Presidenti Meta priti Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda

12 prill 2018

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim z. Robert Gajda, Komisioner për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Presidenti Meta i uroi suksese z. Gajda në detyrën e re dhe vlerësoi punën e bërë nga Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, që prej krijimit të tij në vitin 2010.

Roli i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi është shumë i rëndësishëm në garantimin e të drejtave themelore e kushtetuese të njeriut, dhe për këtë arsye Presidenti Meta i sugjeroi Komisionerit Gajda që fokusi i veçantë i veprimtarisë së institucionit të jenë mbrojtja në kohë e çdo individi dhe shtresave në nevojë, të cilët mund të jenë viktima të sjelljeve diskriminuese apo sjelljeve të tjera që e nxisin atë.

Konsolidimi i shtetit të së drejtës fillon me respektimin nga administrata publike të të drejtave të çdo individi, pavarësisht gjendjes apo statusit social të tij. Të gjithë kemi për detyrë që të ndikojmë në konsolidimin e veprimtarisë shtetërore për të siguruar shkallën e nevojshme të mbrojtjes të këtyre të drejtave përballë fenomeneve negative të diskriminimit, apo çdo sjellje diskriminuese.

Çdo qytetar duhet të gëzojë mbrojtje të barabartë nga ligji dhe cilido duhet të ketë shanse dhe mundësi të barabarta për të marrë pjesë në jetën publike dhe sociale.

Respektimi i të drejtave dhe mbrojtja nga diskriminimi duhet të bëhet pjesë e kulturës së çdo institucioni publik dhe kulturës së gjerë qytetare, dhe për këtë, roli ndërgjegjësues, monitorues dhe udheheqës i Komisionerit të Mbrojtjes nga Diskriminimi duhet të jetë më aktiv, – theksoi Presidenti Meta.

Duke i uruar suksese në detyrën e re, Presidenti Meta garantoi se për çështje të respektimit të të drejtave të njeriut dhe për çdo veprimtari që rrit efektivitetin e punës së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Institucioni i Presidentit të Republikës do të ofrojë në çdo kohë mbështetjen maksimale.