Intervistë e Presidentit Meta dhënë për emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, në Report TV

8 janar 2018

Gazetari: Do të doja ta nisja bisedën nga seanca më e fundit parlamentare, ajo që mbylli sesionin paralamentar ishte nga më kaotiket e 27 viteve pluralizëm. Në një seancë ku u votua për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme. Këtë votim opozita e konsideroi një grusht shteti, një uzurpim që i bën Kryeministri Rama drejtësisë. Ndërkohë që Rama dhe të vetët nga ana e tyre u përgjigjën se kundër këtij votimi janë ata që kanë frikë nga reforma në drejtësi. Për ju si Kryetar Shteti çfarë ishte ky votim?

Presidenti Meta: Kjo ngjarje që mund të na kthejë shumë vite të tjera më mbrapa, në kuptimin stisjes së situatave tërësisht të panevojshme konfliktuale. Kur ekziston tërësisht mundësia dhe vullneti, nëse ky është i dyanshëm, për të bërë zgjidhje tepër parimore, kushtetuese, transparente dhe me standarde të cilat prodhojnë institucione të qëndrueshme, të besueshme dhe të pakontestueshme. Do të theksoja rëndësinë që të gjithë të fokusohemi drejt qershorit të këtij viti dhe drejt përmbushjes së detyrimeve nga çdo aktor politik, institucional në vend, nga shumica dhe nga opozita për të mos ja humbur edhe një shans tjetër Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE-në. Në këtë drejtim, mendoj se është e rëndësishme të reflektojmë nga ato që kanë ndodhur në Shqipëri sistematikisht gjatë 27 viteve kur konfliktet e fryma përjashtuese i ka humbur vendit shanse të tjera më para. Aq më tepër që Evropa nuk na e ka shumë ngenë se ka halle të tjera më të mëdha. Në këtë drejtim ne duhet dyfishojmë-trefishojmë forcat tona, pasi në këta 6 muaj mendoj që vendi i ka të gjitha shanset ende për çeljen e negociatave. Nëse do të humbet edhe kjo mundësi, atëherë do të jetë një kosto e madhe për perspektivën evropiane të vendit, por njëkohësisht dhe për të inkurajuar të rinjtë, krijuesit për të qëndruar në Shqipëri dhe për t’u përkushtuar realizimit të Evropës këtu, dhe jo ta kërkojnë Evropën të gjithë duke emigruar.

Gazetari: Ky votim i njëanshëm, ky vendim i njëanshëm i shumicës qeverisëse, a e vë në dyshim dhe a e rrezikon reformën në drejtësi?

Presidenti Meta: Unë nuk do të ndalesha thjesht tek ky votim, por dua të bëj një vlerësim në tërësi me atë që ka ndodhur me reformën në drejtësi. Në mendimin tim duket sikur jemi kthyer përpara 21-22 korrikut të vitit 2016, ku për fat të keq shpeshherë, diku me mungesë transparencë, diku me dredhi, diku me forma nga më të ndryshmet, gjithmonë kishim një përpjekje jo për të bërë një reformë me konsensus dhe sipas rekomandimeve të Venecias. Gjithmonë është thënë që, Shqipëria ligjet i bën të mira, por çalon tek zbatimi.

Kështu që, unë nënvizoj që këtë radhë nuk do të bëjmë një gabim fatal. Ne Kushtetutën në tërësi e kemi një Kushtetutë relativisht shumë të mirë për çështjen e reformës në drejtësi. Pavarësisht nga disa detajime që bënë atëherë duke mos parashikuar ndoshta disa zhvillime në zbatimin e saj, të cilat më pas kanë krijuar disa interpretime të ndryshme lidhur me ndërtimin e institucioneve të reja. Nuk është çështja thjesht për Prokurorinë apo KLP-në, por mendoj edhe për institucionet e tjera KED, e cila gjithashtu është në një ngërç dhe nuk po funksionon prej një viti.

