhe në interes të punës nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Prokurorit të Përgjithshëm, pasi të jetë marrë mendimi i prokurorit.

Ligji nr. 8461, datë 25.02.1999 “Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 17

Pas mbarimit të zgjedhjeve, Presidenti i Republikës emëron rektorin ose drejtorin e zgjedhur (në rastin kur shkolla jouniversitare është jashtë strukturës së Universitetit).

Ligji nr. 8401, datë 09.09.1998 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 7893, datë 22.12.1994 “Për Shkencën dhe Zhvillimin Teknologjik”.

Neni 18

Akademia ka statutin e vet, i cili miratohet nga Presidenti i Republikës.

Ligji nr. 8502, date 30.6.1999 “Për krijimin e Qendrës së Publikimeve Zyrtare”.

Neni 19

Komisioni është organi vendimor më i lartë i Qendrës, me cilësinë e personit juridik.

Komisioni i Qendrës përbehet nga juristë, nga një përfaqësues me votë të barabartë të Presidentit të Republikës, të Kuvendit, të Këshillit të Ministrave, të Gjykatës Kushtetuese, të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të Gjykatës së Lartë, të Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe të Fakultetit të Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Ligji nr. 8811, datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.

Neni 3

Përbërja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga:

1.                  Presidenti i Republikës,

2.                  Kryetari i Gjykatës së Lartë,

3.                  Ministri i Drejtësisë,

4.                  3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe

5.                  9 gjyqtarë, të të gjitha niveleve, të zgjedhur nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare.

Neni 11

Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Presidenti i Republikës është Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kryetari thërret dhe drejton mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe kujdeset për zbatimin e ligjit gjatë zhvillimit të mbledhjeve dhe për marrjen e vendimeve.

Neni 12

Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Presidentit, zgjedh nga radhët e tij një Zëvendëskryetar.

Neni 19

Thirrja e mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë

Kryetari vendos për datën dhe kohën e mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por jo më rrallë se një herë në 2 muaj. Kryetari mund të vendosë shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Çdo ndryshim, në datën dhe kohën e vendosur për mbledhjet, u njoftohet secilit prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Kryetari thërret mbledhjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë edhe kur kjo kërkohet me shkrim nga jo më pak se pesë prej anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nga Zëvendëskryetari ose nga Ministri i Drejtësisë.

Neni 22

Rendi i ditës

Rendi i ditës së mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë vendoset nga Kryetari. Në rendin e ditës përfshihen çështje të cilat, sipas ligjit, janë detyrë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Ligji nr. 8599, datë 10.04.2000 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8270,  date 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”.

Neni 11

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës. Ai qëndron në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje.

Ligji nr. 9049, datë 10.04.2003 “Për deklarimin e kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”

Neni 11

Inspektori i Përgjithshëm

1.         …….

2.         Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit, ndërmjet dy kandidaturave, për një mandat pesëvjecar.

3.         ……

4.         ……

Neni 14

1.         …..

2.         …..

3.         Në rast se vendi i Inspektorit të Përgjithshëm mbetet vakant, Presidenti i Republikës, brenda 15 ditëve i propozon Kuvendit dy kandidatura për Inspektor të Përgjithshëm. Kuvendi zgjedh Inspektorin e Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga paraqitja e kandidaturave.