Intervistë e Presidentit të Republikës, Ilir Meta për gazetën greke “To Vima”

18 mars 2018

Zoti President, Shqipëria synon të marrë një datë fikse për nisjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në qershorin e ardhshëm. A shpresoni se kjo do të ndodhë, sidomos pas publikimit të fundit të Strategjisë së Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor?

Ambicia më e madhe e Shqipërisë është anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian. Ky projekt strategjik konsensual gëzon mbështetje të plotë nga qytetarët shqiptarë në tërësi dhe nga i gjithë spektri politik. Të gjithë aktorët institucionalë dhe politikë kanë mbështetur njëzëri kërkesën e Shqipërisë për të hapur negociatat e anëtarësimit sa më parë të jetë e mundur dhe unë këtë e konsideroj një shenjë inkurajuese të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike në vend. Nuk është sekret apo surprizë të themi që ne presim një vendim pozitiv për të hapur negociatat e anëtarësimit, ndoshta gjatë Presidencës bullgare të BE. Njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se kjo do të nënkuptonte prologun e një procesi më kërkues dhe sfidues, që kërkon të transformojë rrënjësisht vendin.

Nga ana tjetër, strategjia e Komisionit Evropian, që u pasua nga turi i Presidentit Juncker në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, ishte një shenjë e qartë e angazhimit të ripërtërirë ndaj këtij rajoni. Jam shpresëplotë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet për të përmbushur premtimin e dhënë për anëtarësim të plotë dhe do të ndihmojë të gjitha vendet tona në këtë rrugë, duke përfshirë edhe nisma të propozuara kohët e fundit.

Pavarësisht disa reformave të përfunduara, rruga drejt integrimit në BE nuk është ende e qartë. Sipas burimeve të besueshme, korrupsioni në vend vazhdon, reformat në gjyqësor janë ende në pritje dhe shumë analistë e përshkruajnë Shqipërinë si “Kolumbia e Evropës” për shkak të prodhimit të lartë të marijuanës. Si u përgjigjeni gjithë këtyre ngjarjeve?

Strategjia e kohëve të fundit është shumë realiste, kur thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor ende nuk janë gati për anëtarësim të plotë në BE. Reformat e thella në sistemin gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke përfshirë luftën kundër kultivimit të drogës dhe trafikimit janë sfidat kryesore që kërkojnë përpjekje të përbashkëta dhe një vullnet politik të vendosur.

Unë jam i bindur se ky trend mund të përmbyset me sukses, me vullnet politik të guximshëm dhe me ndihmën e çmuar të partnerëve tanë. Padyshim që mundemi, dhe ne duhet të bëjmë shumë më tepër në këtë drejtim, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, që përbën një kërcënim serioz për sigurinë dhe nuk po mund të izolohet brenda kufijve. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë që t’i tregojmë qytetarëve tanë, se shtetet serioze dhe agjencitë ligjzbatuese profesionale janë shumë më efikase dhe bashkëpunues sesa rrjetet kriminale.

Disa analistë shprehin shqetësime serioze se Tirana ende po ndjek vizionin e “Shqipërisë së Madhe”. Ata paralajmërojnë se kjo çështje mund të krijojë paqëndrueshmëri të mëtejshme në Ballkan. Kohët e fundit, Kryeministri Rama madje shprehu dëshirën që Shqipëria dhe Kosova të mund të kishin një President të përbashkët në të ardhmen. Cili është komenti juaj për këtë çështje?

Më lejoni të bëj një korrigjim: Tirana nuk ka ndjekur kurrë dhe nuk po ndjek mitin urban të “Shqipërisë së Madhe”. Si President i Republikës, por edhe në funksionet e mia të mëparshme, unë gjithmonë e kam bërë të qartë se Shqipëria është një partner konstruktiv dhe i besueshëm në rajon. Që nga rënia e diktaturës komuniste, projektet më ambicioze dhe strategjike të Shqipërisë kanë qenë pa diskutim anëtarësimi në NATO dhe në BE, duke investuar në këtë drejtim të gjithë kapitalin politik, institucional dhe njerëzor. Politika jonë e jashtme është e bazuar në parimet e paqes, stabilitetit, sigurisë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit.

Sa i përket Kosovës, do të theksoja se në dekadën e parë të pavarësisë, Kosova ka dëshmuar se nuk përbën kërcënim për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e ndonjë vendi tjetër në rajon. Autoritetet më të larta të Kosovës kanë filluar një proces dialogu me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe të asistuar nga SHBA, duke dëshmuar se ata mund të jenë partnerë të besueshëm, që përfaqësojnë interesin më të mirë të vendit të tyre dhe qytetarëve të Kosovës. Tirana ka mbështetur dhe vazhdon të mbështesë këtë dialog, që synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Padyshim, Shqipëria ka të gjitha arsyet e mira për të pasur marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale me Kosovën dhe përpjekjet tona reciproke janë të fokusuar në këtë drejtim. Për të njëjtat arsye të mira, ne kërkojmë të kemi të njëjtin nivel mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me të gjitha vendet fqinje dhe vendet e tjera të rajonit, sepse është në interesin më të mirë të vendeve tona dhe qytetarëve tanë.

