Presidenti Meta priti Ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë, Per Strand Sjaastad

13 mars 2018

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim të veçantë Ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë, Sh.T.Z. Per Strand Sjaastad.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen teknike dhe asistencën financiare që Norvegjia i ka dhënë Shqipërisë ndër vite.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta vlerësoi rolin dhe kontributin e kompanive të mirënjohura norvegjeze si Statoil dhe Statkraft në fushën e energjisë në Shqipëri.

Presidenti Meta nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë në funksion të shfrytëzimit më të mirë të burimeve të mëdha hidrike dhe detare që dy vendet kanë.

Duke iu referuar bashkëpunimit në fushën e turizmit, Presidenti Meta përshëndeti vendimin për të filluar fluturimet e drejtpërdrejta ajrore mes Oslos dhe Tiranës në sezonin veror dhe shprehu besimin se kjo do të ndikojë ndjeshëm në rritjen e shkëmbimeve turistike midis dy vendeve.

Presidenti Meta vlerësoi në mënyrë të veçantë mbështetjen politike dhe financiare, që Norvegjia ka dhënë për njohjet ndërkombëtare dhe zhvillimin e Kosovës si dhe për angazhimin e kontributin për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.