Për Inspektorin e Përgjithshëm të Drejtësisë për vet procesin e zbatimit të Vetingut është e nevojshme të ketë një dialog të strukturuar sepse çdo zbatim i mëtejshëm i reformës në kushtet kur palët konfliktohen me njëra-tjetra dhe kërcënojnë njëra-tjetrën, nuk ndihmon për qëllimet madhore të kësaj reforme për të garantuar institucione të reja të një drejtësie të re, të cilat janë të standardeve më të larta, të ndërtuara me transparencë dhe njëkohësisht janë të besueshme dhe të pakontestueshme.

E kemi të vështirë që të bëjmë një politikë mjaft racionale dhe mjaft konstruktive në vazhdimësi për shkak të trashëgimisë totalitare nga e kaluara dhe pasojat që ajo ka lënë tek ne, tek shoqëria jonë që ndihet dhe sot fryma e përjashtimit, dëshira për të shtypur tjetrin dhe jo për të respektuar të drejtat e tij, sepse është mënyrë për të garantuar të drejtat e tua nesër.

Shumë arsye të cilat kanë të bëjnë me temperamentin tonë mesdhetar, pak si ballkanas, dëshira për të poshtëruar kundërshtarin dhe jo për ta mundur dhe për ta respektuar. Por, të gjithë kemi për detyrë që përsa i takon në mënyrë të veçantë çështjeve që kanë që bëjnë me integrimin evropian të vendit dhe të zbatimit të reformës në drejtësi, që kanë të bëjnë me institucione afatgjata, të cilat duhet të sjellin një besim të ri të publikut, sipërmarrësve vendas, investitorëve të huaj, të të gjithëve qytetarëve tek shteti ligjor, këtu është një domosdoshmëri, që palët të dalin nga vetja dhe të bashkëpunojnë.

Gazetari: Ju folët për një rol të jashtëzakonshëm që ka luajtur Komisioni i Venecias dhe ju në kohën kur ishit Kryetar i Kuvendit kur është aprovuar dhe reforma në drejtësi, ose të paktën kolonat kushtetuese të saj, mund të bëni dallimin mes projektit që paraqiti qeveria në fillim dhe ndërhyrjeve që bëri Komisioni i Venecias. Çfarë vërehet?

Presidenti Meta: Nuk kam dëshirë të hyj në komente të tjera sepse nuk dua të marr atribute që nuk më takojnë. Mendoj që reforma deri në 21-22 korrik ishte një reformë gjithëpërfshirëse. Komisioni i Venecias luajti rol vendimtar sepse ka qenë dhe mbetet institucioni më i besueshëm. Dha një kontribut vendimtar për të vendosur shinat e konsensusit. Tani është e rëndësishme të ecet në këtë linjë. Mendoj që çdo vonesë për një dialog të strukturuar mirë, për këto çështje është jo ndihmues, por është gërryes për besimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë, çka është kritike për gjithë reformën.

Na është thënë që ligjet i bëni të mira, por tek zbatimi keni probleme.

Tani është koha të ketë një zbatim të përgjithshëm, parimor, transparent, me standarde, larg retorikave konfliktuale.

Zgjidhja është te Kushtetuta, dialogu, transparenca.

Nëse do të vazhdojnë komunikimet përmes akuzave në televizion apo mitingje, për çështjen e reformës atëherë thjesht do të kemi një përpjekje për t’ia faturuar përgjegjësinë njëri-tjetrit për cënimin e reformës, qoftë për rrezikun e moshapjes së negociatave në të ardhmen.

Në fund fare askush nuk do të dalë i fituar dhe ajo që do të humbasë më shumë është Shqipëria, do të jenë qytetarët dhe të rinjtë e saj.

Gazetari: Berisha është shprehur me tone akoma edhe më të ashpra se sa drejtuesit e tjerë të opozitës: Ka kërkuar djegien e mandateve të të gjithë deputetëve të opozitës. Çfarë efektesh mund të ketë kjo?

