Presidenti Nishani nderon zotin Lazim Destani me Urdhrin “Nderi i Kombit”

27 dhjetor 2012

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot zotin Lazim Destani me Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për kontributin e jashtëzakonshëm në mbështetje të iniciativave me karakter kombëtar dhe krijimin e imazhit pozitiv të Shqipërisë në botë”.
Në ceremoninë e dekorimit të zotit Destani, morën pjesë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, dhe pjesëtarë të familjes Destani.

Në fjalën përshëndetëse, Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen institucionale për zotin Lazim Destani, i cili me punën, përkushtimin, mençurinë dhe guximin e tij i ka dhënë një nder emrit ‘shqiptar’ sot në botë.

“Për mua, si President i Shqipërisë, është një moment për të përcjellë në emër të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, vlerësimet, falënderimet për këtë kontribut, për këtë emër të mirë që ju keni ndërtuar për shqiptarët ku keni jetuar dhe punuar. Gjej rastin gjithashtu t’i shpreh falenderimet dhe mirënjohjen, për kontributin dhe për një gjurmë të rëndësishme që latë, në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shtetit shqiptar në kryeqytetin tonë të përbashkët, në Tiranë”, vlerësoi ndër të tjera Presidenti Nishani.

Pas leximit të dekretit presidencial nga Sekretari i Përgjithshëm, Bardh Spahia, zoti Lazim Destani e falenderoi Presidentin e Republikës për nderimin e madh që i bëri personalitetit të tij, dhe solli në ëmendje fjalët e të atit të tij para se të nisej për kurbet në Gjermani.

“Biri im, paç rrugë të mbarë! Dhe po të lë një amanet. Ngado që të shkosh, gjithmonë kujto vendin tënd, sepse këtu do të kthehesh përsëri!”. Këto fjalë m’u ngulën thellë në mendje e në zemër dhe çdo gjë që bëra në jetë, e lidha me vendin dhe popullin tim. Urdhri “Nderi i Kombit” për mua është dhe do të mbetet dekorata më e lartë, sepse e marr nga Shqipëria, e marr nga Presidenti i Republikës, nga populli, të cilët me krenari të madhe i takoj”, u shpreh zoti Destani.