Gjatë disa muajve të fundit, Athina dhe Tirana janë angazhuar në një dialog të gjerë për të zgjidhur të gjithë mosmarrëveshjet dypalëshe përmes një pakti të vetëm. Një nga çështjet më të ndjeshme ka të bëjë me “Marrëveshjen e Zonave Detare”, nënshkruar nga të dyja vendet në vitin 2009, por i anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Së fundmi megjithatë, ju refuzuat t’i jepni autorizimin Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Bushati për të vazhduar negociatat për një marrëveshje të re me homologun e tij grek Nikos Kotzias. Pse e bëtë këtë?

Së pari, në çdo rast e kam theksuar faktin se marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë të një rëndësie të madhe dhe strategjike. Gjithmonë kam dashur të shoh një dialog të hapur dhe të duhur, bazuar në vullnetin pozitiv reciprok për të diskutuar të gjitha çështjet me interes. Kjo axhendë nuk vjen nga një planet tjetër, as nuk na imponohet, por përfshin çështje, disa të trashëguara nga e kaluara dhe të tjera nga e tashmja, që janë të një interesi të përbashkët dhe shqetësojnë popujt tanë. Unë e mirëpres faktin se ka një qëllim të mirë për t’u ulur dhe për të diskutuar të gjitha këto çështje, me shpresën se ato janë adresuar në mënyrën më efikase.

Së dyti, të dyja, Shqipëria dhe Greqia janë reciprokisht të interesuar që të kenë një marrëveshje me të cilën ata mund të delimitojnë zonat e tyre përkatëse detare. Është me rëndësi vitale që të dyja palët të hyjnë në këtë proces negociatash me një mision të qartë: të arrijnë një marrëveshje që është ligjërisht e saktë, praktikisht e zbatueshme dhe përfundimisht e parevokueshme.

Në këtë kontekst, të dy vendet janë gjithashtu të vetëdijshme, që teksa ne jemi gjithashtu pjesë e Konventës së ligjit të Deteve, njëkohësisht duhet t’i përmbahen dispozitave ligjore vendase që kushtëzojnë negociatat e ardhshme për një marrëveshje të re.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2010, që shpalli të pavlefshëm marrëveshjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë të arritur në 2009-n, jo vetëm që arsyeton se pse marrëveshja e vjetër është e papranueshme nga ana kushtetuese, por përcakton gjithashtu një udhërrëfyes për një marrëveshje të negociuar në të ardhmen. Është një udhërrëfyes shumë gjithëpërfshirës që përcakton qartë institucionet, hapat, procedurat dhe metodologjinë që mund të përdoret nëse do të negociohej një marrëveshje e re në të ardhmen. As unë, si Presidenti i Republikës, as ndonjë institucion tjetër nuk mund të veprojë përveçse duke u bazuar në këto linja.

Nëse ndonjë nga këto elemente do të anashkalohet, injorohet, evitohet, shmanget ose ndryshohet nga ndonjë institucion para ose gjatë negociatave, do të përbënte shkelje të Kushtetutës. Në të njëjtën kohë, çdo marrëveshje e re që nuk respekton këto “vija të kuqe” mund të dërgohet përsëri në Gjykatën Kushtetuese, ku vendimi i vitit 2010 përbën një “ligj kushtetues” të patjetërsueshëm.

Së treti, ju siguroj ju dhe lexuesit tuaj se pala shqiptare, përfshirë Presidentin e Republikës dhe institucionet e tjera shtetërore, do të angazhohet në këtë dialog dhe këto negociata me vendosmëri dhe sinqeritetin e duhur për të arritur një marrëveshje të re dhe përfundimtare të delimitimit. Unë kam qenë plotësisht transparent me institucionet shqiptare, aktorët politikë dhe opinionin publik, në interesin më të mirë të vendit për të pasur marrëveshjen e duhur.

Sipas jush, a ishte Marrëveshja e vitit 2009 kundër interesave shqiptare? A është e nevojshme një Marrëveshje krejtësisht e re apo do të mjaftonin disa ndryshime në marrëveshjen e vjetër? Dhe nëse është ky rasti, në cilat fusha duhen bërë këto ndryshime?

