Presidenti Meta vlerëson me Dekoratën “Nderi i Kombit” mjeshtrit e valles popullore Rexhep Çeliku dhe Liljana Cingu

8 janar 2018

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” dy emblemat e jashtëzakonshme të artit dhe kulturës së kombit shqiptar, dy figurat, dy personalitetet që, me pasion, përkushtim, vetëmohim dhe punë të palodhur janë kthyer në simbole mbarëkombëtare:

“Perëndeshën e valles” Liljana Cingu, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si soliste me nivel të lartë artistik dhe mjeshtëri të veçantë në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit si dhe përçimin e folklorit tonë tek brezat e artistëve të rinj, si dhe “Shqipen fluturuese”, Rexhep Çeliku, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj.

Gjatë fjalës së Tij drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve ishin miq, kolegë e familjarë të dy artistëve, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro, kreu i KLSH-së Bujar Leskaj, deputetë e personalitete të artit e kulturës, Presidenti Meta u shpreh se Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku kanë dhënë gjithçka nga jeta e tyre që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e te gjithë shqiptarëve, kudo në botë.

“Ata ngritën në këmbë dhe pushtuan zemrat e spektatorëve të skenave më të rëndësishme ndërkombëtare duke u njehsuar me vlerat dhe bukurinë e artit, muzikës dhe trashëgimisë sonë, duke u bërë ambasadorë të shkëlqyer të kulturës sonë në botë.

Në çdo shfaqje e festival ku kanë marrë pjesë, ata kanë shpalosur me interpretimin e tyre vlerat më të larta të artit koreografik shqiptar,” – theksoi Presidenti Meta.

Presidenti i Republikës nënvizoi gjithashtu se: “asnjëherë nuk do të mjaftonin fjalët dhe aktet për të shprehur atë që këta dy simbole të kulturës sonë meritojnë në vlerësim të veprës dhe kontributit të tyre mbarëkombëtar.”

Zonja Cingu duke shprehur mirënjohjen vuri në dukje se puna të bën që ta ndajë këtë vlerësim e t’ua dedikojë koreografëve, pa koreografitë e të cilëve apo perlat e tyre të valleve “ne nuk do të ishim askush në skenë. I falënderoj të gjithë dhe falënderimi më i madh i shkon kolektivit tonë që është një ansambël e që ka bërë epokë dhe do të vazhdojë të bëjë një epoke në skenat shqiptare dhe më gjerë.”

Zoti Çeliku, pasi mori në dorëzim Dekoratën e lartë nga Presidenti Meta, të cilit i shprehu falënderimet, vuri në dukje se: “ky vlerësim është shumë i vlefshëm jo vetëm për mua, por për të gjithë kolektivin, me të cilin kemi pasur nderin të punojmë.”

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta:

E dashur Lili, i dashur Rexhep,
E nderuar Znj. Ministre Kumbaro,
E nderuar Drejtore e Ansamblit Shtetëror,
Dhe të gjithë ju artistë që na nderoni sot këtu,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të dashur miq,

Jam shumë i lumtur që jemi mbledhur sot në këtë ngjarje të veçantë, për të vlerësuar dy emblema të jashtëzakonshme të artit dhe kulturës të kombit shqiptar, dy figura, dy personalitete që, me pasion, përkushtim, vetëmohim dhe punë të palodhur janë kthyer në simbole mbarë kombëtare.

Sukseset, arritjet, lavdia e fama e tyre janë të njohura botërisht e janë pazgjidhshmërisht të lidhura me sukseset e famën e Ansamblit tonë Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në dekada.

Liljana Cingu dhe Rexhep Çeliku dhanë gjithçka nga jeta e tyre që vallja jonë popullore të duartrokitej e të ngrinte peshë zemrat e te gjithë shqiptarëve, kudo në botë.

Ata ngritën në këmbë dhe pushtuan zemrat e spektatorëve të skenave më të rëndësishme ndërkombëtare duke u njehsuar me vlerat dhe bukurinë e artit, muzikës dhe trashëgimisë sonë, duke u bërë ambasadorë të shkëlqyer të kulturës sonë në botë.

Në çdo shfaqje e festival ku kanë marrë pjesë, ata kanë shpalosur me interpretimin e tyre vlerat më të larta të artit koreografik shqiptar.

Në 43 vjet art në skenë, eleganca, kultura e lartë muzikore, si njohëse e folklorit të të gjitha trevave, shprehitë dhe emocionet me të cilat i veshi Lili vallet që aq natyrshëm e me origjinalitet i interpretoi, i dhanë mundësi të shprehë shpirtin e saj, si në vallet me përmbajtje lirike dhe epike njëherësh, duke na sjellë të gjitha trevat tona kombëtare në vallet popullore.

Artistja e madhe, Lili Cingu është vlerësuar nga kritikët e artit botëror si “Perëndesha e valles” dhe është nderuar me çmime, urdhra e medalje të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare.

Rexhep Çeliku, biri i një familje gjirokastrite të traditës kombëtare, ndoqi trashëgiminë e të atit duke e gdhendur vallen popullore shqiptare në tempullin e kulturës, në skenën e Ansamblit tonë Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore si “Shqipja fluturuese”, sikundër e ka karakterizuar kritika artistike shqiptare dhe e huaj.

Rexhep Çeliku, me pasion dhe përkushtim, me estetikë dhe mjeshtëri, me talent të jashtëzakonshëm ka shkruar disa nga faqet më të lavdishme të artit shqiptar.

Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në më shumë se 3000 shfaqje artistike dhe është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare e medalje të ndryshme.

Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien mbresëlënëse “Njeriu që vallëzon me shqipet” ose “Shqiponja e skenës shqiptare”

Të dashur miq,

Asnjëherë nuk do të mjaftonin fjalët dhe aktet për të shprehur atë që këto dy simbole të kulturës sonë meritojnë në vlerësim të veprës dhe kontributit të tyre mbarëkombëtar.

Ndaj kam vendosur t’u jap Liljana Cingut dhe Rexhep Çelikut Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.