Presidenti Meta: Unë kam qenë dhe jam partizan i pjesëmarrjes në çdo rast në demokraci, pavarësisht nga standardet e funksionimit të demokracisë apo qoftë edhe të vetë parlamentit. Edhe demokracitë më të zhvilluara kanë ulje-ngritjet e tyre, kështu që ju nuk mërziteni po të them që nuk jam dakord me Berishën.

Gazetari: Në mbledhjen e fundit të Asamblesë që ishte këtë fundjavë, zoti Rama u shpreh se e prishi koalicionin me LSI-në kur ju ishit kryetari i saj, sepse ju ishit kundër reformës në drejtësi. Përse e kundërshtonit reformën në drejtësi?

Presidenti Meta: Së pari koalicioni është prishur apo nuk është rikonfirmuar jo në kohën kur kam qenë unë kryetar i LSI-së, por në kohën kur ka qenë zoti Vasili kryetar, sepse unë dhashë dorëheqjen pasi u zgjodha president, madje me vetë përkrahjen e zotit Rama.

Së dyti nuk më takon mua të flas për raportet PS-LSI, aq më tepër për këtë periudhë, por për periudhën e mëparshme meqë po flasim për reformën në drejtësi, vetëm një problem ka qenë: unë gjithmonë kam insistuar me një këmbëngulje heroike, të paparë, që reforma duhej bërë sipas standardeve të Venecias dhe me konsensus. Dhe konsensusin mund ta gjenim vetëm te Venecia, te askush tjetër.

Dhe për fat të mirë kjo gjë ndodhi dhe ndryshimet kushtetuese u bënë kështu.

Dhe pse kam insistuar kaq shumë? Sepse për shkak të përvojës sime 25-vjeçare në parlament dhe në jetën politike duke e nisur që nga Lëvizja Studentore “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” në 1990, unë e kam ditur, e di, dhe nuk kam nevojë ta dëgjoj nga asnjë ambasador, nga asnjë shtet evropian, perëndimor, dhe e kam ditur shumë mirë se po të mos bëhej reforma kështu, nuk do të kishte pasur kurrë një rekomandim pozitiv të Komisionit Evropian për çeljen e negociatave të Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Le të ishte bërë jo me 94 vota, pa konsensusin e opozitës! Le të ishte bërë me 104 vota, me 120, por pa opozitën politike, kurrë nuk do të kishte pasur një rekomandim pozitiv. Unë këtë gjë e kam ditur shumë mirë dhe e di shumë mirë që nëse palët do të vazhdojnë në këtë rrugë, të largohen nga njëra-tjetra dhe ta vënë njëri-tjetrin para faktit të kryer dhe t’i hedhin benzinë këtij zjarri, Shqipëria do të ketë një shans të humbur.

Prandaj apeloj dhe insistoj që të paktën për këtë çështje dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përparësitë kyçe të integrimit evropian, të ketë përgjegjshmëri, palët të dalin nga vetja.

Edhe po s’u pëlqeu prapë për një interes më të madh, sepse mendoj që edhe gjykimi në të ardhmen do të jetë mjaft ndëshkues për secilin që nuk do të dijë të ndihmojë vendin, sepse ne kemi humbur shumë mundësi në të kaluarën.

Gazetari: Sërish te aludimi që bëri Rama këtë fundjavë. Aludoi se ju keni qenë kundër. Nga drejtësia e pavarur, nga reforma në drejtësi…

Presidenti Meta: Thonë që përsëritja është nëna e dijes, por në raste të tilla është nëna e gënjeshtrës dhe e mashtrimit. Besoj se nuk e ka pasur për mua. E dinë edhe të tjerë: Nuk ka fuqi jashtëtokësore që të më trembë mua as me drejtësi dhe as me padrejtësi.

Si politikan i vetmi shqetësim që kam unë është drejtësia e popullit shqiptar.

Nuk jam as prokuror, nuk jam as gjykatës.

