10/12/2012-Presidenti Nishani dekoron zotin Ramush Haradinaj me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 10/12/2012, nr. dekreti 7857 zotit Ramush Haradinaj  Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Për merita të shquara dhe kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin dhe udhëheqjen e spikatur të qëndresës së pashembullt e luftës legjendare të njësive të Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve e të pasurive të popullatës civile shqiptare e të integritetit territorial të trojeve shqiptare dhe për çlirimin e plotë të Kosovës.

Për kontribut të çmuar, si Kryeministër i Kosovës dhe politikan i përkushtuar, në përpjekjet për rindërtimin e Kosovës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike e të shtetit ligjor, si dhe të një shoqërie të hapur që garanton respektimin e plotë të të drejtave të individit e minoriteteve, për mbështetjen dhe kontributin në shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj. Për sakrificën e jashtëzakonshme e paradigmatike, në shërbim të drejtësisë ndërkombëtare dhe lartësimit të të vërtetave e luftës heroike e të drejtë çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë.

Për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të konsolidimit të lidhjeve vëllazërore dhe zgjerimit e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës e për projektin madhor të bashkimit kombëtar e integrimit në Bashkimin Europian”.