Presidenti Meta priti Kryetarin e Komunës Skënderaj, Bekim Jashari dhe Kryetarin e Komunës Drenas të Kosovës, Ramiz Lladrovci

10 janar 2018

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim z. Bekim Jashari, Kryetar i Komunës Skënderaj dhe z. Ramiz Lladrovci, Kryetar i Komunës Drenas, të Kosovës.

Presidenti shprehu kënaqësinë për këtë takim, me drejtuesit e këtyre dy komunave të Drenicës, si dhe vuri në dukje kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë zona e Drenicës në historinë e kombit tonë.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi mes bashkive të ndryshme të Shqipërisë me komunat e Skënderajt dhe të Drenasit, por edhe me komunat e tjera të Kosovës, në realizimin e projekteve të përbashkëta që kanë të bëjnë me kulturën, arsimin, sportin, bujqësinë, si dhe me të gjitha fushat e tjera të jetës.

Presidenti Ilir Meta, në mënyrë të veçantë u interesua për hartimin dhe përgatitjen e projekteve të përbashkëta mes bashkive të Shqipërisë dhe komunave të Kosovës, në kuadrin e Programeve Evropiane për zhvillimin e rajoneve.