Kam respekt për ta dhe dëshiroj që ata të ndihen gjithnjë të pavarur dhe të mbështetur në punën e tyre.

Unë jam një politikan që është ballafaquar me drejtësinë, të cilit i janë shkelur të drejtat, i cili ka kërkuar vetë të hetohet dhe jam këtu ku jam dhe do të vazhdoj të jem në politikë për një kohë të gjatë, pavarësisht se dëshiroj dhe do të dëshiroj që të promovoj më të rinjtë në politikë sikurse kam bërë edhe në të kaluarën. Kështu që këto janë lojëra, politike, mediatike.

Shpesh shohim deklarata të neveritshme nga të gjitha palët: kanë frikë këta! Ka frikë ky! Ka frikë ai! Hajdeni t’i shërbejmë zbatimit korrekt, transparent, me standarde të ndryshimeve kushtetuese që janë miratuar me konsensus për ndërtimin e institucioneve të reja të drejtësisë, në mënyrë që të gjithë prokurorët, të gjithë gjykatësit, inspektorët e Këshillit të Drejtësisë, KLP-ja e të tjerë të mos ndihen të detyruar ndaj njërës parti apo ndaj dy partive apo ndaj tre partive për pozicionin që marrin! Sepse më pas janë peng të kësaj mbështetjeje politike apo partiake, por t’ia dinë për nder aftësive, integritetit të tyre dhe t’i shërbejnë profesionalizmit në të ardhmen, në mënyrë që ky të jetë një sistem i respektuar dhe i pranuar nga të gjithë.

Gazetari: Përtej aspektit personal, do të doja t’ju pyesja, sepse në Shqipëri jetojmë, e kemi ndjekur prej 25 vitesh politikën shqiptare, ka pasur edhe gjyqe politike, ka pasur edhe instrumentalizim të prokurorisë…

Presidenti Meta: Nëse merresh me politikë në Shqipëri dhe ke frikë nga gjyqet politike, është më mirë të mos merresh! Unë mendoj se ne duhet t’i largohemi kësaj përvoje, sepse e dimë shumë mirë se çfarë ka ndodhur që nga burgosja politike e Fatos Nanos, edhe raste të tjera. Unë mendoj se detyra e politikanëve është që të zbatojnë me korrektësi ndryshimet kushtetuese për formimin e institucioneve të reja të drejtësisë.

Pastaj për çështje të tjera, le të bëjnë debat gjithë ditën: për buxhetin, për shëndetësinë, për bujqësinë, për gjithçka që ata munden, por kemi nevojë për institucione afatgjata të përbashkëta.

Jo të politikës, por të shoqërisë, të qytetarëve, të shtetit. Kemi nevojë të forcojmë sigurinë juridike të qytetarëve, të investitorëve, të sipërmarrësve dhe kemi për detyrë të mos vëmë në pikëpyetje sigurinë dhe garancitë kushtetuese të sistemit demokratik.

Gazetari: S’jeni i sigurt, sepse mund ta ndërprisni mandatin e Presidentit…?

Presidenti Meta: Kur them… Jo, nuk më shkon mendja për këtë gjë, përkundrazi.

Nuk më shkon mendja se ky është një institucion tërësisht legjitim, dhe është detyra ime të mbroj legjitimitetin dhe integritetin e këtij institucioni në interes të vendit, jo në interesin tim personal. Kurrsesi! Së dyti, kur them se do të merrem gjatë me politikë kam parasysh që unë jam një qenie politike. Edhe tani unë po bëj politikën e presidentit. Nuk po bëj politikën e asnjë force politike, përkundrazi. Dhe kur njeriu është politik, edhe kur bën shëtitje, mendon politikisht.

Gazetari: Në fakt kompetencat i keni pothuajse honorifike. Si mund të veproni?

Presidenti Meta: Unë mendoj se kjo nuk është çështje kompetencash. Kjo është çështje përgjegjësie dhe do të ushtroj përgjegjësitë e mia maksimalisht dhe në mënyrë tepër transparente dhe i pandikuar asnjëherë nga asnjë interes partiak apo nga raporte të dikurshme personale politike.

