Presidenti Nishani i akordon “Medaljen e Mirënjohjes” albanologut të shquar, Robert Elsie

15 maj 2013

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi albanologut të shquar Robert Elsie “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: “Një ndër albanologët më të shquar, me një vepër të gjërë dhe të thellë, që, përmes një pune plot pasion dhe profesionalizëm, për më shumë se tridhjet vjet, ka dhënë një kontribut të çmuar në promovimin ndërkombëtar të kulturës, gjuhës, letërsisë dhe historisë së shqiptarëve”.

Duke e cilësuar albanologun gjermano-kanadez si “një shqiptar të mirë”, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen për punën e tij kolosale, studimore dhe shkencore në funksion të imazhit pozitiv të Shqipërisë në botë.

Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit theksoi se kontributet që jepen në shërbim të trashëgimisë së kulturës sonë kombëtare janë me vlera të mëdha, për të cilat një komb sado i vjetër do të ketë gjithmonë nevojë.

Presidenti Nishani nënvizoi se shqiptarët kanë kulturë të pasur, por sfidë e madhe mbetet trashëgimia e saj.

Pas marrjes së “Medaljes së Mirënjohjes”, albanologu Robert Elsie duke shprehur mirënjohjen për nderimin e veprës së tij theksoi se në këto 35 vite që vjen rregullisht në Shqipëri, dëshira e tij ka qenë që Shqipëria dhe Kosova të njihen në botë nëpërmjet një paraqitjeje të denjë të kulturës shqiptare, pa mohuar shfaqjet negative dhe problemet e shumta që ka në shoqëritë e tyre.

“Shqipëria nuk është më prapa hënës, është një pjesë dinamike e Europës, megjithatë në paraqitjen e kulturës shqiptare në botë dhe në lëvrim në fushën e albanologjisë ka ende shumë të bërë dhe shpresoj që do të vazhdoj të jap një kontribut të vogël”, – theksoi Elsie në fjalën e tij.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Visar Zhiti; drejtues të Bibliotekës Kombëtare, të Arkivit Qendror të Shtetit dhe studiues.