Ambasadori i ri i Estonisë, Priit Pallum i dorëzon Letrat Kredenciale Presidentit Meta

13 mars 2018

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës së Estonisë në vendin tonë, Sh.T.Z. Priit Pallum.

Presidenti Meta vlerësoi bashkëpunimin e mirë politik midis dy vendeve dhe nënvizoi nevojën e intensifikimit të mëtejshëm të shkëmbimeve të vizitave e të kontakteve në të gjitha nivelet politike.

Duke iu referuar ekspertizës së mirënjohur estoneze në fushën e teknologjisë dhe informacionit, si dhe mundësive reale të bashkëpunimit në këtë aspekt, Presidenti Meta theksoi rëndësinë e progresit të Shqipërisë në këtë drejtim për një rritje ekonomike më të lartë, por dhe garantimin e shërbimeve më cilësore e transparente ndaj qytetarëve.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen shumë domethënëse që Estonia i ka dhënë Shqipërisë përgjatë procesit të integrimit evropian, si dhe për konfirmimin e mbështetjes për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Një vlerësim të veçantë Presidenti Meta e bëri për mbështetjen që Estonia i ka dhënë Kosovës, që në ditët e para të shpalljes së pavarësisë e në vijim.