Gazetari: Flasim për Kosovën, për shqetësimin që ka krijuar te vendet perëndimore, që kanë paralajmëruar një shumë të vështirë për Kosovën pas përpjekjes së kryetarëve të partive që kanë dalë nga krahu i luftës për të abroguar krijimin e Gjykatës Speciale. Ju si e shikoni këtë situatë? Realisht a ka gjë për t’u shqetësuar aty në aspekt të integrimit dhe shtetformimit të Kosovës?

Presidenti Meta: Të gjithë jemi në ndjekje të një debati që është zhvilluar atje, pra është një çështje që është bërë publike. Nuk besoj se drejtuesit e Kosovës do të ndërmarrin vendime të cilat mund të minojnë besimin se në Kosovë mungon angazhimi për sundimin e ligjit në lidhje me gjithçka ka ndodhur deri tani në akord të plotë me partnerët ndërkombëtarë kryesore të Kosovës, me SHBA-të dhe BE-në.

Gazetari: Në fakt në deklaratat e tyre, si Thaçi, si Haradinaj dhe Veseli janë në një zë kur thonë se në emër të drejtësisë, Kosovës po i bëhet një padrejtësi historike. Mendoni se kanë të drejtë?

Presidenti Meta: Nuk mund të them se kanë apo nuk kanë të drejtë, por në politikë për disa qëllime më të mëdha do të duhet ndonjëherë të bësh edhe sakrifica jo të drejta.

Gazetari: Ministri i Diasporës, Majko, javën e kaluar tha se qeveritë nuk po i lë biznesi për të hapur plotësisht kufijtë mes Kosovës dhe dy vendeve. Është një deklaratë e gabuar e ministrit apo oligarkët në të dyja anët e Drinit janë kaq të fuqishëm sa t’u imponohen edhe qeverive?

Presidenti Meta: Ajo që dua të them është se të gjithë presim që pas takimit të Korçës më 27 nëntor midis dy qeverive, të ketë një rezultat shumë më konkret në bashkëpunimin e përgjithshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës edhe në drejtim të hapjes së tregjeve, në drejtim të unifikimit të shumë standardeve të shumë politikave konkrete, të cilat nuk i shërbejnë as oligarkëve, as biznesmenëve por u shërbejnë vetëm qytetarëve dhe rritjes së prodhimit në Shqipëri në Kosovë, rritjes së bilancit tregtar midis dy vendeve tona dhe njëkohësisht uljes së çmimeve, përmirësimit të shërbimeve, hapjes së vendeve të punës edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri.

Gazetari: Në fundjavë ju ishit në Pustec dhe aty u shprehët për një bashkëpunim trepalësh Shqipëri-Maqedoni-Greqi. Çfarë nënkuptoni sepse kjo deklaratë e juaja vjen në një kontekst të tillë kur konflikti mes Maqedonisë dhe Greqisë po zbutet dhe po gjendet zgjidhja? Si e konceptoni ju këtë bashkëpunim mes këtyre tre vendeve?

Presidenti Meta: Nuk ka vend më ideal se sa Pusteci për të folur për një bashkëpunim, jo vetëm Shqipëri-Maqedoni, por për një bashkëpunim edhe më të plotë Shqipëri-Greqi-Maqedoni, pasi Prespa është e përbashkët e tre vendeve.

Dhe kur flas për Prespën nuk kam parasysh vetëm liqenin, por të gjithë rajonin, njësitë vendore atje. Dhe nuk kam parasysh vetëm Pustecin, që është përfitues kryesor, por edhe Devollin dhe Korçën dhe mundësitë për të përfituar edhe nga programet e përbashkëta dhe në raport me BE-në janë shumë më të mëdha.