Kjo nuk është një çështje e konsideratave personale apo çështje e opinionit publik. Marrëveshja e vitit 2009 është nënshtruar vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, që duhet të respektohet plotësisht ashtu siç është. Pas kësaj, ka pasur dy alternativa të tjera që vendet tona mund të zgjidhnin si mjete për të kufizuar zonat e tyre detare. Midis këtyre alternativave, të dyja palët, Shqipëria dhe Greqia zgjodhën të ribëhen negociata dypalëshe për një marrëveshje të re.

Më lejoni t’ju kujtoj se Shqipëria tashmë e ka përcaktuar zonën e saj detare me Italinë dhe është po aq e interesuar të bëjë të njëjtën gjë me Greqinë, gjë që do të ofrojë mundësinë për një marrëveshje tripalëshe midis Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë, që është ende në pritje të marrëveshjes dypalëshe me Greqinë.

Një tjetër çështje e rëndësishme ka qenë kërkesën e Tiranës për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë. Duket se ky problem do të zgjidhet dhe shumë shtetas shqiptarë (me origjinë greke) do të jetë në gjendje të kërkojnë pasuritë e tyre të patundshme. A e konsideroni këtë si një hap të rëndësishëm përpara?

Ligji grek mbi gjendjen e luftës me Shqipërinë është një absurditet politik, dhe shfuqizimi i tij është i vonuar. Është një paradoks i pashpjegueshëm se si dy vende që janë palë të një traktati dypalësh ligjërisht detyrues të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe të Sigurisë, dhe aleate në NATO, mund të kenë një ligj të njëanshëm që imponon gjendjen e luftës, që daton nga Lufta e Dytë Botërore.

Ekziston edhe një paradoks i dytë. Ndërkohë që Greqia nuk ka treguar vullnet për të shfuqizuar ligjin absurd, që në terma praktikë prek qytetarë të pafajshëm shqiptarë të cilët ende nuk mund të pretendojnë të drejtat e tyre pronësore në Greqi, ajo është në të njëjtën kohë përkrah të drejtat pronësore të qytetarëve shqiptarë me origjinë greke në Shqipëri. Në këtë kontekst, shfuqizimi i këtij ligji, nuk është vetëm diçka që akomodon të drejtat legjitime dhe interesat e qytetarëve shqiptarë, por një akt politik që lartëson aspekte të statujës së Greqisë “në vetvete”. Kjo me siguri do të përmirësojë klimën e besimit reciprok, që është e nevojshme për të ecur përpara me çështje të tjera të rëndësishme.

Cili është mendimi juaj për çështjen “çame”, për të cilën disa anëtarë të qeverisë vazhdojnë të flasin? A është kjo një çështje dypalëshe sipas jush? Besoj se ju e dini që qeveria greke nuk do të pranojë se një çështje e tillë ekziston. Nëse është kështu, a nuk mendoni se kjo çështje mund të “helmojë” sërish çështjet dypalëshe?

Unë kam pasur shumë mundësi për t’u takuar me homologët e mi grekë, edhe në funksionet e mia të mëparshme, dhe të diskutojnë një gamë të tërë çështjesh. Kam vënë re me kënaqësi një rritje të ndjeshme të pjekurisë dhe përgjegjësisë nga të dyja palët për të pasur një dialog të hapur dhe të sinqertë për të gjitha çështjet që janë pjesë e axhendës sonë dypalëshe. Ne kemi rënë dakord se ka shumë plagë të trashëguara nga e kaluara, për të cilat ne duhet të diskutojmë me kurajo dhe me kujdes, duke u përmbajtur nga protagonizmi spekulativ.

Në këtë kontekst, Shqipëria dhe Greqia duhet t’i shkëmbejnë haptazi pikëpamjet dhe konsideratat e tyre si edhe të vazhdojnë një dialog të mirëfilltë, duke përfshirë në çështjen “çame”, me një qasje profesionale dhe mendje-hapur. Ne kemi rënë dakord që kemi pikëpamje të ndryshme mbi këtë çështje, por kjo nuk duhet të ndalë përpjekjet graduale dhe progresive për të arritur një mirëkuptim të përbashkët dhe zgjidhje për këtë çështje të ndjeshme. Ky ushtrim kërkon “koka të ftohta” dhe një klimë pozitive besimi të ndërsjelltë për t’u përballur me të kaluarën tonë dhe për të ndërtuar të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.

Ka pasur ankesa nga ana e minoritetit grek në Shqipëri që pretendon se Kryeministri Rama ka ndërmarrë iniciativa të caktuara kundër këtij minoriteti. Ata përmendin, ndër të tjera, se çfarë ka ndodhur me aksionet kundër pasurive të patundshme greke në Himarë. Cila do të ishte përgjigja juaj? A jeni dhe i mendimit se politika që po përdor Kryeministri Rama kundrejt Greqisë mund t’i përkeqësojë gjërat?

