Presidenti Meta shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Presidentit të Nderit të Federatës Pan-Shqiptare “VATRA”

4 prill 2018

“U trishtova jashtë mase kur mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të atdhetarit të pashoq, shqiptaro-amerikanit të spikatur, Agim Karagjozit.

Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut të shtrenjtë, dëshiroj t’u gjendem shpirtërisht pranë familjarëve dhe të afërmve të tij, duke iu shprehur atyre ngushëllimet e mia më të sinqerta!

Jeta dhe veprimtaria e tij në shërbim të atdheut, në përkrahje dhe mbështetje të palodhur të çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës, si dhe vëllezërve e motrave tona në Amerikë, në mbrojtje dhe përhapje të vlerave të patjetërsueshme të lirisë e demokracisë, duke drejtuar me mençuri dhe largpamësi Federatën Pan-Shqiptare “VATRA”, do të na shërbejë si një shembull e burim frymëzimi i pashtershëm atdhedashurie e përkushtimi.

I pastë dritë shpirti!

Ilir META”