Mendoj që viti 2018 besoj shumë do të jetë një vit historik për raportet midis tre vendeve dhe Shqipëri-Maqedoni, që është më e thjeshta, edhe Shqipëri-Greqi, që prapë është më e thjeshtë, por edhe Maqedoni-Greqi, që është pak më e vështirë, por është plotësisht e mundshme.

Gazetari: Pas 10 ditësh pritet raundi i dytë i bisedimeve mes dy ministrave të Jashtëm, z. Bushati dhe z. Kotzias pas takimit të Kretës për të sheshuar të gjitha çështjet e hapura që ekzistojnë mes dy vendeve. A ju ka informuar Ministri i jashtëm se çfarë ka ndodhur në Kretë, cilat janë axhenda dhe pritshmëritë?

Presidenti Meta: Kjo është çështja më pa interes. Ajo që është më e rëndësishmja, unë mbështes – jo me Greqinë, por me të gjithë vendet fqinje – një politikë të hapur të miqësisë, të bashkëpunimit, të tejkalimit të problemeve, duke bërë akte të mirëbesimit dhe jo duke krijuar frymë mosbesimi.

Në këtë drejtim gjithmonë kam qenë i vendosur që duhet të jemi dhe nuk humbasim asnjë gjë dhe kur jemi asimetrik ndonjëherë me fqinjët. Rëndësi ka që të jemi në rrugën e drejtë, të jemi në një rrugë evropiane, të jemi në një rrugë që ofron mirëbesim për të tjerët, sepse edhe të tjerët në rast se gabojnë për momentin do të reflektojnë dhe do t’i kthehen edhe ata frymës së mirëbesimit dhe të bashkëpunimit. Kështu që çdo dialog që synon kapërcimin e të gjithë problemeve apo shumicës së tyre, që ekzistojnë mes dy vendeve gëzon mbështetjen time dhe natyrisht në kohën e duhur çdo gjë do të behët transparente edhe për opinionin publik.

Gazetari: Dy vjet më parë kur tensionet ishin në kulm, ju në krye të një delegacioni parlamentar vizituat Athinën dhe u pritët nga drejtuesit më të lartë të shtetit grek. Media aludoi se ju kishit arritur të gjenit një zgjidhje me homologët grekë, por ajo hasi në vështirësi. Çfarë ndodhi dhe nëse ju kishit arritur diçka, a është e ngjashme me atë që po arrihet tani?

Presidenti Meta: Nuk dua të kthehem as pas as t’i shërbej teorive konspirative. Unë kam qenë për vizitë në Greqi në një moment pak të tensionuar, sepse ashtu qëlloi në atë kohë, dhe u përpoqa t’i hidhja sa më shumë ujë zjarrit, sepse për t’i hedhur benzinë zjarrit këtu në Ballkan është puna më e lehtë, por është punë për dembelë dhe për njerëz të papërgjegjshëm. Nuk është për njerëz të përgjegjshëm, të cilët kanë përgjegjësi edhe për vendet, por edhe për njerëzit. Sepse pasojat e acarimit mes vendeve i pësojnë qytetarët dhe ne e dimë shumë mirë dhe ata e dinë më mirë se ne, se ata e dallojnë menjëherë temperaturën e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kështu që pa u kthyer më pas, mund të them që Kryeministri Tzipras ka një meritë tepër pozitive dhe unë padyshim duke pasur konsideratën tepër të lartë edhe për Presidentin Pavloupulous dhe për të gjithë të tjerët, unë besoj shumë në vullnetin dhe në energjinë e tij pozitive. Mendoj se këtë më mirë se kushdo e kanë provuar emigrantët tanë në Greqi, të cilët kanë parë një qasje tjetër nga kjo qeveri qëkur erdhi në pushtet dhe nga ky Kryeministër. Dhe kjo mendoj që shumë lehtë mund të reflektohet edhe në një energji tepër pozitive midis vendeve tona dhe shpresoj që kjo të ndodhë edhe midis Greqisë dhe Maqedonisë.