Çështjet e pronësisë janë një sfidë e rëndësishme që Shqipëria ka trashëguar nga e kaluara e saj komuniste. Qeveri të ndryshme kanë pasur qasje të ndryshme në trajtimin e këtij fenomeni, që është bërë edhe më kompleks me lëvizjen e vazhdueshme të popullsisë brenda vendit. Kthimi i pronave, kompensimi ose legalizimi është një çështje e përditshme, e cila ka të bëjë me shoqërinë shqiptare në përgjithësi. Kjo nuk ka të bëjë me politika të izoluara diskriminuese ndaj pakicave kombëtare. Ligji i fundit i miratuar në Parlament mbi të drejtat e pakicave kombëtare është një garant i të drejtave të pakicave, përfshirë faktin se të drejtat pronësore janë ndjekur dhe monitoruar rreptësisht nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian.

Gjatë 15 viteve të fundit apo diçka më shumë, Tirana dhe Ankaraja kanë zhvilluar një partneritet shumë të ngushtë. Turqia ka financuar ndërtimin e shumë xhamive, por edhe projekteve të tjera. Gjithsesi, duket se edhe pse mes dy kryeqyteteve ka pasur fërkime që pas tentativës për grusht shteti në Turqi në korrik të vitit 2016, kur qeveria turke ka kërkuar mbylljen e shkollave që i përkasin rrjetit Gylen. Si janë marrëdhëniet me Turqinë e sotme dhe si e shihni ju ndikimin turk në vendin tuaj?

Pas një periudhe të gjatë izolimi, Shqipëria është bërë gjithnjë e më shumë një partner i besueshëm në rajon, Evropë dhe më gjerë. Shqipëria ka sot numrin më të madh të miqve, partnerëve strategjikë dhe aleatëve që ka pasur ndonjëherë në historinë e saj. Turqia është një nga partnerët strategjikë të Shqipërisë, dhe marrëdhëniet tona vazhdojnë të zhvillohen mbi baza solide mirëkuptimi të ndërsjelltë dhe bashkëpunim të ngushtë. Turqia është një partner shumë i rëndësishëm tregtar dhe në investime në Shqipëri, me një prani në rritje dhe të konsoliduar.

Shqipëria e ka dënuar pa asnjë mëdyshje tentativën e grushtit të shteti në Turqi, dhe ka shprehur mbështetjen e saj të plotë për Presidentit Erdogan, për qeverinë turke të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe rendin kushtetues të Turqisë.

Ne kemi vazhduar bashkëpunimin tonë dypalësh dhe kemi një shkëmbim intensiv vizitash, duke përfshirë edhe nivele shumë të larta, që janë dëshmi e partneritetit të qëndrueshëm dhe të mirëkuptimit të ndërsjelltë mes të dy vendeve tona.

Në fillimit të shekullit të 21-të (në fund të viteve 1990, fillimi i viteve 2000), figura të njohura në Greqi dhe Shqipëri, ashtu si edhe ju gjatë kohës që ishit Kryeministër, kanë përkrahur një vizion për të ndërtuar një themel të fortë mes Greqisë dhe faktorit shqiptar në përgjithësi për të arritur një ekuilibër në Ballkan. Rreth 20 vjet kanë kaluar pa asnjë zhvillim të ri në këtë drejtim. A jeni dhe ju i këtij mendimi dhe a besoni se ka vend tani për të ringjallur një vizion të tillë?

Unë jam një pionier i patundur dhe përkrahës i ndërtimit të marrëdhënieve të hapura, konstruktive dhe bashkëpunuese ndërmjet të gjitha vendeve në rajon. Faktori shqiptar në rajon ka luajtur gjithmonë një rol kyç në këtë aspekt, dhe ka qenë në gjendje të ruajë ekuilibrin më të mirë të mundshëm në çdo rrethanë të caktuar. Me një nivel të përmirësuar të të drejtave dhe punësimit të përftuar në vendet ku jeton, faktori shqiptar ka një rol strategjik dhe thelbësor në ankorimin e rajonit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, shqiptarët në të gjithë rajonin kanë krijuar me sukses lidhje më të ngushta me anëtarët e NATO-s dhe vendet e BE-së, duke përfshirë edhe Greqinë fqinje. Unë besoj se ka pasur një evolucion të rëndësishëm e të pakthyeshëm në këtë drejtim, edhe pse ne kurrsesi nuk mund të jemi mjaftueshëm të kënaqur.

Kërkesa juaj për të ushqyer më tej këtë marrëdhënie, me Shqipërinë, Kosovën dhe të gjithë shqiptarët në rajon në përgjithësi, gjithashtu përputhet me optimizmin tim personal për një partneritet të konsoliduar e në rritje dhe bashkëpunimit me vendin fqinj dhe partnerin strategjik, Greqisë.