Deklaratë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës dhe Kosovë

21 janar 2013

Presidenti i Republikës së Shqipërisë dënon me vendosmëri aktin e fundit provokativ të autoriteteve të Beogradit, të cilat zgjodhën gjuhën e forcës për të hequr përmendoren e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Ndërkohë që autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës po vepronin me maturi dhe në mënyrë institucionale për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, Beogradi përdori forcat policore, duke dëshmuar se nuk është i çliruar ende nga mentaliteti dhe fobitë e së shkuarës dhe se kur bëhet fjalë për shqiptarët ai zbaton standarde të dyfishta.

Veprime të tilla dëmtojnë rëndë situatën e brishtë në Luginën e Preshevës, stabilitetin në rajon dhe frymën e dialogut e mirëkuptimit, me vështrim nga e ardhmja, të cilën po përpiqemi të ndërtojmë me përpjekje dhe durim.

Presidenti i Republikës shpreh shqetësimin për veprimin e dhunshëm të dëmtimit të varrezave të komunitetit serb në Kosovë, i cili është gjithashtu dhunim flagrant i traditës shqiptare dhe në kundërshtim të plotë me interesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe shqiptarëve në të gjithë rajonin.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë mbështet veprimin e mençur dhe institucional të autoriteteve lokale të Luginës së Preshevës dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe kudo në rajon për maturi dhe të veprojnë në mënyrë demokratike, si e vetmja mënyrë për të denoncuar në sytë e opinionit publik të brendshëm dhe ndërkombëtar veprimet provokative të Beogradit dhe për të evituar rënien pre ndaj tyre.